Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po bën veprime të panevojshme provokuese, thotë Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
“Nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës. Nëse kthehemi në vitin 1999 dhe menjëherë pas vitit 2008, Serbia është parë si problem, Serbia është parë si vend që e vështirësonte jetën, duke nxitur telashe në veri të Kosovës dhe duke refuzuar të angazhohej në normalizimin e marrëdhënieve”, thotë Kupchan në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, të dy udhëheqësit – Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – kanë mbetur te mosmarrëveshjet e së kaluarës, në vend se të fokusohen tek e ardhmja.
Radio Evropa e Lirë: Kishte një debat të nxehtë mbrëmjen e së enjtes midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata u përballën në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndalimin e dinarit serb në Kosovë. Si e komentoni ju debatin rreth kësaj çështjeje?
Charles Kupchan: Ky është edhe një tjetër rund i dialogut të ashpër mes Kurtit dhe Vuçiqit. Pavarësisht faktit se Marrëveshja e Ohrit, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është në tryezë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duket se po kthehen prapa dhe nuk po ecin përpara.
Unë mendoj se kryeministri Kurti është duke bërë disa veprime të panevojshme provokuese. Ka qenë çështja e letërnjoftimeve, e targave, e instalimit të kryetarëve [shqiptarë] në veri, për të cilët ka votuar një përqindje shumë e vogël e banorëve… tani u thotë serbëve se nuk mund t’i përdorin dinarët më, ekziston vetëm një monedhë zyrtare dhe ajo është euroja.
A i ka të justifikueshme këto gjëra? Po, sepse çdo vend sovran duhet të jetë në gjendje të thotë se ne kemi monedhën tonë, euro… ose të ketë një autoritet përgjegjës për lëshimin e targave.
Por, duket se Kurti po i ndërmerr këto veprime duke luajtur me një kartë nacionaliste – me ç’gjë e vështirëson përparimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Debati në Këshill të Sigurimit:
Unë nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës. Nëse kthehemi në vitin 1999 dhe menjëherë pas vitit 2008 [kur Kosova ka shpallur pavarësinë], Serbia është parë si problem, Serbia është parë si vend që e vështirësonte jetën, duke nxitur telashe në veri të Kosovës dhe duke refuzuar të angazhohej në normalizimin e marrëdhënieve.
Tani, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kritikojnë Kosovën.
Pra, nga një këndvështrim i gjerë, nuk jam i sigurt se këto veprime – edhe nëse janë të justifikueshme për sa u përket të drejtave sovrane – janë të dobishme.
Radio Evropa e Lirë: Me çfarë sfidash potenciale mund të përballet Kosova në aspektin e mbështetjes dhe partneritetit ndërkombëtar?
Charles Kupchan: Mendoj se kemi dëgjuar tashmë disa paralajmërime të hidhura, në formën e mesazheve të qarta se Kosova nuk do të jetë në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare – BE, NATO – nëse nuk ec në rrugën e normalizimit. Flitet edhe për çështjen e ndihmës ekonomike.
Tani për tani, këto janë pjesë e bindjes, e komunikimit diskret me kryeministrin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë së Kosovës që të sillen në mënyrë më konstruktive. Por, një pjesë vjen edhe në formën e disa llojeve të dënimeve, në përpjekje për ta kthyer Prishtinën në një drejtim më pozitiv.
Gjithsesi, unë nuk dua të them se Vuçiq është një person bashkëpunues, i cili është i gatshëm të bëjë marrëveshje me Kosovën. Ai luan me kartën e tij nacionaliste, ai bën dhe thotë gjëra provokuese, po ashtu.
Pra, kjo është një rrugë dydrejtimëshe. Do të duhen kompromise të dhimbshme nga të dyja palët për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje të kahershme.
Radio Evropa e Lirë: Më lejoni t’i kthehem takimit në Këshill të Sigurimit, ku Vuçiq tha se “jeta e serbëve në Kosovë po bëhet e pamundur”, ndërsa Kurti tha se Serbia “duhet të ndalojë financimin e kriminelëve dhe terroristëve në Kosovë”. Ku mund të çojë kjo retorikë?
Charles Kupchan: Kemi parë tashmë incidente, përfshirë dhunën e turmës së armatosur në Banjskë. Kemi dëgjuar se Serbia i ka mobilizuar forcat e saj të armatosura, në përgjigje të kësaj dhune. NATO-ja ka diskutuar rritjen e nivelit të forcës së saj brenda Kosovës, si mënyrë për të ruajtur paqen dhe për t’u siguruar që dhuna të mos shpërthejë.
Por, vetë fakti se po diskutojmë për një rikthim të mundshëm në dhunë, që biseda ka marrë një kthesë të tillë… mendoj se është një shenjë se ne nuk jemi në një pozitë të mirë tani.
Unë mendoj se kjo është edhe një nga arsyet përse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në Evropë e kanë intensifikuar angazhimin diplomatik, duke u folur hapur dhe drejtpërdrejt të dyja palëve – Prishtinës dhe Beogradit – për rëndësinë e ecjes përpara dhe të normalizimit.
Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve, a duhet ta shtyjë Kosova zbatimin e vendimit për dinarin?
Charles Kupchan: Po. Nëse shohim se çfarë përfiton Kosova kundrejt kostos së një vendimi të tillë, mendoj se duhet të lihet në pritje. Nuk kemi nevojë për më shumë masa që rrisin tensionet.
A po i mban Serbia institucionet paralele? Po. A po u dërgon Serbia fonde serbëve në veri? Po. A po bën gjëra që i inkurajojnë serbët që të mos integrohen plotësisht në Kosovë? Po. E përsëris, kjo është një rrugë me dy drejtime.
Por, mua më duket se nuk është një investim i mirë e afatgjatë për Qeverinë në Prishtinë që të bëjë gjëra që në bashkësinë ndërkombëtare shihen si provokuese dhe të panevojshme.
Radio Evropa e Lirë: Në Këshillin e Sigurimit kishte thirrje edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. A mendoni se mosmarrëveshjet e fundit mund ta ndikojnë atë?
Charles Kupchan: Asociacioni ka qenë pengesë prej fillimit. Me sa kuptoj, problemi tani mund të përshkruhet në këtë mënyrë: “cila është më e vjetër – pula apo veza”. BE-ja ka nxjerrë një propozim [v.j. draft-statutin për Asociacionin] që Kurti e ka pranuar, por ka thënë se nuk do ta zbatojë atë derisa Vuçiq ta nënshkruajë Marrëveshjen [e Ohrit].
Vuçiq thotë: si mund ta nënshkruaj marrëveshjen nëse ju nuk i keni ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar Asociacionin dhe për t’u siguruar serbëve nivelin e vetëqeverisjes që është në përputhje me marrëveshjen?
Unë mendoj se jemi afër marrëveshjes, por mosmarrëveshjet që i pamë në Këshill të Sigurimit, retorika e ashpër që shohim si nga Vuçiq, ashtu edhe nga Kurti, nuk i ndihmojnë gjërat.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se mund të gjendet ndonjë qasje alternative që mund t’i përmbushë të dyja palët?
Charles Kupchan: Unë mendoj se kompromisi, i cili është në fokus, është tërheqës. Janë dashur vite punë. Ka pasur negociata të vështira në Bruksel, në Ohër, bisedime të tjera, presion nga SHBA-ja dhe BE-ja. Unë do të hezitoja të thosha se kjo nuk po funksionon dhe po kalojmë në planin B.
Mendoj se, së paku tani për tani, Marrëveshja e Ohrit është e mirë. Dhe, është e rëndësishme që të gjendet një mënyrë për të bindur Kurtin dhe Vuçiqin që të vazhdojnë me kompromiset, me vendimet e vështira politike që duhet t’i marrin.
Një pjesë e problemit me këto bllokada për dinarin dhe mosmarrëveshje të tjera, lidhet me debatin e ashpër dhe me grindjet mes liderëve. E gjithë kjo ndikon në qëndrimet e publikut.
Kjo, pastaj, e vështirëson marrjen e vendimeve të vështira për Kurtin dhe Vuçiqin, sepse ata nuk besojnë se opinioni i tyre publik i mbështet. Kjo e ndërlikon situatën, sepse, në fund, Kurti dhe Vuçiq duhet ta ndjejnë mbështetjen e popullatës së tyre dhe të dy duhet të bëjnë një punë më të mirë në përgatitjen e qytetarëve për t’iu ofruar mbështetje.
Kjo do të kërkojë deklarata publike dhe edukim më të fokusuar në të ardhmen, e jo përsëritje të mosmarrëveshjeve nga e kaluara.
Radio Evropa e Lirë: Muajin e ardhshëm do të bëhet një vit nga Marrëveshja e Ohrit dhe nuk kishte ndonjë përparim të rëndësishëm në zbatimin e saj…
Charles Kupchan: Ky është një realitet i kthjellët.
Radio Evropa e Lirë: Këtë vit ka zgjedhje në Shtetet e Bashkuara. Çfarë mund të presë Kosova nga një mandat i dytë i presidentit Joe Bidenit dhe çfarë nga mandati i mundshëm i presidentit Donald Trump?
Charles Kupchan: Është interesante që administrata e Trumpit – e cila nuk ka qenë aspak pro-atlantike, nuk ka qenë shumë e prirë drejt Evropës, BE-së dhe NATO-s – është angazhuar në Kosovë, duke siguruar një marrëveshje që synonte përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë.
Në njëfarë mënyre, është bërë një përjashtim në qasjen e gjerë të administratës Trump ndaj Evropës. Kështu që, unë nuk dua të sugjeroj se nëse Trump zgjidhet, kjo vëmendje e SHBA-së do të zhduket. Mendoj se është e vështirë të konstatohet përse ai është fokusuar në këtë çështje, përse është angazhuar në atë mënyrë. Trump është një person disi i paparashikueshëm.
Nëse Biden rizgjidhet, mendoj se do të jemi dëshmitarë të angazhimit të mëtejshëm, të diplomacisë dhe të trysnisë së madhe. Unë, gjithashtu, besoj se nëse Trump zgjidhet, ai do të vazhdojë në të njëjtën rrugë, për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet e kamotshme [mes Kosovës dhe Serbisë].
SHBA-ja, partnerët evropianë dhe aktorë të tjerë duhet të vazhdojnë t’i inkurajojnë të dyja palët që të pajtohen. Do të ishte gabim të thuhet që kjo marrëveshje e ka një vit, por nuk po zbatohet, ndaj duhet harruar.
Mendoj se ky është ndoshta shansi më i mirë që nga viti 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të përfituar prej saj.