Intervistoi: Entela Binjaku
Në fillim të nëntorit ajo ishte në Tiranë për një vizitë miqësore siç kishte bërë për 17 herë rresht në gjithë këto vite. Kësaj here kjo zonjë po i drejtohej dyerve të Bibliotekës së Universitetit të Arteve për të dorëzuar të gjithë arkivën që ajo kishte mbajtur ndër vite me muzikantët shqiptarë. Ishte viti 1987 kur kuriozeti i një të reje, e solli britaniken June Emerson në Shqipëri. Si qytetarë të rritur nën izolim mendimi i parë për të lirisht mund të kishte qenë: “e dërguan britanikët si agjente”. Por kjo grua e dashuroi këtë vend me një pasion që nuk përfundoi as pas “misionit të parë”. Botuesja e njohur angleze dhe mikesha e muzikës shqiptare June Emerson pranoi të japë një intervistë për revistën e kritikës muzikore “Opusalb”.
E dashur June, ç ‘mund të na thoni për vizitën tuaj të fundit në Shqipëri? Cili ishte qëllimi i vizitës dhe a ishte siç ju e prisnit?
Emerson: “Më pëlqen ta vizitoj Shqipërinë çdo dy-tri vjet, thjesht për të parë si janë miqtë e mij dhe se si po zhvillohet skena muzikore. Nëpërmjet FB pa dyshim që krijoj një përshtypje mjaft të mirë mbi çfarë ndodh, por asgjë nuk e zëvendëson përqafimin e një miku dhe bisedën e mirë rreth një kafeje. Është po ashtu mundësia të dëgjoj muzikë live dhe zakonisht arrij të ndjek një apo dy koncerte dhe të dëgjoj studentët në Universitetin e Arteve. Të vizitoj Shqipërinë është gjithmonë si të vij në shtëpi. Ndjej një mirëseardhje të ngrohtë. E dua dhe tokën vetë -klimën, malet, fushat, lumenjtë dhe bregdetin që të lë pa frymë.
Ju keni qenë një mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve për shumë vite. Sipas jush, çfarë e ka mbajtur gjallë këtë miqësi?
Emerson: Miqësia është mbajtur gjallë falë kontakteve dhe duke i ndihmuar muzikantët sa herë ka qenë mundësia. Për aq kohë sa kompania ime “Emerson Editions” boton muzikë nga kompozitorët shqiptarë ka edhe një lidhje të rregullt, po ashtu. Gjatë 15 vjetëve 1991-2006 kur organizova “The Albanian Musicians’ Trust” patëm mundësinë të ndihmonim disa muzikantë të studionin këtu në këtë vend si dhe të ndihmonim muzikantët në Shqipëri me kontrata, muzikë të botuar, me instrumente dhe aksesorë. Ata studentë sot janë të rritur dhe ende janë miq të mirë.
Cilat ishin përshtypjet e para mbi shqiptarët dhe Shqipërinë?
Emerson: Në vizitën time të parë në vitin 1987 isha natyrisht nën vëzhgimin e drejtuesit të udhëtimit kështu që kisha shumë pak kontakte me shqiptarët. Popullsia në përgjithësi ruante hapësirën dhe dukej mjaft e qetë dhe e nënshtruar- jo ajo që mund të prisje nga leximi i historive me të kaluarën e egër në librat e Edit Durhamit. Nuk ishte e tillë derisa dëgjova Etrita Ibrahimin që luante Sonatën për piano të Beethovenit kur unë ndjeva një forcë të jashtëzakonshme që shtrihej nën sipërfaqe. Kur arrita të flas me babain e saj Feimin, që fliste frëngjisht, zbulova sesa shumë muzikë klasike ndodhte në Shqipëri. Kjo ndezi interesin dhe më nxiti të mësoja më shumë. U ktheva sërish dhe sërish – gati 17 herë mendoj.
Si i përshkruat shqiptarët dhe Shqipërinë për bashkëatdhetarët tuaj kur u kthyet në Britani?
Emerson: Në vitin 1987 njerëzit dinin shumë pak për Shqipërinë. Vendi kishte qenë i mbyllur për 50 vjet. Ata çuditeshin që më ishte dukur i bukur (dhe nuk e dinin dhe aq mirë se ku ndodhej!). Habiteshin kur ju thoja sesa shumë muzikë ndodhte aty. Përshkrimi im standard ishte: “në këtë vend të vogël që ka të njëjtën madhësi sa Uellsi ka 29 shkolla muzike, 7 orkestra simfonike, ka opera, balet dhe padyshim edhe banda ushtarake”. Dhashë disa intervista për BBC-në për vizitën time të parë dhe më tej pasuan disa aktivitete.
Ju keni shkruar dy libra mbi muzikën shqiptare dhe muzikantët. Cili ka qënë impakti i i tyre?
Emerson: Mendoj se patën një ndikim shumë të vogël. Shitjet janë të vogla dhe unë nuk jam autore e famshme. Tema ndoshta është siç mund ta quanit ju “e një interesi të pakët”. Megjithatë jam e kënaqur që ekzistojnë sepse janë rregjistrimi i një periudhe tërheqëse. Janë për interesin e brezave që do të vijnë.
Sipas jush, çfarë do të duhet të bëjmë më shumë për muzikën në Shqipëri?
Emerson: Siç e kam thënë në fillim të librit tim “Muzika e Shqipërisë”, “historia e muzikës klasike në Shqipëri është shumë e shkurtër…”. Por ka ende njerëz gjallë në Shqipëri që i kujtojnë fillesat ose që kanë dëgjuar për to nga prindërit dhe gjyshërit. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ato kujtime dhe fakte të ruhen në një arkivë të mirëorganizuar për brezat e ardhshëm. Është dikush gjallë që e mban mend ta ketë dëgjuar simfoninë e parë shqiptare, jam e sigurtë. Po mendoj Ermir Krantjen, babai i të cilit Mustafa themeloi operën që ka thënë se njerëzit nuk e dinin çfarë ishte opera, por ai mund tua tregonte. Çaste të paharruara historike. Muzikologu grek George Leotsakos, ka bërë një punë të madhe në shkrimin dhe kërkimin e muzikës klasike shqiptare që nga vitet 1970 e këtej. Unë e kam kontaktuar dhe i kam sugjeruar që disa nga materialet e tij të jenë të vlefshme për Universitetin e Arteve. Megjithatë është e rëndësishme që vetë muzikantët shqiptarë të bëjnë punë kërkimore dhe të rregjistrojnë vetë historinë e kulturës së tyre para se të jetë shumë vonë.
A jeni duke menduar një libër tjetër? Ndoshta për të pasqyruar zhvillimet e fundit?
Emerson: Për momentin nuk jam duke planifikuar një libër tjetër. Muzikantët shqiptarë janë zhvilluar dhe janë shpërndarë gjerësisht në 25 vitet e fundit. Ka pasur arritje të jashtëzakonshme dhe sipërmarrje origjinale – mund të jetë një projekt më i madh që kam dëshirë ta ndërmarr vetë. Ndoshta kjo është një punë që për tu bërë nga një muzikant shqiptar siç edhe e thashë në përgjigjen më sipër. Tani ju nuk keni nevojë për ndihmën time.
Cila ka qenë vështirësia kryesore që keni pasur kur shkruajtët: Muzika e Shqipërisë?
- Emerson: Vështirësia kryesore ishte se muzikantët nuk ishin të lirë të thoshin atë që donin të thoshin. Unë e di përshembull se kompozitori Tonin Harapi ka vuajtur shumë nga presioni i regjimit në kohën e marrëdhënieve të ngushta me Kinën. Megjithatë ai nuk jetoi gjatë që të më fliste për të, e ka përmendur vetëm shkurtimisht në letrën e tij të fundit që më shkroi, kur ishte me dhimbje të forta prej kancerit pankreatik. Kjo është arsyeja pse ka kaq shumë nevojë për të dokumentuar nga brezi i sotëm që e ka pas dijeni se ç’ndodhte.
Si vendosët të shkruanit “Shqipëria-në kërkim të këngës së Shqiponjës”?
Emerson: Kur fola për herë të parë me Feim Ibrahimin, në vitin 1987, mu krijua ideja se nëse doja të zbuloja këtë vend misterioz, këtë mund ta arrija përmes muzikës. Mund të mësoja më shumë për jetën në familje nëpërmjet këngëve të dasmës, për fshatin nëpërmjet këngëve popullore, për fëmijët nëpërmjet këngëve të fëmijëve e kështu me radhë. Në fund kërkimi im “Për këngën e Shqiponjës” ishte më së shumti kërkim për informacion, sesa informacioni vetë. Ishte kënaqësi shumë e madhe ta shkruaja.
Kur po e planifikoni vizitën e ardhshme?
Është folur për një koncert përkujtimor për fagotistin Fatos Jaho këtë pranverë. Ai ishte një mik i ngushtë imi dhe do të vija padyshim për këtë nëse do të ishte mundësia. Nëse jo, do të vij më vonë këtë vit ose shpresoj në fillim të vitit që vjen për një vizitë miqësore, si zakonisht. Do të më pëlqente të sillja edhe një mik timin të vjetër Norman Blow që ka ardhur kohët e fundit të jetojë me mua. Ai është muzikant dhe mësues muzike, e di se do ta dojë vendin, njëlloj si unë.
Komentet