Analisti amerikan Edward P. Joseph thotë se për një çështje të rëndësishme si marrëdhënia e Kosovës me Serbinë, është jetike të ketë një qeveri të zgjedhur që përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, profesori i Universitetit Johns Hopkins, thekson se dorëheqja e zotit Haradinaj ka krijuar një boshëllëk që mund të zgjidhet me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Sipasi tij është e rëndësishme të ketë një qeveri që përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës, edhe nëse kjo do të shkaktonte një vonesë të vogël në përpjekjet për rifillimin e dialogut Prishtinë-Beograd. Me zotin Joseph bisedoi gazetari i Zërit të Amerikës Festim Gashi.
Zëri i Amerikës: Zoti Edwards, të mërkuren prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë morën në pyetje ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në cilësinë e të dyshuarit. Zoti Haradinaj të premten dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Kosovës, pasi mori një thirrje për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale. Si i shihni ju këto zhvillime?
Edward P. Joseph: Kjo është një situatë e pazakonshme. Natyrisht, në rastin e ish kryeministrit Haradinaj, nuk është një rast i paprecedentë. Kjo tashmë ka ndodhur njëherë në të kaluarën në vitin 2005. Nga pikëpamja ime, kjo në fakt është një mundësi e rëndësishme për zotin Haradinaj dhe për Kosovën. Krimet e së kaluarës, ato të sërbëve kundër shqiptarëve, ato të shqiptarëve kundër sërbëve dhe shqiptarëve të tjerë, ose krimi i pazgjidhur që mund të jetë kryer nga sërbët kundër Oliver Ivanoviçit, rëndojnë mbi Kosovën. Në fakt, kjo është një mundësi e rëndësishme për zotin Haradinaj dhe për Kosovën për të ecur përpara, duke dalë para një gjykate të hapur dhe duke iu përgjigjur hapur dhe qartë pyetjeve mbi veprimet e së kaluarës dhe dyshimet për veprime kriminale në të kaluarën.
Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi mendoni do të ketë dorëheqja e zotit Haradinaj mbi zhvillimet në Kosovë?
Edward P. Joseph: Ky është një zhvillim i madh për politikën e brendshme në Kosovë. Ish kryeministri Haradinaj kishte kundërshtime të thella me presidentin Thaçi mbi qasjen ndaj bisedimeve të rëndësishme me Serbinë dhe diskutimet për njohje të Kosovës nga Serbia, që është pjesë e rrugës së përgjithshme të Kosovës drejt anëtarësimit në OKB, operimit të saj si një vend normal dhe në fund anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, që është e rëndësishme për të dyja vendet. Pra, ky zhvillim sjell një element të ri: largimin e zotit Haradinaj për momentin nga ekuacioni. Por nga ana tjetër në njoftimin e tij të dorëheqjes, ai këmbënguli që të vazhdojë të ruhet qëndrimi i tij i fortë kundër çdo ndarjeje territoriale të Kosovës, ose krijimit të një entiteti si Republika Serbe brenda Kosovës, qëndrim që ka mbështetje brenda partisë së tij dhe në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, në njoftimin e tij për dorëheqje i bëri thirrje Presidentit Thaçi që të takohet me udhëheqësit e partive politike në vend dhe të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme. Çfarë ndikimi mund të kenë zgjedhjet e parakoshme në proceset politike në Kosovë, përfshirë dialogun me Serbinë?
Edward P. Joseph: Për një çështje tepër të rëndësishme si marrëdhënia e Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë, është jetike të ketë një qeveri të zgjedhur që përfaqëson në mënyrë të saktë vullnetin e gjithë popullit të Kosovës, shqiptarët dhe sërbët. Mendoj se është e vështirë të vazhdohet në kushtet e një gjysmë-boshllëku, ku pasi largohet një kryeministër, ai zëvendësohet me një tjetër, jo me procesin e duhur politik. Pra jo përmes funksioneve të rregullta parlamentare, por përmes faktorëve të jashtëm. Unë nuk i shoh zgjedhjet si pengesë. Dialogu ka ngecur për shkak të tarifës së vendosur ndaj mallrave serbe. Pra, unë nuk e shoh si pengesë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Zëri i Amerikës: Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe preisdenti francez Emmanuel Macron kanë marrë një nismë për të zhbllokuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Çfarë ndikimi do të ketë dorëheqja e zotit Haradinaj te kjo iniciativë?
Edward P. Joseph: Varet se si këto dy vende e shohin çështjen. Mendoj se është e rëndësishme të ketë një qeveri të zgjedhur, edhe nëse kjo do të shkaktonte një vonesë të vogël. Ata që duan ndarjen e Kosovës, që unë mendoj se është një ide e rrezikshme dhe jo në interes të shqiptarëve, sërbëve ose rajonit, mund ta shfrytëzojnë këtë situatë sepse ajo mund ta lërë Presidentin Thaçi pa një kundërshtar të fortë në këtë çështje. Kështu që disa njerëz mund të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë situatë. Në këndvështrimin tim kjo do të ishte e gabuar. Kjo nuk do të ishte mënyra e duhur për të rifilluar një dialog të mirëfilltë.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj ishte nën presion të madh për të pezulluar tarifat ndaj mallrave serbe për t’i hapur rrugën rifillimit të dialogut Prishtinë-Beograd. Gjykata Speciale thirri ish kryeministrin Haradinaj pikërisht në një kohë kur ai po përballej me një presion të madh për pezullimin e tarifës. A mund të jetë ndikuar vendimi i Gjykatës Speciale nga kjo çështje?
Edward P. Joseph: Jo. Unë nuk besoj se Gjykata Speciale ka vepruar në një mënyrë politike për të thirrur zotin Haradinaj, si mjet për heqjen e tarifës. Tarifat janë ende në fuqi dhe qeveria duhet të marrë një vendim mbi këtë çështje. Unë shpresoj që me përpjekje të vazhdueshme diplomatike nga Amerika dhe nga Evropa të bëhet i mundur pezullimi i tarifës, por edhe që Serbia të tregojë vullnet të mirë në retorikën dhe veprimet e saj kundrejt Kosovës në një mënyrë që ta kthejë dialogun në rrugën e duhur. Pra, jo vetëm për një rikthim teknik tek dialogu, por në një mënyrë që krijon hapësirë për bashkëpunim të sinqertë. Unë mendoj se kjo është e mundur. Duhet të gjendet një formulë për rifillimin e bisedimeve të drejpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëri i Amerikës: Zoti Joseph, disa zyrtarë amerikanë kanë lënë të kuptohet se mund të rritet përfshirja e Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi dhe në iniciativën e udhëheqësve gjermanë e francezë. A duhet të ketë një rritje të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në dialogun Prishtinë-Beograd, apo kjo çështje duhet të mbetet në duart e evropianëve?
Edward P. Joseph: Roli udhëheqës amerikan është thelbësor. Evropianët thjesht nuk janë në gjendje që të merren të vetëm me problemin e Kosovës dhe të Bosnjës. Për këto çështje duhet një udhëheqje e fortë, që Evropa nuk mund ta ofrojë në këtë kohë tranzicioni në Bruksel, ku sapo është zgjedhur një udhëheqje e re. Në Berlin dhe në Paris nuk ka një politikë unike për këtë çështje. Për këtë çështje duhet të ketë një qëndrim transatlantik unik që mund të ofrohet vetëm nga një angazhim udhëheqës amerikan. Një prani e fortë udhëheqëse e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thelbësore për të fituar besimin e shqiptarëve dhe që mund të pranohet dhe të respektohet edhe nga serbët.
Komentet