Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, thotë se janë marrë disa masa urgjente për zhvillimin e kësaj komune, duke rritur buxhetin dhe kryer investime kryesisht në infrastukturë ndërsa pritet edhe zbatimi i projekteve të rëndësishme turistike. Ai tha se beson se do të ketë bashkëpunim të mirë me qeverinë e re të Malit të Zi, ndërsa kjo komunë ka burime të mëdha për zhvillimin ekonomik.
Në intervistën për Zërin e Amerikës, zoti Bajraktari theksoi se pret që Parlamenti të miratojë marrëveshjen e firmosur mes qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Shqipërisë për ndërtimin e urës mbi lumin Buna në Ulqin.
Projekti do të shkurtonte distancën mes dy vendeve dhe sipas zotit Bajraktari do t’i shërbente zhvillimit turistik të tyre. “Shpresoj që ky projekt shumë shpejt do të nisë me hapa konkrete dhe ky është një projekt pas të cilit rrinë dy qeveri dhe besoj që realizimi i tij nuk ka alternative”, u shpreh ai.
Zëri i Amerikës: Zoti Bajraktari Lëvizja Qytetare “URA”, për herë të parë në një koalicion me partitë e spektrit politik shqiptar, drejton pushtetin në Komunën e Ulqinit. Cilat janë sfidat me të cilat përballet komuna juaj dhe cilat janë masat që po ndërmerrni për t’i trajtuar ato?
Omer Bajraktari: Komuna e Ulqinit është një nga komunat më të pasura në shtetin e Malit të Zi, por është një komunë që ka patur një udhëheqje jashtëzakonisht të dobët dhe e cila ka bërë në fakt që të jetë komuna më e varfër në bregdetin e Malit të Zi, me gjithë potencialet natyrore që ka dhe me udhëheqje të dobëta që e kanë sjellë pranë falimentimit komunën e Ulqinit.
Megjithatë, vitin e kaluar me marrjen e mandatit kemi marrë disa masa urgjente dhe komuna tani është në gjendje jashtëzakonisht të mirë dhe ndoshta në gjendjen më të mirë se asnjëherë më parë.
Ne kemi dyfishuar buxhetin, përqëndrimi ynë ka qenë përmirësimi i financave, si një bazë e një zhvillimi të mëtejshëm të komunës së Ulqinit dhe aty kemi patur rezultate të dukshme dhe kemi një buxhet jashtëzakonisht të mirë për këtë vit të cilin e kemi miratur në dhjetor të vitit të kaluar dhe kemi hapur dhe disa investime të cilat janë në infrastrukturën bazike, një bazë e qëndrueshme për zhvillim të mëtejshëm. Ne jemi duke kryer ivestime mbi 30 milionë euro në infrastrukturën bazike, ujësjellës dhe kanalizim, do t’i hapim disa investime në infrastrukturën rrugorë në komunën e Ulqinit dhe patjetër që në të afërmen e shpejtë t’i hapim disa investime edhe në sferën e turizmit, disa objekte turistike të nivelit më të lartë, ndërtimi i të cilëve pritet të fillojë deri në sezonin turistik dhe mendoj se me këto tentativa komuna e Ulqinit me të vërtetë do të ketë një të ardhme të artë brenda 5 viteve.
Zëri i Amerikës: E keni mbështetjen e autoriteteve shtetërore në përgatitjen e sezonit turistik?
Omer Bajraktari: Në Mal të Zi, qeveria e re ka ardhur para dy ose tre muajve dhe komunikimi nuk është ende edhe aq thellë sepse atyre ndoshta u duhet pak kohë, por shpresoj se jam mëse i sigurt se bashkëpunimi do të jetë i mirë. Ne kemi patur bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë e zotit Abazoviç dhe shpresojmë se do t’i përkushtohen zhvillimit si të Malit të Zi ashtu edhe Ulqinit, sepse Ulqini është ndoshta ai thesari më i çmueshëm në të ardhmen e Malit të Zi për zhvillimin ekonomik.
Zëri i Amerikës: Kriporja e Ulqinit është shpallur Park Natyror dhe pas përpjekjeve të njëanshme për privatizim i është kthyer komunës së Ulqinit. Çka është duke bërë pushteti vendor në mbrojtjen e saj?
Omer Bajraktari: Kriporja ishtë një sfidë shumë e madhe, ndoshta ndër sfidat më të mëdha që ka komuna e Ulqinit. Bëhet fjalë për një zonë që ka 15 milionë metra katrorë, pra është gati 30 përqind e territorit të komunës së Ulqinit, është një territor që është një thesar jashtëzakonisht i çmuar ekologjik i cili ka një potencial të jashtëzakonshëm. Dikur aty ishte fabrika e prodhimit të kripës, mirëpo pas privatizimit ajo ndodhet në një gjendje jashtëzakonisht të vështirë, me probleme financiare. Ne kemi tentuar që në të ardhmen përsëri ta kthejmë prodhimin e kripës, mirëpo ajo të shndërrohet edhe në një rezervat ekologjik, një park natyror siç e quajmë ne dhe presim jashtëzakonisht ndihmën e qeverisë së Malit të Zi, pasi bëhet fjalë për një problematikë e cila i tejkalon kompetencat dhe mundësitë financiare të Ulqinit.
Po ashtu, shpresojmë që më ndihmën e qeverisë së Malit të Zi dhe fondeve të huaja, këtu kemi itneresimin jashtëzakonisht të madh të Bashkimit Europian, sidomos të qeverisë së Gjermanisë, e cila është jashtëzakonisht prezentë në këtë lokalitet. Ambasadori I Gjermanisë është jashtëzakonisht i interesuar për zgjidhjen, dhe ato kanë paguar edhe një ekspert nga qeveria e Gjermanisë, i cili jeton në Mal të Zi dhe merret vetëm me çështjen e kripores dhe shpresoj me themelimin e një ndërrmarrje e cila do të menaxhojë në të ardhmen, mendoj se ajo do të jetë një rrugë e duhur për kthimin e jetës në këtë lokalitet, por edhe ajo të jetë një zonë unike pasi nuk e kanë komuna të tjera në Mal të Zi dhe shpresoj se ajo do të gjejë udhën e vet. Mendoj se zhvillimi i saj do të jetë edhe zhvillimi i Ulqinit dhe i Malit të Zi.
Zëri i Amerikës: Zoti Bajraktari, siç është bërë e ditur, qeveria malazeze dhe ajo shqiptare nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e urës mbi lumin Buna në Ulqin, që do të shërbente si pikë kufitare mes dy vendeve. Në cilën fazë është ky projekt dhe çfarë ndikimi pritet që të ketë?
Omer Bajraktari: Kemi patur ndër vitet e kaluara projektin e urës e cila lidh Ulqinin me Shkodrën, një projekt jashtëzakonisht vizionar dhe një projekt i cili do t’i japë një vlerë të re Ulqinit dhe Shkodrës dhe kësaj zone turistike e cila është jashtëzakonisht e madhe dhe bëhet fjalë për një zonë turistike që e ka bregdetin afro 30 kilometra, çka tregon që është një potencial i çmuar. Kryeministri Abazoviç dhe kryeministri Rama kanë nënshkruar marrëveshjet. Mirëpo në Mal të Zi kemi patur një periudhë e cila ndoshta ka qenë ngërç politik derisa ka ardhur tek formimi, derisa ka ardhur tek funksionimi i parlamentit të ri dhe presim që në legjislativin e tanishëm të miratohet ligji për urën i cili duhet të miratohet në parlament të Malit të Zi. Shqipëria e ka miratuar më herët dhe pastaj ajo hap rrugën për procedura të tjera, të cilat janë si përfundimi i projektit gjeneral, tenderimi i projektit dhe shpresoj që ky projekt shumë shpejt do të nisë me hapa konkrete dhe ky është një projekt pas të cilit rrinë dy qeveri dhe besoj që realizimi i tij nuk ka alternativë.