Kryeministri Edi Rama ka bërë dhe njëherë avokatin mbrojtës të Serbisë, teksa ditët e fundit është shtuar presioni ndaj Beogradit nga BE dhe SHBA për respektimin e marrëveshjes së Ohrit. Rama ka deklaruar në një intervistë për emisionin “Porta a Porta”, se “duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht”.
I pyetur nëse Shqipëria i frikësohet një zgjerimi të mundshëm të Bashkimit Europian që përfshin Serbinë, në një kohë kur Serbinë e shohim shumë pranë Rusisë, Rama tha se “jo, vetëm që nuk i trembemi kësaj, por jemi një zë mjaftueshëm i dalluar në Ballkanin Perëndimor që thotë se duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht”.
“Nga ana tjetër, sigurisht që ka dallime sepse Serbia nuk e ka sanksionuar Rusinë për arsye të qarta që në një moment duhet kuptuar se ato janë arsye të natyrës politike dhe historike, por edhe të natyrës pragmatike”, shtoi ai.
Duke folur mbi ndikimin e luftës në Ukrainë në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri, Rama tha se “duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur që pasioni luftarak, të mos na përfshijë edhe ne në krijimin e mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të NATO-s dhe pro NATO-s në Ballkan dhe mes Serbisë dhe komuniteteve që i përkasin një bote sllavo-ortodokse, që është e lidhur ngushtë me Rusinë”.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit, Rama theksoi se nuk mund të mendohet një Bashkim Europian që përfshin Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit, pa Serbinë.
Rama foli edhe për luftën në Ukrainë, ndërsa theksoi se, “mundësia më e madhe është që ky është një nga konfliktet e ashtuquajtura të ngrira, por me një dimension mjaft mbresëlënës që mund të marrë peng jo vetëm Rusinë dhe Ukrainën, por të gjithë botën për një periudhë të gjatë kohore. Dhe, nëse rusët kanë qenë gjithmonë luftëtarë mjaft të ashpër, ukrainasit janë të njëjtë. Kështu të thuash që këtu mund të vendoset pa ata, më duket mjaft e vështirë”.