Dule: “Z. Beleri ka dy elemente shumë të thjeshta po në të njëjtën kohë të një rëndësie të jashtëzakonshme për çdo banor të Bregut. Thotë: “Sanksionimi, garantimi ligjor i së drejtës së pronës, e cila do të sjellë kushtet, premisat për zhvillimin e pronës”. Kë prek kjo?! Kjo prek klientelën e Ramës, oborrin e Ramës!”
Pas arrestimit të kandidatit të opozitës për bashkinë e Himarës, zotit Fredi Beleri, njëherësh kryetar i “Omonia”, ka reaguar z. Vangjel Dule, kreu i partisë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”. Në një intervistë sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, z. Dule e konsideroi arrestimin e z. Beleri si një rrëmbim, pengmarrje, rrjedhojë e deliriumit të kryeministrit Edi Rama.
Dule nënvizoi se një pikë e qartë e programit të Fredi Belerit për pronat në Himarë, kishte prekur interesat e klientelës së Kryeministrit për resortet luksoze në bregdet. Pra, a ishte ky motivi i arrestimit të z. Beleri, rreziku i resorteve luksoze? – ishte pyetja që iu drejtua nga gazetari Flavio Qarri. “Absolutisht! Absolutisht! Absolutisht! – theksoi z. Dule në intervistën e tij. – Z. Beleri provoi se alternativa e tij ishte dominuese.”
Ndiqni intervistën në vijim.
Kafe Shqeto: Z. Dule, mbi ç’akuza ka ardhur arrestimi i z. Fredi Beleri, kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” gjatë natës në Himarë?
Vangjel Dule: Për momentin nuk ka asnjë informacion zyrtar se cilat ishin arsyet dhe rrethanat që çuan në shoqërimin e z. Beleri dhe të avokatit të tij, që siç mund ta shihni, ishte një rrëmbim i mirëfilltë, një pengmarrje e mirëfilltë.
Ndërsa, në mënyrë informale, deri tani jemi në dijeni se z. Beleri as nuk është informuar se përse është shoqëruar dhe as ka pasur kontakte me prokurorinë. Është një çështje e hapur nga pokuroria e rrethit të Vlorës, por është e qartë jo vetëm për ju si media dhe për ne si politikanë, por për çdo qytetar të thjeshtë se kjo është një rrjedhojë logjike e gjithë atij deliriumi të Kryeministrit prej një jave kundër z. Beleri.
Nuk mjaftuan shpifjet, nuk mjaftuan ofendimet, arritën deri në përdorimin e organeve të rendit. Një proces kryekëput politik siç është ai i zgjedhjeve kthehet në një proces policor ku nëpërmjet intimidimit, kërcënimit, synohet tjetërsimi i vullnetit të sovranit.
Kafe Shqeto: A po zbaton një skenar z. Rama për t’i prishur këto zgjedhje, për t’i marrë ato me dhunë, me instrumentet e veta?
Vangjel Dule: Kjo është më se e qartë, e dukshme dhe e prekshme për ata që kanë shqisa aktive. Vetëm ata, të cilëve u janë paralizuar nga interesat ose nga mungesa e vullnetit për të qenë njerëz me dinjitet, kjo gjë është e padukshme. Çështja është dhe mua më shqetëson personalisht, por besoj se edhe çdo qytetar të përgjegjshëm pas atij fjalori të përdorur nga çdo lloj politikani, duke përfshirë mua dhe çdo koleg tjetër, aq më tepër nga një Kryeministër, si nuk pati asnjë reagim nga mediat apo nga politikanët e mazhorancës për atë që quajmë stigmatizim, atë që ka bërë z. Rama me z. Beleri gjatë gjithë këtyre ditëve në mediat qendrore, në emisione me një shikueshmëri shumë të lartë dhe nuk gjeti një reagim nga gazetarët, por përkundrazi bëheshin mjete të përcjelljes në opinion të këtyre mendimeve?!
Kafe Shqeto: A duhet të kemi frikë për procesin zgjedhor ditën e diel, pas këtyre pamjeve që më shumë se arrestim, duket si një rrëmbim?
Vangjel Dule: Është një rrëmbim dhe një pengmarrje e mirëfilltë. Ne jemi dhe do të jemi në krye të përpjekjes sonë elektorale me të gjitha mjetet demokratike për të garantuar vullnetin e sovranit. Aktiviteti ynë elektoral vazhdon normalisht, unë aktualisht jam në Vlorë, por të gjithë bashkëpunëtorët e z. Beleri, bashkëpunëtorët e mi, i gjithë komuniteti i Himarës është në këmbë duke punuar derë më derë. Do të ketë miting përmbyllës i cili do të zhvillohet normalisht dhe ftoj të gjitha mediat të jenë të pranishme në orën 18:30.
Kafe Shqeto: Si do ta zhvilloni mitingun pa kandidatin, nëse nuk lirohet?
Vangjel Dule: Mitingu do të zhvillohet dhe do të jetë një miting i cili do të demonstrojë atë që nuk mund ta tjetërsojë dot të dielën, Edi Rama. Do të jetë vullneti që do të manifestohet kaq masivisht në sytë e opinionit, të medieve dhe të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar.
Kafe Shqeto: A ka pasur indicje të tjera dhe sjellje të tjera nga instancat shtetërore të keqpërdorura?
Vangjel Dule: Ato janë të zakonshme dhe të përditshme, duhen orë dhe ditë të tëra. Mund t’ju them një rast që është edhe shumë njerëzor (se pakkush do të interesohet nëse dikush përdori mjetet shtetërore në fushatë në është drejtor, pak përshtypje iu bën njerëzve) po pija kafe me bashkëpunëtorët e mi në Sarandë kur më afrohet një gocë e re, studente me sa më tha, e panjohur, nuk e kisha parë ndonjëherë. Vjen dhe më drejtohet me sytë të mbushur me lot. Më thotë: “Zoti Dule. Unë jam nga qyteti i Sarandës. Vij nga një familje e persekutuar, mamaja ime është infermiere, unë jam studente në Ekonomik në vitin e tretë. Unë aktivizohem me opozitën, se aty janë bindjet e mia, për atë vuajti gjyshi im , familja ime, nuk mund të kem bindje tjetër. Kërcënuan mamanë time, – më tha, – që do ta heqin nga puna, ndërkohë që ajo është inaktive në fushatën elektorale. Vetëm se unë aktivizohem dhe hakmarrja për të bijën kalon tek nëna. Si të veproj?” më thotë.
Ja, më thoni një mendim, çfarë mund t’u thuash këtyre bashkëqytetarëve tanë që ndodhen në një situatë të tillë?! Dhe më e keqja është se ka po bashkëqytetarë që jetojnë dhe ndajnë të njëjta fate përditë, që përfitojnë nga sistemi i ngritur nga qeveria Rama dhe sekti i tij, përfitojnë në dëm të bashkëqytetarëve të tyre dhe nuk ndiejnë të vrarë ndërgjegjeje. Vërtetë një fenomen që pasi të mbarojë procesi zgjedhor, duhet t’u rikthehemi të gjitha këtyre në themel, sepse Edi Rama ka prishur jo vetëm jetën politike, jo vetëm politikën dhe demokracinë, por po prish edhe buqetën e ndjenjave njerëzore që gjithmonë i kanë karakterizuar shqiptarët.
Kafe Shqeto: Po pse Fredi Belerin? Pse u zgjodh Fredi Beleri për realizimin e një skenari të tillë me SPAK, me marrje peng?
Vangjel Dule: Kemi një element tjetër shumë skandaloz. Marrin një intervistë të z. Beleri dhe po ju flas edhe si përkthyes në këtë rast dhe e bëjnë, e manipulojnë edhe e instrumentalizojnë në atë mënyrë që të përdoret si armë sulmi nga z. Rama. Dhe këtë e bëjnë gazetarët, si me urdhër disa media dhe në disa raste edhe nga ato që unë personalisht nuk e prisja, botojnë në të njëjtën kohë, në të njëjtin interpretim, manipulimin e përkthimit të kësaj interviste, e cila ishte jashtëzakonisht korrekte dhe jam në dispozicion të gjithsecilit që ta shikojmë.
Z. Beleri ka dy elemente shumë të thjeshta po në të njëjtën kohë të një rëndësie të jashtëzakonshme për çdo banor të Bregut. Thotë: “Sanksionimi, garantimi ligjor i së drejtës së pronës, e cila do të sjellë kushtet, premisat për zhvillimin e pronës”. Kë prek kjo?! Kjo prek klientelën e Ramës, oborrin e Ramës!
Kafe Shqeto: A është ky motivi që është arrestuar Fredi Beleri? Rreziku i resorteve luksoze?
Vangjel Dule: Absolutisht! Absolutisht! Absolutisht! Z. Beleri provoi se alternativa e tij ishte dominuese. U përpoqën me përçarje etnike, u përpoqën me përçarje fetare, nuk u doli në asnjë rast. Unifikimi i qëndrimeve është në shkallë të pabesueshme për një njeri që nuk e ka përjetuar gjithë këtë periudhë të fushatës zgjedhore dhe duke parë se z. Rama bëri një miting me disa qindra njerëz, nga të cilët vetëm 25 ishin votues të bashkisë së Himarës, në panik filloi agresionin që kapërceu çdo vijë të kuqe që ka lidhje me demokracinë dhe shtetin e së drejtës./ar.sh/SYRI.NET