Kreut të Shoqatës së ish-të Dënuarve i duket e turpshme që ende ngrihet pyetja nëse vërtet ekzistonte përdhunimi si formë shtypjeje e torture nëpër zyrat e hetuesive apo nëpër burgje.
Madje, me armë në dorë, oficerë të Sigurimit futeshin edhe nëpër shtëpitë e familjeve me probleme në biografi. Tanush Kaso rrëfen variantin e tij mbi përdhunimet, duke ofruar raste dhe emra konkretë.
Po ashtu, ai flet edhe për bashkëpunimin e artisteve me ish-punonjës të Sigurimit. Sipas tij, çfarë ka treguar Gjergj Leka në intervistën e tij, është vetëm maja e ajsbergut.
Në Shqipëri kanë mbetur ende gra të gjalla, të cilat mund të dëshmojnë rreth tmerreve që kanë kaluar nëpër burgje. Sigurisht, nuk është e lehtë ta bëjnë.
Së pari, sepse, nëse fati është kujtuar dikur për to, mund të kenë ndërtuar një jetë që, në një mënyrë a një tjetër, ka venitur ca oshtimat e ‘fitimtarëve’, që kanë gjëmuar gjatë në kokë. Fundja, pse duhet të flasin?!
Në emër të cilës së vërtetë duhet të dëshmojnë?! Dëshmia e fundit dhe e vetme e një gruaje që tregoi përvojën e saj, se si ishte dhunuar e përdhunuar në kohën e regjimit komunist, ishte ajo e këngëtares Alida Hisku. Kolegë të saj, bashkëvuajtës të kohës, dolën e folën secili versionin e vet, se si mund të kishte qenë ngjarja. Pjesa më e madhe, mohuan me siguri që përdhunimet mund të kishin ndodhur.
E bënë këtë edhe ata që kanë qenë vetë pas hekurave e që mund të kenë dëgjuar e dinë shumë më shumë se ç’tregojnë. Ose, mund të tregojnë krejt të kundërtën e asaj që dinë. Në fund, me atë që thotë, secili do të mbrojë veten.
Ngjarjet janë aq të ndërlikuara sa do të ishte më mirë të mos u kishim hyrë, përderisa e vërteta nuk do të zbardhet asnjëherë deri në fund, por, meqë tashmë jemi në rrugë, po përpiqemi ta plotësojmë me dëshmi të kohës, me dokumente e me rrëfime konkrete.
Të paktën kështu, nëse zëri i Alida Hiskut fuqizohet, do tërhiqen të tjerët. Tanush Kaso, ish-i dënuar, kryetar i Shoqatës së të Dënuarve Politikë, tregon pjesërisht ato që di. Sipas tij, të vërtetën e plotë do t’i duhej ta shkruante në libër, aq të panumërta janë historitë e përdhunimeve e dhunimeve që u janë bërë grave në ato vite.
Pjesë nga Intervista
Meqë përmendët artistet dhe kjo temë u ringacmua pikërisht nga njëra prej tyre, a ishin ato më të lakmuarat?
Po mbase edhe ishin, por nuk ishin kategoria që ishte e nevojshme për t’i përdhunuar, sepse shumica ishin të gatshme vetë.
Me këtë, ju thoni se sulmet që i bënë kolegët kantautorit Gjergj Leka, për disa deklarata që bëri në media, ishin të padrejta…
E kam lexuar edhe intervistën e Lekës dhe me keqardhje më duhet të them se ato që ka thënë, janë vetëm maja e ajsbergut.
Nuk jam e sigurt nëse dua të di përgjigjen, por pyetjen më duhet ta bëj; çfarë ka në shtresat nënujore?
Orgji. Në vitet ’50-’60, ka ndodhur një skandal i madh seksual me artistët në Tiranë. Këngëtarë, aktorë, balerina, ishin ftuar nga një ambasadë e huaj këtu dhe kishin kërcyer nudo, duke përfunduar deri në orgji.
Fjalët i nxorën vetë pjesëmarrësit në festë, por nuk u lejua të bëhej zhurmë për këtë gjë, sepse degjenerohej sistemi.
Ishte rutinë kjo gjë?
Ndodhte shpesh, por jo vetëm me artistët. Ushtarakëve, gjithashtu, kur organizonin mbrëmje vallëzimi u çonin vajzat e Kombinatit Tekstil. Në Kombinat çonin kryesisht vajza beqare për t’i përdorur pikërisht për këtë gjë. Madje, meqenëse shumë prej tyre patën fëmijë ilegalë, ndërtuan, ka qenë deri vonë aty, një kapanon, që quhej kapanoni i beqareve.
Komentet