13 qershor 1920 – 13 qershor 2017. Çfarë ndodhi 97 vite më parë në Paris të Francës. Si e komentonte shtypi francez vrasjen e Esat Toptanit dhe dokumentet që nuk bëhen publike. Një përballje faktesh nga historiani Niko Kotherja i cili zbardh për DITA-n detaje të panjohura nga kjo datë…
……. 97 vite më pas
Entela Resuli – DITA
Data 13 qershor është një datë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. 97 vite më parë, Esat pashë Toptani është ekzekutuar në Paris nga Avni Rustemi. Kjo datë, ashtu si shumë të tjera i ka ndarë historianët në dy kampe: disa e konsiderojnë Toptanin tradhtar, të tjerë e. Qindra artikuj gazetash janë shkruar për këtë moment, dhjetëra libra kanë folur për këta dy personazhe, por ende shumë detaje kanë mbetur të pa zbardhura.

Historiani Niko Kotherja nuk ka qëndruar indiferent ndaj kësaj date ku nëpërmjet një statusi ka kujtuar këtë moment historik të viteve ’20 për vendin tonë.
“97 vite – Një nga vrasjet më të bujshme dhe njëkohësisht enigmatike të historisë së Shqipërisë. Esat pashë Toptani duke dalë për të hyrë në automobilin e tij, rreth orës 13:00, në hyrjen kryesore të hotel “Continental”, u qellua për vdekje me dy plumba nga Avni Rustemi. Plumbat, duke i përshkuar organe jetësore, i sollën pashait vdekjen e pashmangshme. Është aluduar shumë rreth personazheve që kane investuar ide, organizim dhe monedha për këtë atentat. Midis tyre është lakuar edhe emri i Ahmet Zogut. Ende sot, një pjesë e dokumenteve të procesit gjyqësor të Rustemit nuk janë bërë publike, si dhe bisedimet që ai ka pasur me avokatin e tij De Monzie, për të krijuar versionin e trajtimit të ngjarjes në gjykatë”- pohon Kotherja.
As ne nuk i qëndruam indiferent këtij momenti duke kërkuar një bisedë me Kotheren, me të cilën folëm më shumë rreth 13 qershorit të 1920. Një nga pikat që diskutohet ende është se sa persona ishin në atë atentat! Këtë shpjegim, historiani e shoqëron me disa “mbase”. “Sipas analizës që iu bë pistoletës së Avniut u verifikua që prej saj kishin dalë dy predha dhe ishin kryer dy qitje. Edhe predhat që u gjendën në trupin e Esatit ishin dy të dala nga e njëjta pistoletë. Sipas dijenisë sime, aty ka qenë dhe një plagë tjetër e shkaktuar nga një plumb tjetër që ka dalë nga pistoleta e ndonjë njeriu tjetër që mbase ka qenë bashkë me Avniun, por në drejtim tjetër me të. Ky person mbase do jetë nevojitur për përmbushjen me sukses të qëllimit. Mbetet ende mister kjo çështje dhe sa më shumë kohë kalon aq më e vështirë bëhet që të zbardhet,”- shprehet ai.
Kotherja mban postin e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Arsimit Shqip në Korçë ndaj, në një pjesë të bisedës ndalëm edhe në këtë qytet.
-Zoti Kotherja keni shkruar këto ditë se vrasja që Avni Rustemi i bëri Esat Pashë Toptanit nuk është zbardhur ende. Çfarë mendoni se ka ngelur enigmatike?
Ka shumë detaje të kësaj ngjarjeje që ende sot kanë mbetur enigmë, detaje të cilat do të çonin në zbardhjen e plotë të një prej atentateve më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, pasi kjo solli ndryshimin e shumë politikave në vend si dhe në arenën ndërkombëtare. Për shëmbull, ne sot nuk kemi bisedimet që ka pasur Avniu me avokatin e tij, të shquarin De Moznie, mes së cilave janë trajtuar pika delikate dhe shumë të vërteta, të cilat do i shërbenin avokatit për të bërë detyrën e tij në gjyqin ndaj Rustemit. Nuk kemi asnjë dëshmi të dhënë nga Avniu, ekskluzivisht për këtë ngjarje, përveç rrëfimeve publike, të cilat në një farë mënyre kanë qenë në frymën e deponimeve të tij në prokurorinë franceze. Sipas shtypit të kohës, shoferi i Esat Pashës ka pohuar se në ngjarje mund të kenë marrë pjesë dy persona. Fernand Lepine, shpferi i Esatit, ka qenë prezent në momentin e ngjarjes, në veturë duke pritur që aty të hipte pashai, i cili në atë moment po përfundonte një intervistë me një gazetar francez, korrespondent të gazetës “The Times”. Nuk njohim dosjen e plotë dhe përfundimtare të gjyqit të zhvilluar ndaj Avniut. Njohim një pjesë të mirë të procesit, por jo të gjithin.
-Sipas jush kush janë personazhet që janë investuar për këtë atentat? A është paguar Avni Rustemi për të vrarë Esatin?
Janë përfolur shumë përsonazhe, të cilët ishin pjesë e opozitës së asaj kohe të akteve dhe veprimeve të Esat pashë Toptanit. Interesante është përfolja që ka pasur edhe figura të tjera, edhe ajo e Ahmet Zogut, si një nga investuesit dhe nxitësit e kësaj vrasjeje. Por, për një eliminim të Esat Pashës hasim edhe dokumente më të hershme, si për shembull një letër e vitit 1915, që Themistokli Gërmenji i dërgon atdhetarit Pandeli Cale, ku shkruan se “të qëruarit e Esat pashë Toptanit do të bënte që të ndryshonte gjendja në Shqipëri”, apo korrespondencat e shqiptarëve të Egjiptit më 1919 që e quajnë “Esat zi Toptani” dhe protestojnë ndaj veprimeve të tij. Janë investuar ide, monedha dhe konspiracion në këtë ngjarje, që sot për ne mbeten të panjohura.
-Si u bë lidhja e Avniut me avokatin Anatole de Monzie dhe çfarë kanë biseduar ata me njëri-tjetrin?
Vrasja e pashait u mbështet nga gjithë veprimtarët dhe patriotët shqiptarë brenda apo jashtë vendit. Por, tani autori i saj përballej me drejtësinë fracneze dhe rrezikonte të dënohej, pasi kishte ekzekutuar një prej miqve të Francës dhe të dekoruarin me medaljen e kryqit të luftës. Në ndihmë të Rustemit u angazhuan shumë figura të shquara, të cilët mundën të kontaktonin avokatin e famshëm De Monzie, të cilin më vonë do ta shohim si ministër në Francë. Le të përmendim këtu që për shpenzimet e nevojshme, shqiptarët hapën fushata për mbledhje fondesh. Këtu përmend që vetëm shqiptarët e Amerikës, me anë biletash të stampuara me portretin e Avniut, mund të mblidhnin një shumë të jashtëzakonshme, siç ishin në atë kohë 5000 dollarë. Është interesante që në krah të Avniut u rreshtuan shumë figura të rëndësishme të asaj kohe, përveç atyre brenda e jashtë Shqipërisë, si Asdreni, Jani Minga (nënshkrues i aktit të Pavarësisë), Luigj Gurakuqi, e shumë e shumë të tjerë, veçoj mbështetjen që i dhanë Avniut njerëz si Aleksandër Moisiu, aktori shqiptar me famë botërore, Viktor Eftimiu, personalitet i letrave në Rumani, francezi Justin Godart, mbështetës i çështjes shqiptare, Rene Pinon, etj.
-Në gjykimin tuaj, Esat Pasha është hero apo tradhtar?
Unë e mbështes gjykimin tim në veprimet dhe gjykimet e ajkës së patriotizmit shqiptar, emra si ata që përmenda më lart apo edhe si qëndistarja e Flamurit, Marigo Posio, e cila organizoi gratë vlonjate në mbrojtje të Rustemit si dhe i kushtoi një vjershë ngjarjes së Parisit, Mihal Grameno e shumë e shumë të tjerë.
-Si do ta vlerësonit bashkëpunimin e tij me Serbinë?
Mjafton të shohim sot vendprehjen e Esatit, në parcelën e varrezave serbe në Paris dhe respektin e herëpashershëm që i bëhet prej përfaqësuesve të shtetit serb për të kuptuar lehtësisht raportin e Esatit me shqiptarët dhe serbët.
-Le të shkëputemi pak nga kjo pjesë historike e bisedës. Z. Kodherja , si është Korça në këtë periudhë, duket se ai qytet është çdo ditë në sezon turistik?
Është e vërtetë që Korça përjeton një sezon turistik pothuajse gjatë gjithë vitit. Muzeumet e shumta, ambientet e veçanta dhe ajo çka vetë ofron Korça është një menu shumë e veçantë e mijëra vizitorëve që bujtin në qytet gjatë gjithë muajve të vitit.

Faqja e parë e gazetës “Le Petit Parisien”, botimi i menjëhershëm pas ngjarjes, i datës 14 qershor 1920; poshtë majtas reklame e markës së pistoletave “Smith & Wesson” sipas modelit qe përdori Avniu në atentat; poshtë djathtas fotografi e Avniut menjëherë pas dërgimit të tij në polici, pasi u godit dhe u dhunua nga persona të rastit pas atentatit dhe fotografia djathtas tregon godinën në ditët e sotme të hotelit ku u krye atentati (shënuar vendi ku ndodhi ngjarja me 1 pozicioni i Avniut dhe 2 vendndodhja e Esatit kur u qellua). Imazhe që dalin për herë të parë.
-A ka interes nga turistët për muzeun, çfarë kërkojnë të shohin më tepër?
Interesi i turistëve për muzeun është i madh, gjithashtu edhe kurioziteti i tyre për të njohur përpjekjet e shqiptarëve për shkollën e parë shqipe. Ne kemi mundur që t’i përgjigjemi interesit të vizitorëve tanë me shumë ekspozita të hapura njëra pas tjetrës, me pasurimin me materiale historike të stendave të muzeut të mësonjëtores.
-Çfarë i ofron ky muze sot vizitorve?
Muzeu sot ofron njohjen e historisë së shkollës së parë shqipe, të personaliteteve që bënë të mundur çeljen e saj, botimet e kohës dhe tekste të përdorura në shkollën shqipe, dorëshkrime, fotografi dhe materiale muzeale që e sjellin vizitorin më afër në kohë me periudhën e mësonjëtores.
-Ju e njihni Korçën jo vetëm për shkak se është qyteti juaj i lindjes por edhe për faktin se keni qëmtuar në dokumente për zhvillimin që ka patur ndër vite, në sytë tuaj, si ka ndryshuar Korça dhe cilat janë karakteristikat e tij të spikatura që janë trashëguar sot e kësaj dite?
Fatmirësisht, Korça ka arritur që t ë ruajë përgjithësisht fizionominë e saj. Janë ruajtur lagjet karakteristike, banesa të ndryshme, rrugicat dhe bulevardet që në shumë dekada kanë parë dhe ndjerë shumë histori, në periudha të ndryshme. Korça është dëmtuar në ndërtesa në disa momente të ndryshme, duke filluar prej para luftës, gjatë luftës dhe në kohën e regjimit totalitar. Është fat i mirë që ajo dorë shkatërruese nuk vijoi më tej që ne sot të kemi mundësinë e njohjes së Korçës së vjetër.
Komentet