Projekti i ndërtimit të gazësjellësit Natyror Tranas Adriatik nisi korrikun e vitit të shkuar në Shqipëri dhe po përparon në disa zona. Gjatë këtij viti projekti përfshin ndërtimin e rrugëve dhe urave ndihmëse në zonat e Korcës, Beratit dhe Fierit si dhe fillimin e shpërndarjes së tubacioneve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës Menaxheri i TAP në Shqipëri Shkëlqim Bozgo vlerësoi bashkëpunimin me qeveritë vendore dhe komunitetin e banorëve lidhur me mbarëvajtjene këtij projekti. Zoti Bozgo komentoi edhe për sfidat e deritanishme dhe përfitimet e Shqipërisë nga ndërtimi i Gazësjellësit natyror.
Zoti Bozgo, së pari cilat janë përfitimet e Shqipërisë nga Projekti i TAP?
Mendoj që TAPI është projekti i parë i këtij lloji që ndërtohet në Shqipëri dhe për më tepër është sot një nga projektet më të mëdha të kësaj natyre edhe në planet. Përfitimet e Shqipërisë nga ky projekt janë të shumëanshme: janë përfitime gjeopolitike, pasi pozicioni dhe pesha e Shqipërisë në dimensionin gjeopolitik ka për të qenë më e madhe, ka për të pasur gjithashtu përmirësime të konsiderueshme në sektorin e energjisë. Sikurse dihet Shqipëria përballet me sfida në këtë fushë dhe TAPI do të ofrojë një burim alternative të energjisë, sic është gazi natyror. Punimet e ndërtimit të tubacionit, por dhe më tej mundësitë që do të krijohen për zhvillimin e sektorit të energjisë dhe të gjithë biznesve të tjera, janë gjithashtu një përfitim shumë i madh nga ana e TAPI-t. Përftim tjetër i projektit do të jenë ato që ne i quajmë “ rrugët e aksesit”,ose rrugët hyrëse dhe urat, ku ne tashmë kemi filluar me ndërtimin e tyre. Për faktin që TAPI në Shqipëri ka terrenin më sfidues, duke qenë se kalon mbi 1800 metër mbi nivelin e detit dhe këto janë përgjithësisht zona shumë të izoluara, atëherë duhet të ndërtohen këto rrugë për të shkuar deri në këto pozicione. Ne po ndërtojmë rrugë shumë cilësore dhe komunitetet vendase do të përfitojnë nga këto rrugë, pasi jo vetëm do ta kenë më të lehtë lëvizjen, por edhe produktet e tyre bujqësore do dalin më lehtë në treg.
Si po ecin punimet e deritanishme dhe në cilat zona po përqëndrohen ato?
TAPI ka filluar në Shqipëri konkretisht punimet ndërtimore për rrugët hyrëse dhe urat. Punimet për ndërtimin e tubacionit do të fillojnë gjysmën e dytë të këtij viti. Që të fillojnë këto punime duhen bërë një sërë përgatitjesh nga pikëpamja e lejeve që duhet të merren dhe miratimeve të ndryshme nga autoritetet. Por në shtesë të kësaj, duhen përgatitje edhe për tubacionet që duhet të vijnë në Shqipëri. Ne presim që tubat e celikut të vijnë në Shqipëri në fund të marsit ose fillim të prillit dhe tashmë është prodhuar më shumë se gjysma e tyre. Ato do të mbërrijnë në Portin e Durrësit, do vendosen në një bazë magazinimi në Spitallë dhe më pas do shpërndahen gjatë kanalit ku do të ndërtohet gazësjellësi. Lidhur me zonat, punimet e TAP-it mund të ndahen në tre seksione kryesore: seksioni i lindjes Devoll – Korcë , seksioni qëndror Corovodë- Berat, përfshi zonën e Malit të Ostrovicës, si dhe sektori perëndimor nga Berati në stacionin e kompresorëve dhe pikën e daljes në Fier. Në të tre seksionet e tubacionit po punohet në rrugët hyrëse dhe urat në mënyrë që të mundësohet fillimi i shtrimit të tubacionit. Ky proces do do të nisë fillimisht në zonën fushore të Fierit dhe Korcës dhe në 2017 do kryhen punimet në zonën e Corovodës dhe zonën malore që është edhe zona më sfiduese.
Si i vlerësoni marëdhëniet me komunitetet vendore në këto zona?
TAPI nuk është një kompani që ndërton një rrugë dhe e lë atje dhe largohet.TAPI ndërton një tubacion që do jetë atje me dakada me radhë që do vijnë dhe për këtë arsye ndërtimi i marëdhënieve të shëndetëshme dhe afatgjata me komunitetin është shumë i rëndësishëm pwr TAP. Ne që në fazën e projektimit dhe të vlerësimit të ndikimit të projektit në mjedis dhe nw mjedisin shoqwror kemi bërë një numër shumë të madh takimesh me komunitetet vendase. Në kontaktet i mbajmë edhe tani duke i informuar komunitetet për punimet që do ndodhin. Në shtesë të kësaj gjatë punimeve të tubacionit, kur krijohen mundësi punësimi për punonjësit vendas, aftësitë e të cilëve përputhen me punimet që do kryhen, u jepet mundësia për t`u punësuar. Po ashtu TAPI ka një politikë të vetën të përgjegjësisë së Kompanisë. Ne deri tani kemi bërë riskontruksionin e Shkollës “Andon Profka” që është pranë stacionit të kompresorëve në Fier dhe po ashtu kemi një program social për komunitetet në zona të tjera.
Si i vlerësoni marëdhëniet me qeveritë vendore në njësitë e zonave ku do të kalojë Projekti i Gazësjellësit ?
Ju po më jepni mundësinë që të shpreh mirënjohjen jo vetëm për autoritete vendore të cilat janë treguar shumë bashkëpunuese por dhe autoritetet qëndrore kanë qenë shumë bashkëpunuese me TAP-in dhe kjo është një gjë që projekti e cmon shumë. Për këtë arsye ne mundohemi që edhe në Programin e Përgjegjësisë Sociale të bëjmë që projektet që do ndërmarrim t`i kontribuojnë sa më shumë komunitetit.
Cilat janë objektivat afatshkurtra dhe ku do të duket suksesi i parë i Tapit?
Të gjithë ata që kanë pasur shansin të vizitojnë rrugët që kemi ndërtuar apo jemi duke punuar kanë mbetur të impresionuar nga cilësia e punimeve që bën TAPI. Përfitoj nga rasti të them që projekti i kushton rëndësi parësore sigurisë teknike në punë. Ne duam që ky projekt të ndërtohet pa pasur aksidente, pasoja në njerëz dhe komunitet. Tashme punimet e rrugëve janë një shembull dhe demostrim i punës. Ajo që presim të ndodhë më tej është mbërritja e tubacioneve në Durrës që do jetë një operacion gjigand. Priten 13 mijë segmente tubash celiku që do të mbërrijnë me anije në Portin e Durrësit dhe do shpërndahen në në zonën e Fierit, Beratit dhe Korcës.
Ky ka për të qenë një operacion delikat, por ne jemi tashmë në bashkëpunim me autoritet qëndrore, Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Transportit Rrugor dhe autoritetet vendore për t`i ndërgjegjësuar për dimensionet që ka operacioni. Po punojmë për ti harmonizuar veprimet që impakti të jetë sa më i vogël dhe me më pak pasoja në aktivitetin e përditshëm të banorëve.
Cilat janë planet për shtrirjen e tubacioneve?
Gjatësia e tubacionit në Shqipëri është rreth 215 km dhe kompanitë që do të merren me këtë operacion gjigand janë me eksperiencë shumë të madhe. Punimet do të kryhen me shumë kujdes në gjithë gjurmën e gazësjellësit. Për shembull kur të bëhet gërmimi i kanaleve në tokat që tashmë janë të kultivuara pjesa e sipërme që është tokë produktive do hapet anash.
Pastaj do të hapet kanali në të cilin do vendoset tubacioni dhe pasi do mbyllet, pjesa produktive e tokës do vendoset sipër që të mundësojë vijimin e aktivitetit të fermerëve, sikurse edhe më parë. Sigurisht kjo përvec disa kufizimeve që kanë të bëjnë me sigurinë e tubacionit ku nuk lejohet kultivimi me pemë me rrënjë shumë të mëdha.
Cilat kanë qenë disa nga sfidat e deritanishmë në ecurinë e punimeve të TAP
TAPI është projekti i parë i tillë në Shqipëri dhe sigurisht ka sfidat e veta.Ajo që më bën optimist që ky projekt do ndërtohet është mbështetja e gjithanshme që ka në Shqipëri. Eshtë shumë e rëndësishme të kuptohet se një projekt i tillë nuk mund të ndërtohet vetëm nga ekipi i TAP -it, por nga mbështetja e qeverise qëndore, qeverive vendore, komuniteteve. Kjo është arsyeja e punës sonë të përditshme që marëdhëniet me të gjithë aktorët të jenë sa më korrekte. Pra, duke qenë një projekt kompleks ka nevojë të ndërtohet kuptimi përbashkët për një cështje të caktuar. Kështu edhe ne arrijmë të kuptojmë vështirësitë me palët me të cilat ndërveprojmë dhe ata arrijnë të kuptojnë se cili është projekti dhe si ndërtohet ai me sukses. Me vullnetin e mirë deri tani kemi qenë të suksesshëm.
Kur pritet të përfundojë projekti?
Objektivi i TAPIT, i cili është i kushtëzuar nga fakti që projekti është pjese e Koridorit jugor të gazit që nis nga Azerbajxhani dhe përfundon në Itali duhet që secila hallkë e këtij koridori të jetë gati në punë që të mundësojë që gazi të rrjedhë në tubacionin e TAPIT në Janarin e 2020-tës. Ndërkohë është në proces përgatitja e Gaz-Masterplanit për zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri. Ekspertë e Ministrisë së Energjisë po merren me këtë dhe do të përcaktojnë hapat e procesit. Zhvillimi i Gaz-Masterplanit është shumë i dobishëm sepse qartëson mundësitë, evidenton në projektet alternative më të realizueshme, e ndan në kohë cilët nga projektet mund të ecin më përpara. Ndërtimi i TAPIT do krijojë mundësinë për të pasur zhvillime shumë të rëndësishme në sekorin e gazit, jo vetëm në Shqipëri por edhe në gjithë rajonin. Kjo do mundësojë ndërtimin e Projektit IAP, eventualisht do realizojë lidhjen e Kosovës, lidhjen e Maqedonisë dhe gjithë unazës së gazit në vendet e komunitetit të energjisë.
Komentet