Walter Glos, drejtori i fondacionit “Konrad Adenauer” në Shqipëri
Partia Demokratike duhet të shpjegojë në mënyrë të qartë dhe sa më bindëse alternativën që ajo ka për shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky është sugjerimi që jep për opozitën Walter Glos, drejtori i fondacionit “Konrad Adenauer” në Shqipëri në një intervistë për “Panorama”.
Sipas përfaqësuesit më të lartë gjerman të fondacionit “Konrad Adenauer” në Tiranë, i cili ka bashkëpunuar në hartimin e programit ekonomik të PD-së, votimi elektronik, që kërkohet me ngulm nga opozita, nuk do të ishte një zgjidhje përfundimtare për garancinë e zgjedhjeve në Shqipëri, por që gjithsesi do të rriste besimin se procesi do të ishte më i ndershëm.
Partia Demokratike ka bërë publik bashkëpunimin me fondacionin “Konrad Adenauer” për hartimin e programit të saj ekonomik. Cilat janë shtyllat kryesore që ju i keni dhënë Partisë Demokratike?
Fakti që PD e bën publik bashkëpunimin me fondacionin “Konrad Adenauer” dhe CDU-në është diçka normale. PD dhe CDU janë të dyja pjesë e një familjeje të madhe, siç është PPE, dhe është normale që partitë e një familjeje të këshillojnë, mbështesin dhe ndihmojnë njëratjetrën. Rekomandimet kryesore të ekspertëve të CDU-së dhe fondacionit “Konrad Adenauer” janë: Një kuadër ligjor funksional dhe i pranueshëm nga të gjithë, një sistem arsimor ku kanë akses të gjithë, një administratë që është pro biznesit dhe një mjedis i besueshëm për investime vendase e të huaja, siguri sociale për njerëzit në situata emergjente, një konkurrencë në ekonomi dhe politika të ndryshme që janë specifike për Shqipërinë (shembull mund të jenë politikat bujqësore).
Nëpërmjet këtyre shtyllave, ne përpiqemi që së bashku me PD të zhvillojmë një koncept të kuptueshëm nga popullata. Për Partinë Demokratike është veçanërisht e rëndësishme të ndërmarrë shumë përpjekje që veçanërisht ata zgjedhës që i ka humbur t’u rikthejë besimin. Prandaj është e rëndësishme të kemi një koncept të qartë dhe të kuptueshëm. Një program të qartë që shqiptarët të kuptojnë idetë, të cilat ne na duken shumë të mira. Në këtë mënyrë shqiptarët do ta shohin Partinë Demokratike si alternativë.
Ky program duhet të prekë fushat e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe papunësisë. Të gjithë e dimë problematikën e përhapjes së kanabisit në të gjithë vendin. Kjo është një pikë që PD duhet të jetë e besueshme dhe duhet t’u bëjë të qartë shqiptarëve që ne kemi një koncept që na çon në drejtim të një të ardhmeje më të mirë dhe në rrugën e integrimit në BE.
PD ka kushtëzuar pjesëmarrjen në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe marrëdhënieve me Parlamentin me pranimin nga shumica të përdorimit të elektronikës në zgjedhje. Mendoni ju se janë kushtet për zhvillimin e votimit elektronik, kur kanë ngelur edhe 4 muaj nga zgjedhjet parlamentare?
Kjo është një pyetje komplekse. Një shqiptar që ka marrë pjesë në votime të ndryshme dhe e njeh situatën, e di se sa pak të lira dhe të ndershme kanë qenë zgjedhjet e deritanishme. Është e kuptueshme që një opozitë të gjejë tema që janë të përshtatshme për të arritur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kjo temë që opozita ka zgjedhur është votimi elektronik. E di që shumë organizata të ndryshme ndërkombëtare, por edhe ato të vendit, kanë vlerësime të ndryshme për këtë. Të gjithë e dimë që votimi elektronik nuk i zgjidh të gjitha problemet, por është një hap i mundur në drejtimin e duhur, duke pasur parasysh eksperiencat e kaluara zgjedhore. Ka vlerësime të ndryshme për votimin elektronik. Por duke pasur parasysh edhe zhvillimet në vendet e tjera të Europës, e di se sa e vështirë është kjo temë.
Në Gjermani, në vitin 2009, Gjykata Kushtetuese vlerësoi që përdorimi i kompjuterëve në zgjedhje ishte antikushtetues. Ka gjithashtu edhe vlerësime të ndryshme në lidhje me kohën që duhet për implementimin e votimit elektronik. Në këto vlerësime kemi një hapësirë që përllogaritet nga 1 vit e gjysmë dhe deri në pak muaj. E di që ka ekspertë që janë të bindur se këtë sistem mund ta implementojnë edhe brenda pak javësh, por për këtë duhet të plotësohen të gjitha kushtet.
Unë kam vetëm një vit në Shqipëri, por nuk mund ta them me siguri që nga Jugu në Veri vendi është teknikisht i përgatitur për këtë votim. E di që përfaqësuesit e OSBE-së, nisur nga eksperiencat e tyre, kanë deklaruar se nuk ka kohë për votimin elektronik, ndërkohë që PD është e një mendimi tjetër. Duke pasur parasysh këto, ne e kemi diskutuar edhe me disa deputetë në Bundestagun gjerman dhe kemi menduar që të zhvillojmë një konferencë me këtë temë.
Nëse votimi elektronik nuk do të realizohet, a do ta mbështesnit apo do këshillonit si një vendimmarrje të drejtë skenarin që opozita të mos hyjë në zgjedhjet parlamentare?
Unë e theksova se votimi elektronik është një hap i mundur në drejtimin e duhur, por ai nuk i zgjidh të gjitha problemet. Problemet nuk zgjidhen as kur nuk merr pjesë në mbledhjet e reformës elektorale, problemet nuk zgjidhen as duke bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve.
Sepse nga pikëpamja jonë, ku ne po i përjetojmë demokracitë në shumë vende, është e qartë se zgjedhjet në një demokraci janë një e mirë shumë e madhe. Më besoni, kam shëtitur në shumë vende dhe kam njohur shumë njerëz që dëshirojnë jashtëzakonisht shumë që të paktën një herë në jetën e tyre të shkojnë e të votojnë. Nuk jemi në rrugën e duhur, nëse gjërat që i përkasin një rendi demokratik dhe gjërat që të çojnë drejt një vendimi demokratik t’i bllokosh.
Për më tepër, PD dhe qeveria e dinë që kanë përgjegjësinë që të kujdesen që zgjedhjet e 18 qershorit të jenë më të lira e të ndershme se zgjedhjet e mëparshme. Për më tepër që Shqipëria gjendet në një rrugë drejt BEsë. Procesi zgjedhor është një nga pritshmëritë e BE-së për hapjen e negociatave.
Komentet