Shkrimtari dhe kryetari i partisë serbe SPO (Srpski Pokret Obnove – Lëvizja serbe për rindërtim), Vuk Drashkoviq, i ftuar të flasë për librin e tij më të ri, ‘Monah Hokaj’, pasi në pika të shkurta e shpjegoi përmbajtjen e librit, në vazhdim të bisedës tha, se qëllimi i tij kryesor është, zbulimi i të vërtetës për ngjarjet e viteve të 90-ta, të cilat duhet t’i dinë populli serb, ndër të tjera nënvizoi;
Në pyetjen e gazetares, se secili nga ne e ka të vërtetën e vetë lidhur me luftën dhe sulmin mbi Sarajevën në vitin 1994, V. Drashkoviq, tha,
Po, por të gjithë duhet të ballafaqohen me të vërtetën, e që është vetëm një dhe nuk ka tjetër, se, Sarajeva tri vite ka qenë e rrethuar, e gjuajtur me granata nga kodrat për rreth, e shkatërruar dhe ku janë vrarë 15 mijë civilë, në mesin e tyre 1600 fëmijë, dhe se kjo është e vërteta e vetme për këtë ngjarje tragjike. Ndaj ne duhet të përballemi më këtë të vërtetë, që në fakt nënkupton, se ne duhet të përballemi me vetveten.
Dhe, kush jemi ne, ishte pyetja e gazetares?
Drashkoviq shtoi; nuk është populli serb ai i cili e ka bërë atë masakër të tmerrshme në Srebrenicë, por janë njerëzit që kanë emër dhe mbiemër të cilët kanë dhënë urdhër që ta bëjnë atë krim, sikur ai Hokaji në Rusi, që e kam përshkruar në librin tim, ngase nuk ka përgjegjësi kolektive veçse individuale, njëjtë sikur edhe në procesin e Nürnbergut, ku u gjykuan individët e jo populli gjerman. Prandaj, nga ky keq-interpretim që bëhet në Serbi, se akuzat ndaj individëve janë akuza ndaj popullit serb, ka shkaktuar frikë tek serbët që mund të gjykohen si popull gjenocidial, e që nuk është e vërtetë, sepse ne (serbët) kurrë nuk kemi qenë më të poshtëruar, se kur Rusia në KS të OKB-së vendosi veto në Rezolutën e Anglisë me të cilën gjykohej gjenocidi në Srebrenicë, dhe në të cilën shkruante, se në atë masakër nuk ka marrë pjesë populli serb dhe as ushtria e Republikës serbe në Bosnje, e as Republika e Serbisë, që në fakt ishte distancim i tyre nga vrasësit, ekzekutuesit dhe urdhërdhënësit e tyre.
Pra, Rusia doli me tezën se ne po e mbrojmë popullin serb nga vlerësimi si popull gjenocidial, duke ia ngarkuar fajin, se vrasjen e 15 mijë boshnjakëve në Sarajevë, të 1600 fëmijëve dhe masakrën në Srebrenicë, e ka bërë populli serb, e jo individët. Ja, pra kjo ishte vula me të cilën Rusia në emër të gjoja të mbrojtjes së popullit serb, ia vulosi atij barrën e gjenocidit mbi shpinë.
Por, ne nuk e shikojmë kështu rolin e Rusisë sikur ju, por kjo është e vërtetë, ngase pikërisht nga kjo pikëpamje kanë dalë dhe vazhdojnë të na vijnë të gjitha të këqijat, si popull dhe si shtet, dhe këto janë rezultatet e një politike të tillë .
Gazetarja: njëherë në studion time keni thënë, se e vërteta është përndjekur, kush po e përndjekë të vërtetën tek ne në Serbi, se gënjeshtra po triumfon në skenën tonë, kush po e fsheh të vërtetën tek ne. Më thoni, cili është definicioni për të vërtetën?
Drashkoviq: e vërteta është ajo që ka ndodhur në ato vite, ajo që nuk guxon të mohohet, dhe as nuk mund të ndryshohet. Por, e vërteta është, se sot në Serbi ekziston konspiracion i përgjithshëm ndaj të vërtetës, pra ata të cilët i kanë fshehur ngjarjet e viteve të 90-ta, sot janë në pozicionet komanduese. UDB-a, si burim i të këqijave, është e njëjtë dhe ka mbetur e pandryshuar, oficerët e saj janë në media, në parti politike, në qeveri, në parlament, në akademi të shkencave, në kishë, etj., dhe që të gjithë lansojnë rrena, se ajo që ka ndodhur, nuk ka ndodhur, dhe këtë e quajnë ‘post të vërtetë’. Krimet të cilat mohohen, ose harrohen, në fund ato përsëritën, pra ikja nga e vërteta dhe falsifikimi i saj na ka sjellë këtu ku jemi sot, që sot është rrezik i madh me e fol të vërtetën, dhe, më e rrezikshmja e kësaj është kur iu dëgjojnë të rinjtë, të cilët janë sot viktimë e një propagande të tmerrshme, pra ndaj miliona njerëzve është kryer lobotomia (operacion neurologjik), njerëzit pak mbajnë mend dhe kush sot nuk do t’i kujton ato ngjarje.. Kush e dinë sot, se si ka ardhur deri tek bombardimi i NATO-s mbi Serbinë, pra e vërteta mbi ngjarjet e viteve të 90-ta është futur nën tepih, dhe ata që flasin për të vërtetën, siç jam unë, janë heretikë, janë gjoja të zhytur në vitet e 90-ta, dhe gjithë ata që flasin sikur unë, pra që e duan të vërtetën, janë të rrezikuar si një pakicë nacionale serbe brenda popullit të sotëm serb.
Përgatitur në Shqip nga Rexhep Elezaj
Gazetarja: revista e Sarajevës, ‘Blic’, shkruan për juve; ‘është e pamundur që V. Drashkoviq të lexohet jashtë diskursit të gjerë, se kush ka qenë ai në fillim të viteve të 90-ta, çfarë e ka inspiruar atë që ta shkruaj romanin e tij ‘Nož’ (Thika), dhe shumë shkrime tjera, ku ai ka nxitur krime dhe konflikte me të cilat shumë kriminelë i ka inkurajuar për ato veprime’!?
Drashkoviq: Kjo është një rrenë e kulluar, dhe ai që e ka shkruar këtë citat, është po ashtu njeri i operuar në tru (lobotomi), sepse libri im ‘Nož’, më vjen keq të them si autor i tij, se është romani ynë më anti-luftë, në të cilin do e gjeni të penduarin e parë, Ata Asanoviç, i cili pendohet për krimet e tij të bëra ndaj serbëve, dhe i cili thotë, ‘kam bërë krim ndaj serbëve, kam gabuar ndaj serbëve, Allahu nuk do t’mi falë gabimet, as vetes nuk mundem me ia falë, unë në dyqanin tim rri që t’i dëgjojë serbët kur vijnë nga e gjithë Jugosllavja, ata për mua janë njerëz të dashur..’, siç ka vepruar edhe hoxha Barbariq, i quajtur sikter efendija, i cili nga dhimbja për serbët e vrarë dhe të djegur nga fshati i tij nga ustashët në LDB-re, do të shkon në rrënojat e kishës serbe ku do të përulët dhe kryqëzohet, duke bërë lutje për ta, ‘le të jetë e përhershme prehja e shpirtrave tuaj të dhunuar’… ja pra, kjo është katarëza, ky është pendimi i vërtetë.
Gazetarja: Vuçe, pse nuk i shikoni punët tuaja po merreni me shumë çështje, dhe, si ndjeheni kur të tjerët nuk iu kuptojnë ?
Drashkoviq: për ata që nuk i kam shikuar punët e mia, dje ka qenë përkujtimi i 4 të vrarëve në magjistralen e Ibrit, të cilët i ka vra shërbimi i sigurimit shtetëror, UDB-a, me urdhër të S. Millosheviçit në vitin 1999, ishin njerëz të shkëlqyer dhe njeri ishte vëllai i gruas time. A ka pasur dje ndonjë shkrim për ta, asnjë, dhe kjo është gjë normale në Serbinë e sotme, ku sundon një shpirt i keq, siç është ‘normale’ lirimi i vrasësve të S. Çuruvis, pra lirohen udbashët.
Në vitin 1941 e kemi pasur pushkatimin e nxënësve serb nga ana e Ëehrmacht-it (nazistëve gjerman) në Kragujevc, por siç e dini e kemi pasur edhe pushkatimin e nxënësve në kafen ‘PANDA’ në Pejë në vitin 1998, ku janë vrarë 6 të rinj serb, dhe në vazhdimësi është lansuar rrena nga UDB-a, e cila i ka pushkatuar vetë, duke gënjyer hapur, se ata gjoja i kanë vrarë terroristët shqiptarë, dhe kjo rrrenë ka zgjatur deri në vitin 2013, kur A. Vuçiq, në një paraqitje televizive ka thënë, se Serbia do të kthehet kah e vërteta, se nxënësit në Pejë nuk i kanë vra as shqiptarët dhe as të huajt. Pra, ka qenë i qartë mesazhi i tij se kush i ka vra, por deri më sot kjo nuk është bërë zyrtarisht e qartë se kush i ka vra, ani se dihet se kush i ka vrarë. UDB-a i ka pushkatua djemtë tonë në lokalin PANDA në Pejë, dhe për këtë heshtet me vite, për një krim të shtetit, si gjoja sekret shtetëror.
Gazetarja: pse ju flisni për këto gjëra, a keni njohuri, apo vetëm supozoni ?
Drashkoiq: unë flas për këto gjëra, pikërisht për hir të vërtetës, po, i di këto gjëra, nuk i supozojë, nuk ka mirëqenie nëse ju i mbroni krimet, dhe nëse për vrasjen në lokalin PANDA presidenti tri herë e thotë këtë që po e them unë, atëherë kjo nuk është diçka e rastësishme, sepse ai i dinë të gjitha, dhe, nuk e di pse nuk e thotë, se kush e ka bllokuar hetimin e këtij rasti, mbase dihet mirë se kush e ka penguar këtë hetim, të gjithë e dinë, ka qenë UDB-a ajo që nuk ka lejuar që populli ta dinë të vërtetën.
Gazetarja: ka 30 vite që ju nuk i shikoni punët tuaja, ngase flisni hapur për shumë gjëra, dhe madje këtë e keni paguar me karrierën tuaj politike?
Drashkoviq: po, kjo është e vërtetët, e kam paguar këtë me vrasjen e 4 bashkëpunëtorëve të mi të ngushtë, me tentimin për vrasjen time disa herë, me vrasjen e dhjetëra anëtarëve të partisë time, e cila dikur ka qenë bartëse e shpresave të mëdha për Serbinë, e cila i ka kundërshtuar asokohe të gjitha spastrimet etnike, e cila ka organizuar protesta kundër krimeve, qysh në vitin 1991, po ashtu ne kemi qenë atë vit caku i tankeve të ushtrisë jugosllave, pra kemi qenë vetëdije për popullin serb, kurse sot në Serbi vetëdijesimi politik është në vdekje. Po ashtu, 5 tetori i vitit 2000, demonstratat e dhunshme, për mua ka qenë një ditë e zezë, e jo siç krekosën pushtetarët e sotëm, se ka qenë revolucion demokratik, dhe atë ditë unë kam qenë në Budvë i plagosur dhe nën mbrojtjen e policisë malazeze nga vrasësit, dhe kur i mendon vrasësit në magjistralen e Ibrit, vrasjen e Ivan Stamboliçit, të Sllavko Çuruvisë, dhe kur këta vrasës me 5 tetor shpallën çlirimtarë dhe heronj të kësaj ngjarjeje, etj., çdo gjë e kam pasur të qartë, se ekzekutuesit e krimeve monstruoze të regjimit të Millosheviçit, e kanë tradhtuar atë, duke e mbrojtur vetveten, duke i shpërlarë duart nga krimet me qëllim për ta marrë pushtetin në Serbi, dhe, se me vrasjen e Zoran Gjingjiqit, ata e morën përfundimisht pushtetin në dorë.
Pra, atë ditë është humbur rasti historik që Serbia ta merr rrugën e demokratizimit evropian, pra ta përvetëson atë platformë, të cilën ne në SPO e kemi aprovuar, dhe ne jemi ata që e kemi themeluar DOS-in (koalicioni opozitar) me 10 janar të vitit 2000, pra unë e kam formuar DOS-in, unë jam autor i tij, dhe të gjithë kemi qenë të bashkuar që bashkërisht ta rrënojmë atë sistem terrorist, që Serbinë ta mbrojmë nga hijenat e UDB-së dhe kriminelët, që t’i hapim dosjet sekrete, ta demolojmë atë shërbim kriminal, por të gjitha këto ndërmarrje tona i ka penguar UDB-a pas atentatit ndaj meje në Budvë, kur madje shpifnin, se unë vetë kam bërë atentat ndaj vetes time me 8 plumba. Pra, në Serbi gati të gjithë i besonin kësaj propagande të ndyrë, se unë gjoja kisha bërë atentat ndaj vetvetes. SPO, u tradhtua, por ajo nuk mund të zhduket, ajo është pjesë e historisë së Serbisë, siç nuk munden kurrë ta vrasin as ëndrrën e njeriut për liri dhe jetë të qetë.
Gazetarja: a pendoheni për atë se ç’keni bërë për këto 23 vite, a mendoni se keni mund të bëni diçka më mirë seç keni bërë. Ju, për 10 vite bëtë luftë kundër Millosheviçit, ishin vrasjet, burgjet, demonstratat tuaja të mëdha, kërkesat tuaja, njeriu që e ka gjuajtur veten plumba, të gjithë iu kanë lënë të vetmua, iu kanë tradhtuar, etj ?
Drashkoviç: nuk ka njeri që nuk bën gabime, por ata çdo gjë kanë bërë kundër asaj që unë kam punuar, këtë e ka treguar 5 tetori 2000, meqë ishin udbashët ata të cilët ia mbyllën rrugën Serbisë drejt evropeizimit, dhe ja, deri më sot ajo (Serbia) ka ngelë e izoluar, dhe se, vetëm njëherë në jetë të jepet rasti historik që të ecësh përpara, po ai rast është shkërmoq me 5 tetor 2000. Pra, ëndrrat e popullit serb për liri dhe demokraci janë shkelur brutalisht atë ditë të zezë për Serbinë, si pasojë e paktit mes komandantëve të regjimit të Millosheviçit, e që sot janë në pushtet.
Pra, propaganda në shekullin 21, në kohën e zhvillimeve të mëdha teknologjike, është ajo që ndryshon mendjet e njerëzve, i edukon, i bindë ata, siç ka ndodhur në Amerikë, që me miliona njerëz kanë besuar se toka është e rrafshët, dhe se, diku nën torkë gjendet shteti i thellë amerikan, i e cili bën kurthe kundër vetë Amerikës. Këto janë gjëra të tmerrshme.
Rrjetet sociale dhe bllogjet në internet janë përparim teknologjik i shoqërisë, të cilat çdo idioti dhe budallai i ka ofruar mundësinë që të bëhet shkrimtar, që të flet dhe shkruan marrina, që t’i gjen vetes akranë, sidomos për të gënjyer kundër të vërtetës, dhe kjo ndikon shumë që ata të jenë infektues tek njerëzit, dhe për këtë miku im në Moskë të cilin e kam njohur moti, Aleksandar Dugin, ideologu kryesor i Putinit, mrekullueshëm e ka përmbledhë gjithë zallamahin e gënjeshtrave në një thënie të vetme; ‘Fuqia magjike joshëse e gënjeshtrës’!.
Gazetarja: ju lutëm më thoni, se si do të shkruhet historia e Kosovës në 50 vitet e ardhshme, a kishit guxuar ta shkruani librin parashikues të ngjarjeve në të ardhmen ?
Drashkoviq: unë mendoj se ato 50 vite nuk guxojmë t’i presim, siç mendoj, se ne të vërtetën për Kosovën, siç e thash në fillim, se është rrezik të jesh guximtar, e që mos të rrëshqasim tutje në katastrofë, duhet ta themi tash dhe menjëherë, duhet ta shërojmë popullin serb në Kosovë, popullin serb në Serbi dhe kudo në botë, nga të pavërtetat e tmerrshme, të cilat propaganda, sidomos nga viti 2000 e këndej, i ka bindur njerëzit dhe iu ka bërë magji me rrena, se me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, Serbisë i është garantuar sovranitet mbi Kosovën, dhe, për këtë mendoj se duhet urgjentisht të thirret seanca e Kuvendit të Serbisë, qoftë të zgjas edhe tri ditë, për ta njoftuar popullin, të bëhet analizë, ani se është shumë e qartë, se me këtë Rezolutë, Serbia është dëbuar nga Kosova bashkë me të gjitha organet e saj shtetërore dhe qeverisëse. Pra, të gjitha këto qëndrojnë në këtë Razolutë përfshirë dhe anekset nga takimi i Rambujesë. E dyta, e pavërtetë e madhe, nga e cila duhet ta shërojmë popullin tonë, është se gjoja kjo Rezolutë e ka shkelur Kartën e OKB-së, që nuk është e vërtetë, ngase Rezoluta 1244 është sjellë në harmoni të plotë me kapitullin 7 të Kartës së OKB-së, me të cilën lejohet përdorimi i forcës kundër shteteve të cilat vlerësohen si shtete mashtruese, agresive dhe grabitqare. Pra, në bazë të kësaj Karte të OKB-së është nxjerr Rezoluta 1244, me të cilën më vonë është lejuar bombardimi i NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999. Pra, këto janë të vërtetat të cilat duhet t’i thuhen popullit serb, sikur që duhet t’i thuhet, se është po ashtu e rrezikshme të thuhet; institucionet e përkohshme në Prishtinë, ose të thuhet, po zhvillohen bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, thua se po bisedojnë mes tyre dy krye- bashkiak. Nuk ka institucione të përkohshme në Kosovë, që nga aprovimi i dokumentit të Ahtisarit në vitin 2006, pra unë vetë kam qenë pjesë e bisedimeve dhe e di se plani i Ahtisarit është nxjerr nga Rezoluta 1244, dhe se me këtë dokument është definuar statusi përfundimtar i Kosovës, pra në KS të OKB-së, të gjithë anëtarët e tij kanë votuar për këto principe, përfshirë dhe Rusinë, të cilat i përmban dokumenti i Ahtisarit; se nuk ka kthim në gjendjen para vitit 1999, pra nuk ka kthim të Serbisë në Kosovë, nuk ka bashkim të Kosovës me Shqipërinë, nuk ka ndarje të Kosovës, dhe se serbëve në Kosovë iu garantohet statusi më i lartë i të drejtave individuale, kolektive dhe fetare. Të gjitha këto të drejta janë të siguruara në Planin e Ahtisarit, dhe për të gjitha këto ka votuar Rusia e asokohe, duke thënë, se këto që i ka fituar Kosova duhet t’i fitojë edhe Abkazia, Osetia, por që këto kushte nuk i ka pranuar Perëndimi, ndaj Rusia pastaj i ka kërcënuar me veto, se në KS të OKB-së do të ndryshohet Rezoluta 1244.
Pra, mos ta rrejmë popullin, t’ia themi të gjitha këto në mënyrë të qartë, t’i tregojmë popullit se shqiptarët e kanë pranuar dokumentin e Ahtisarit pa dëshirë, gati me zor, nën presionin e Amerikës, duke bërë lëshime tepër të mëdha për ta, të cilat janë të shumta, duke përfshirë heqjen dorë nga simbolet nacionale të tyre, nga flamuri kombëtar, përfshirë faktin se në tërë Kosovën, pa marrë parasysh a ka serb me shumicë apo jo në çdo qytet të Kosovës, gjuha serbe të jetë gjuhë zyrtare barazi me gjuhën shqipe, që të gjitha mbishkrimet në Kosovë duhet të jenë të shkruara në të dyja gjuhët (siç është sot në Kosovë, v.i.), se për 42 kisha në Kosovë duhet të formohen zona mbrojtëse, në të cilat zona, jo vetëm se shqiptarët nuk mund të vendosen, por as që mund të hyjnë në to pa lejen e klerit fetar të kishave, që serbëve duhet t’iu garantohen vendet në qeveri, në Parlament, të formohen edhe 5 komuna të reja me shumicë serbe, me të drejta të cilat nuk i ka sot asnjë komunë në Serbi. Pra, të drejta vetëqeverisëse të cilat nuk i gjen dot kund në Evropë. Pra, të gjitha këto janë të garantuara me Planin e Ahtisarit.
Gazetarja: po, por na i kanë grabitur tokat tona, a është kjo e vërtetë !?
Drashkoviq: Viktor Orban, e mban shallin në të cilin gjenden 64 banovina të para vitit 1918, para marrëveshjes së Versajit, para kapitullimit të Hungarisë në Trianon, pra ai mund ta mbajë shallin, por nuk mund t’i kthejë kurrë më territoret të cilat Hungaria i ka humbur në luftë.
Ne Kosovën e kemi humbur, ndaj duhet t’i flasim popullit dhe t’i tregojmë, se Kosovën e ka humbur Sllobodan Millosheviçi, sepse populli duhet ta dinë këtë, se Perëndimi nuk ka qenë që Serbia ta humbë Kosovën, unë kam qenë vetë në Paris gjatë bisedimeve në Rambuje, kur na është ofruar varianti, marrëveshja, me të cilën Kosova mbetej në Serbi, na është garantuar sovraniteti i plotë në Kosovë, ushtria, policia, dhe kjo e kushtëzuar vetëm me dy obligime; të ndërpritet terrori mbi shqiptarët e Kosovës, dhe që të lejohet hyrja e përkohshme e forcave të NATO-s derisa të ç’ armatosën bandat e armatosura në të dyja anët, serbe dhe shqiptare, pra derisa të vendoset paqja. Të gjitha këto oferta ne i kemi refuzuar. Ndaj, çdo bombë dhe çdo raketa të hedhura mbi Serbinë në vitin 1999, mbushjen e kanë pasur nga regjimi i S. Millosheviçit.
Gazetarja: çka mendoni dhe çka pritni nga mbledhja e KS të OKB-së me 18 të këtij muaji ?
Drashkoviq: asgjë, asgjë, mendoj se ajo as që është dashur të thirret në këto rrethana, që të mbështetemi në atë, se çfarë do të thotë Rusia, kur nuk ka fare Këshill të Sigurimit pas agresionit rus në Ukrainë. Këshill të Sigurimit do të ketë në momentin, kur OKB-ja do ta dënon agresionin rus në Ukrainë, dhe, a e ka dënuar KS i OKB-së agresionin rus në Ukrainë, jo fare, sepse Rusia e ka të drejtën e vetos, dhe ajo nuk do ta dënojë kurrë vetveten. Pra, kur të ndërron regjimi në Kremlin, kur të lind një Rusi e re, në të cilën unë shpresoj, dhe e cila do ta dënojë këtë agresion, pra kur të ballafaqohet me të vërtetën e saj në Ukrainë.
Dhe, mbani mend, se në Rusi do të vije një ditë një Vili Brandt, i cili do të përkulët në mejdanin e Kievit para viktimave ukrainase, dhe tek atëherë mund të fillon shërimi i plagëve të rënda mbi dy popujt më të mëdhenj sllav, atij rus dhe ukrainas.
Kjo edhe do të ndodhë, prandaj jemi të obliguar që ta themi të vërtetën, se komisionari i lartë i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Schmidt, nuk e ka pëlqimin e Rusisë, andaj nuk duhet gënjyer popullin, e as pëlqimin e KS të OKB-së, dhe, fakti që ai nuk e ka pëlqimin e Rusisë, nuk do të thotë asgjë, sepse askujt nuk i duhet pëlqimi i Rusisë, dhe mjerë ata që kanë nevojë për ëlqimin e kësaj Rusie, për çfarëdo qoftë. Këtë e thotë njeriu, i cili e donë Rusinë dhe popullin rus, dhe i cili me dëshirë do t’i shihte demonstruesit serbë në rrugët e Beogradit duke i përkrahur forcat opozitare në Moskë, të cilët janë kundër luftës në Ukrainë, dhe ku me mijëra sish janë të burgosur nëpër llogoret e Rusisë, të cilët e përkrahin Alekseja Vajnovën, Dimitrije Muratov, fituesin e çimit Nobel, të cilit ia kanë konfiskuar gjithë pasuria, vetëm se në Moskë e ka nxjerr publikisht gazetën në gjuhen ruse dhe ukrainase. Këta intelektualë rus janë vetëdija e Rusisë, kjo është Rusia ime, unë e dua këtë Rusi, dhe Serbia do duhej kësaj Rusie t’iu ndihmonte, e jo kësaj që shpërndan nëpër Serbi dhe Ballkan atë germën ‘Z’, që është turp për ne, mbase ne vetveten po e dënojmë, dhe pa dyshim, se për këtë politikë do të paguajmë çmim të lartë.
Marrë nga BotaSot