Në Shtetet e Bashkuara po mbahet një forum i Partive të djathta konservatore ku po merr pjesë edhe Partia Demokratike. Mes deputetëve demokratë që ndodhen në Uashington për këtë takim është edhe deputeti Agron Shehaj me të cilin Zëri i Amerikës zhvilloi një intervitë gjatë emisionit televiziv Ditari.
Zëri i Amerikës: Zoti Shehaj, Partia Demokratike është sot në pritje të vendimit të Gjykatës se cili fraksion i saj do të njihet zyrtarisht si Partia Demokratike. Pjesa e PD-së që drejtohet nga zoti Berisha organizoi së fundmi zgjedhjet e brendshme, atë që ju e cilësoni si sistem të primareve për të përzgjedhur kandidatët për kryetarë bashkie për zgjedhjet e dates 14 maj, një proces i cili në fakt nuk kaloi pa kontestime. Disa kandidatë u tërhoqën nga gara dhe në disa bashki pati vetëm një kandidat ndërsa pas procesit pati gjithashtu akuza për manipulime me listat e votuesve. A e dëmtojnë gjitha këto Partinë Demokratike?
Agron Shehaj: Partia Demokratike ka ndërmarrë, pasi premtoi, një iniciativë si është ajo e primareve për të identifikuar dhe përzgjedhur kandidatët. Është partia e parë në Shqipëri në këto 30 vjet, që pyet anëtarësinë dhe sipmatizantët se kush do të jenë kandidatët. Nuk i vendos më kryetari apo vetëm forumet e larta të Partisë Demokratike. Sigurisht, kjo është hera e parë që bëhet në Shqipëri, është hera e parë që e bën Partia Demokratike dhe sigurisht ka patur edhe probleme, ka patur edhe kontestime. Por unë mendoj që procesi në përgjithësi ka ecur shumë mirë dhe sigurisht zgjedhjet e ardhshme, primaret e ardhshme do të reflektojnë problemet që mund të kenë ndodhur në herën e parë që bëhet ky proces.
Zëri i Amerikës: Sa realiste janë pritshmëritë tuaja për rezultate të kënaqshme në zgjedhjet vendore që janë rreth pesë muaj larg, një proces ky ku duket se Partia Demokratike do të hyjë e përçarë?
Agron Shehaj: PD në fakt mund të quhej e përçarë kur filloi procesi, kur filloi përplasja brenda PD, ku kishim dy pjesë që pretendonin se kishin shumicën. Por, pasi u bënë zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, pasi votuan anëtarët e PD dhe sidomos pasi votuan edhe votuesit në zgjedhjet e parakohshme, u bë e qartë se kush e ka shumicën brenda Partisë Demokratike. Aktualisht që flasim në PD vazhdon të mbetët një fraksion gjithnjë e më i vogël dhe ka një mbështetje gjithnjë e më të vogël brenda PD, po flasim për disa përqindje. Kështu që nuk do ta quaja të përçarë Partinë Demokratike, sigurisht kemi një problem në lidhje me grupin parlamentar brenda Parlamentit të Shqipërisë ku një pjesë e deputetëve të zgjedhur me votat e Partisë Demokratike, me votat e demokratëve, nuk njohin vendimet e demokratëve dhe anëtarësisë edhe vazhdojnë të kenë pretendime, në këndvështrimin tim, të uzurpojnë në njëfarë mënyre, postet që iu takojnë përfaqësuesve të PD-së në parlament siç është kryetari i grupit parlamentar dhe kryetar i partisë më të madhe opozitare në parlament.
Zëri i Amerikës: Zoti Shehaj, shumë kritikë thonë se zoti Berisha u riaktivizua në politikë pas shpalljes non-grata nga Uashingtoni dhe po e shfrytëzon partinë për interesat e tij. A mendoni ju se partia po paguan koston e një njeriu? Si iu përgjigjeni ju këtyre kritikave?
Agron Shehaj: Nëse po paguan….Partia Demokratike..sigurisht fakti që zoti Berisha është shpallur, lideri i opozitës është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara është një gjë që nuk ndihmon, s’ka dyshim që nuk ndihmon. Por nga ana tjetër zoti Berisha është zgjedhur lider i Partisë Demokratike, është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike nga anëtarësia dhe pastaj ka marrë edhe konfirmimin e votuesve të Partisë Demokratike. Sigurisht që do të ishte më mirë të mos ishte shpallur non-grata, kjo s’ka dyshim.
Zëri i Amerikës: Zoti Shehaj do doja që të kalonim në një tjetrër argument, aktualisht ju jeni deputet i Tiranës po ndërkohë rikujtojmë që mandatin e parë e keni marr si i zgjedhur i Vlorës. Ditën e sotme Konventa e Bernës, një instrument juridik detyrues ndërkombëtar ku Shqipëria është anëtare që prej vitit 1999, u ka kërkuar autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës për shkak të ndikimit të dëmshëm në mjedis. Cili është mendimi juaj, a duhet të vazhdojë më tej ky projekt?
Agron Shehaj: Tani çështja është që pjesa më e madhe e vendimeve të kësaj qeverie që ka të bëjë jo vetëm me ndërtimin e aeroportit të Vlorës por me portin e Durrësit apo me dhënien e konçesioneve, PPP-ve, janë të gjitha vendime që nuk merren as duke u bazuar në analizë, as në ligj, as në respekt edhe të konventave që janë nënshkruar nga shteti shqiptar. Në rastin konkret, edhe për aeroportin e Vlorës është ndjekur e njëjta procedurë që është ndjekur në të gjitha do të thosha aferat e tjera ku janë paracaktuar fituesit e garës ku kemi nëse mos gaboj (sepse aferat janë aq shumë të mëdha aty saqë është e vështirë të mbahen mend cilët kanë qënë përfituesit e asaj gare) nëse s’gaboj kemi të bëjmë me disa sipërmarrës të lindjes, nga Turqia në mos gaboj për të cilët përflitej prej vitesh në fakt – nuk është në një farë mënyre jo vetëm e paracaktuar por edhe e paralajmëruar dhe plus një investitor nga Kosova që është një nga partnerët. Le të themi që ajo procedurë, si edhe në rastet e tjera, nuk bën asnjë përjashtim. Kemi të bëjmë me një procedurë ku vendimi për të bërë aeroportin, kush do ta bëj aeroportin, me çfarë forme do të bëhet aeroporti edhe në se do të bëhet aeroporti aty apo do bëhet diku tjetër, merret nga një njeri i vetëm. Vendimi merret nga kryeministri i cili nuk llogarit do të thosha asnjë zë që mund ta kundërshtojë apo nuk ndjek asnjë lloj procedure. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me aeroportin e Vlorës. Ne jemi në një situatë fatkeqësisht ku në lidhje me çdo vendim që merr qeveria kemi një njeri që thotë që është ai që konstaton shkeljet, është ai që vendos cilat janë prioritetet dhe është ai që vendos se kush do ta bëj, pa pyetur absolutisht asnjë. Ajo që shohim është thjesht pasojat e një qeverie absolutisht të korruptuar – dhe kjo nuk është se e them unë po e thotë edhe raporti i Transparency International ku shteti shqiptar në katër vitet e fundit ka humbur 20 pozicione, ka kaluar nga vendi i 83-të në 2017, vitin e kaluar ka zbritur në vendin e 117. Kështu që në një situatë ku korrupsioni mbizotëron vendimet e qeverisë, sigurisht edhe në lidhje me aeroportin e Vlorës nuk respektohet, aq më tepër konventat ndërkombëtare.
Komentet