Ja roli i Azem Hajdarit dhe Sali Berishës
VALENTINA MADANI/ Me datën 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të protestave që sollën rënien e sistemit komunist.
Mes tyre ishte edhe studenti i fakultetit filologjik Arben Çejku. Ish-dhjetoristi teksa u rikthehet atyre ditëve tregon për gazeta “Panorama”, momentet e përjetuara ku forcat policore godisnin pa mëshirë me shkopinj gome mbi trupat e studentëve që t’i shpërndanin. Arben Çejku shpreh mirënjohje për familjet tiranase që u hapën derën të rinjve, të cilët po i ndiqte policia, por që nuk arritën të shuajnë zemëratën ndaj diktaturës.
Por zanafillën e asaj revolte që brenda pak ditësh përfshiu gjithë vendin, ish- dhjetoristi tregon për një ngjarje tjetër që i parapriu datës 8 dhjetor në Qytetin Studenti. Ai flet për vizitorët e “paftuar” në dhomat e tyre dhe kërcënimin që ata u bën studentëve…
Z. Çejku, ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990 sollën pluralizmin politik në Shqipëri dhe i dhanë fund diktaturës komuniste. Cila ishte situata para datës 8 dhjetor 1990 në Qytetin Studenti?
Si shumë studentë të tjerë që ishin nga rrethet, banoja në konvikt në qytetin “Studenti”, në godinën 14 bashkë me tre student të tjerë. Dhoma jonë ishte direkt mbi radio “Studentin”, me pamje nga Pallati i Kulturës së asaj kohe, ku dy muaj më vonë do zhvillohej edhe greva e urisë. Një javë para datës 8 dhjetor, nëpër dhoma na kishin ardhur si “instruktorë” disa nga pedagogët tanë dhe persona të tjerë, të cilët na kishin “porositur” që të mos përfshiheshim në ndonjë rrëmujë të provokuar, sepse mund të na dënonin e përjashtonin nga universiteti.
Më vonë kam mësuar se ky presion kishte qenë masiv dhe i koordinuar nga udhëheqja komuniste e asaj kohe. Duke menduar se edhe ky mund të ishte një grumbullim provokativ, unë dhe shokët e tjerë të dhomës, nuk i dhamë rëndësi. Për më tepër, kishte disa ditë, që “godinat e reja”, ku ishin inxhinieria etj., nuk kishte drita dhe dikush na tha se, “janë ata të godinave të reja që kërkojnë drita”.
Dhe vjen data 8 dhjetor. Çfarë kujtoni nga ajo ditë?
Me datën 8 në mbrëmje vonë, diku rreth orës 10.30, kemi dëgjuar zëra, por nuk e dinim që pak më lart, kishte grumbullime studentësh të revoltuar. Të nesërmen në mëngjes, me datë 9, kur po shkoja për në mensën e studentëve, pashë grumbullime të vogla nga 5-10 veta, që këndonin këngë patriotike dhe, ajo që më rrëqethi dhe më tronditi thellë ndërgjegjen ishte thirrja solemne: “Eja, mblidhuni këtu! Këtu!”, që duke u përsëritur, po mbushte sheshin. Më tej dëgjohej “Lironi shokët tanë” si dhe “Poshtë komunizmi”. Hëngra mëngjes – dy garuzhde çaj dhe një fetë djathtë sa një biskotë, se aq na jepnin, dhe dola.
Jashtë po grumbulloheshin studentët dhe unë u afrova dhe mora vesh çfarë kishte ndodhur një natë më parë. Organizimi nuk kishte drejtues, të gjithë jepnin mendime dhe sigurisht, fitonte propozimi më i arsyeshëm. Natyrisht, disa nga studentët, që më vonë u vunë në krye të Lëvizjes dhe u bënë edhe figura të njohura publike e politike, nisën të “udhëhiqnin” bërthamat kaotike dhe të revoltuara të studentëve. “Do zbresim tek sheshi!”.
Çfarë nënkuptonte ajo ftesë?
Kjo “ftesë” nënkuptonte vajtjen tonë në qendër të Tiranës, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve të Tiranës, sepse ndjehej që ishim vetëm. Sigurisht, që u bëra pjesë direkte e këtij rebelimi dhe e braktisa mësimin bashkë me shumë studentë të tjerë të Fakultetit Filologjik, pavarësisht thirrjeve de kërcënimeve të disa pedagogëve. Duhet thënë se këtë bojkot e përkrahën thuajse të gjithë pedagogët e rinj të asaj kohe. Në orën 9.30 kemi qenë tek ish-ambasada italiane (sot Amerikane) dhe aty na u vu prita nga regjimi. Për këtë pjesë janë bërë shumë rrëfime, por dua të them se për 4 orë oshëtinte Tirana nga thirrjet tona, të cilat hap pas hapi u koncentruan në thirrje politike kundër regjimit dhe aty ka lindur lajtmotivi “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe parulla “Liri – Demokraci”.
Në atë shesh, që sot më duket i vogël, në atë copë rrugë, ne mundëm frikën dhe regjimi kuptoi se nuk kishte kthim prapa. Një natë më parë ata kishin rrahur shokët tanë. Në mesditë, na u turrën ne të gjithëve me shkopinj e me çfarë mundën. Unë isha diku në rreshtin e tretë dhe shihja shumë mirë Azem Hajdarin, të cilin nuk e njihja bashkë me disa studentë të tjerë trima, që qëndronin në ballë. Kur na sulmuan forcat speciale, jemi shpërndarë në mënyrë kaotike dhe kemi ikur sipër nga lëndina mes ambasadës amerikane dhe rezidencës së sotme italiane. Aty tani ka pallate të reja, por atëherë ishte bosh. Unë kam rrëshqitur, si edhe shumë studentë të tjerë, në baltovinën që u krijua në breg për shkak të një vese shiu që po binte. Kam hyrë në një pallat dhe jam ngjitur në fund të tij, ku na hapën dyert familjarë të ndryshëm. Mua më doli përballë një zonjë e moshuar që më ftoi brenda bashkë me dy tre student të tjerë. E falënderova, por nuk hyra, sepse po shihja nga boshllëku i shkallëve se si, përballë nesh, forcat speciale po rrihnin të tjerë studentë të zënë nëpër cepa. Ishte pamja më e tmerrshme dhe më revoltuese që kam para sysh edhe sot. Dhimbja dhe revolta na u bënë bashkë dhe zbritëm të gjithë nga ku ishim nëpër shkallët e pallateve dhe dolëm, ndërkohë që forcat speciale po tërhiqeshin. Në u rigrupuam në Qytetin Studentit, aty tek mensat dhe për herë të parë, pamë sesi po na vinin në ndihmë qytetarët e Tiranës. Kjo na ngrohu zemrat. Shumë studentë ishin rrëmbyer nga policia dhe të tjerë të plagosur refuzonin të shkonin në spital. Të gjithë po prisnim orën 6 pasdite për të dëgjuar “Zërin e Amerikës”, nëse do jepej lajm apo jo. Kur u dha lajmi për atë që kishte ndodhur, unë e kuptova se nuk kishte më kthim prapa dhe nuk jemi larguar nga sheshi në qytezën tonë deri nga darka vonë. Të nesërmen ishte improvizuar një podium me altoparlantë.
Nuk e di kush janë heronjtë që i sollën për ne. Podiumi u kthye në foltore demokracie dhe studentë, intelektualë, qytetarë e pedagogë të ndryshëm merrnin fjalën njëri pas tjetrit, duke shtruar kërkesa të shumta kundër regjimit. Mbaj mend se aty kemi “shkarkuar” anëtarët e Byrosë politike njëri pas tjetrit.. Po “ushtronim” demokracinë antike.. Me pak fjalë dua të them se që nga mëngjesi i datës 9 dhe në vazhdim kam qenë pjesëmarrës, protagonist dhe dëshmitar për të gjitha zhvillimet e dhjetorit ’90 dhe më pas për grevën urisë, protestat për shtyrjen e zgjedhjeve të 31 marsit 1991 etj., U jam rikthyer studimeve pasi kanë mbaruar zgjedhjet dhe jam angazhuar më pas me grupime të ndryshme studentore, që po lulëzonin si paradhomë e shoqërisë civile. Deri në qershor 1992, kur kam nisur punën si gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kam qenë një student mes studentëve, që nuk e kishim kuptuar akoma rëndësinë e pjesëmarrjes në ato ditë të mëdha historike.
Si e mbani mend Sali Berishën, Azem Hajdarin?
Me datën 10 dhjetor kam qenë në shesh bashkë me shokët e fakultetit dhe mijëra studentë të tjerë, kur dikush e ftoi Berishën që të marrë fjalën. Më duket se Tefalin Malshyti ose Blendi Gonxhja e kanë ftuar, nuk e mbaj mend mirë emrin e atij që po drejtonte foltoren. Por kur tha se “këtu mes nesh është pedagogu i mjekësisë, intelektuali dhe shkencëtari Sali Berisha, që do të na përshëndesë”, unë u bëra kureshtar ta shikoja, sepse e “njihja” nga shkrimet që botonte në revistën “Shkenca dhe Jeta”, “Mjekësia Popullore” dhe, kisha përshtypjen se në tribunë do të dilte ndonjë burrë i moshuar.
Por, Berisha ishte krejt tjetër gjë nga përfytyrimi që kisha për të deri atëherë. Katër gjëra më bënë përshtypje menjëherë; mosha mesatare dhe energjia që kishte, gjatësia trupore, zëri i fortë dhe, sigurisht, dialekti gegë. Ai u përpoq në fillim të mbajë një fjalim “ndërmjetësimi” mes nesh e Ramizit, por turma nisi të fërshëllente dhe nuk po e linte të vazhdonte më tutje. Ai e kuptoi se sa larg kishin shkuar gjërat, dhe me instinktin që e karakterizonte, pa që para tij ishte „ushtria” e demokracisë, që po shembte sistemin e kalbur të Ramizit dhe, në çast ndryshoi komplet qasjen e tij, duke kaluar në anën tonë gjatë gjithë fjalimit. Kurse për Azemin, ju thashë që “takimin” e parë e patëm tek rruga e Elbasanit, por pa u prezantuar. Jemi prezantuar disa ditë më vonë, nëpërmjet shokëve të përbashkët që ishin nga Tropoja.
Po Gramoz Pashkon, Edi Ramën dhe eksponentë të tjerë të asaj periudhe?
Gramoz Pashko ka mbajtur një fjalim, por nuk e mbaj mend si protagonist të Lëvizjes – ai dhe shumë të tjerë u bënë protagonistë të krijimit të Partisë Demokratike. Dhe, në fakt, ky është momenti që u bë një lloj “divorci” mes asaj që kishte qenë Lëvizje dhe asaj që po krijohej si Parti. Periudhës idilike të ushtrimit të demokracisë në shesh i erdhi fundi me fillimin e pluralizmit politik dhe, ajo ishte gjithnjë në sfond, si vlerë dhe moral, por tashmë aksionet kaluan në duart e partive të reja.
Edi Rama, siç e ka shpjeguar edhe vetë, arriti vonë tek Lëvizja, e cila tashmë po transformohej në parti politike dhe ai ka tentuar të bashkëngjitet në komisionin nismëtar të PD. Unë nuk kam qenë protagonist tek „ngjizja” e partisë dhe nuk mund të them më shumë. Kishim dëgjuar për tubimet e tij me Klosin e të tjerë, që vazhduan edhe më pas, por nuk u identifikua si zë më vete dhe nuk dëgjuam për shumë vite për të.
Cilat mendoni se ishin arritjet kryesore të Lëvizjes së Dhjetorit ’90?
Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 është një nga faqet më të ndritura të historisë sonë politike e kombëtare dhe kam bindjen se, pasi të përmbyllim këtë periudhë të vështirë tranzicioni, ajo do të marrë shkëlqimin e merituar. Kjo Lëvizje, si fillim vrau frikën, tregoi se kur ke ideale të pastra dhe i ke për të mirën e shoqërisë dhe të vendit tënd, nuk ka forcë që të mposht. Ajo përmbysi pa dhunë një nga diktaturat më të dhunshme në botë. Ajo zgjoi ndërgjegjen kombëtare për lirinë individuale dhe për interesin kombëtarë. Ajo u bë pishtar shprese për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar. Kjo Lëvizje vuri themelet e demokracisë, themeloi pluralizmin politik dhe përcaktoi ardhmërinë euroatlantike të Shqipërisë.
Por çfarë nuk përmbushi, sipas jush kjo Lëvizje?
Lëvizja e Dhjetorit, u kufizua në kohë dhe veprim; ajo mbeti si zhvillim historik dhe i pazëvendësueshëm nga data 8 – 12 Dhjetor 1990. Pas datës 12, kur iu hap dera pluralizmit politik, Lëvizja nisi të pësonte gërryerjet e para së brendshmi, për shkak se protagonistët e saj kryesorë nisën angazhimet në parti të caktuara. Kuptohet, grupimi më i madh shkoi tek PD, të cilën si fillim po e udhëhiqte Azem Hajdari. Por edhe aty, protagonizmi për karrierë dhe lufta e bërrylave nisi ta zbehë Lëvizjen si institucion.
Ethet politike të partiakëve ish-pjesëmarrës në Lëvizje, e ftohën raportin e tyre me studentët, të cilët u lanë në “shenjtëninë” e tyre. Natyrisht, që këto parti i ftuan studentët për të ndihmuar për zgjedhjet e 31 marsit, por kushtet ishin të vështira, sepse presioni mbi studentët po rritej. Shumë politikanë kishin tashmë partitë e tyre, ashtu si edhe sindikalistët kishin sindikatat e tyre, kurse studentëve ende u mbeti mbi supe emri„Enver Hoxha”, të cilin kërkuam ta hiqnin. Bëmë një peticion me nënshkrime në fund të janarit 1991, por nuk u konsiderua seriozisht dhe “argumentet” djallëzore ramiziste për ta zbehur emrin e Enverit paralel me “riorganizimin” e universitetit, kishte gjetur mbështetje edhe tek disa drejtues me rëndësi të PD-së dhe partive të tjera opozitare.
Injorimi dhe anashkalimi i kërkesës sonë na çoi drejt grevës së urisë, e cila kulmoi me rrëzimin e monumentit të Enverit në Sheshin “Skënderbej” dhe heqjen e emrit të tij nga universiteti. Gabimi më i madh që u bë është se Lëvizjen e “braktisën” shumë shpejt ata që ishin protagonistët kryesor të saj dhe nuk e ushqyen më tutje si një formacion rinor të pavarur. Kjo erdhi ndoshta edhe si rrjedhojë e mungesës së eksperiencës në organizime të tilla politike dhe nevojës për të ngritur nga hiqi pluralizmin politik. Ajo jetoi vetëm disa ditë në Dhjetor ’90 dhe disa ditë në shkurt 1991. Më pas, e gjitha mbeti histori, për shumë arsye që dihen e nuk dihen. Prandaj mendoj se duhet t’i bëhet një analizë më e gjerë, gjithpërfshirëse kësaj lëvizjeje duke mos e lidhur vetëm me një parti apo me dy tre individë të caktuar. Ajo ishte Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90, në të cilën përfaqësohej e gjithë Shqipëria.
Edhe pse keni qenë vazhdimisht në publik me shkrime si gazetar, autor librash dhe analist për çështjet politike e diplomatike, si ish-student i Dhjetorit ’90 rezulton se nuk keni publikuar të dhëna dhe komente lidhur me ato ngjarje historike. Pse kjo zgjedhje apo tërheqje?
Konstatimi juaj është i drejtë lidhur me protagonizmin tim mediatik për të folur apo shkruar rreth zhvillimeve të asaj periudhe historike. Koha kur vepruam qe e shkurtër dhe zhvillimet shumë intensive dhe, secili bëmë sa mundëm sipas mundësive dhe vendit ku na kapi ky moment. Për mua ka pasur dhe ka rëndësi kati që isha me fat që u ndodha në atë moment historik të papërsëritshëm dhe bëra atë që munda të bëj, i ndërgjegjshëm që të tjerë bënë më shumë e sakrifikuan dhe jetën! Kam anashkaluar ftesat për të folur si protagonist, jo se nuk kam qenë aktiv, por kam menduar se kjo Lëvizje, më shumë se për emrat, ka nevojë të zbardhet dhe vlerësohet për filozofinë dhe kontributin e saj institucional në zhvillimet e demokracisë sonë të re.
Janë botuar tek tuk shkrime dhe libra, por nuk kemi ende sot një botim të mirëfilltë akademik, që të përfshihet në kurrikulat arsimore të edukimit politik për brezat e rinj. Përdorimi për interesa politike e kësaj Lëvizjeje e dëmtoi imazhin e saj dhe sot, pas 34 vitesh, nuk kemi një qasje gjithvlerësuese për këtë hop cilësor historik. Nuk u bë një analizë ashtu siç duhej dhe dalë nga dalë, nisi edhe “privatizimi” i saj, duke lënë anash gjithnjë e më shumë vetë Lëvizjen. Ata që patën pushtet në këto 34 vjet, qoftë majtas qoftë djathtas, nuk e zgjeruan gamën e trajtimit të Dhjetorit ’90 si revolucion demokratik për përmbysjen e sistemit. Në vitin 1992 u dhanë një grusht dekoratash presidenciale “Pishtar i Demokracisë”, të cilat as nuk u përmendën më dhe as nuk u vijua më tutje, sepse disa nga të dekoruarit, nisën të dilnin nga rreshti partiak, duke i dhënë më shumë vlerë mendimet të tyre të lirë e demokratik, sesa militantizmit partiak.
Fraksionet partiake që lindën nga Partia Demokratike dhe aktet hakmarrëse të ish-nomenklaturës komuniste, ndikuan gjithashtu që, në periudhën 1993 – 1998, të zhvendoset vëmendja nga rëndësia e Lëvizjes së Dhjetorit, e cila në disa raste u anatemua e u shpërfill.
Si për shembull vrasja e Azem Hajdarit?
Vrasja e Azem Hajdarit ishte goditja më e rëndë që mori kjo lëvizje dhe kjo duket sikur i vuri kapak edhe rëndësisë së trajtimit të mëpasshëm të Dhjetorit ’90. PD, e cila lindi nga kjo Lëvizje e pastër studentore, nuk e kuptoi rëndësinë e një qasjeje institucionale ndaj saj dhe për fat të keq, “Dhjetori ‘90″, nuk e ka marrë ende vlerësimin e duhur institucional as nga shteti dhe as nga shoqëria në tërësi. Të rinjtë e sotëm nuk kanë njohuri të mjaftueshme për atë periudhë të lavdishme të bashkëmoshatarëve të tyre, të cilët idealet demokratike i kishin më të vlera se interesat personale!
Uroj që të vijë dita që ngjarjet historike që kanë diktuar zhvillimet në Shqipëri të trajtohen në lartësinë e duhur dhe atëherë, jo vetëm unë, por do të inkurajoja edhe shumë të tjerë të kontribuojnë për zbardhjen e plotë të zhvillimeve të asaj periudhe dhe të vlerësohet siç duhet ajo Lëvizje. Deri më tani, jemi anuar drejt vlerësimit të rolit individual të “dhjetoristëve”, por nuk e kemi bërë ende vlerësimin e vërtetë për vetë Lëvizjen e Dhjetorit 1990!
/Gazeta Panorama
Komentet