Intervistoi Kozeta Turishta 15 qershor 2016

Dritare.net- Z. DioGuardi, edhe pse shqiptarët ju njohin shumë mirë, le të flasim rreth fillimit të aktiviteteve tuaja në mbështetje të shqiptarëve. Si e filluat karrierën tuaj dhe kur filloi ‘lufta’ juaj në Shtetet e Bashkuara, në mbështetje të shqiptarëve, në përgjithësi, dhe shqiptarëve të Kosovës, në veçanti?
Joseph DioGuardi- Karriera ime e parë ishte si Kontabilist i Çertifikuar Publik. Ajo filloi kur iu bashkëngjita firmës ndërkombëtare kontabiliste Arthur Anderson & Co. në vitin 1962, pasi mbarova me nderime fakultetin në Universitetin e Fordham në qytetin e New York-ut. Unë punova tek ajo firmë e mrekullueshme për 22 vite, nga ku 12 vite si partner, para se të vendosja të bëja diçka më të rëndësishme me jetën time, të konkurroja për Dhomën e Përfaqësuesve, për të përfaqësuar banorët e Qarkut të Westchester të shtetit të New York-ut. Ishte një vendim i vështirë dhe pas një fushate nxehtësisht të kontestuar, të cilën e fitova si Republikan, në një votim të ngushtë në një Qark Kongresional (zonë zgjedhore) të dominuar nga Demokratë të regjistruar, unë isha i suksesshëm duke u bërë në janar të 1985 kontabilisti i parë dhe shqiptaro-amerikani i parë, që u zgjodh në Kongresin e Amerikës.
Përderisa familja ime, nga ana e babait, kishte trashëgimi arbëreshe në Itali, nuk do të ndodhte deri në shtator të 1985, në një organizim për mbledhjen e fondeve për fushatën time të dytë kongresiste, kur shqiptarët që jetonin në Qarkun e Westchester zbuluan se familja ime flisnin shqip. Ishte ai organizim kur babain tim, dy vite para se ai të vdiste papritmas, e dëgjuan shqiptarët duke folur në gjuhën arbëreshe/shqipe me motrën e tij të vogël, Ida. Për shkak të kësaj, shumë shqiptarë ishin këndshëm të habitur dhe erdhën të më vizitonin në shtëpinë time në Qarkun e Westchesterit si dhe në zyrën time në Washington, që të më tregonin për problemet me të cilat përballeshin familjet e tyre në ish-Jugosllavi, veçanërisht në Kosovë. Unë fillova të mësoj shumë për historinë e shqiptarëve në Evropën Juglindore dhe vendosa, pothuajse menjëherë pasi dëgjova për shtypjen e rëndë të popullit shqiptar nga qeveria e Jugosllavisë, e kontrolluar nga sllavët racistë, që ta bëj çështjen e të drejtave njerëzore dhe vetëvendosjes së shqiptarëve, një prej interesave të mia kongresiste më të rëndësishme, edhe pse unë nuk isha në Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. (Udhëheqësit Republikanë kishin vendosur që përvoja ime unike si kontabilist përshtatej më mirë për angazhimet në komitetin për Banka & Financa dhe atij të Funksionimit të Qeverisë).
Dritare.net- Ish-Presidenti serb Milosheviç, ka thënë në televizion ndërkombëtar se ju jeni shkaktari i të gjitha problemeve mes Serbisë dhe Amerikës. Në çfarë mënyre janë munduar serbët të ndalin aktivitetet tuaja në Amerikë?
Në vitin 1987, vetëm disa vite pas zgjedhjes sime në Kongresin amerikan, Slobodan Miloshevic erdhi në pushtet si Kryetar i Republikës Serbe dhe Partisë Komuniste Jugosllave. Ishte në këtë kohë që aktivitetet armiqësore kundër popullit shqiptar eskaluan shumë, dhe unë u bëra shumë aktiv duke u munduar të organizoj një seancë dëgjimi në Kongres për të sensibilizuar Kongresin dhe popullin amerikan rreth asaj se çfarë po ndodhte me të vërtet ndaj popullit shqiptar në ish-Jugosllavi. Për shkak të miqësisë sime të mëparshme me Dante Fascellin, Kryetarin italiano-amerikan të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, unë ia arrita që të organizoj seancën e parë dëgjimore në Kongresin amerikan rreth shtypjes së 3.5 milion shqiptarëve në ish-Jugosllavi, veçanërisht të 2 milion shqiptarëve në Kosovë. Ishte në këtë kohë që zyrtarët nga Republika Serbe dhe nga qeveria Jugosllave filluan të ndërhyjnë në aktivitetet në Kongres, që unë po inicioja kundër trajtimit të tyre çnjerëzor ndaj popullit shqiptar të Jugosllavisë së atëhershme.
Unë ia dola që të mposht propagandën serbe që zhvillohej kundër meje dhe popullit shqiptar, sepse unë punova me kongresistë të rëndësishëm amerikanë, të cilët ishin Anëtarë të Partisë Republikane dhe asaj Demokrate, veçanërisht në fillim me Kongresistin Tom Lantos (Demokrat) i cili ishte Kryetar i Grupit për të Drejtat Njerëzore në Kongres dhe më pas me Bob Dole (Republikan), i cili ishte Udhëheqës i Pakicës (Opozitës) në Senatin Amerikan. Me ndihmën e këtyre udhëheqësve të të dy partive, që ishin udhëheqës të lartë e të respektuar, unë ia arrita që ta sfidoj Departamentin e Shtetit, që ishte duke punuar me Ambasadorin Jugosllav për ta ndaluar seancën dëgjimore në Kongres. Duhet nënvizuar se Departamenti i Shtetit në atë kohë kishte një histori të marrëdhënieve të mira me Jugosllavinë dhe hezitonte t’i vinte këto marrëdhënie në rrezik me seanca dëgjimore dhe deklarata të cilat po publikonin shkeljet skandaloze të të drejtave njerëzore të popullit shqiptar në Jugosllavi, edhe pse këto shkelje veçse ishin demaskuar për publikun në raportet vjetore mbi vendin, që Departamenti i Shtetit kishte lëshuar.
Dritare.net- Ju jeni sponsorizues i shumë Rezolutave si dhe veprimeve të tjera mbi Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan. Në çfarë mase këto veprime kanë ndikuar mbi politikat e jashtme të Amerikës ndaj Kosovës? Pse ishte e rëndësishme që të kishte Rezoluta, deklarata, dhe seanca dëgjimore në Kongresin amerikan?
Pas suksesit, kundër të gjitha shanseve, që pata në organizimin e seancës së parë dëgjimore në tetor të 1987, unë ia dola që të krijoj më shumë mbështetje për popullin shqiptar duke përdorur Rezoluta të Kongresit dhe deklarata në Dhomën e Përfaqësuesve. Këto Rezoluta dhe deklarata ishin të nevojshme për njoftimin e shumë kongresistëve të tjerë dhe stafit të tyre me veprimet barbare të regjimit serbo-komunist kundër grupit të tretë më të madh etnik në ish-Jugosllavi. Në deklarimet e mia zyrtare unë i paralajmërova se mosveprimi nga ana e Kongresit do të çonte në destabilizimin serioz të Jugosllavisë dhe më pastaj të Ballkanit. Në mars të 1989, frika ime më e madhe u konfirmua kur Slobodan Miloshevici e okupoi brutalisht Kosovën me ushtri dhe i hoqi të gjithë të drejtat e Krahinës Autonome Jugosllave të Kosovës. Pasi isha larguar nga Dhoma e Përfaqësuesve në janar të 1989, në këtë kohë unë themelova Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA) për të vazhduar agjendën time kongresiste si zëri i pavarur për popullin shqiptar 7 milionësh në shtetet e kontrolluara nga komunistët e Jugosllavisë e Shqipërisë. Meqë Miloshevici e kishte okupuar Kosovën në mars të vitit 1989 e Shqipëria ishte vend i mbyllur sikurse Korea e Veriut është sot, unë i fokusova aktivitet e para të LQSHA-së mbi të drejtat njerëzore dhe vetëvendosjen e popullit shqiptar në Jugosllavi.
Një prej veprimeve më të rëndësishme, si Kryetar i LQSHA-së, ishte udhëtimi im për në Beograd në nëntor të 1989 për ta sfiduar okupimin brutal ushtarak të Kosovës nga Slobodan Miloshevici. Më pas, unë shkova për ta vizituar Ambasadorin Amerikan në Serbi, Warren Zimmerman, për t’ia dhënë atij një letër të nënshkruar nga Tom Lantos dhe Bob Dole, e cila thoshte se ata donin që unë të shkoja në Kosovë në një mision fakt-mbledhës. Ambasadori Zimmerman nuk ishte i lumtur për këtë, mirëpo ai nuk mund të më ndalte për të udhëtuar për në Kosovë. Pastaj unë shkova papritmas në Qendrën Ndërkombëtare të Shtypit për t’i informuar mediat në Jugosllavi, të cilat ishin të privuara nga shumica e informacionit në lidhje me atë që unë isha duke bërë në Washington, DC. Kjo ishte shumë e vështirë për ta bërë dhe pas shumë pengesave dhe kërcënimeve me dëbim nga zyrtarët Jugosllavë tek Qendra Ndërkombëtare e Shtypit, unë vendosa që ta lë Serbinë dhe të shkoj në Kosovë, në mënyre që të fotografoja okupimin brutal ushtarak në Kosovë dhe të sillja ato fotografi tek Kongresisti Lantos, i cili ishte Amerikan hebre, që kishte shpëtuar nga Holokausti Nazist në Luftën e Dytë Botërore dhe që për shkak të këtij përjetimi do ta kuptonte personalisht e do të ndjente dhembje të thellë për shtypjen e rëndë të popullit shqiptar. Rezoluta e parë në Kongres për pavarësinë e Kosovës, H. Con. Res. 264, u propozua në Dhomën e Përfaqësuesve në janar 1992 nga Tom Lantos, përmes përpjekjeve të LQSHA-së, rezolutë e cila kishte parimin bazë se pavarësia ishte e nevojshme për të mbajtur paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Meqë Miloshevici kishte filluar Luftërat Ballkanike në Slloveni në 1990 (kur Sllovenia vendosi të mbante konventën e partisë së parë demokratike, në të cilën mora pjesë së bashku me Dr. Ibrahim Rugovën në janar 1990), dhe pastaj në Kroaci në vitin 1991, pasuar nga Bosnja në vitin 1993, tashmë ishte vonë për ta mbrojtur paqen dhe stabilitetin e Jugosllavisë. Kështu unë duhej të fokusoja përpjekjet lobuese të LQSHA-së për të siguruar se krahinës së Kosovës, së cilës nuk i ishte dhënë statusi i Republikës në Shtetin konfederal të Jugosllavisë për shkak të shovinizmit serb, do t’i jepej pavarësia si një shtet më vete në rast se Jugosllavia ndahej. Pasi e pamë kërdinë në Bosnje nga 1993-1995, veçanërisht masakrën në Srebrenicë, ishte e qartë për mua dhe Bordin e Ligës Qytetare se populli shqiptar i Kosovës do të ishte në rrezik të madh, ashtu siç ishin populli i Bosnjës (veçanërisht pasiqë ne kishim parë vrasjen e 200,000 civilëve të pafajshëm nga forcat ushtarake e paralimtare serbe, të përbëra nga kriminelë të rrezikshëm që ishin liruar nga burgu për të brutalizuar dhe terrorizuar popullin).
Me ndihmën e Shirley Cloyes, e cila iu bashkua LQSHA-së në vitin 1994 si publiciste, gazetare e studiuese e pavarur e marrëdhënieve ndërkombëtare, ne përshkallëzuam dhe përshpejtuam punën tonë për Kosovën në Washington. (Shirley dhe unë u martuam në vitin 1998)

Ne udhëtuam në Turqi dhe shumë vende të tjera në Evropë ku organizuam mbledhje e konferenca shtypi për të zgjuar popullin, shtypin dhe mediat e Evropës, ndaj asaj që ne shihnim se po vinte – një masakrim i popullit shqiptar në Kosovë. Kjo veprimtari ishte shumë e rëndësishme, meqenëse do ta përgatiste terrenin për bombardimin e Serbisë nga SHBA/NATO për të mbrojtur popullin shqiptar të Kosovës. (Shikoni në YouTube videon ku Milloshevici në gjykimin e tij në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi është duke më fajësuar mua dhe LQSHA-në për demonizimin e tij dhe të popullit serb në sytë e publikut amerikan). Për të parë rezolutat, deklaratat dhe seancat e shumta dëgjimore që ne kemi mbajtur në Kongres, para dhe pas bombardimit të NATO-s, secili mund të vizitojë rrjedhën kohore në websitin e LQSHA-së (www.aacl.com), i cili përmban vegza të videove, fotografive, dhe materialeve të shkruara duke evidencuar kështu punën e gjerë të LQSHA-së për të shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës.
Dritare.net- A mund ta përshkruani Kosovën atëherë dhe se si e shihni sot atë?
Për herë të parë kam shkuar në Kosovë në nëntor 1989 për të sjellë evidencë tek Kongresi dhe Departamenti i Shtetit, të shtypjes së rëndë të shqiptarëve dhe Shirley e unë kemi bërë udhëtime të shumta për në Kosovë nga viti 1996 deri më 2006. E konsideroj veten me shumë fat që i zura autoritetet serbe të papërgatitura dhe që u ktheva i paprekur në Amerikë mu para Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1989, gjë që më mundësoi të flas kundër Miloshevicit në festime të ndryshme për nder të “Ditës së Flamurit” në rrethinën metropolitane të New York-ut. Megjithatë, pavarësisht nga rreziku, kur Enver Hadri, një aktivist shqiptar në Belgjikë, u vra nga policia sekrete serbe “UDBA” në shkurt të 1990, unë vendosa të udhëtoj për në Belgjikë për të marr pjesë në varrimin e tij, (Për shkak të kërcënimeve anonime për të më frikësuar mua, meqë kisha bërë përpjekje për të publikuar punën që kishte bërë Enver Hadri, që të nxjerr në shesh rolin e policisë sekrete serbe (UDBA) në vrasjen e 34 shqiptarëve gjatë okupimit që filloi në mars të 1989, unë duhej të vishja jelek anti-plumb në mënyrë që të shkoja në varrimin e tij bashkë me gruan dhe djalin e tij, për të bërë protesta para Misionit Jugosllav atje, dhe për të shkuar në Gjenevë që të dorëzoja tek Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut listën e 34 shqiptarëve të vrarë, gjë të cilën Enver Hadri u mundua ta bënte para se të vdiste).
Në vitin 1989 Kosova ishte vend shumë i rrezikshëm për njerëzit të shpreheshin të lirë, dhe shihej qartë se ajo ishte një nga vendet më të pazhvilluara prej të gjitha gjashtë republikave dhe dy krahinave autonome në ish-Jugosllavi. Për shkak të punës së LQSHA-së me Kongresin amerikan, Presidenti George W. Bush e shpalli Kosovën shtet të pavarur me 17 shkurt 2008 dhe që atëherë mbi 100 vende të botës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Serbia vazhdon të luajë një rol shqetësues duke u përpjekur të minojë stabilitetin politik dhe ekonomik të Kosovës, i cili ende është shumë i brishtë si shtet në zhvillim e sipër në Evropën Juglindore. Papunësia e madhe, sidomos mes të rinjve në Kosovë, vazhdon të jetë shumë shqetësuese dhe problem i madh i pazgjidhur. Problemi kryesor me të cilin Kosova përballet sot është paqëndrueshmëria e brendshme politike që ka lejuar korrupsionin të lulëzojë në të gjitha nivelet e qeverisë. Gjithashtu, shqetësim i madh është se Serbia dhe katër vende të mëdha Evropiane ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke krijuar një masë pasigurie, e cila e parandalon Kosovën që të arrijë potencialin e plotë të saj si shtet i pavarur e sovran. Kjo pasiguri po bllokon investimet e jashtme, duke çuar edhe në më shumë korrupsion politik i cili po e ngulfat potencialin për demokraci të vërtetë dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.
Dritare.net- Si ndodhi që lobi hebre u rreshtua në anën e lobit shqiptar në emër të Shqipërisë dhe Kosovës?
Për shkak të fotografive shumë shqetësuese që i kisha sjellë nga Kosova Kongresistit Tom Lantos në vitin 1989, ai vendosi se kishte ardhur koha që të shihte për vete se çka po ndodhte aje dhe të dërgonte një sinjal të fuqishëm diktatorit komunist serb, Slobodand Miloshevic, se Shtetet e Bashkuara po i vështronin veprimet e tij kundër popullit shqiptar të Kosovës. Dhe meqë diktatori komunist i shtetit fqinj, Shqipërisë, Presidenti Ramiz Alia, më kishte ftuar për vizitë në kryeqytetin, Tiranë, kur ai dëgjoi se po shkoja në Kosovë, Kongresistin Lantos u bë kureshtar dhe më nxiti që ta pranoja ftesën vetëm nëse edhe atij i lejohej të vinte. Qeveria e Shqipërisë me hezitim u pajtua, dhe neve na u lejua që të hynim në Shqipëri nëpërmes një dere të vjetër e të braktisur afër Prizrenit, pasi ne iu ishim drejtuar turmave të mëdha të shqiptarëve në Prishtinë dhe Gjakovë.

Ishte në këtë udhëtim që udhëheqësi komunist vendosi që t’i lajkatohej Lantosit si Kongresist hebre amerikan, duke i dhënë atij një dosje të trashë nga arkivat shqiptare komuniste e cila përmbante letra, copa të prera të gazetave dhe fotografi të hebrenjve të cilët shqiptarët i kishin shpëtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këto letra kurrë nuk iu kishin dorëzuar atyre shpëtimtarëve shqiptarë si dhe historitë në këto letra ishin varrosur në raftet e arkivave komuniste nga 1945 deri në maj të 1990. Dosjen që ma dha Kongresisti Tom Lantos unë e dorëzova tek Yad Vashem në Izrael. Që nga ajo kohë, 69 persona janë deklaruar “Të drejtë mes kombeve” dhe u janë dhënë nderimet më të larta që shteti i Izraelit i jep atyre të cilët shpëtuan popullin hebre nga Holokausti Nazist.

Duke e kuptuar fuqinë e lobit hebre në Amerikë dhe pasiqë isha bërë mik me shumë kongresistë hebre në Dhomën e Përfaqësuesve, unë isha në gjendje të publikoja tregimin e shpëtimit unik të hebrenjve në Shqipëri, shumë prej të cilëve kishin ardhur nga Evropa Perëndimore nëpërmjet krahinës Jugosllave të Kosovë, në Shqipëri. Kur Shirley Cloyes iu bashkua LQSHA-së në 1994, kjo u bë një prej fushave të saj të interesimit dhe ajo filloi të shkruante artikuj dhe të mbante fjalime me mua në shumë sinagoga nëpër Amerikë dhe në ngjarje hebreje në Washington, DC. Kjo ende është punë e sipër pasiqë shumë amerikanë dhe evropianë po e zbulojnë kurajën e popullit shqiptar të Kosovës dhe Shqipërisë në shpëtimin e mbi 3,000 hebrenjve duke përfshirë 200 familje hebreje që kishin jetuar në Shqipëri për shekuj të tërë, shumë prej të cilave kishin ikur nga Kryqëzata Spanjolle në shekullin e 15-të. Për më shumë informacione mbi Rolin Shpëtues të Shqiptarëve Gjatë Holokaustit Nazist, ju lutem lexoni artikullin e Shirley Cloyes DioGuardi “Mbijetesa Hebreje në Shqipëri dhe Etika e Besës” dhe shikoni fjalimin e saj tek Dita e Përkujtimit të Holokaustit te Kombet e Bashkuara më 27 Janar 2014. Për shkak të këtyre aktiviteteve, lobi hebre është bërë mbështetës i madh i popullit shqiptar të Kosovës dhe Shqipërisë.

Dritare.net- A mund ta përshkruani Shqipërinë pas 25 vite të demokracisë dhe si e shihni atë sot?
Populli i Shqipërisë ka përjetuar ferrin gjatë periudhës mes Luftës së Dytë Botërore dhe zgjedhjeve të para demokratike të suksesshme të cilat i përcolla për së afërmi si bashkudhëheqës i një grupi amerikan të monitorimit të zgjedhjeve në fillim të 1992. Vetëm duke lexuar për kushtet e tmerrshme të imponuara mbi shumë shqiptarë gjatë 45 viteve pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilave vendi u qeveris si kamp masiv i të burgosurve nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, dhe duke dëgjuar për kushtet e tmerrshme të burgjeve si Spaçi, çdokush mund vetëm ta imagjinojë tmerrin që përjetuan shqiptarët të cilët bënë përpjekje të çlironin vetveten dhe familjet e tyre nga diktatura komuniste 45-vjeçare. Tani, pas 45 vitesh, kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ëndërron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, është pllakosur nga korrupsioni i madh politik, i cili po e parandalon atë që të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe një vend i zhvilluar ekonomikisht që ofron punë për rininë e saj të papunë. Korrupsioni politik është përkeqësuar aq shumë saqë Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Departamentit amerikan të Shtetit dhe Ambasadorin Amerikan në Shqipëri, janë duke e kërcënuar Shqipërinë me pasoja të rënda nëse qeveria shqiptare nuk miraton reformat e rekomanduara nga një Komision Special Evropian, përkatësisht për të reformuar drejtësinë e cila është e qartë se është e korruptuar dhe e kontrolluar nga elitat politike qeverisëse të të dyja partive politike, që konkurrojnë për pushtet e para në Shqipëri, ndërkohë që shumica e popullit vuan.
Dritare.net- Cili ishte dhe është niveli i bashkëpunimit mes shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara?
Një prej zhgënjimeve më të mëdha gjatë punë sime 30 vjeçare, duke përfshirë këtu 4 vitet si Kongresist, mbi problemet me të cilat përballen shqiptarët është fakti se nuk ka bashkëpunim të mjaftueshëm ndërmjet shumë grupeve shqiptare të organizuara në Shtetet e Bashkuara dhe në botë. Këto organizata janë të drejtuara nga personalitete që duket se mendojnë se janë më të rëndësishëm se kauza kombëtare shqiptare, e njëjta kauzë për të cilën LQSHA-ja dhe Bordi i saj kanë punuar aq shumë që nga themelimi si lob për të gjithë shqiptarët, në vitin 1989.
Zhgënjimi më i madh ndodhi pasi ne kishim punuar aq shumë me Bordin fillestar të Drejtorëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, për ta sjellë Dr. Ibrahim Rugovën dhe 12 udhëheqës të shoqërisë dhe akademikë, në Washington, në prill të 1990, të cilët mbrojtën demokracinë në Kosovë. Në atë kohë, në Kosovë, kishte vetëm një Lëvizje që thërriste për demokraci në Kosovë dhe nuk kishte parti politike nga Kosova që konkurronin për vëmendje apo fonde në Shtetet e Bashkuara. Të gjithë shqiptarët ishin të bashkuar prapa kësaj lëvizje dhe si rezultat, Liga Qytetare ishte në gjendje të mblidhte fonde të mëdha, të cilat ishin të nevojshme për të paguar hotelet, biletat e aeroplanëve, ushqimin dhe udhëtimet lokale të të gjithë delegacionit të 13 kosovarëve, të cilët ndoqën dëgjimin historik 5 orësh në Senatin amerikan, më 24 prill, si dhe darkën mikpritëse në Hotelin Sheraton të New York-ut në Manhattan, më 28 prill. Darka u ndoq nga një turmë entuziastike prej më se 2,700 shqiptaro-amerikanë të cilët ose kishin lindur në Ballkan, apo ishin pasardhës të shqiptarëve nga çdo pjesë e Ballkanit. (Kjo ndodhi vetëm pak kohë para se Kongresisti Tom Lantos dhe unë shkuam në Kosovë dhe Shqipëri në maj të 1990.)
Në më pak se pas pesë muajve të vizitës së tij të prillit në Shtetet e Bashkuara, Dr. Rugova u kthye në Manhattan për një darkë tjetër mikpritëse, këtë herë me “operatorë politikë”, si për shembull Alush Gashi nga Kosova, Ali Aliu nga Maqedonia, Cezar Jakupi nga Australia dhe të tjerë të cilët po konspironin me shokët e tyre shqiptaro-amerikanë për ta zëvendësuar Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane me degë të partisë së tyre të re “LDK”, për të mbledhur fonde për qëllimet e tyre politike në Kosovë (dhe besoj, për pushtetin e tyre personal dhe glorifikim në botën shqiptare). Qëllimi i vërtetë i udhëtimit të dytë në New York, Chicago, dhe më vonë në Toronto ishte për sabotimin e LQSHA-së. Kjo ishte planifikuar paraprakisht me disa anëtarë fillestarë të Bordit të LQSHA-së (të cilët më lanë mua dhe bordin e LQSHA-së për të formuar Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) që është i diskredituar dhe jofunksional). Këta sabotues u bindën me premtimin e parave dhe pushtetit politik personal për ta mbështetur LDK-në në vend të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane e cila rrugën më të mirë për Kosovën – derën e hapur për në Washington, DC. Ajo “rrugë” në fund do të çonte në vendimin e NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara, ta bombardonte vetë Beogradin në vitin 1999, në mënyrë që ta ndalonte diktatorin e atëhershëm serb, Slobodan Milosevic, të bënte gjenocid të masës së madhe në Kosovë, ashtu siç kishte bërë në Bosnje në vitin 1995, dhe më vonë do të çonte në Shtetet e Bashkuara me George W. Bushin si President, që të bëheshin vendi i parë që ta njihnin Kosovën si vend i pavarur më 17 shkurt, 2008. (LDK dhe shumë mbështetës të saj do ta kuptonin vetëm shumë më vonë se e gjithë kjo nuk mund të arrihej pa një lob të pavarur e të regjistruar, Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Washington, të udhëhequr nga një ish- Kongresist amerikan me prejardhje shqiptare dhe një shkrimtare e stratege politike.)
Mirëpo tani, ka shpresë në horizont, pasiqë kam parë shumë shqiptarë të rinj të shkolluar në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe në të gjithë botën të cilët nuk janë të kënaqur me imazhin e keq të popullit shqiptar, i cili është promovuar nga propaganda e kundërshtarëve sllavë në Evropë, sidomos regjimi i Miloshevicit dhe pasardhësve të tij. Shumë prej këtyre të rinjve i vizitova në mars të 2016 me Shirley, në Berlin të Gjermanisë, ata janë duke u bërë shumë të zemëruar me mungesë e progresit demokratik dhe ekonomik në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe me mungesën e mundësive ekonomike të popullsisë së re shqiptare në Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi dhe Greqi. Ata po fillojnë të bëhen më aktivë në kërkimin e zgjidhjeve për të krijuar kushte më të mira ekonomike dhe politike në Evropën Juglindore, dhe vazhdojnë të shikojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe shqiptaro-amerikanët për ndihmë dhe frymëzim. (Dhe, duhet të nënvizojmë këtu se, ashtu sikurse shqiptarët, populli amerikan nuk janë të kënaqur me qeverinë e tyre në Washington, dhe tani janë në mes të një prej garave më të nxehta presidenciale në kohën moderne, me ndërmarrësin e famshëm Donald Trump, ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, dhe Senatorin Bernie Sanders duke luftuar për nominimet e Partisë Republikane dhe Demokrate për të garuar më pas për President të Shteteve të Bashkuara.)
Dritare.net- Cili është mesazhi juaj për popullin shqiptar?
Dua të përfundoj duke thënë se jam shumë krenar që kam luajtur një rol si Kongresist dhe si një amerikan arbëresh për të ndihmuar popullin shqiptar në çlirimin e tij nga e kaluara e Partisë Komuniste. Sfida me të cilën përballemi tani është që t’i sjellim demokraci të plotë shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri dhe pjesë të tjera të Evropës Juglindore. LQSHA-ja, Këshilltarja për Çështje të Ballkanit, Shirley Cloyes DioGuardi, dhe unë do të vazhdojmë të punojmë si zëra të pavarur për popullin shqiptar, sidomos në Washington dhe në kryeqytetet e Evropës. Edhe pse kemi bërë shumë punë, prapëseprapë mbeten shumë punë për t’u bërë, për të ruajtur imazhin dhe historinë, kulturën dhe gjuhët më të vjetra dhe më unike në botë sot. Dhe, le të mos harrojmë popullin e babait tim, arbëreshët e Italisë jugore, të cilët e ruajtën gjuhën shqipe për më shumë se 500 vite, përderisa turqit osmanë u munduan ta shkatërronin atë. Fatkeqësisht, politikanët e korruptuar shqiptarë që i shërbejnë vetvetes, në Shqipëri dhe Kosovë, janë duke e dëmtuar shpirtin dhe zemrën, perspektivë ekonomike dhe gjeo-politike të popullit shqiptar. Shqiptarët e Evropës Juglindore më se e meritojnë të kenë shërbyes publikë kompetent dhe të ndershëm si liderë të tyre të zgjedhur e të caktuar, pas gjithë vuajtjeve që ata kanë përballuar që nga shekulli i 15-të (gjatë okupimit osman 425-vjeçar dhe luftërat e tmerrshme të shekullit 20-të të cilat rezultuan në spastrimin etnik e diktatura brutale komuniste).
Dritare.net- Zoti DioGuardi, do ju shohim së shpejti në Shqipëri apo në Kosovë?
-Së shpejto do më shikoni me shqiptarët. Shirley dhe unë, si dhe Bordi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, do të jenë në Romë dhe Vatikan për shenjtërimin e heroinës dhe misionares fetare shqiptare, Nënë Tereza, më 4 shtator. Ne mezi presim që t’i bashkohemi mijëra shqiptarëve që do të vijnë nga e gjithë bota për treguar respektin e tyre të thellë për një nga figurat më të vlerësuara të shekullit të kaluar, një murgeshë e thjeshtë shqiptare, puna e mrekullueshme e së cilës dhe reputacioni i madh botëror, na ka bërë shumë krenarë të gjithë neve. Ne gjithashtu mezi presim që të vizitojmë fshatin Greci, një nga vendbanimet shqipfolëse më të vjetra në Italinë e sotme, dhe më afër Romes./dritare.net
Komentet