“Ekonomisti trupmadh i shkolluar në Harvard, është duke u përpjekur që të sjellë një qeverisje të pastër dhe racionale në qytetin më të korruptuar të shtetit më të korruptuar në Europë, duke u bërë kështu kryetari më trim në Europë”- ky është përkufizimi i prestigjiozes britanike “The Guardian”, për kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, një vit e gjysmë më parë.
Pak ditë pasi mori drejtimin e Komunës së kryeqytetit të Kosovës, Ahmeti, filloi të shkonte në punë me autobus. Ky veprim, disa i habiti, disa i bëri xheloz për gjetjen, të tjerë e përfolën si veprim prej showmeni.
Rrugën që bën me urban e sheh si një mundësi për të qenë në kontakt me njerëzit. Ai thotë se nuk ka frikë të përballet me qytetarët e tij, me hallet që ata kanë. Nuk pretendon që të gjithë do e lëvdojnë, por dëshiron të dëgjojë edhe të pakënaqurit. Ai e konsideron veten shërbëtor të popullit të Prishtinës, ndaj distanca të vogla brenda qytetit kur ka ndonjë punë për të bërë, preferon t’i kryejë në këmbë. Ç’kuptim do të kishte për të, nëse ai, i cili është zgjedhur për të qeverisur qytetin, t’u fshihej njerëzve që banojnë në Prishtinë!
Kur kanë kaluar dy vite që kur Ahmeti ka marr këtë post, disa punë i ka vënë në vijë, të tjera e presin për ta çuar deri në fund misionin e marrë përsipër.
Gjatë bisedës të lë përshtypjen e atij djali që do e dëshironte çdo prind, apo bashkëshortit që do e donte çdo grua e mbi të gjitha miku që do të donin të gjithë ta kishin pranë.
Është i thjeshtë dhe i matur. Kjo e bën popullor dhe nga ana tjetër të imponon respekt. Thonë se ky është efekti i njerëzve të ditur…
Djali i një aktori dhe i një mjekeje studioi Administrim Biznes dhe sot administron kryeqytetin e Kosovës. Për të është puna më e bukur që ka bërë ndonjëherë.
Në këtë intervistë për Dita-n jemi munduar ta njohim pak më shumë Ahmetin si familjar, dhe si një njeri i cili ka pasionet dhe dëshirat e tij. Babai i një vajze dhe djali të vogël, njeh fëmijët si kritikët më të mëdhenj të punës së tij.
Shpend Ahmeti, kandidat i Vetëvendosjes, doli fitues në zgjedhjet lokale të 1 dhjetorit përballë kandidatit të LDK, Isa Mustafa. Kjo fitore shënoi edhe një kthesë në marrjen e drejtimit të Prishtinës, pas 14 vitesh drejtimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
-Z. Ahmeti, dy vite në krye të Komunës së Prishtinës, si ju ka ecur puna?
Asnjëherë nuk është mirë që politikanët ta vlerësojnë veten (qesh). Vlerësimet më të mira vijnë dhe do të vijnë nga qytetarët edhe gjatë mandatit edhe në zgjedhje. Ka edhe organizata të shoqërisë civile që na kanë vlerësuar. Ne jemi e vetmja komunë dhe e vetmja qeverisje në nivel qendror që premtimet tona ua kemi dhënë të shtypura qytetarëve dhe iu kemi thënë t’i mbajnë në xhepat e tyre dhe pas katër viteve t’i vlerësojmë ato premtime. Prishtina sot po i kthehet qytetarëve nga vdekja klinike që ka pësuar deri në vitin 2014.
-A ka ndryshuar jeta juaj qysh kur morët këtë post?
Ishte ndryshim radikal, si për mua ashtu edhe për familjen time. Nuk ka ndryshuar thjesht një vend pune, por jeta në tërësi. Presidenti amerikan Lyndon Johnson kishte thënë njëherë, “sa herë që mendoj se puna e presidentit është e vështirë, më kujtohet se mund të jetë edhe më vështirë, nëse jam kryetar komune”. Ky është një citat që kryetaret e komunave e përdorin shpesh. Por në të njëjtën kohë është puna më e mirë dhe më interesante që kam pas ndonjëherë.
-Populli i Prishtinës, ju votoi dy vite më parë, dhe zgjedhja juaj në krye të Komunës u quajt surprizë; sa i keni përmbushur pritshmëritë e qytetarëve të qytetit me zgjedhjen tuaj?
Fitorja ishte e qytetarëve të cilët u bënë bashkë për t’i dhënë një përgjigje një pushteti letargjik dhe uzurpues. Si i tillë ky ndryshim vazhdon të jetë i qytetarëve, të cilët vijnë nëpër tubime, kërkojnë gjëra, më mbajnë në presion për ndryshimet, por edhe më japin përkrahjen sa herë që ka ndonjë betejë me korrupsionin e me krimin e organizuar. Pritshmëritë në raste të tilla janë të mëdha, por ndryshimet duhet bërë në mënyrë rrënjësore e që kërkon kohë, por në fund rezultati gjithmonë është i mirë në qoftë se punohet drejtë dhe pastër.
-Sa pushtet të ka dhënë ky post; gjatë kësaj kohe, keni bërë më shumë armiq apo miq?
Kryetari i kryeqytetit është gjithmonë një post i rëndësishëm, pa marrë parasysh sistemin politik në të cilin gjendet. Për më shumë zgjedhja direkte nga qytetari e bën edhe më legjitim këtë post. Prandaj ka mundësi shumë. Por në të njëjtën kohë është edhe posti më i sulmuar, edhe nga qeveria, sepse gjithmonë e shohin rrezikun nga ky post.
-Vazhdoni të shkoni në punë me autobus?
Po. Është lehtë, është mirë, është i saktë.
-Fakti që jeni kaq i thjeshtë, a rrezikon që njerëzit të respektojnë më pak, duke patur parasysh që në anët tona respektohen ata që duken të fortë, që ecin me makina luksoze, se në një farë mënyre dukja tregon “peshë”… a e mendoni dhe ju kështu, a e keni hasur këtë karakteristikë?
Pikërisht këtë kontekst duhet të ndryshojmë. Ndryshimet në politikë nuk vijnë duke ju përshtatur ambientin ekzistues, por gjithmonë duke kërkuar ndryshimin. Unë shumë shpesh eci nga takimet në takime, dhe një shëtitje gjatë shesheve kryesore në Prishtinë më bën rreth një orë, ku njerëzit më ndalojnë. Disa më lavdërojnë, disa më kritikojnë, disa kanë kërkesa, por kryesorja është që duhet të jetë normale që një kryetar të ecë në rrugë dhe mos të frikësohet nga qytetarët. Duhet të heqim barrierat e pushtetit. Ne jemi veçse shërbyes të qytetarëve.
-Ne në Tiranë, gjithmonë e më shumë po e quajmë këtë qytet si një fjetore dhe jo një qytet të jetueshëm, për shkak të ndërtimeve të shumta dhe pa kriter. A është Prishtina një qytet më i mirë në këtë drejtim?
Nga viti 1999 deri në vitin 2014 në Prishtinë kemi numëruar 46 mijë ndërtime pa leje. Sot i kemi ndalur ato, por pasojat do t’i bartim për një kohë të gjatë. Kjo ka qenë edhe puna më e vështirë për t’u bërë sepse po flasim për para dhe fuqi të madhe që shtynte në degradimin e mëtejshëm të qytetit. Më kujtohet në fushatë, në një panel me gazetarë ma bënë pyetjen, se a do t’i ndalim ndërtimet pa leje. Përgjigja ime ishte po, por gazetarët me buzëqeshje më panë, disi për të më thënë se kjo ishte pa pamundur. Sot duket gjëja më normale që i kemi ndalur. Ka mundësi për ndryshim, dhe kjo po shihet edhe me trotuare të liruara, me parqet, me më shumë çerdhe dhe dita ditës qyteti po bëhet më i jetueshëm dhe kjo është qëllimi ynë kryesor.
-Cili është sot problemi më emergjent i Prishtinës?
Vazhdon të jetë uji. Keqpërdorime të shumta në sektor dhe ndërtimet pa leje na kanë sjellë në këtë gjendje. Po luftojmë për çdo ditë dhe besoj se deri në fund të vitit do ta kemi një gjendje të mirë.
-Ndodh që kryetarët e komunave apo bashkive, kujtohen për problemet e qytetit kur ato vihen në dukje. Për shembull, meqë jemi në atmosferë përmbytjesh. Dikush këto ditë thoshte se “Enver Hoxha i ka pas mbath çizmet e përmbytjeve verës! Dimrit shijonte rrjedhjen e ujit në ulluk!”. Sa e rëndësishme është të punohet në kohën e duhur, për qytetin?
Kur punon në kohën e duhur, kur nuk ka probleme, nuk ka popullaritet dhe vizibilitet, dhe politikanët nuk e duan këtë, prandaj, tek shqiptarët punohet në rrugë e asfalt që shihet e jo në reforma rrënjësore që nuk shihen. Sikurse në shëndetësi, më shumë vlerësohet një shërim sesa një parandalim. P.sh, ne filluam vizitat sistematike në shkollat e Prishtinës, për të parandaluar sëmundjet. Në vitin e parë në klasat e para të Prishtinës gjetëm 9 fëmijë me sëmundje të zemrës që nuk do zbuloheshin përndryshe. Kjo është shumë e mirë, por nuk gjen hapësirë për lajm. Ose ne tani po punojmë në kanalizim për 600.000 mijë banorë që Prishtina ndoshta do t’i ketë pas 20 viteve.
-Ju keni studiuar për Administrim Biznesi e më pas keni një eksperiencë të vyer dhe të vlefshme në Harvard, sa ka ndikuar shkolla në formimin dhe ecjen tuaj përpara?
Këto janë përvoja të paharrueshme, që mua ma kanë mundësuar formësimin akademik dhe profesional. Puna që kërkohej në Harvard ishte parapërgatitje për shumë gjëra që kanë ardhur më vonë. Por, të jep qasje edhe në rrjetet profesionale botërore dhe hap shumë dyer. Përvojë e paharrueshme.
-Në rininë tuaj të hershme, e keni ëndërruar politikën?
Nuk e kam ëndërruar, por gjithmonë jam marrë me aktivizëm. Në gjimnaz, në Prishtinë, isha në shumë aktivitete, në Bullgari isha në senatin e studentëve dhe më pastaj edhe kryetar i studentëve. Në Harvard po ashtu merresha me aktivizëm. Kur fillova punën në Bankën Botërore në Prishtinë më pengonte mungesa e aktivizimit. Menjëherë pasi u promovova në punë, e lashë për shoqërinë civile, e më pastaj për politikë. Vetëm ligjërimin e kam më të dashur se aktivizmin. Nëntë vite kam ligjëruar në Universitetin Amerikan në Kosovë, dhe kjo punë më mungon sot.
-Z. Shpend, si ka qenë fëmijëria juaj, marrëdhënia me familjen dhe çfarë mbani mend?
Fëmijëria ime ka qenë e mirë, me një familje të vogël, por shumë të lumtur. Babai im ka qenë artist i Teatrit dhe ka një pjesë e fëmijërisë time e kam kaluar në teatër, me art, duke mësuar tekste të shfaqjeve me prindërit e mi. Nëna është mjeke në pension, dhe kam një vëlla më të madh se vetja. Kemi pas një apartament të vogël, por një ambient të ngrohtë me një jetë të një klase të mesme të Prishtinës.
-Çfarë keni trashëguar nga prindërit?
Dashurinë që ja kanë dhënë njëri tjetrit dy prindërit e mi, e kanë transferuar tek ne. Babai im më ka hapur shumë rrugë sepse ka qenë një aktor i njohur i humorit, edhe sot kudo që shkoj njerëzit më flasin shumë mirë për të. Prindërit e mi nuk kanë pasur ndonjë zënkë me këdo, por vetëm marrëdhënie të sinqerta e të mira me njerëzit. Njëri si artist duke ju dhënë të qeshura njerëzve e nëna duke shëruar, më kanë instaluar ndjenjën e solidaritetit me të tjerët. Kjo është trashëgimia më e bukur.
-Çfarë ju revolton në ditët e sotme, cila është ajo gjë që ju mërzit shumë?
Padrejtësia kudo që e shoh. Të qenit kryetar më ka dhënë mundësi të takoj shumë, tepër shumë qytetarë. Zakonisht qytetarë në hall nga padrejtësitë. Këto mbesin dhe kur nuk kemi mundësi të ndihmojmë të shkatërruar.
-Duke qenë një njëri i tillë, me një artikulim të qartë, herë-herë shumë bindës, ka patur nga ata që kanë dyshuar tek ju, ndoshta duke u “akuzuar” si aktor, pse jo, duke patur parasysh që edhe babai juaj ka qenë aktor?
Babai im ka qenë aktor, por të gjithë e njohin si njeri të sinqertë. Unë kërkoj në jetë që t’i ofroj fëmijëve të mi atë që ai ma ka ofruar mua. Jam i lumtur për familjen dhe shoqërinë time. Dal pa problem në rrugë, flas me njerëzit. Kjo është kënaqësi për mua, jo punë.
-Kur bëhesh kryetar bashkie, drejtor, ministër, apo kur merr poste publike, akuzat për korrupsion janë të shumta. Sa e lehtë është të korruptohesh? Paraja, dihet, të josh, si mund t’i rezistosh asaj?
Varet me çfarë qëllimi hyn në politikë. Unë kam lënë një jetë të lehtë pa probleme të mëdha për këtë jetë të kryetarit. Por anën materiale e zëvendëson ana shpirtërore. Zgjidhja e problemeve për qytetarët është një ndjenjë e mirë. Rezistenca vjen në ekip. Si ekip i Lëvizjes jemi zotuar se do të punojmë sinqertë dhe drejtë dhe do ta ruajmë njëri-tjetrin. Tashmë kemi ndërtuar reputacion dhe tani motivi për të punuar pastër është edhe më i lartë, nuk duam që të kemi njolla. Duam që të tregojmë se mund të qeveriset pastër. Gjejmë kënaqësi në këtë punë të pastër.
-Zoti Ahmeti, ju jeni përfaqësues i VETËVENDOSJES si kryetar i Prishtinës. A ua kanë vështirësuar ndopak punën qëndrimet e fundit radikale të forcës politike që ju ka mandatuar?
Jo, ne i marrim qëndrimet bashkë dhe përderisa ka demokraci të brendshme, nuk e kam problem.
-Megjithatë, ju jeni dakord me këtë qëndrim radikal të opozitës, pra me gazin lotsjellës në Kuvend dhe me veprimet e dhunshme që kanë manifestuar?
Unë pajtohem me qëndrimet që e përmirësojnë situatën në Kosovë. Në qoftë se del se kjo situatë do të sjellë Kosovën në gjendje më të mirë, qoftë edhe me kosto politike për ne, atëherë unë do të jem përkrah atyre vendimeve. Për herë të parë në Kosovë është hapur një debat i mirëfilltë për gjendjen. Kjo ka patur kosto politike për Vetëvendosjen, por sipas meje me epilog pozitiv për Kosovën.
-Çfarë keni ndryshuar në drejtimin e Komunës së Prishtinës në krahasim me paraardhësin tuaj Isa Mustafa?
Kemi ndalur ndërtimet pa leje, kemi ndalur korrupsionin dhe krimin, kemi profesionalizuar administratën, kemi rimëkëmbur ndërmarrjet publike, kemi liruar trotuare, kemi hapur çerdhe, kemi dhënë shujta falas dhe qumësht falas për çdo nxënës, kemi përmirësuar gjendjen në arsim, kemi avancuar qendrat e mjekësisë familjare e shumë e shumë gjëra të tjera. Më me rëndësi, po ja kthejmë Prishtinën qytetarëve të saj.
-Çfarë do të veçonit si arritjen tuaj më të rëndësishme gjatë kësaj periudhe që ju drejtoni Prishtinën?
Me ndaljen e ndërtimeve pa leje, edhe ndaljen e korrupsionit dhe krimit. Sot askush në Kosovë nuk flet për asnjë aferë korruptive në Prishtinë. Për këtë e falënderoj krejt ekipin qeverisës.
-Meqenëse jemi në këtë argument, si i kini marrëdhëniet me paraardhësin tuaj, që tashmë është Kryeministër i Kosovës?
Tashmë jo edhe shumë të mirë, sepse merret shumë me bllokimin e Prishtinës, por edhe për shkak të vendimeve të dëmshme për Kosovën. Unë jam takuar disa herë me të para ngjarjeve të fundit, por nuk kanë qenë të interesuar të ndihmojë Prishtinën. Të gjitha ato gjëra për të cilën e ka akuzuar qeverinë në të kaluarën sa ka qenë kryetar Prishtine tash i bën edhe më keq.
-A e keni ju ambicien për të qenë kryeministër i Kosovës?
Jo, kam ambicie që Prishtina dhe Kosova të jenë më mirë. Më shumë ëndërroj që Prishtina të jetë në harta të qyteteve të mira, e Kosova të jetë shtet i zhvilluar se sa që unë të jem në një pozitë të caktuar.
-A keni kontaktuar me kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, ErionVeliajn, dhe a kini ndonjë plan përtej binjakëzimit për shtimin e bashkëpunimit midis qeverive vendore të dy kryeqyteteve tona?
Po flasim tërë kohën, shkëmbejmë praktika të problemeve. Së fundi u takuam në koncert të Gjurmëve dhe pastaj biseduam për buxhetet, taksat, dhe shërbimet si i bëjmë ne dhe si i bën Tirana. Do të rijetësojmë asociacionin e komunave shqiptare, do të mundohemi që ta ndihmojmë njëri tjetrin sa më shumë.
-Cilin politikan shqiptar të Shqipërisë vlerësoni më tepër?
Ata që luftojnë kundër padrejtësive. Në periudha të ndryshme kam vlerësuar gjithmonë ata që kanë ngritur zërin kundër padrejtësive edhe me kosto personale. Kur të kem ndonjëherë kohë dhe hapësirë më shumë, do të flas edhe konkretisht me emra dhe vepra.
-Z. Ahmeti, ju jeni baba, bashkëshort, na tregoni pak familjen tuaj?
Jam bashkë me bashkëshorten Ardianën që 15 vite, kemi qenë bashkë që në moshë të re dhe jemi martuar që në fillim. Kemi dy fëmijë, Tean 9 vjeçe dhe Anrin 3 vjeç. Ardiana është sociologe. Tea është shumë emotive, të gjitha gjërat i përjeton me plot kuptimin e fjalës, dhe edhe tani e shpreh shumë ndryshimin në jetë pasi që jam zgjedhur kryetar. Anri është më i durueshëm, i artikuluar. Shpresoj që gjenerata jonë t’ju lerë një shtet më të mirë e që ata të mos merren shumë me politikë. Me Ardianën të gjitha vendimet i marrim bashkë dhe është kritikuesja më e madhe e punës time.
-A diskuton me fëmijët për politikë, çfarë pyetje të bënë ajo më shumë?
Me Tean po, ajo merret edhe me problemet e komunës, sepse i dëgjon fëmijët në klasë dhe më tregon.
-A e keni kohë të lirë? Nëse po, çfarë bëni në të?
-Shumë pak. Me fëmijë dhe jam adhurues i TV.
-Do të kërkoni një mandat tjetër në krye të komunës së Prishtinës?
Qytetarët vendosin, por është njëherë herët të flasim për mandate të tjera. Jam i fokusuar në këtë mandat.
Entela Resuli / DITA
Komentet