Disa raste të pozitës së vështirë kur udhëheqësit komunistë përdornin gjuhën banale
Si e kam njohur Myfit Mushin
Një specialist i shkëlqyer i artit të përkthimit gojor ka qenë Myfit Mushi (1927). Me Myfitin jam njohur në pranverën e vitit 1966, kur isha student i vitit të fundit në degën e gjuhës ruse të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Më pati prezantuar me të profesoresha e letërsisë ruse, pedagogia ime e nderuar Shpresa Zenelaj. U miqësuam shpejt. Por miqësia jonë do të forcohej edhe më shumë më vonë, kur do të ishim kolegë punë në Redaksinë e botimeve në gjuhë të huaja të Shtëpisë botuese “8 Nëntori”, ku unë fillova punë si përkthyes në vitin 1979. Në sektorin e përkthimit në gjuhën ruse të letërsisë politike, punuam së bashku gjatë dymbëdhjetë vjetëve. Aty e njoha Myfitin si një përkthyes dhe redaktor mjaft të talentuar, por edhe si një mjeshtër të vërtetë të përkthimit gojor. Dukej që për artin e përkthimit gojor, ai kishte një talent të jashtëzakonshëm. Më bënte shumë përshtypje kujtesa dhe shkathtësia e lindur në manovrimin me gjuhën ruse, si me shkrim, ashtu edhe me gojë. Këto ishin tipare që binin menjëherë në sy në formimin e tij, si një intelektual me një vullnet mjaft të admirueshëm.
Myfiti ka qenë oficer i xhenjos dhe në vitet e para të pasluftës e patën dërguar për specializim në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad. Megjithëse atje kishte qëndruar për specializim vetëm dy vjet, rusishten e kishte përvetësuar në një mënyrë të shkëlqyer.
Në mesin e viteve ’50, Myfitin e patën emëruar në Komitetin Qëndror të Partisë, në detyrën e përkthyesit të udhëheqjes komuniste. Aty ai pati punuar kryesisht si përkthyes i Enver Hoxhës. Gjatë atyre viteve që punoi në Komitetin Qëndror, ai vazhdoi ta studiojë me themel gjuhën ruse dhe arriti të bëhej një specialist i klasës së parë. Pas prishjes së marrëdhënive me Bashkimin Sovjetik, Myfitin e kaluan në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vitin 1975, kur u shtua së tepërmi volumi i punës për përkthimin e veprave të Enver Hoxhës, atë e transferuan në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, ku punoi si përkthyes dhe si redaktor në Redaksinë e botimeve në gjuhë të huaja, derisa doli në pension në vitin 1987.
Në një intervistë që i ka marrë para do kohësh gazetari Xhevdet Shehu dhe të botuar në faqen e internetit të gazetës “Dita” të datës 02 tettor 2016, Myfiti ka deklaruar:
“Në fillim të nëntorit 1960 u thirra urgjentisht në Moskë, ku kishte mbërritur delegacioni i PPSH-së, i kryesuar nga Enver Hoxha. Ditën e mbërritjes kam bërë këtë bisedë me Kryeministrin Mehmet Shehu.
Mehmeti më tha:
“Erdhe? Ti je përkthyesi i delegacionit!”…
Kurse të nesërmen, gjatë një bisede në këmbë, Mehmeti më thotë prapë:
“Enveri ka thirrur Andropovin…” (ku i tha se nuk do të takohet me Hrushovin, pasi kishte lexuar materialin e PK të BS ku Shqipëria nuk figuronte si vend socialist)”.
Mehmeti më tha:
“Shkruaj. Do përgjigjesh para historisë për ato që shkuan apo flet”.
Ai takim u zhvillua në zyrën e Enverit në Zareçje, ku nga udhëheqja sovjetike morën pjesë 4-5 veta, edhe nga delegacioni ynë po aq, plus mua si përkthyes. Takimi vazhdoi për afro tre orë… Sepse mbledhja e përgjithshme në sallën Georgievskaja në Kremlin u bë pas mbledhjes së Komisioneve gjatë muajit tetor për përgatitjen e projekt-deklaratës. Ishte një punë e përbindshme dhe tejet e ngarkuar. Komisioni ynë kryesohej nga Hysni Kapoja. Më kujtohet një moment. Një ditë të atij tetori më thirri urgjentisht Hysni Kapoja e më thotë:
“Nesër unë do mbaj fjalim në komisionin e përgatitjes së deklaratës së mbledhjes së 81 partive. Duhet përkthyer sonte natën fjalimi…”.
Dhe ishte një fjalim prej 30 faqesh. Mirëpo të nesërmen përsëritej thuajse e njëjta gjë. Në mbarim të mbledhjes së komisionit, delegacionet u kthyen në vendet e tyre në përgatitje të mbledhjes së madhe…
***
Përgjegjësia e përkthyesit është maksimale… Unë kam qenë përkthyes i Enverit që nga viti 1955. Po përktheja një fjalim të Hrushovit në vitin 1959 para popullit të Tiranës, para bashkisë së Tiranës. Hrushovi fliste shpesh pa letër. Më afrohet Mehmet Shehu e më thotë:
“Përkthe, por mbaj edhe shënime se ky fjalim do të botohet nesër në gazetë”.
E kupton se çfarë përgjegjësie ka përkthyesi në këtë rast? Merre me mend tani, të përktheje ato takime të mprehta në Kremlin, ku ndodhi përplasja e madhe midis nesh dhe Bashkimit Sovjetik dhe ku mund të themi se mori fund miqësia që dukej e pathyeshme midis dy vendeve. Mirëpo atë përplasje dhe rrokullimë të madhe nuk mund ta ndalte përkthyesi apo përkthyesit”
Në atë intervistë, gjithashtu, Myfiti ka deklaruar:
“Herë-herë, në momente shumë të veçanta dhe të mbyllura, përkthente Ramiz Alia ose Mehmet Shehu, sipas rastit”.
Edhe Ramizi, edhe Mehmeti e zotëronin rusishten. I pari kishte përfunduar Shkollën e Lartë të Partisë në Moskë, kurse i dyti, po aty, kishte studiuar në një akademi ushtarake.
Myfitit i kërkova të më jepte mbresat e veta, si përkthyes, jo vetëm nga Konferenca e Moskës që u përmend më lart, por edhe nga takimet e tjera të Enver Hoxhës dhe të udhëheqësve të Partisë së Punës të Shqipërisë me personalitete të huaja. I jam shumë mirënjohës që pranoi me kënaqësi. Mbresat e tij po i përcjell në vazhdim.
I dashur Eshref,
Sipas kërkesës tënde dhe siç e lamë fjalën në telefon, po të dërgoj mbresat e mia nga koha kur kam punuar përkthyes gojor i gjuhës ruse në Komitetin Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë prej vitit 1956 deri në vitin 1961.
Të uroj shëndet, mbarësi dhe punë të mbarë në përgatitjen e librit që ke nëpër duar.
Myfiti
Tiranë, 03 nëntor 2013
Tregon Myfiti: Mbresa nga ankthet e përthimit gojor
Përkthyesit i qëllon të përkthejë si me shkrim, ashtu edhe në mënyrë të improvizuar, me gojë. Kjo e fundit ka vështirësitë e veta specifike.
Pozita e vështirë e përkthyesit
gjatë përkthimit të banaliteteve
Mua më ka ndodhur që vështirësinë e ka pasur jo vetë përkthimi, si i tillë, por përdorimi i banaliteteve.
Po sjell disa shembuj.
Në Konferencën e Partive Komuniste e Punëtore që u mbajt në Moskë në nëntor 1957, e mori fjalën edhe Kryetari i delegacionit kinez Mao Ce Duni. Duke folur për luftën e popullit vietnamez kundër kolonizatorëve francezë, ai përdori një shprehje të rëndë. Unë isha ulur në një karrige prapa Enver Hoxhës dhe i përktheja në vesh variantet e rusishtes. Në një çast, Mao Ce Duni bëri një pauzë: dy përkthyesit e tij po konsultoheshin, me sa duket, si ta përkthenin një shprehje të tij. Më në fund, ata vendosën ta përkthejnë tekstualisht:
“Ushtria e Ho shi Minit i bëri francezët të dhiten në brekë”.
Unë po vrisja mendjen si t’i a thoja Enverit, ndërsa ky më thotë:
– Hë, si është puna?
– Përkthyesi e përktheu tekstualisht, – i them unë. – Maoja tha që “ushtria e Ho Shi Minit i bëri francezët të… mbushin brekët”. U ndala ca sekonda dhe shtova: “Maoja e tha atë fjalën troç.., siç e thotë populli”.
E kisha shumë zor të shqiptoja fjalë të tilla kur i përktheja Enverit.
Një tjetër shembull lidhet me Hrushovin, Kryetarin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, dhe pikërisht në Moskë, dhe në muajin nëntor, por tre vjet më vonë, në Mbledhjen e Partive Komuniste dhe Punëtore. Nja dy ditë pasi Enveriu mbajti fjalimin e vet me plot akuza e sulme kundër udhëheqjes sovjetike, Hrushovi reagoi kundër këtij fjalimi, por shkurt. Ai kishte një zakon të çuditshëm. Kur donte të përforconte ndonjë mendim apo shprehje, hiqte syzet: të pranishmit prisnin se çfarë xhevahiri do të nxirrte nga goja. Ai tha:
“Enver Hoxha oblill nas gavnóm” (Enver Hoxha na hodhi mut përsipër).
Unë u stepa. Enveri më thotë:
– Hë mo, fol!
Unë i them: “Hrushovi tha: “Enver Hoxha na leu me… të pëgërë” dhe pastaj shtova: “Ai e tha troç, siç e thotë populli”. Më dukej se fjala turqisht do ta zbuste ca atë fjalë.
Detyra e përkthyesit – përkthimi,
jo ndërhyrjet personale me komentim
Më ka qëlluar, vetëm një herë, të bëj një ndërhyrje gjatë përkthimit, për të saktësuar një shprehje të Enverit. Në Mbledhjen e Moskës, për të cilën sapo fola, para fillimit të saj, në vilën ku ishte vendosur delegacioni shqiptar, erdhi për një takim paraprak një delegacion i partisë sovjetike. I kryesuar nga Mikojani. Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë tepër të tensionuar. Enver Hoxha, herë pas here, përdorte shprehjen:
– Ne jemi marksistë-leninistë dhe problemet duhet t’i trajtojmë në këtë frymë.
Qysh në rastin e parë Mikojani e ndërpreu:
– Pra, ju qenkeni marksistë-leninistë, kurse ne jo!
Pak më vonë, Enveri përdori të njëjtën shprehje. Edhe Mikojani përsëriti të njëjtin reagim.
Duhet të kujtoj që deri atë ditë partia jonë ende nuk i kishte quajtur revizionistë udhëheqësitë sovjetikë. Pas reagimit të përsëritur të Mikojanit, unë u ndodha shumë ngushtë. Duhet të bëja një sqarim. Mora parasysh edhe pasojat e rënda, por e kisha detyrë si përkthyes. Ndërhyj:
– Shoku Mikojan, me sa duket, e kam unë fajin. Po sqaroj që kur shoku Enver thotë “ne jemi marksistë-leninistë”, ka parasysh jo vetëm palën shqiptare, por të dyja palët”.
Me bisht të syrit, vura re fytyrat e Enverit dhe të Mehmetit: asnjë lëvizje. Vazhduan bisedimet, por këtë që bëra unë, do ta shohim, se dardha e ka bishtin prapa.
Bisedimet morën fund. Të gjithë ngrihen më këmbë. Më afrohet Mikojani, më vë dorëm mbi sup e më thotë:
– Ju jeni marksistë-leninistë.
Menjëherë reagon Mehmet Shehu:
– Jo, ky është oportunist!
Për fat të keq, ky ishte edhe bishti i dardhës. Me sa duket, ndërhyrja ime nuk u quajt me vend.
Kama e heroit të Luftës së Vlorës Kanan Maze –
dhuratë për mareshalin sovjetik!!!
Përkthyesit mund t’i qëllojë të vërë në dyshim një shprehje të thënë para publikut nga një personalitet i lartë. Kam pasur vetëm një rast të tillë me mareshalin e Bashkimit Sovjetik G.K. Zhukov, gjatë vizitës së tij në vendin tonë.
Jemi në Vlorë. Autoritetet e vendit organizojnë për nder të tij një pritje madhështore. Më afrohet dikush e më njofton se kanë hequr nga muzeu kamën e Kanan Mazes (heroit të luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë në vitin 1920), për t’ia dhuruar mysafirit të lartë. Kërkohej pëlqimi i Zhukovit. Ia njoftova atë dëshirë. Ishte dakord. Pas pak, vjen i ngarkuari me këtë detyrë dhe ia dorëzon reliken me ceremoni. Mareshali e merr kamën, e kap me të dyja duart dhe thotë:
– Ju falënderoj për këtë dhuratë shumë të çmuar, por sot nuk është epoka e kamave, është epoka e atomit.
Këto fjalë u dëgjuan me një ndjenjë të zymtë nga vlonjatët. Asnjë lëvizje. Pastaj mysafiri i rrallë vazhdon:
– Po sikur Dallesi të më cyste, me këtë kamë do t’ia hiqja kokën.
Unë duhet ta përktheja, por mendova: mos vallë këtu ka folur jo Zhukovi, por rakia? Të thotë se i heq kokën një personaliteti amerikan, si Dallesi! Dhe i them:
– Shoku mereshal, nuk ju kuptova mirë, a mund ta përsërisni atë që sapo thatë?
Ai më përgjigjet:
– Unë rusisht jua thashë, Si s’e kuptuat? Përkthejuani”.
Unë e përktheva. Brohoritjet e publikut s’kishin mbarim.
Përkthyesi në ndihmë të folësit, për ta nxjerrë nga situata
Këtë të vërtetë, shpesh të pakuptuar nga auditoret e mbledhjeve apo takimeve të rëndësishme, Myfit Mushi e argumenton me një shembull nga përvoja e tij e gjatë si përkthyes.
Përkthyesi mund të gjendet edhe në situata krejt të paimagjinueshme. Kështu më ndodhi me një mongol.
Kishte ardhur në vendin tonë një delegacion mongol për vizitë zyrtare, madje delegacion i nivelit të lartë. Sipas programit, ai shkoi edhe në Vlorë. Ishte mbledhur populli në mitingun e miqësisë.
Pasi mbaroi fjalimin e mirëseardhjes përsonaliteti shqiptar, u njoftua që fjala e përshëndetjes i jepet Sekretarit të Partisë Mongole. Ky i afrohet mikrofonit. Populli vazhdon brohoritjet, por oratori më kot kërkon nëpër xhepa tekstin e fjalimit. Më në fund, më drejtohet mua:
– Ku është fjalimi im?.
Unë, nga përvoja që kisha, fjalimet e përkthyera i mbaja në dy kopje, në xhepa të ndryshëm. I them:
– Po ju jap këtë material. Bëni sikur lexoni atë dhe thoni çfarë të doni se këtu askush nuk e di gjuhën tuaj.
Kjo ishte zgjidhja.
…
Kodi i përkthyesit –
ruajtja e sekretit
Përkthyesi zyrtar shpesh ndodhet para një kërkese të padiskutueshme, dhe kjo është ruajtja e sekretit. Shkelja e saj mund t’i kushtojë jetën. Ja si e arsyetonm këtë përkthyesi Myfit Mushi:
Në vitet e para të Shqipërisë së çliruar, në s’gabohem, në vitin 1946, në ujërat tona territorial u hodhën në erë dy luftanije angleze. Anglia ngarkoi me përgjegjësi Shqipërinë. Qeveria shqiptare e hodhi poshtë këtë akuzë: s’kishte gisht në këtë incident. Akuzat dhe hedhja poshtë e tyre vazhduan pa mbarim.
Në nëntor 1960, Në Konferencën e Moskës të Partive Komuniste e Punëtore, dy delegacione, ai shqiptar dhe ai sovjetik, zhvilluan në Moskë bisedime nga më të tensionuarat. Enver Hoxha, duke folur për qëndrimin pajtues të udhëheqjes sovjetike ndaj Jugosllavisë, si edhe për qëndrimin e vendit tonë ndaj saj, deklaroi se edhe luftanijet angleze ne i hodhëm në erë me ndihmën e Jugosllavisë, pasi nuk kishim minavënës. Specialistët jugosllavë i mësuan minavënësit tanë si ta kryenin këtë akt.
Unë u shokova. I thashë vetes: “Kyçin gojës, përndryshe…”. Dhe “kyçin” e hoqa vetëm kur në vitet ’90, Bedri Spahiu, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe i dënuar si “tradhtar” i partisë, njoftoi median se cila është e vërteta lidhur me luftanijet angleze…
Përkthyesi – kokë turku e Enver Hoxhës
për faj të Fadil Paçramit
Rrëfen më tej Myfit Mushi njw rast nga kongresi i partisw komuniste tw Bullgarisw nw vitin 1958:
Gjatë kohës që kam qenë përkthyes i Enver Hoxhës, ai kurrë nuk më pati bërë as vërejtjen më të vogël, me përjashtim të një rasti që do ta përmend më poshtë.
Në vitin 1958, një delegacion i Partisë së Punës, i kryesuar nga Enveri, mori pjesë në Kongresin e 8 të Partisë Komuniste të Bullgarisë. Në përbërje të delegacionit ishte edhe Fadil Paçrami, anëtar i plenumit të Komitetit Qëndror të Partisë, publicist, njeri i njohur si korrekt edhe në marrëdhëniet me të tjerët.
Delegacioni bëri vizita në qytete dhe në objekte të ndryshme të vendit. Pothuajse kudo, Enveri mbante fjalime. Një ditë më porositi të përgatisja dhe të merrja me vete materialet se do të shkonim në një qytet tjetër. I mblodha të gjitha fjalimet e tij, përfshirë edhe ato të përdorurat. Ndërkaq, më afrohet Fadil Paçrami dhe më pyet se çfarë po bëja. I shpjegova se isha duke sistemuar materialet, fjalimet e Enverit. Ai më tha se nuk duhen marrë ato fjalime që janë përdorur. Unë i thashë që do t’i marr të gjitha, kurse ai ma përsëriti që nuk duhen marrë të përdorurat. Unë ngula këmbë në timen, por ai, edhe si anëtar i delegacionit, përsëriti në formë të prerë që nuk duhet t’i merrja. S’kisha ç’të bëja: bëra siç më tha ai.
U nisëm, s’më kujtohet se për në ç’qytet. Në mbrëmje, aty nga ora 22-00 ose 23-00, më njoftojnë se më kërkonte Enveri. Hyra në dhomën e tij të punës. Më këmbë, jo shumë afër tryezës së punës së Enverit, po qëndronte Fadili. Enveri më kërkoi njërin nga fjalimet e tij. Ishte fjala për njërin nga ato fjalime, për të cilat kisha bërë fjalë me Fadil Paçramin. I them:
– Më falni, shoku komandant, por atë nuk e kam marrë.
– Si nuk e ke marrë? Pse s’e ke marrë?!
– Po ja, mendova që nuk do t’ju duhej meqë e kishit përdorur.
– Pse të kam marrë këtu, që të më shesësh mend?! Lipsu!
U ktheva mbrapsht, i hodha një vështrim Paçramit që po rrinte më këmbë gjoja si indiferent dhe u largova. Shkova në dhomën time, u ula në një kolltuk dhe, i brengosur thellë për gafën që kisha bërë, rashë në mendime sikur të kisha bërë ndonjë krim.
Vjen Paçrami, më afrohet dhe më thotë si me një ton ngushëllues:
– S’ke ç’të bësh, kështu e kanë këto punë, po mos u shqetëso.
– Si të mos shqetësohem, ç’do të thotë “kështu e kanë këto punë”? Ju duhet të kishit ndërhyrë menjëherë dhe t’i thonit Enverit: “s’ka faj Myfiti, unë i thash të mos e merrte atë fjalim. Kësaj i thonë “larg bythës sime”, apo jo?”.
Pikërisht atëherë e mora vesh se “ç’ burrëri” kishte Fadil Paçrami. Sidoqoftë, atë natë nuk vura gjumë në sy. Të nesërmen Enveri vazhdoi të më vështronte plot inat. Padashur, në Bullgari unë u bëra “kokë turku”.
Ne themi “kokë turku”, rusët thonë “cjapi i shlyerjes së mëkateve” (kozjoll otpushenjija). Këto shprehje përdoren në rastet kur ndokush, në përpjekje për të çliruar veten, ia hedh dikujt tjetër fajin apo mëkatet e veta. Nuk më kishte shkuar ndonjëherë ndër mend që ndokush do të orvatej të më bënte mua “kokë turku” apo “kokë cjapi”.
Hrushovi në kërkim të kokës së turkut
në figurën e përkthyesit
Por kështu më ndodhi në Moskë në vitin 1960. Atje kishin ardhur delegacione të partive komuniste e punëtore nga e gjithë bota, për të diskutuar probleme të lëvizjes komuniste botërore. Midis tyre, edhe delegacioni i Partisë së Punës të Shqipërisë, i kryesuar nga Enver Hoxha. Ky delegacion kishte mosmarrëveshje të thella me delegacionin sovjetik, të kryesuar nga Nikita Hrushovi. Ky i fundit kishte kërkuar të bëhej një takim i të dy delegacioneve, me qëllim që, me anën e presioneve dhe të shantazheve, ta detyronte Hoxhën të ndryshonte fjalimin që do të mbante më 18 nëntor në mbledhjen e partive dhe që përmbante akuza të forta kundër udhëheqjes sovjetike.
Takimi (në fakt, kacafytja) u bë më 12 nëntor, në Kremlin. Në një çast, kur Hrushovi e ngriti shumë zërin, duke e akuzuar Hoxhën se edhe këtu është duke folur si tradhtar i kampit socialist, Enveri, me aq sa e dinte rusishten, deklaroi:
– Unë flas në emër të partisë sime, të popullit tim, të atdheut tim, – duke i shoqëruar këto fjalë me tri goditje të fuqishme mbi tryezë.
Jam i sigurt se nuk kishte ndodhur ndonjëherë që një i huaj të përplaste grushtin mbi tryezë në Kremlin, prandaj ky veprim e tërboi Hrushovin, i cili reagoi:
– Kështu ka dashur të bisedojë me mua Makmilani!
Reagon ashpër Mehmet Shehu:
– Enver Hoxha nuk është borgjezi Makmilan, por revolucionar marksist-leninist, prandaj t’i merrni mbrapsht ato që thatë.
– Si t’i marr mbrapsht?!
– T’i merrni mbrapsht, përndryshe unë do t’i propozoj delegacionit tonë t’i ndërpresim bisedimet.
– Po ku t’i vë?
– Ja atje, në xhepin tuaj.
Në këto e sipër, Mehmet Shehu çohet më këmbë dhe zgjat dorën në drejtim të xhepit të vogël të xhaketës së Hrushovit.
Kryetari i delegacionit sovjetik nuk ishte aspak i interesuar për dështimin e takimit, sepse donte ta vazhdonte presionin për të arritur qëllimin e mësipërm. Me sa dukej, në ato çaste i shkoi mendja për të lëvizur një tjetër kartë, të gjente një “kokë turku” dhe pikërisht përkthyesin, pra, mua. Dhe, në një moment, më drejtohet mua që më kishte ballë për ballë:
– Po ju a e kuptoni rusishten?!
Me këtë rast, dëshiroj t’i kujtoj lexuesit se unë Hrushovin e pata përkthyer shumë herë, jo vetëm në Moskë, por edhe kur qe për vizitë në vendin tonë prej 25 majit deri më 03 qershor të vitit 1959.
Unë i përgjigjem:
Ndërhyn Enveri me aq sa e dinte rusishten:
– Përkthyesi im e zotëron shumë mirë rusishten, por unë edhe vetë e kuptova atë që thatë ju!
Ndërhyn Mehmet Shehu:
– Në qoftë se ju nuk i tërhiqni ato që thatë për shokun Enver, unë do t’i kërkoj delegacionit të braktisim sallën.
Hrushovi u hodhi një vështrim anëtarëve të delegacionit të tij dhe, si me zor, tha:
– Njet, nje mogu (jo, nuk mundem).
Ndërhyn Hysni Kapua:
– Unë jam dakord me shokun Mehmet, të braktisim sallën.
Delegacioni shqiptar largohet nga salla jomikpritëse dhe këshu unë, fatmirësisht, nuk u bëra as “kokë turku”, as “kokë cjapi”.
Përballja edhe e të papriturave
nga ana e përkthyesit
Përkthyesit i duhet ndonjëherë të përballojë edhe dhunën fizike, sidomos kur palët nuk janë në marrëdhënie të mira midis tyre. Në vijim, Myfit Mushi tregon për një rast të tillë rreth katër muaj pas përplasjes së madhe në mbledhjen e 81 partive në Moskë. Ishte koha kur miqësia shqiptaro sovjetike kishte marrë fund…
Më ka ndodhur vetëm një herë të has në dhunë fizike, gjatë kryerjes së detyrës si përkthyes. Dhe pikërisht përsëri në Moskë.
Më 25 mars 1961, një delegacion shqiptar, i kryesuar nga ministri i mbrojtjes Beqir Balluku, shkoi në Moskë për të marrë pjesë në mbledhjen e Traktatit të Varshavës. Mbledhjen e drejtonte mareshali Greçko, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Traktatit në fjalë. Ai i pati dërguar delegacionit shqiptar një kërkesë ultimative, sipas së cilës, ministri i mbrojtjes Beqir Balluku, brenda 24 orëve, të urdhëronte trupat shqiptare të bazës ushtarake të Pashalimanit, t’ua kalonin bazën trupave sovjetike që ndodheshin atje. Balluku e hodhi poshtë vendosmërisht atë kërkesë, me notën e përgjigjes që i dërgoi mareshalit Greçko rreth orës 24:00 të asaj dite.
Tani le të kalojmë te dhuna që u përdor ndaj përkthyesit të delegacionit, pra, kundër meje.
Pasi drekoi në një vilë të caktuar për të, delegacioni ynë vendosi të pushojë ndonjë orë. Të njëjtën gjë bëra edhe unë. Por më zgjoi nga gjumi një kameriere: më kërkonin në telefon nga ambasada jonë në Moskë. Më thonë të nisem urgjentisht për në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë sovjetike, ku po më priste delegacioni ynë, i cili, i thirrur urgjentisht në takim me mareshalin Greçko, u nis, duke harruar të më merrte mua me vete. Nisem pa vonesë. Ngjitem në sallën ku ndodhej delegacioni ynë për të bërë takimin. Te dera e sallës së takimit po rrinin dy majorë, roja të forta. Unë u prezantova: jam përkthyesi i delegacionit, – dhe bëj një hap përpara.
– Ndal! Kemi urdhër të mos lejojmë askënd!
– Ju thashë që jam përkthyesi i delegacionit, i cili nuk mund t’i zhvillojë dot bisedimet pa praninë time.
– Ju thamë që kemi urdhër të prerë: asnjeri!
Shtangem. Hyrja është bllokuar. Delegacioni më priste. U afrova edhe ca te doreza e derës që ruhej nga njëri prej majorëve. S’kishte zgjidhje tjetër. Po i vështroja i heshtur rojat ushtarake. Befas kapa një çast të volitshëm: majori sesi e hoqi dorën nga doreza dhe unë e kapa atë rrufeshëm dhe e shtyta derën, por aq sa munda të fus fare pak kokën, e cila befasisht u gjend e shtrënguar fort midis derës dhe kasës. Por kjo, sidoqoftë, mjaftoi: dëgjoj zërin e Ballukut:
– Po hajde, more djalë, ç’u bëre?
Majorët sovjetikë mbetën me gisht në gojë. Dhuna kërkonte dhunë.
Fund
*Ekskluzive DITA – Flet nga SHBA prof.Eshref Ymeri: Përtej një portreti për Myfit Mushin.
Komentet