Ledio Pano është cilësuar si xhevahiri i futbollit shqiptar të viteve 90’. Pavarësisht se në një moshë të re, ai arriti të bëjë një bujë të madhe pavarësisht se ishte i rrethuar nga emra të mëdhenj të futbollit shqiptar të asaj kohe. Një brez i artë lojtarësh që në kohët e sotme i mungojnë shumë cilësisë së futbollit në vendin tonë dhe kjo për një arsye, pasi atëherë luanin për fanellë dhe jo për para.
Ndryshe nga të rinjtë e tjerë që shpërthenin asokohe, Ledjo kishte një presion më të madh mbi supe. Ai trashëgoi një emër të madh në fanellë, atë të legjendës Panajot Pano dhe suksesi i tij tashmë ishte një detyrim, që si thotë edhe ai vetë “e arrita me sukses të mbart atë fanellë”.
Si lindi pasioni juaj për futbollin?
Sigurisht, familja ime dihet që është marrë me futboll, babi im, Panajot Pano ka qenë një nga lojtarët më të mëdhenj të Shqipërisë. Thonë që “molla bie nën mollë’ dhe besoj që ajo ka qenë pikënisja e parë. Pastaj vetvetiu si çdo fëmijë ka dëshirë që të merret me diçka dhe un kisha dëshirë të merresha me topin.
Të fillosh karrierën me një emër, sepse un mbartja emrin e babait mbi shpinë ishte shumë e rëndë. Edhe pse un fillova tek Partizani që në moshën 9 vjeçare dhe kalova në të gjitha grupmoshat. Më pas kalova tek shkolla mjeshtëria sportive “Loro Boriçi” dhe kalova në duart e trajnerëve shumë të mëdhenj si Besnik Çela tek Partizani dhe Ramazan Shehu, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të madhe për mua. Në moshën 17-vjeçare u ktheva tek Partizani, pas 4 vitesh tek Shkëndija ku spikata me gola dhe lojë të mirë. Kthimi tek Partizani ishte si një ëndërr, pasi do të përballesha me emra të mëdhenj si Tirana, Dinamo, Vlora etj.
Fituat shumë shpejt zemrat e tifozëve shqiptarë, madje një pjesë e mirë e prindërve të atij brezi iu kanë vënë emrin djemve Ledjo.
Sigurisht, atëherë ishte kohë tjetër, futbolli ishte nga sportet e para në Shqipëri dhe mezi pritej çdo e shtunë e diel kur kishte ndeshje dhe stadiumet mbusheshin plot. Pasi kishte rregull dhe disiplinë shumë të madhe po ashtu dhe cilësi. Unë besoj se u rrita me emra të mëdhenj të futbollit si Perlat Musta, Arjan Ahmeti, Ilir Lame, Skënder Gega, Genc Tomorri etj, edhe emri kishte peshën e vet pasi isha djali i dikujt dhe rëndesa ishte mbi shpinë. Por edhe dëshira e madhe të luaja futboll dhe pjekuria që kisha fituar në 4 vite tek Shkëndija, pasi kisha krijuar personalitetin tim.
Ka qenë e vështirë apo kishte avantazhe të rriteshe nën hijen e legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano?
Të them ishte e lehtë, nuk ishte e lehtë, të them që ishte e vështirë, po ishte e vështirë. Por ai ma bënte më të lehtë, me thjeshtësinë e tij më tregonte që sa më i dashur të jesh me njerëzit, me shokët e ekipit dhe sa më thjeshtë të luash futboll aq më të lehtë do ta kesh të rritesh si futbollist dhe të tregosh cilësitë e tua, pra thjeshtësia ishte mbi gjithçka. Ishte një cilësi që babi im ma jepte gjithmonë dhe unë besoj se i kam trashëguar.
Në moshën 18-vjeçare debutuat tek Partizani, sa e vështirë ishte për një talent të ri në atë kohë që të zinte vend në formacionin startues?
Duke parë emrat që kishte asokohe Partizani, ishte mjaft e vështirë të ishe në formacion. Por Federata na ndihmoi shumë, pasi ishte një ligj që në çdo ekip të luante një 18-vjeçar dhe kjo na dha shumë krah pasi e kishim një vend të sigurt. Jo vetëm ne por si tek Dinamo, Tirana dhe të gjithë ekipet. Ky ligj na ndihmoi të afirmoheshim dhe të krijonim një besim në vendin tonë.
Gabimi në Wikipedia?
E kam lexuar edhe unë atë dhe jam çuditur, pasi unë asnjëherë nuk kam kaluar tek Luftëtari. Kam luajtur 5 vite tek Partizani dhe më pas kam kaluar në Greqi. Aty është një gabim pasi edhe fotografia kryesore nuk është e imja, ajo duhet korrigjuar.
Karriera juaj vazhdoi në Greqi, sa e vështirë ishte në ato vite që një shqiptar të luante futboll atje, si u pritët nga tifozët?
Të them të drejtën unë kalova në 90-ën në Greqi, u mundova të gjeja ekip por ishte mjaft e vështirë. U ktheva sërish tek Partizani dhe luajta tek aty. Ndërsa në 92-shin u ktheva sërish në Greqi tek Ksanthis, i cili ishte një ekip modest që nuk kishte shumë që ishte ngjitur në Kategorinë e Parë. Menaxheri i atëhershëm i ekipit erdhi në Tiranë dhe më mori, më kishte parë një ndeshje që Partizani zhvilloi në Larisa përballë ekipit të ushtrisë greke si quhej atëherë dhe i kisha pëlqyer. Bashkë me mua tek Ksanthis erdhi edhe Aleksandër Vasi, i cili ishte lojtar i Luftëtarit të Gjirokastrës, ku nënshkruam kontratë tre vjeçare.
Atje ishte mjaft e vështirë, pasi ishte një vend larg Athinës, ishte një vend i qetë me përqindje të madhe myslimane. Edhe atje mentaliteti për shqiptarët ishte shumë i keq, si në të gjithë Greqinë. Pavarësisht se babin tim e cilësonin si greku në Shqipëri unë nuk e dija gjuhën. Aty jetonte dhe një familje shqiptarësh dhe që të kuptoheshim ishte mjaft e vështirë, por kjo na ndihmoi që të mësonim sa më shpejt gjuhën. Në 1 vit e gjysmë unë personalisht kisha shumë probleme me njerëzit dhe me tifozët, sepse filluan duke sharë me fjalët nga më ofenduesit. Fillimisht nuk na jepnin lejekalimin nga Federata jonë dhe kjo bëri që bashkë me Vasin të mos luanim për 7-8 muaj. Ne kemi filluar të luajmë nga marsi pasi ata paguan diçka në Federatën tonë për të marrë lejekalimin. Por ishte krijuar një gjendje e tensionuar, pasi si shqiptar na dinin si njerëz të egër, njerëz malesh. Bashkë me Vasin kemi punuar shumë me lojtarët e ekipit për tu vërtetuar se jemi miqësorë dhe futbollistë, gjithashtu u bënim të ditur se në çdo vend ka njerëz problematikë që krijojnë trazira. Atëherë ishte shumë i përhapur fenomeni i ngacmimeve nga shqiptarët dhe kjo bëri që edhe ne të na shihnin si njerëz të egër e çnjerëzorë.
Pas atij kolapsi prej 1 vit e gjysmë që kalova në fillim, me problemet me tifozët gjithçka u rregullua. Më pas për 5 vite që qëndrova tek Ksanthi, 1 vit e gjysmë në Elefsinë, 1 vit në Janinë dhe 1 vit në Korfuz janë momente shumë të bukura që kam kaluar. Pasi më pas mësova edhe gjuhën dhe ishte më e lehtë. Por me edukatën që kishim dhe me sjelljen që kishim atje, ne krijuam raporte mjaft të mira dhe kam akoma shumë miq edhe pse kam gati 20 vite që jam larguar nga atje.
Vetëm 9 ndeshje me kombëtaren shqiptare dhe një gol, nuk ishte kombëtarja në standardet e duhura apo Ledjo nuk është grumbulluar?
Nuk kam luajtur shumë me ekipin kombëtar, pasi në vendin tim luante një nga lojtarët më të mirë që kishte asokohe, Sulejman Demollari dhe unë nuk mund të luaja para tij. Kam pasur momente mjaft të mira në kombëtare, në aq ndeshje sa kam luajtur kam dhënë maksimumin dhe dëshiroja të luaja më shumë. Por disa gjëra ndodhën dhe mënyra si u sollën në ekipin kombëtar më bënë që të mos kisha më dëshirën e madhe për tu grumbulluar. Pra si të themi ishte një tërheqja e imja për atë që ndodhi dhe sjellja që kishin në ekip.
Goditja e dënimit me Gjermaninë ishte një “perlë” por për fat të keq përfundoi në shtyllë, si do kishte ndryshuar karriera e juaj nëse topi përfundonte në rrjetë?
Një gol i atillë ndaj Gjermanisë do të ishte një gol super, pasi futbollistët e vendeve të vogla mezi presin të përballen me një ekip të madh dhe të tregojnë vlerat e tyre. Nga njëra anë më vjen mirë që ai top nuk shkoi në rrjetë, pasi si tifoz i Gjermanisë nëse ajo goditje dënimi do të kthehej në gol “panzerat” nuk do të shkonin në Botëror dhe nuk do ta fitonin atë. Ndërsa për mua si futbollist do të ishte pozitive, pasi ishte një distancë e madhe. Kur mbahet mend kaq gjatë shtylla edhe goli do të komentohej shumë më gjatë, por tani më kënaq edhe shtylla. Pas këtyre fjalëve tifozët mund të të etiketojnë si “tradhtarë”? Padyshim që jo, unë e shpjegova që gjithmonë kam dhënë maksimumin, kjo ishte më shumë për mbështetjen që kisha për kombëtaren gjermane. Por ne gjithmonë jemi cilësuar si grekë, pasi në të vërtetë babai im e ka prejardhjen nga Greqi, por unë ndjehem 100% shqiptar.
Jeni vlerësuar nga UEFA si një nga 10 mjeshtrit e penalltive në Europë, statistikat janë të frikshme, mbi 50 penallti dhe të gjitha në rrjetë. Kishte ndonjë sekret në goditjet e penalltive?
Nuk ka ndonjë sekret të madh të godasësh penallti. Mjafton të jesh i qetë dhe të jesh i vendosur për atë që do të bësh. Por un gjithmonë ka shkuar me besimin që do ta dërgoj në portë dhe ky është sekreti i penalltive, mjafton të shkosh i qetë edhe të mendosh që do ta dërgoj topin në këtë kënd dhe nuk ka shanse ta gabosh. Por unë kam punuar shumë për këtë gjë, pas çdo stërvitje ushtrohesha shumë me penalltitë dhe goditjet e dënimit. Godisja më shumë se 50 penallti dhe goditje dënimi gjithmonë, pasi dëshira ime ishte goditja dhe kisha një stil tjetër loje. Dëshiroja të bëja diçka të bukur për kënaqësinë time dhe të tifozëve. Pra kjo ishte një rezultat i punës time, pasi ushtrohesha shumë.
Cili është trofeu më i rëndësishëm që ka ngritur në qiell Pano?
Unë kam një Kupë kampionati me Partizanin në 1987-ën, dy Kupa Republike dhe dy kampionate të Kategorisë së Dytë në Greqi, një në Elefsinë dhe një në Janinë, po ashtu edhe një Kategori të Katërt me Korfuzin. Trofeu më i rëndësishëm është titulli kampion me Partizanin në 87-ën, sepse ishte viti i parë që unë luajta aty dhe u shpallëm kampion. Ishte një kënaqësi të fitoje me Partizanin, pasi kurorëzuam me trofe një vit të vështirë.
Goli më i bukur në karrierë?
Unë kam pasur një avantazh në shënimin e golave të bukur, pasi merrja përsipër ekzekutimin e penalltive dhe goditjeve të dënimit. Gjithmonë golat e shënuar nga goditje standarde janë të bukur. Por si thoshin atë kohë “goli më i bukur është ai që kalon vijën fatale”, pra nuk ka rëndësi si shkon topi në portë, por mjafton të jetë gol. Kam shënuar shumë gola them të bukur, por gjëja më e bukur është goditja e dënimit me Gjermaninë.
Pse zgjodhët që ta mbyllni karrierën tek Partizani?
Kur u ktheva nga Greqia, u ktheva tek Partizani. Isha rritur me ndjenjën e Partizanit dhe e ndjeja shumë fanellën, por kjo nuk ndodh më sot pasi kanë ndryshuar kohët. Kisha oferta të tjera nga ekipet shqiptare, Tirana më kishte kërkuar shumë dhe priste që të bashkohesha me ta, por zemra ime zgjodhi Partizani, pasi aty u formova dhe ndjenjat për atë ekip ishin të forta. Ne jemi si familje pjesë e atij klubi dhe besoj që do të jemi në vazhdimësi.
Pasi i dhatë lamtumirën futbollit aktiv, keni menduar të ktheheni si trajner i ndonjë ekipi në Kategorinë Superiore?
Puna e futbollistit është shumë e vështirë, por më e vështirë është puna e trajnerit. Nëse kur ishim të rinj kemi luajtur dhe mendoj që çfarë kam bërë ndaj trajnerëve, nëse do të kthehesha edhe njëherë nuk do ti bëja. Të bësh trajnerin në Shqipëri është shumë e vështirë, pasi duhet të merresh me shumë gjëra. Është ndryshe nga të jesh trajner në Europë, pasi ata kanë një staf dhe sikush bën punën e vet, trajneri kujdeset vetëm për formacionin. Ndërsa këtu duhet të merresh me çdo gjë, madje të merresh edhe me presidentin dhe besoj se me tipin që kam do të jetë mjaft e vështirë, por nuk i dihet asnjëherë.
Nostalgjia është shumë e madhe, gjithmonë kur takohemi me miq me shokë që kemi luajtur futboll, pasi kujtojmë të gjitha çfarë kemi kaluar. Jeta tani është shumë e qetë ashtu si e babit tim, jam mësues i edukimit fizik në një gjimnaz dhe trajner në akademinë e Partizanit.
Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar në Website-n zyrtar, pas humbjes së ndeshjes 3-0 në tavolinë ndaj Rumanisë. FFK shkruan se pavarësisht vendimit të UEFA-s, ekzistojnë provat e mjaftueshme që çështja të fitohet në CAS.
REAGIMI I FFK:
Sot, pas ankesës sonë të bazuar në fakte për përdorimin e thirrjeve raciste, ksenofobe dhe gjuhës së urrejtjes nga tifozët rumun gjatë ndeshjes ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, UEFA ka marrë vendimin për të dënuar Federatën Rumune të Futbollit me një gjobë prej 128,000 eurosh dhe një ndeshje pa shikues.
Për FFK-në dhe lojtarët e Kombëtares tonë ky vendim është një konfirmim i arsyeshmërisë së veprimeve tona kundër thirrjeve raciste dhe mesazheve provokative politike kundër Kosovës. Për këtë, Rumania është dënuar me një vlerë totale prej 80,000 eurove. Ky vendim arsyeton në plotni veprimet tona, dhe jemi krenarë që Kombëtarja jonë e vlerësoi saktë situatën kur vendosi të lërë fushën në shenjë proteste ndaj këtyre thirrjeve raciste, mesazheve provokuese politike dhe sjelljeve të tjera diskriminuese. Ky vendim konfirmon se Kosova ka ngritur një standard të ri për mbrojtjen e dinjitetit dhe respektit në futbollin ndërkombëtar.
Pavarësisht kësaj, ne nuk jemi dakord me vendimin për t’i hequr Kosovës tri pikë në tavolinë dhe për ta shpallur rezultatin 3-0 në favor të Rumanisë. Për këtë vendim, FFK do të bëjë ankesa dhe do të apelojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, duke vazhduar të mbrojë të drejtën dhe integritetin e Kombëtares sonë.
FFK tashmë ka dorëzuar një kërkesë formale për të marrë vendimin e plotë nga UEFA, për të patur qasje të plotë në të gjitha detajet dhe arsyetimet ligjore që kanë çuar në këtë vendim dhe pas pranimit të vendimit të plotë, ne do të përdorim çdo shkallë tjetër të apelimit që kemi në dispozicion për të kundërshtuar heqjen e pikëve, e cila nuk reflekton drejtësinë dhe nuk pasqyron përpjekjet tona për të mbrojtur vlerat sportive.
Ky rast nuk është thjesht një sfidë për futbollin kosovar, por një betejë kundër racizmit dhe diskriminimit në të gjitha format e tij. Lojtarët tanë treguan një guxim të jashtëzakonshëm dhe qëndrim shembullor duke refuzuar të luajnë në kushte të padenja, dhe ky vendim i UEFA-s është një dëshmi e qartë që gjuha e urrejtjes, racizmi dhe mesazhet provokuese politike nuk kanë vend në futboll.
FFK mbetet e përkushtuar të mbrojë interesat e lojtarëve dhe të komunitetit tonë sportiv, duke vendosur standarde të reja për drejtësi dhe respekt në sport. Ne falënderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim dhe ftojmë të gjithë dashamirët e futbollit të na bashkohen në këtë betejë për barazi dhe dinjitet. bw
Organizimi i Kampionatit Europian të Futbollit U21 më 2027 nga Shqipëria dhe Serbia ka sjellë reagimin e radhës të Tifozave Kuqezi, që nëpërmjet pankartave në ndeshjen ndaj Ukrainës, dhanë mesazhe të rëndësishme në “Arenën Kombëtare”.
Tifozat Kuqezi e cilësojnë këtë bashkëpunim si të papranueshëm, duke kujtuar masakrat e bëra në Kosovë.
Postimi:
Mbrëmë, jo për të përmbyllur, por për të vazhduar edhe më, me reagime ndaj organizimit të përbashkët me shkijet të EURO’27 për kategorinë U-21.
Si një reagim ndaj FSHF-së si bashkëorganizatore dhe mbrojtëse e madhe e idesë së këtij bashkëpunimi, kemi shkruar disa nga të bëmat e shkijeve ndaj popullit shqiptar që konsiderojmë se janë të mjaftueshme, që bashkëpunime të tilla të konsiderohen TRADHTI.
– 15 mijë të vrarë vetëm në luftën e fundit dhe dhjetëra mijëra të vrarë e masakruar nëpër histori.
– 20 mijë gra shqiptare të dhunuara
– 1 milion shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre
– 650 shkolla të shkatërruara
– 30 masakra të kryera mbi civilë shqiptarë të pambrojtur për më pak se 6 muaj.
– 14.10.2014, kur një stadium i tërë në prani të gjithë krerëve shtetëror këndonte për vrasjen e shqiptarëve në kor. Këto thirrje vazhdojnë edhe sot në çdo ndeshje të tyre.
– Afrim Bunjaku, heroi më i ri, i cili u vra nga shkijet pak kohë më parë
– Përparim Thaçi, futbollist, i cili u vra nga shkijet në luftën e fundit
Këto ishin vetëm disa nga pankartat tona që u shfaqën në këtë ndeshje, por jo për të përmbyllur ciklin e reagimeve nga ana e jonë në lidhje me këtë organizim të turpshëm.
Reagimet tona, do të vijojnë, e do të radikalizon deri në dhënien fund të kësaj marrëzie që në emër të kozmopolitizmit po fyhen viktimat dhe e kaluara jonë e dhimbshme. bw
Lojtarët e Kombëtares së Kosovës në futboll duke u larguar nga ndeshja me Rumaninë në Bukuresht më 15 nëntor 2024.
Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, vendosi se Kosova është përgjegjëse për braktisjen e ndeshjes kundër Rumanisë, duke e humbur atë me rezultat zyrtar 3:0.
UEFA tha se Kosova humbi lojën në tavolinë për shkak se ishte përgjegjëse për ta luajtur atë deri në fund dhe me braktisjen e saj, ajo shkeli nenin 25.01 të Rregullores së Ligës së Kombeve të UEFA-s.
“Federata e Futbollit e Kosovës të dënohet me 6.000 euro për sjellje të pahijshme të ekipit të saj”, tha UEFA.
Në ndeshjen futbolliste në kuadër të Ligës së Kombeve, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 92-të, pasi u ankuan për thirrje raciste nga tifozët rumunë në Arenën Kombëtare në Bukuresht.
UEFA shqiptoi 50.000 euro gjobë për Federatën rumune të Futbollit dhe e dënoi me një ndeshje pa prani të tifozëve “për sjelljen raciste apo diskriminuese të mbështetësve të tij [sa i përket brohoritjeve ksenofokike dhe antihungareze]”.
Kjo federatë u dënua edhe me 30.000 euro për transmetim të mesazheve provokuese politike “që nuk janë të përshtatshme për ngjarje sportive”.
Federata rumune u dënua me 9.000 euro për hedhje të gjësendeve, me 4.500 euro për ndezje të fishekzjarrëve, 8.000 euro për përdorimin e laserëve, 12.500 euro për pengim gjatë antonimeve të himneve kombëtare dhe 14.000 dollarë për bllokim të korridorit në stadium.
Në minutën e 92-të të ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, udhëzoi ekipin që të largohej nga fusha.
Ai tha se në stadium kishte thirrje “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi” nga tifozët vendës. Rrahmani deklaroi se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes “së paku tri herë” para se ekipi i Kosovës ta braktiste fushën.
Rrahmani dhe shtabi teknik e ekipit verdhekaltër i udhëzuan futbollistët të largohen nga fusha dy minuta pa përfunduar ndeshja në Arena Bukuresht, kur rezultati ishte 0:0, derisa lojtarët e Rumanisë qëndruan në fushë.
Pas diskutimeve për rreth një orë mes gjyqtarit të ndeshjes dhe përfaqësuesve të të dyja kombëtareve, lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë edhe pse u ishte thënë se kushtet ishin përmirësuar për vazhdimin e ndeshjes së ndërprerë në minutën e 92-të.
Gjyqtari danez Morten Krogh u kthye në fushë dhe i kërkoi ekipit rumun ta rinisë lojën dhe e pezulloi atë më pas, sipas rregullores së UEFA-s.
Pas kësaj, UEFA hapi procedurë disiplinore ndaj dy kombëtareve.
Kombëtarja rumune në futboll një ditë pas ndeshjes kishte falënderuar tifozët e saj për “mbështetjen” dhe “sjelljen” gjatë lojës me Kosovën.
“Është për keqardhje gjesti i ekipit mysafir, që zgjodhi të largohej nga fusha pa pajtimin e referit, refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë në frymën e lojës fer, që reflekton mungesë të respektit jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë”, tha Kombëtarja e Rumanisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, Federata e Futbollit të Kosovës më 16 nëntor dënoi ashpër “provokimet dhe sjelljet raciste” gjatë ndeshjes në Bukuresht.
“Thirrjet si ‘Kosovo is Serbia’ dhe ‘Serbia, Serbia’, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, u tha në reagimin e FFK-së.
Paraprakisht, FFK-ja la të kuptohet se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër (CAS), nëse UEFA vendos ia jep fitoren Rumanisë
CAS-i ka rrëzuar shpesh vendimet e UEFA-s apo të shtëpisë botërore të futbollit, FIFA.
Kjo është hera e dytë në dy vizitat e fundit të Kosovës në Bukuresht brenda një viti që ndeshja është ndërprerë për shkak të thirrjeve të tifozëve vendës kundër Kosovës.
UEFA e gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52.000 euro, si dhe e dënoi me një ndeshje pa tifozë, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës në shtator 2023.
Atëbotë, ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht ishte ndërprerë për rreth një orë, pasi tifozët vendës kishin bërë thirrje dhe e kishin shpalosur një pankartë “Kosova është Serbi”, para se të rifillonte pas qetësimit të situatës dhe heqjes së pankartës. REL
Futbollistët e Kosovës (me fanella të zeza) gjatë një kacafytjeje me futbollistët e Rumanisë, para se ta braktisnin lojën e Ligës së Kombeve në Bukuresht, 15 nëntor 2024.
Tema më e diskutuar e ditëve të fundit ka qenë vendimi i futbollistëve të Kombëtares së Kosovës për ta braktisur një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Rumanisë në Bukuresht. Cilat pritet të jenë pasojat e këtij veprimi?
Kosova argumenton se futbollistët e saj kishin të drejtë ta braktisnin njëanshëm ndeshjen e Ligës së Kombeve në futboll kundër Rumanisë në Bukuresht javën e kaluar, pas ankesave për thirrje raciste nga tifozët rumunë.
Por për këtë Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tani duhet ta bindë Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), e cila pritet të vendosë për epilogun e ndeshjes së zhvilluar më 15 nëntor.
Disa ekspertë ligjorë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, megjithatë, thanë se ka pak mundësi që vendimi i shtëpisë qeverisëse të futbollit evropian të shkojë në dobi të Kosovës, duke parë mënyrën se si rrodhi ndeshja, e cila nxiti reagime madje edhe përtej futbollit, edhe nga krerët e të dyja vendeve.
Futbollistët e Kosovës e lanë fushën e lojës kur kishin mbetur pak sekonda para vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, teksa rezultati ishte 0:0. Ndeshja fillimisht u pezullua, para se të braktisej një orë më vonë, sepse kosovarët nuk pranuan të ktheheshin në barin e gjelbër.
Kjo ndodhi pasi disa tifozë rumunë brohoritën “Serbia! Serbia!”, gjatë një kacafytjeje mes kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani, dhe sulmuesit rumun, Denis Alibec.
FFK-ja i akuzoi tifozët e Rumanisë për “sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese”, dhe tha se futbollistët e saj u larguan nga fusha për shkak të “mungesës së dinjitetit dhe sigurisë”.
Pohimet e saj u hodhën poshtë nga Federata e Futbollit e Rumanisë (FRF), e cila tha se “nuk kishte thirrje raciste gjatë ndeshjes”, dhe shprehu keqardhje që Kosova mori vendim për ta braktisur ndeshjen.
UEFA njoftoi më 16 nëntor për hapjen e procedurave disiplinore ndaj të dyja federatave, dhe tha se do ta kumtojë vendimin rreth procedurave “kur të jetë koha e përshtatshme”.
Avokati sportiv italian, Claudio Monteleone, tha për Radion Evropa e Lirë se, megjithëse është herët të thuhet se cili do të jetë vendimi, në rastet kur një ekip e braktis lojën njëanshëm, ai e humb ndeshjen me rezultat zyrtar si pasojë.
“Në shikim të parë, faktet duket se thonë që këtu vlen rregullorja e UEFA-s, e cila përcakton se ekipi që e ka braktisur lojën konsiderohet ta ketë humbur atë me rezultat 3:0”, tha Monteleone.
Sipas rregullores së UEFA-s për siguri dhe mbrojtje, ndeshja braktiset në rast të incidenteve të rënda racizmi dhe ajo, në parim, duhet të bëhet me pajtimin e të gjitha palëve të përfshira.
Procedura me tre hapa kërkon që gjyqtari i ndeshjes të kërkojë thirrje publike për ndaljen e sjelljeve raciste, ta ndërpresë ndeshjen derisa të ndalen ato dhe, si zgjidhje e fundit, ta ndërpresë ndeshjen përfundimisht.
Gjyqtari danez, Morten Krogh, e ndërpreu ndeshjen në Arenën Kombëtare në Bukuresht për rreth 50 minuta, dhe më pas u kërkoi futbollistëve të Kosovës të ktheheshin në fushë për vazhdimin e saj. Por, ata nuk pranuan.
Avokati Sabin Gherdan, i cili përfaqësoi Rumaninë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në rastin e medaljes së bronztë të fituar nga gjimnastja Ana Barbosu pas Lojërave Olimpike, tha se në ndeshjen Rumani-Kosovë argumentet për një vendim të favorshëm janë në anën e rumunëve.
“Sa i përket asaj që ndodhi, nuk shoh ndonjë tjetër zgjidhje, përveç një ndeshjeje të fituar nga Rumania 3:0, në tavolinë”, u shpreh avokati për Radion Evropa e Lirë.
Por, jo gjithçka është shumë e qartë. Organi për kontroll, etikë dhe disiplinë i UEFA-s pritet të marrë kohë për të vendosur për këtë ndeshje, e cila ishte pothuajse një përsëritje e ndeshjes së para një viti në stadiumin e njëjtë ndërmjet dy kombëtareve të njëjta.
Kosova u ankua se tifozët rumunë të premten e kaluar brohoritën “Kosova është Serbi” dhe “Serbia” – nga e cila Kosova shpalli pavarësinë më 2008 – që ishte përsëritje e thirrjeve të bëra gjatë vizitës së fundit të Kosovës në Bukuresht në shtatorin e 2023-tës, për çka UEFA e kishte dënuar dhe gjobitur Rumaninë.
Kapiteni i Kosovës, Rrahmani, tha pak pas ndeshjes se e kishte njoftuar gjyqtarin “së paku tri herë” për thirrjet, të cilat u bënë pasi ai u përfshi në një incident me lojtarin kundërshtar, Alibec.
Menaxheri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bajram Shala, tha më 17 nëntor se ekipi ligjor i FFK-së i ka dorëzuar të gjitha dëshmitë e saj, dhe se është duke “punuar fort për të sjellë drejtësinë në vend”.
Monteleone, ndërkaq, beson se është e vështirë të përcaktohet në këtë fazë nëse Kosova është fajtorja e vetme për mosvazhdimin e ndeshjes më 15 nëntor.
“Nuk kemi qasje në dokumente zyrtare të asaj ndeshjeje, siç është raporti i gjyqtarit, që mund të merret për referencë specifike”, tha Monteleone, duke shtuar se shumë do të varet nga raporti i delegatit të ndeshjes.
Një arbitër në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Kosovë dhe në Gjykatën Evropiane të Arbitrazhit (ECA), Fisnik Salihu, tha se pret që UEFA t’i dënojë të dyja federatat. Raporti i gjyqtarit të ndeshjes, i delegatit zyrtar të ndeshjes, si dhe dëshmitë e të dyja federatave do të jenë vendimtare, sipas tij.
Futbollistët e Kosovës u panë duke e bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenore përballë tifozëve të Rumanisë derisa po largoheshin nga fusha, duke i zemëruar ata. Ky gjest është imitim i shqiponjës në flamurin kombëtar të Shqipërisë.
Edhe Kosova ishte gjobitur muajin e kaluar për shkak të ndërprerjeve në ndeshjen e parë me Rumaninë në shtator, kur tifozët kishin hedhur flakadanë, ishin futur në fushë dhe e kishin fishkëllyer himnin kombëtar rumun.
“Në veçanti janë të rëndësishme deklaratat e gjyqtarit dhe delegatit të ndeshjes, pasi në situata të tilla janë protokolle të caktuara të sigurisë që duhet të administrohen dhe aplikohen. Lidhur me këtë ndeshje, pres që të ketë dënime të ashpra nga organet përgjegjëse për të dyja palët. Nuk pres që palët të arrijnë ato që pretendojnë”, tha Salihu.
Ai shtoi se është interesant të shihet se si UEFA do ta interpretojë ankesën e Kosovës për racizmin dhe për sjelljet e publikut, dhe nëse përsëritja e këtyre veprimeve arrin standardin e mjaftueshëm për moszhvillim të ndeshjes.
Federata kosovare ka lënë të kuptohet se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër, nëse UEFA vendos përfundimisht t’ia japë fitoren Rumanisë.
CAS-i ka rrëzuar shpesh vendimet e UEFA-s apo të shtëpisë botërore të futbollit, FIFA, por do të ishte e vështirë të mendohej çfarë do të kishte qenë vendimi i kësaj gjykate në një fazë kaq të hershme.
“Është herët të flitet për CAS, pa pasur vendimet e shkallës së parë dhe dytë të UEFA-së. Varësisht, këtyre vendimeve, pres që palët t’i drejtohen CAS-it për një vendim final”, tha Salihu.
Reagime përtej fushës së futbollit
Incidenti i 15 nëntorit në Bukuresht nxiti reagime edhe përtej fushës së futbollit, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që e mbrojti vendimin e lojtarëve të vendit të tij për ta braktisur fushën, duke e nxitur homologun e vet rumun, Marcel Ciolacu, ta kritikojë atë për “përzierjen e sportit me politikë”.
Kurti i takoi futbollistët e Kosovës pas kthimit të tyre në Prishtinë, një ditë pas ndeshjes në Rumani, dhe i përgëzoi për vendimin.
“Ai është qëndrim parimor, i drejtë e dobishëm edhe për Kosovën, për futbollin e për secilin qytetar të vendit tonë, që është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani”, u shpreh Kurti.
Ai i bëri thirrje UEFA-s dhe FIFA-s që të “mos lejojnë këto gjëra”.
“Kosova ka pasur të kaluar të vështirë, luftë, masakra e gjithçka. Nuk ka qenë e lehtë të arrihet këtu, andaj meritojmë respekt. Të gjithë duhet të dinë se Kosova është Kosovë, ose se Kosova është Shqipëri, kaq, këtu mbaron”, tha Kurti.
Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri i Rumanisë tha se homologu i tij kosovar po përpiqet ta shndërrojë “viktimën në agresor”.
Çfarë do të nënkuptonte për Kosovën fitorja apo humbja?
Kosova dhe Rumania i fituan ndeshjet e tyre të mbetura në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, të hënën e 18 nëntorit, që nënkupton se as fitorja jashtë fushës nuk do t’i kryente punë Kosovës për ta fituar grupin.
Rumania i prin grupit me 15 pikë, ndërsa Kosova ka 12 pikë, në vendin e dytë, pra pa llogaritur pikët nga ndeshja e braktisur më 15 nëntor.
Nëse Kosovës i jepet fitore 3:0 për ndeshjen e braktisur, atëherë ajo do ta barazonte Rumaninë në krye të grupit, me nga 15 pikë secila.
Gjëja e parë që do të shikoheshin janë ballafaqimet kokë më kokë, dhe meqë Kosova e humbi ndeshjen e parë në Prishtinë 3:0, do të duhej të vendoste goldallimi, pra cila skuadër ka shënuar dhe pranuar më pak gola.
Edhe në këtë rast, të dyja skuadrat do të kishin goldallim të ngjashëm, +9, gjë që dërgon te një kriter tjetër: kush ka shënuar më së shumti gola.
Rumania i ka shënuar 15 gola në këtë fushatë, ndërsa Kosova 10, dhe sikur t’i shtoheshin tri gola nga fitorja e mundshme 3:0 nga ndeshja e braktisur, ato nuk do t’i mjaftonin.
Pra, Rumania e ka fituar grupin dhe është ngritur në Ligën B.
Shqipëria do të mbyllë rrugëtimin në Nations League këtë mbrëmje, në përballjen ndaj Ukrainës.
Para këtij takimi, në “Stadiumin Kombëtar” do të mbahet një minutë heshtje, për 14-vjeçarin Martin Cani, i cili ndërroi jetë të hënën pas një sherri me bashkëmoshatarë.
Cani, së fundmi ka qenë pjesë e Dinamo U-15, ndërsa është impenjuar me Akademinë e klubit Partizani për dy vite, në ekipet e moshave U-13 dhe U-14. sn
Narcis Drejan është një gazetar dhe komentator sportiv rumun. Ai komentet e tij i shkruan në gazetën GSP (Gazeta Sporturiol), ndërsa së fundmi ai ka komentuar edhe për ndeshjen Rumani – Kosovë.
Drejan është i njohur për analizat e tij të detajuara dhe për opinionet e tij të hapura mbi ndryshime dhe ngjarje në botën sportive.
Shkrimi i tij nis me kritika ndaj UEFA-s dhe presidentit Aleksandar Ceferin, duke e cilësuar atë si fajtorin kryesor për të gjitha rrëshqitjet e motivuara politikisht në ndeshjet e futbollit.
“Është shumë e lehtë të shkosh përpara me paramendim, t’u hidhesh në qafë kosovarëve. Kur UEFA dhe FIFA miratuan që Kombëtarja e Kosovës nuk mund të luante kundër vendeve si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Rusia, ishte qartësisht një problem”, shkroi fillimisht Drejan për GSP.
Ai theksoi po ashtu se janë të ndaluara edhe ndeshjet Spanjë – Gjibraltar, Ukrainë – Rusi dhe Armeni – Azerbajxhan.
Me përjashtim të Spanjës dhe Gjibraltarit, të gjithë të tjerët janë në lindje dhe UEFA beson se ky nuk është problem.
Gazetari është futur në ndeshjet mes Kosovës dhe Rumanisë, duke nxjerrë edhe analiza politike, që datojnë para 25 vitesh, kur president i Rumanisë në atë kohë ishte Emil Constantinescu, i cili nuk e lejoi NATO-n në hapësirën ajrore rumune për kryerjen e operacioneve të forcave aleate, të cilat bombarduan ish-Jugosllavinë.
“Dhe meqë ra fjala, le të kuptojmë pak historinë, nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar nga serbët, po ashtu 25 vjet me parë. Nuk po flasim për vitet 1940, e vërteta është se ne jemi ende të traumatizuar sot për shkak të Revolucionit të 89-ës, ku rumunët qëlluan rumunët”, shkruan Drejan.
Ai ka shkruar për masakrat e shumta të vitit 1999 në vende si Lipjan, Gjakovë, Vushtri, Korishë, Prizen dhe Pejë, ku serbët vranë shqiptarët kosovarë në stilin mesjetar.
Drejan i kritikon rumunët, pasi sipas tij sillen si një popull i pashkolluar, një popull që nuk ka kaluar luftën, që nuk e ka empatizuar në jetë dhimbjen e të tjerëve.
“Dhe pse? Sepse një bandë banditësh, shumë me precedentë penalë, e kuptojnë se është mirë në stadium prekësh një vend që kaloi tmerret e luftës. Nëse të nesërmen do t’i gjenit prindërit tuaj të varur në pragun tuaj dhe do të zbulonit se ata ishin serbë gjakatarë, a do të bërtisnit ndonjëherë, “Serbi, Serbi!”? Apo i keni harruar ndeshjet Serbi-Rumani kur na quanin “ciganët”? Por ne harrojmë shpejt se gjithmonë e zëmë kohën tonë me gjithçka tjetër”, shkruan ai në analizën e tij.
Në fund ai shkroi për UEFA-n, duke e cilësuar si organizatë të korruptuar që ende punon me paratë e Gazprom. sn
Kosova mundi 1-0 Lituaninë në shtëpi, në ndeshjen e fundit të Nations League.
“Dardanët” e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa kaluan në epërsi që në minutën e pestë. Presioni i skuadrës së Fodas u shpërblye më së miri, teksa kombinimi Muriqi-Jashari u finalizua në mënyrë perfekte. Jashari nuk fali, duke dërguar topin në rrjetë.
Jashari u shndërrua në protagonist negativ në të 45-tën, teksa u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak.
Pavarësisht rasteve, në pjesën e dytë nuk pati gol. Kosova renditet në vendin e dytë në League C me 12 pikë, ndërkohë që ende nuk është mësuar fati i sfidës së ndërprerë me Rumaninë. bw
Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë, e vlefshme për Nations League, vazhdon të bëjë bujë. “Dardanët” u larguan nga fusha e Bukureshtit pak sekonda para fundit të ndeshjes, pas thirrjeve raciste.
Skandalet nuk kanë të ndalur, pasi së fundmi, gazetari i njohur Arlind Sadiku ka siguruar një fotografi të arbitrit të ndeshjes, Krogh M, duke komunikuar në telefon.
Pamje me të vërtetë e rrallë e gjyqtarit danez, pasi dihet që gjëra të tilla janë rreptësisht të ndaluara në një sfidë të nivelit të lartë. Mediat në Kosovë shkruajnë se ende nuk dihet se me kë ka komunikuar Krogh, në ato momente.
Vlen të theksojmë se UEFA po merr në shqyrtim rastin dhe shumë shpejt do të dalë vendimi zyrtar për këtë ndeshje. Deri të martën, të dyja palët duhet të dorëzojnë të gjitha provat materiale. bw
Thellohet skandali në ndeshjen Rumani-Kosovë. Thirrjet raciste në shkallët e stadiumit nga tifozët të cilët në kor lëshuan mesazhe antishqiptare dhe në mbështetje të Serbisë u shoqëruan edhe nga sjellja brutale e policisë rumune.
Një grup i vogël i tifozëve që mbështesnin përfaqësuesen e Kosovës shpalosën në stadium flamurin kombëtar.
Siç duket nga pamjet që ka siguruar BalkanWeb, policia rumune ka ndërhyrë duke larguar flamurin kuqezi, ndërsa ka nxjerrë jashtë stadiumit me dhunë edhe tifozët.
Ndeshja Rumani-Kosovë u shoqërua me incidente të forta si në shkallët e stadiumit ashtu edhe në fushën e blertë. Tensioni që vinte nga ana e tifozerisë përmes thirrjeve të tyre raciste u reflektua në lojën e ekipeve teksa nuk munguan as përplasjet fizike. Duhet të vinte minuta e ’93-të e shtesës kur ndeshja do të ndërpritej pasi koret antishqiptare ishin intensifikuar. Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani u përplas fizikisht me një lojtar rumun në fundin e ndeshjes.
Ekpi i Kosovës braktis fushën dhe i drejtohet dhomave të zhveshjes.
Disa minuta më pas arbitri kërkon rikthimin e lojtarëve në fushë për të zhvilluar minutat e mbetura, por futbollistët e përfaqësueses së Kosovës refuzojnë vazhdimin e lojës dhe për rrjedhojë ndeshja u ndërpre përfundimisht.
Ata e fitojnë gjithmonë “betejën” e tyre në shkallët e stadiumit. Tifozët Kuqezi kanë shpalosur një banderolë mjaft interesante për ndeshje Shqipëri-Çeki në Stadiumin Kombëtar.
“Shqiponjat janë të uritura”, shkruhej në banderolën goditëse të mbështetësve të përfaqësueses tonë. Kujtojmë që ky takim shkon për llogari të ndeshjet së pestë në Nations League. bw
E gjithë vëmendja është e spostuar në Stadiumin Kombëtar, aty ku Shqipëria pret Çekinë në ndeshjen e vlefshme për Nations League. Pak më parë janë publikuar edhe formacionet zyrtare, me trajnerin Sylvinho dhe homologu Hasek kanë shuar të gjitha dilemat, duke zgjedhur titullarët për skuadrat respektive.
Kuqezinjtë janë në vendin e katërt në grup1 të League B, me 6 pikë të grumbulluara. Në krahun tjetër, çekët kryesues nuk janë larg, pasi kanë vetëm një pikë më shumë se përfaqësuesja jonë. Arbitër kryesor për këtë takim është zvicerani Scharer. bw
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se kishte paralajmëruar vazhdimisht organin qeverisës të futbollit evropian UEFA për provokimet e mundshme nga tifozët e Rumanisë, përpara ndeshjes së të premtes në Ligën e Kombeve, e cila u braktis nga futbollistët e Kosovës.
Ndëshja ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës u braktis pasi lojtarët vizitorë u larguan nga fusha ku po luhej me rezultat zero me zero, kur dëgjuan brohoritjet pro Serbisë nga tifozët vendas.
Ndeshja fillimisht u ndërpre përpara se të braktisej nga skuadra e Kosovës e cila refuzoi të kthehej në fushë. UEFA tha se do të jap “informacione të mëtejshme në kohën e duhur”.
Thirrjet si “Kosova është Serbi” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese, ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, thuhet në një deklaratë të Federatës së Futbollit të Kosovës.
“FFK-ja kishte paralajmëruar më shumë se dy herë me shkrim organet përkatëse të UEFA-s për mundësinë e veprimeve të tilla, një herë disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta përpara fillimit të saj. Përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit”, thuhet në deklaratë.
FFK-ja gjithashtu pretendoi se një zyrtar i Rumanisë “kërcënoi dhe sulmoi” një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit.
“Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s”.
Federata Rumune e Futbollit (FRF) tha se ishte zhgënjyer nga sjellja e delegacionit dhe lojtarëve të Kosovës, duke i cilësuar akuzat e tyre si të pabaza, ndërsa pretendon se veprimet e tyre ishin të paramenduara.
“Është e rëndësishme të theksohet se gjatë ndeshjes nuk ka pasur thirrje raciste dhe as edhe një herë nuk është brohoritur parulla ‘Kosova është Serbi’”, tha kjo federatë
“Për më tepër, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithëve vendimin Komitetit Disiplinor të UEFA-s lidhur me një incident të ngjashëm gjatë një ndeshjeje të vitit të kaluar, kur Kosova ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Vendimi thoshte qartë se parulla “Kosova është Serbi” nuk mund të klasifikohet si raciste dhe për rrjedhojë, nuk mund të nxisë procedurën prej tre hapash”, thuhet në deklaratën e federatës rumune.
Procedura me tre hapa, nënkupton që arbitri të kërkojnë një njoftim publik për të bërë thirrje për ndërprerjen e sjelljeve raciste, pezullimin e ndeshjes derisa të ndërpriten sjelljet e tilla dhe braktisjen e plotë të ndeshjes.
“Kjo cështje u ritheksua edhe nga delegati i UEFA-s gjatë takimit teknik para ndeshjes së mbfremshme”, thuhet në deklaratë në të cilën theksohet “keqardhja … që një ekip futbolli do të zgjidhte të largohej nga fusha dhe të tërhiqej në dhomën e zhveshjes vetëm dy minuta para fishkëllimës së fundit, duke qenë se rezultati nuk ishte i favorshëm për të”.
Federata Rumune e Futbollit u gjobit nga UEFA vitin e kaluar për shkak të thirrjeve pro Serbisë deh shpalosjes së një një mbishkrimi “Kosova është Sërbi” nga tifozët gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 kundër Kosovës.
Kosova gjithashtu u gjobit muajin e kaluar për ndërprerjen e një ndeshjeje mes dy palëve në shtator, kur tifozët e saj ndezën dhe hodhën fishekzjarrë, hynë në fushë dhe fishkëllyen gjatë himnit kombëtar rumun.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, por jo nga Rumania.
Komentet