Në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Serbi, partitë shqiptare në Luginë të Preshevës janë më të përçara se kurrë. Vetëm një subjekt politik nga Lugina e Preshevës, Partia për Veprim Demokratik(PVD), do të marrë pjesë në zgjedhjet Parlamentare të Serbisë, përderisa partitë shqiptare që nuk marrin pjesë në zgjedhjet për nivel qendror, do të grumbullojnë vota për partitë boshnjake të Novi Pazarit, e jo për shqiptarët. Kështu ka deklaruar gjatë një intervistë për portalin ‘Infokusi.com’ ish-deputeti i Parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi, i cili njëherit është kandidat i PVD-së për kryetar të Bujanocit.
Kamberi pranon se siç ka ndërhynë Serbia me krijimin e listës ‘Srpska’ për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Kosovës, njejtë duhet të involvohet edhe Kosova dhe Serbia në Luginë të Preshevës, pasi që, siç thotë ai, në këtë situatë të fragmentizimit të skajshëm të politikës lokale në Luginë, nuk mund të pritet ndonjë unifikim të faktorit politik shqiptar, sidomos kur ambiciet personale dhe ato klanore, arrijnë të mbisundojnë interest kolektive.
Infokusi: Z. Kamberi në fund të javës së ardhshme do të mbahen zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Serbi. Sa është unik faktori politik shqiptar për këto zgjedhje?
Kamberi: Mjerisht, edhe kësaj radhe, faktori politik shqiptarë nuk ka arritur të unifikohet për të marrë pjesë me një listë në zgjedhjet parlamentare. Në këtë formë, fuqia jonë e vërtetë politike si shqiptarë po fragmentizohet. Me një listë të përbashkët, ne do të kishim mundësi të luftonim për tre mandate në parlament, që në situatën kur Serbia duhet të nisë bisedime me BE për kapitujt 22 dhe 23 (të drejtat e nejriut, të drejtat e pakicave dhe sundimi i ligjit) do të kishte ndikim të veçantë.
Ne kemi ftuar gjithë partitë për pjesmarrje me listë të përbashkët, por, asnjëra prej tyre, përveç Degës së Unionit Demokratik Shqiptar në Bujanoc, nuk kanë pranuar të jenë pjesë e listës unike.
Situata paraqitet edhe më keq, për shkak të faktit se partia e kryetarit të Bujanocit, Nagip Arifi, e cila zyrtarisht po bojkoton zgjedhjet parlamentare, përmes njerëzve të vet, ka pranuar që në Bujanoc të mbrojë interest e listës së Muamer Zukurliqit në Novi Pazar. PD e Nagip Arifit do të caktojë komisioner që, me gjasë do t’i japin votën listës boshnjake, e jo shqiptare.
Infokusi: Ju keni qenë deputet në Parlamentin e Serbisë për një mandat. Sa mund të dëgjohet zëri prej 1-2 deputetëve shqiptar, në një Parlament me mbi 250 ulëse?
Kamberi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk mund të presin se në Parlamentin e Serbisë do ta marrin shumicën. Ajo që mund të presin është që të përfaqësohen me numrin sa më të madh të përfaqësuesve të vet në këtë institucion. Kjo së pari për të sensibilizuar pozitën e shqiptarëve jo vetëm në Beograd, por edhe ndaj Bashkësisë ndërkombëtare dhe e dyta për të parandaluar që në institucionin më të lartë, në emër të këtyre komunave me shumicë shqipotare të flasin deputetët serb nga Bujanoci, Vranja, apo qendrat tjera të Serbisë. Mendoj se është shumë e rëndësishme, që në fazën e fillimit të bisedave të Serbisë me BE-në për anëtarësim, shqiptarët të kenë përfaësuesin e vet, që do të flaës në emër të shqiptarëve dhe që do të mbrojë interest e shqiptarëve.
Tre deputetë mund t’i merrnim në Parlamentin e Serbisë
Infokusi:Po të ishin unik shqiptarët në Luginë të Preshevës, sa deputetë mund t’i kishin në Parlamentin e Serbisë dhe çka mund të ndikonin konkretisht në Beograd për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve?
Kamberi: Fuqia reale e shqiptarëve mund të jenë tre deputetë. Kjo në rast të unifikimit të të gjitha partive, që do ta mobilizonte edhe diasporën tonë të fuqishme që të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Kosova ‘duarkryq’
Infokusi: A keni pasur trysni nga Kosova apo Shqipëria për një liste unike të shqiptarëve për këto zgjedhje, siç ka ndodhur me listën ‘Srpaska’ në Kosovë?
Kamberi: Shqipëria zyrtare ka provuar të unifikojë faktorin shqiptar për pjesmarje. Por, zëri i arsyes që vjen nga Tirana është injoruar nga partitë që përveç interesit të menaxhimit të buxheteve komunale nuk kanë prioritete tjera, ndërkohë që nga Kosova nuk kemi pasur ndonjë nismë zyrtare për ta ndihmuar këtë proces.
Të ndërhyjnë Prishtina dhe Tirana
Infokusi: A do të duhej të kishte më shumë presion nga Kosova dhe Shqipëria karshi faktorit politik shqiptar në Luginë të Preshevës?
Kamberi. Sigurisht që po. Edhe Kosova edhe Shqipëria duhet të kenë politika strategjike karshi Luginës së Preshevës. Në këtë situatë të fragmentizimit të skajshëm të politikës lokale te ne, nuk mund të pritet ndonjë unifikim, sidomos, kur ambiciet personale dhe ato klanore, arrijnë të mbisundojnë interest kolektive.
E vetmja mundësi e tejkalimit të kësaj situate është që edhe Prishtina edhe Tirana të ‘ndërhyjnë”. Kjo nuk është asgjë e re. Hungaria e ka bërë të njëjtën gjë me pakicën hungareze në Vojvodinë. Sot, kjo pakicë përfaqësohet nga 6 deputet në raport me 3 sa kishin kur ishin të përçarë.
Po rrezikohet bërthama shqiptare në Bujanoc
Infokusi: Ju jeni kandidat për kryetar për Komunën e Bujanocit, të cilën e keni udhëhequr edhe më herët. Cili është vizioni juaj për drejtimin e kësaj Komune dhe çka do të përfitonin shqiptarët gjatë mandatit tuaj?
Kamberi: Program jonë zgjedhor parasheh që mjetet me të cilat disponon komuna duhet që përmes subvencionimeve të ndryshme t’i rikthehen bujkut, biznesit lokal – qytetarit. Shpërngulja e heshtur po na rrezikon bërthamën kombëtare në Bujanoc. Ne me gjithë kapacitetet do të orientohemi për krijimin e mundësive për gjeneratta e reja. Komuna duhet hequr dorë nga projektet e kota që kushtojnë qindra mijëra euro e që nesër do të mbeten pa shfrytëzues për shkak të largimit të njerëzve. Për një rrethrrotullim në Bujanoci ka shpenzuar 720 mijë euro. Po t’i shin shpërndarë bujkut, apo biznesit lokal këto mjete do të kishin gjeneruar vende pune.
Infokusi:Nëse do t’i fitoni zgjedhjet, a do t’i ftoni në koalicion partitë shqiptare dhe a do të bashkëqeverisni edhe me partitë serbe?
Kamberi: Motoja jonë zgjedhore është “Për shqiptarët”. Mendoj se kjo flet mjaftueshëm.
Infokusi: Shumë shqiptarë janë ankuar se Serbia po ua shlyen vendbanimet, duke ua pamundësuar të marrin pjesë në zgjedhje. Si do të duhej të zgjidhet kjo dhe a e keni ngritur këtë çështje në Parlamentin e Serbisë?
Kamberi: Personalisht në Parlament e kam ngritur këtë çështje. Kam pasur biseda edhe me Ombudspersonin në Beograd, por, interesim ka shprehur edhe Ombudspersoni në Prishtinë. Ishte një nismë që mund të ofrontë zgjidhje, por, që procesi i zgjedhjeve, për momentin e ndrprejti. Pas zgjedhjeve, kjo do të jetë një ndër temat kyçe me të cilën do të merremi.
Secili ia ka një borxh vendlindjes së vet. Shqiptarët në Luginë të Preshevës janë në një situatë të brishtë që përditë po e rrezikon qenien tonë kombëtare. Prandaj, secili që ka dokumentacion valid duhet që të vijë e të japë votën për njerëzit që preferon, për opsionin politik që i duket më i afërm. Personalisht shpresoj se do ta japin votën “Për Shqiptarët”.
Komentet