Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është dashur të refuzojë të bisedojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e thirrur më 26 qershor nga Bashkimi Evropian.
Një gjë e tillë, sipas tij, “nuk shkon në dobi të Kurtit”.
“…sepse, nën një, Kosovën e portretizon si palë më kokëfortë dhe, nën dy, mosmarrëveshjet afatgjate nuk zgjidhen kurrë me ultimatume”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha të mërkurën se Kurti e kushtëzoi vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.
Borrell tha se Vuçiq nuk ishte i gatshëm t’i pranonte plotësisht kushtet e Kosovës.
Kupchan, tani profesor në Universitetin Georgetown, thotë se udhëheqësit e dy vendeve, herët a vonë, do të duhet të bëjnë “kompromise të vështira” dhe shpjegon se cilat janë ato.
Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht përpjekjeve, Bashkimi Evropian nuk arriti t’i takonte bashkë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kurti nxori disa kushte që Vuçiq nuk i pranoi. A mund ta konsiderojmë këtë situatë si një bllokim?
Charles Kupchan: Ky rund negociatash është sigurisht një bllokim. Fakti që bisedimet vazhdojnë, është një shenjë e mirë, por sigurisht se janë bërë jashtëzakonisht të vështira. Ka pasur shumë pak përparim që nga marrëveshja verbale [për normalizimin e marrëdhënieve], që është bërë e njohur si Marrëveshja e Ohrit.
Unë mendoj se nuk është në dobi të Kurtit të refuzojë të ulet në tryezën e bisedimeve, sepse, nën një, një gjë e tillë e portretizon Kosovën si palë më kokëfortë dhe, nën dy, mosmarrëveshjet afatgjate nuk zgjidhen kurrë kur njëra palë jep ultimatume ose refuzon të bisedojë. Palët duhet të ulen ballë për ballë dhe t’i zgjidhin çështjet në tryezë.
Mendoj se do të ishte më mirë sikur Kurti të kishte biseduar me Vuçiqin dhe t’i kishte nxjerrë në tryezë shqetësimet e tij.
Por, të nxjerrësh parakushte dhe të largohesh nga tavolina, sepse ato parakushte nuk janë plotësuar, nuk më duket qëndrim konstruktiv.
Radio Evropa e Lirë: Si i vlerësoni ju parakushtet e tij?
Charles Kupchan: Mendoj se dy prej tyre janë të arsyeshme – një duhet të shqyrtohet. E arsyeshme është kërkesa [për dorëzimin e] Radoiçiqit, i cili ka pranuar se ka marrë pjesë në gjakderdhjen në Banjskë. Qoftë autoriteti ligjor i Kosovës ai që vepron, apo autoriteti ligjor i Serbisë, ai është një individ që duhet të sillet para drejtësisë.
Kërkesa e dytë e arsyeshme ka të bëjë me letrën [e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq]. Mendoj se ajo letër është provokuese, në mënyrë të panevojshme, sepse Marrëveshja e Ohrit nuk specifikon njohjen, nuk specifikon se Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, por fokusohet në normalizim. Ne e dimë se normalizimi është hap drejt njohjes përfundimtare, por nuk është produktive për Serbinë që të nxjerrë një deklaratë të tillë bardh e zi.
E, sa i përket këmbënguljes së Kurtit që Vuçiq ta nënshkruajë marrëveshjen, unë mendoj se ky është një argument më i dobët. Sepse, sipas mendimit tim, Vuçiq me të drejtë beson se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përpara se ta formalizojë marrëveshjen.
Radio Evropa e Lirë: Por, kanë kaluar nëntë muaj nga sulmi në Banjskë dhe Radoiçiq është ende i lirë. Kush duhet të mbahet përgjegjës për këtë?
Charles Kupchan: Marrë parasysh se Radoiçiq e ka pranuar fajësinë, në radhë të parë, Qeveria e Serbisë, gjykatat e Serbisë e kanë për detyrë të veprojnë. Deri më tani, ato nuk kanë arritur që ta mbajnë përgjegjës. Dhe, mendoj se Kurti ka të drejtë kur thotë se kjo është e papranueshme.
Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë rrezik që Kosova të përballet me ndonjë masë të re ndëshkuese, sepse Borrell tha qartazi se Kosova nuk ishte e gatshme për dialog?
Charles Kupchan: Në të kaluarën e afërt, edhe Shtetet e Bashkuara, edhe BE-ja kanë mbajtur një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Kosovës. Kjo për mua është e kuptueshme, sepse Kurti ka ndërmarrë hapa provokues, si për targat e makinave apo vendosjen e kryetarëve shqiptarë [në komunat me shumicë serbe në veri]. Unë nuk mendoj se kjo ka qenë një strategji produktive.
Deri në vitet e fundit, mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe evropianët e kanë parë më shumë Serbinë si problem dhe, për pasojë, trysnia është dashur të bëhet mbi Beogradin. Ka qenë Qeveria e Serbisë ajo që ka refuzuar të bëjë gjëra, por tani ekziston perceptimi se Prishtina refuzon gjithashtu dhe se Prishtina mban një pjesë të përgjegjësisë për paralizën. Nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Por, të paktën, sa u përket targave të makinave, Kurti mund të thotë se ka pasur sukses, sepse në veri të Kosovës nuk qarkullojnë më makina me targa ilegale serbe…
Charles Kupchan: Nëse kjo arritje vjen në kurriz të Kosovës, të marrëdhënieve të saj me mbështetësit kryesorë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, të normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, nuk jam i sigurt se ia vlen.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë, cila është rrugëdalja?
Charles Kupchan: Të ndiqet rruga e normalizimit. Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë sjellë energji dhe vendosmëri të përtërirë sa i përket kësaj çështjeje. Nuk mendoj se do t’i lënë Kurtin dhe Vuçiqin të qetë. Mendoj se do të bëjnë presion mbi të dy. Dhe, herët a vonë, do ta arrijmë vijën e finishit. Çështja është se kur Kurti dhe Vuçiq – ose kushdo që vjen pas tyre, nëse nuk ndodh gjatë mandatit të tyre – do ta shohin politikisht të favorshme për të bërë kompromise të vështira.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, ato kompromise të vështira janë?
Charles Kupchan: Për Kosovën – të pajtohet që t’iu sigurojë serbëve që jetojnë në Kosovë një nivel të autonomisë, me të cilën gjë shumë kosovarë mund të mos jenë rehat.
Për Serbinë – ta pranojë realitetin se e ka humbur Kosovën përgjithmonë dhe se, në fund të ditës, Serbia do të jetë më mirë.
Por, siç e thashë, këto janë vendime të vështira dhe të dhimbshme që duhet t’i marrin udhëheqësit politikë.
Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh se kjo mund të ketë qenë përpjekja e fundit e Borrellit për të ndërmjetësuar një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, pasi mandati i tij është drejt fundit, si do ta vlerësonit përkushtimin e Borrellit gjatë pesë vjetëve të fundit?
Charles Kupchan: Borrell meriton nota të larta si përfaqësues i lartë. Mendoj se ka bërë një punë të shkëlqyer në një pozitë që është e vështirë. Sepse, shtetet anëtare [të BE-së], në njëfarë mënyre, nuk janë rehat me një ministër të jashtëm evropian të profilit të lartë, pasi kanë frikë se kjo shkon në kurriz të ministrave të tyre të jashtëm. Kështu që, personi në këtë pozitë ka një rrugë të vështirë për të ndjekur. Dhe, unë mendoj se Borrell ia ka dalë mirë.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë pritjet tuaja nga udhëheqja e re e BE-së në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi?
Charles Kupchan: Nuk parashikoj ndonjë ndryshim të konsiderueshëm të kursit apo humbje të entuziazmit.
Radio Evropa e Lirë: Strategjia e deritashme do të funksionojë?
Charles Kupchan: Dikur, po. Pyetja është: a do të jemi unë dhe ju gjallë kur të funksionojë?!