Viti 2023 u karakterizua nga një acarim i skajshëm i tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, që kulmoi me sulmin e një grupi të armatosur serb në fshatin Banjskë. Trysnia ndërkombëtare u shtua ndjeshëm ndaj të dyja vendeve drejt arritjes së normalizimit të marrëdhënieve pas gati një çerek shekulli të përfundimit të luftimeve mes tyre. Por ndërsa janë vënë re përparime, si marrëveshja e Ohrit, që parashikon një plan të qartë veprimi dhe zbatimi, apo edhe zgjidhja e çështjes së targave të makinave në prag të fundvitit, normalizimi duket ende i largët për të dyja palët.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës studiuesi Veton Surroi thotë se pa një marrëveshje të përligjur mbi normalizimin Kosovë-Serbi, nuk mund të ecet përpara. Ai shton se në ndryshim nga qeveria e Kosovës, që e ka pranuar marrëveshjen bazike, mbi të cilën do të ndërtohet më tutje procesi negociator, qeveria e Serbisë, ka thënë se pranon disa prej pikave të saj, e jo të tjera.
Por marrëveshjet thotë zoti Surroi, nuk mund të jenë ‘menu restoranti’, në të cilën ti zgjedh njërën pjatë, e tjetrën jo. Duke i referuar çështjes së Asociacionit, ku është përqëndruar edhe trysnia kryesore ndërkombëtare ndaj Prishtinës, zoti Surroi thotë se Kosova nuk mund të trajtojë çështje të veçanta të marrëveshjes nëse Serbia nuk e pranon marrëveshjen si tërësi.
Gjatë intervistës me Zërin e Amerikës zoti Surroi, flet mbi zgjedhjet e pritshme në katër komunat me shumicë serbe, shanset e futjes në një cikël të ri përplasjesh mes komunitetit ndërkombëtar dhe Prishtinës, si dhe mbi shqetësimin e disa analistëve në Kosovë, se një ndryshim i administratës në Uashington mund të risillte në tryezën e bisedimeve, idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, vitin e kaluar, pas angazhimit të drejtpërdrejtë të udhëheqësve të Francës dhe të Gjermanisë, e Italisë, pati shpresa të larta, madje u përmend se normalizimi mund të ndodhte brenda atij viti dhe para zgjedhjeve të Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Cili është vlerësimi juaj, a është i mundur normalizimi i marrëdhënieve mes të dyja vendeve këtë vit?
Veton Surroi: Për sa i përket Kosovës, unë besoj që ekziston një vullnet i mirë edhe në pushtet, edhe në opozitë, edhe në shoqërinë në përgjithësi, për ta arritur normalizimin, sepse normalizimi në fakt është vendosja e marrëdhënieve të barazisë dhe të bashkëpunimit mes dy shteteve të pavarura, të Kosovës dhe Serbisë. Problemi natyrisht ka qenë tek mohimi i kësaj mundësie nga ana e Serbisë. Dhe për deri sa të vazhdojë mohimi i sensit të barazisë, mohimi i parimit të barazisë nga ana e Serbisë, do të jetë vështirë të arrihet normalizimi. Do bëhen hapa të ndërmjetëm dhe duket kjo ka qenë periudha e përgatitjes së hapave të ndërmjetëm. Ndoshta edhe ky vit do t’i konsumojë ato.
Zëri i Amerikës: Le të mbetemi fillimisht tek Kosova. Trysnia më e madhe ndaj Kosovës është për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe dhe prej Prishtinës pritet fillimi i këtij procesi. Cili është mendimi juaj për projekt-statutin aktual të propozuar?
Veton Surroi: Unë nuk kam mendim të elaboruar rreth projekt-statutit, sepse unë mendoj se projekt-statuti duhet të inkorporohet brenda konceptit të normalizimit si tërësi. Pra, projekt-statuti nuk mund të jetë një entitet i veçantë, një strukturë juridike e veçantë prej strukturës juridike të përgjithshme të Republikës së Kosovës. Dhe për të arritur që të integrohet ideja e statutit të Asocacionit, duhet të integrohet ideja e barazisë mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë. Pra, Kosova nuk mund të trajtojë çështje të veçanta të marrëveshjes nëse Serbia nuk e pranon marrëveshjen si tërësi.
Zëri i Amerikës: Dhe sipas jush, si do të bëhet kjo gjë? Si duhet të ndodhë kjo gjë? Në praktikë…
Veton Surroi: Ajo që duhet të ndodhë është përligjja e marrëveshjes së normalizimit në të dy vendet. Pra, dokumenti duhet të jetë i përligjur…
Zëri i Amerikës: …i nënshkruar…
Veton Surroi: …I nënshkruar. I pranuar. I sanksionuar si i tillë në Bashkimin Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe natyrisht një dokument i cili ka garancat, ka sigurinë e vetë juridike. Pastaj shkon në drejtim të implementimit. Implementimi rreth asociacionit të komunave serbe, natyrisht që ka nevojë për vështrim kushtetues, për analizë kushtetuese nga gjykata. Por edhe pa të, duhet menduar mirë se sa ndikon në balancën e të drejtave dhe të relacionit mes të drejtave të komunitetit joshumicë dhe pushtetit qendror.
Zëri i Amerikës: Po zoti Surroi, a nuk do të na kthente kjo le të themi në pikën zero dhe ku Kosova mund të vendosej sërish nën trysninë ndërkombëtare?
Veton Surroi: Nuk ka nevojë të vendoset Kosova nën trysninë ndërkombëtare, se Kosova ka qenë bashkëpunuese nga fillimi. Pra nga qeveria ka ardhur deklarimi se e pranon marrëveshjen bazike, se pranon dokumentet e marrëveshjes bazike, se këto përbëjnë material i cili ndërton më tutje procesin negociator. Qeveria e Serbisë, pala e Serbisë, ka thënë se i pranon disa prej pikave të marrëveshjes, por nuk i pranon disa prej pikave të tjera. Marrëveshjet nuk mund të jenë menu restoranti në të cilën ti zgjedh njërën pjatë e tjetrën jo.
Zëri i Amerikës: Por megjithatë, nëse Prishtina do të vazhdonte të këmbëngulte tek nënshkrimi nga Serbia, kjo mund të nxiste le të themi një formë trysnie nga ndërkombëtarët, gjë që ne e pamë edhe gjatë vitit që shkoi.
Veton Surroi: Mos harroni se kryeministrja e Serbisë ka deponuar letër në të cilën qartazi deklarohet se nuk i pranon disa nga pikat e kësaj marrëveshjeje. Prandaj insistimi i Kosovës nuk është punë nazesh, nuk është punë inati. Është thjesht për të vendosur një rend juridik në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Zëri i Amerikës: Në katër komunat në veri pritet të organizohen zgjedhje të reja, por ende po vihen re zvarritje në këtë drejtim. A janë vonesat në dëm të interesave të Kosovës?
Veton Surroi: Mendoj se vonesat janë në dëm të interesave të qytetarëve të këtyre katër komunave. Pra, është interesi i tyre që të mbajnë zgjedhje për herë të parë demokratike dhe të lira aty, sepse gjithmonë kanë qenë nën trysninë e madhe të pushtetit dhe të grupeve mafioze politike të udhëhequra nga zoti Radoiçiç dhe të tjerë. Pra, ajo që është me rëndësi, është që të krijohet ambjenti i sigurtë, një ambjent për një garë demokratike, një ambjent për deklarim të lirshëm të qytetarëve të këtyre komunave rreth përfaqësuesve të tyre politikë. Dhe kjo, mos harroni, ndodh për herë të parë, ose do të ndodhte për herë të parë pas një çerek shekulli.
Zëri i Amerikës: Dhe si mund të krijohej ky mjedis i sigurtë? Përgjegjësia e kujt është më së shumti në këtë rast?
Veton Surroi: Është e përbashkët, e institucioneve të Kosovës. Është e përbashkët e forcave politike në ato katër komuna. Është e KFOR-it. Është e EULEX-it. Pra, është një ndërmarrje e përbashkët, e cila duhet të ndihmojë ata qytetarë, jo vetëm nga aspekti i sigurisë fizike, jo vetëm nga aspekti i sigurisë për deklarim të lirë, por edhe për një garë të hapur shumëpartiake, me prani në televizion, me prani në sheshe etj. Diçka që nuk e kanë pasur.
Zëri i Amerikës: Ka qenë një diskutim i mëhershëm dhe nuk e di nëse mund të diskutohej ende kjo çështje, lidhur me zgjedhjet në këto komuna. A mund të ishte rasti për përshpejtimin e tyre, dorëheqja e kryetarëve të këtyre komunave?
Veton Surroi: Me sa di unë tashmë ka filluar mbledhja e nënshkrimeve dhe janë përcaktuar qytetarët…
Zëri i Amerikës: …Ka vonesë gjithaq në këtë drejtim…
Veton Surroi: …Vonesat janë proporcionale me angazhimin. Po të ketë më shumë angazhim, do të ketë më pak vonesa.
Zëri i Amerikës: Gjatë vitit të kaluar, për herë të parë ndaj Kosovës u vendosën masa ndëshkimore nga ana e Bashkimit Evropian, ndërsa Uashingtoni anuloi pjesëmarrjen e Prishtinës në manovrat ushtarake “Defender 23”. A mendoni se marrëdhëniet mes Kosovës dhe aleatëve të saj kryesorë janë dëmtuar?
Veton Surroi: Është e qartë se në momentin kur flitet për sanksione apo për veprime që kuptohen si ndëshkuese, ato nuk paraqesin një shenjë të mirë të marrëdhënieve. Unë mendoj se megjithatë është lehtësisht e identifikueshme se Kosova nuk është një vend destablizues në rajon dhe mendoj se me një dialog më intensiv diplomatik, edhe me shtetet e Bashkimit Evropian, edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të tejkalohen shumë prej këtyre mosmarrëveshjeve, të cilat kanë qenë bazike – unë mendoj se disa prej tyre krejtësisht të panevojshme.
Zëri i Amerikës: A e shikoni rrezikun e përkeqësimit të këtyre marrëdhënieve në këtë vit që kemi hyrë, duke patur parasysh edhe ndoshta një nxitje nga ana e qeverisë së Prishtinës për të pritur pikërisht firmën e Beogradit?
Veton Surroi: Jo. Kosova nuk është ajo e cila ndërlikon situatën duke kërkuar një rend juridik edhe një hap-pas-hapi juridik. Kosova përpiqet që në fakt ta lehtësojë këtë punë, sepse në momentin kur të dy palët e pranojnë një realitet të ri dhe ndjekin një procedurë të duhur juridike dhe demokratike, atëherë do ta kenë shumë më lehtë për t’i implementuar gjërat për të cilat kanë menduar se janë të pamundura para disa vjetësh. Por, Kosova dhe tema e Kosovës dhe marrëdhëniet me Serbinë do të jetë në fokus të interesimit, unë besoj, edhe për nga aspekti tjetër, ai i sigurisë. Sivjet në Uashington mbahet samiti i NATO-s. Jubilari i 75-vjetorit të formimit. Dhe unë mendoj se do të ishte lajm i mirë për NATO-n sikur në atë samit të shihej se Kosova dhe Serbia kanë arritur të ecin përpara; janë përkushtuar që të ulen tensionet, përkundrazi të normalizojnë marrëdhëniet dhe që Kosova të ecë në rrugëtimin e saj normal drejt anëtarësimit në NATO.
Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, edhe një pyetje të fundit e cila lidhet me zgjedhjet e pritshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Analistë të ndryshëm kohët e fundit janë shprehur se një ndryshim i administratës në Shtëpinë e Bardhë mund të risjellë në tryezën e bisedimeve idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, si një zgjidhje të mundshme. A e ndani edhe ju të njëjtin mendim apo shqetësim lidhur me këtë çështje?
Veton Surroi: Unë e ndaj shqetësimin me paparashikueshmërinë e cilitdo president që do të ishte aq i paparashikueshëm siç ishte Presidenti Trump. Dhe jo vetëm rreth Kosovës, por rreth NATO-s, rreth Ukrainës, rreth Lindjes së Mesme. Bota është mësuar dhe ne jemi rritur në këtë tranzicion demokratik me parashikueshmërinë e një administrate amerikane, e cila mbron vlerat esenciale të demokracisë dhe i promovon në botë. Paparashikueshmëria do të ishte lajm i keq për botën.