Pas debatit të çelur kohët e fundit dhe botimit të një cikli shkrimesh në gazetë lidhur me të pushkatuarit me dhe pa gjyq gjatë regjimit komunist, zgjodhëm për të folur ekskluzivisht në DITA, ish-diplomatin dhe një nga ekspertët e zbulimit shqiptar jashtë shtetit për afro dyzet vjet me radhë, Dr. Hasan Luçin. Jemi ulur në një nga kafenetë Tiranës në zonën e bllokut.
Ai vjen fiks në orën e caktuar në telefon dhe e fillon takimin me një batutë: “Kështu jemi ne të zbulimit, të përpiktë. Po të mos ishim të tillë nuk do ta kishim fituar atë betejë të madhe që është bërë me armiqtë e Shqipërisë…”
Duke kaluar minutat e kuptoj se njeriu që kam përballë jo vetëm është i zgjuar, inteligjent, që di shumë sekrete të asaj kohe që nuk janë zbardhur ende. Ka sy të mprehtë dhe një vështrim depërtues. Ai ka edhe një humor të hollë kur përshkruan situata të ndryshme. Në një moment, më tregon se kur ishte rezident në Paris, ndodhi vdekja e Ahmet Zogut në 8 prill 1961 në qytetin e Kanës. “Po a e di ti se më shumë se gjysma e njerëzve që i shërbenin Ahmetit ishin të futur nga Sigurimi i Shtetit, që nga kuzhinieri, rojet etj. E ja, vdiq mbreti. Si t’ia bënin këta që nuk qanin dot për të. Shkojnë te kuzhinieri dhe marrin një gjysmë qepe, e shtrydhën dhe me meshari fshinin lotët gjatë ceremoni. O të qarë që kanë bërë, më shumë se të tjerët sa lanë nam… Shkonte ministri i oborrit e i ngushëllonte dhe u thoshte të përmbaheshin…”

Dr. Hasan Luçi
Në këtë kontekst ai shton: “E kur agjentët e Sigurimit të Shtetit depërtuan deri në oborrin mbretëror, llogarite se sa lehtë mund të depërtonin midis emigrantëve të arratisur që ishin të përçarë vetvetiu. Ishin ata që depërtuan deri te Komiteti Shqipëria e lirë dhe që bënë të dështonte operacioni i bandave të armatosura që hynë në Shqipëri pas lufte dhe sidomos në gjysmën e parë të viteve ’50.”
Sidoqoftë, ai tregon se veprimtaria armiqësore e ish-të arratisurve politikë nga Shqipëria në mbarim të luftës ka qenë shumë e rrezikshme, pasi financohej nga Shtet e Bashkuara dhe Anglia dhe ishte e mirorganizuar.
Intervistoi Xhevdet Shehu
– Zoti Luçi, a është e vërtetë ajo luftë, apo ju, domethënë ish-sigurimi i Shtetit dhe ish-Partia e Punës e ka hiperbolizuar për propagandë?
– Ajo ka qenë dhe mbetet një luftë reale që është bërë dhe nuk ka nevojë për hiperbola. E kemi thënë ne, por e kanë pranuar edhe vetë ish-armiqtë tanë. Si punonjës i shërbimit të zbulimit shqiptar në vitet 1955 – 1991, me kontakt të vazhdueshëm me mërgatën politike shqiptare sipas ligjeve zyrtare të shërbimit shtetëror, dhe mund të them se gjatë punës kam takuar edhe krerët kriminelë kryesisht jashtë me të cilët kam gjetur ose jo gjuhë të përbashkët për mbrojtjen e lirisë e pavarësisë së atdheut, shumica e tyre qenë penduar për rolin e kryer me të huajt, vetëm njëri më ka refuzuar takimin pa e përfolur dhe një tjetër pranoi takimin por u suall si rrugaç.
– Pra shkrimtari i ka përshkruar mirë ato punët e mërgatës në ato vite nëe romanin e tij të njohur “Mërgata e qyqeve”?
– Jo mirë, por shumë mirë. Ashtu si janë zhvilluar ngjarjet dhe ashtu sikurse ishte në realitet gjendja e mërgatës politike shqiptare në ato vite. Ata, pra të arratisurit, ish-kriminelë të luftës ballistë e zogistë, kanë bërë plane të detajuara dhe kanë punuar natë e ditë kundër Shqipërisë. Unë kam dokumente të panumërt për këtë.
– Pa vazhduar më tej, dua t’ju pyes lidhur me incidentin e disa ditëve më parë kur në Bruksel u anulua nga disa emigrantë një veprimtari për Skënderbeun, vetëm pse atje do të merrte pjesë historiani Pëllumb Xhufi. Si u ndjetë kur e morët vesh këtë ngjarje?
– Nuk më erdhi hiç mirë. Kanë kaluar kaq vite… Kur dëgjova emrat e atyre që bënë gurgulenë,më erdhi edhe më shumë keq. Pse, do thuash ti. Historikisht Brukseli ka qenë qendra e emigracionit politik shqiptar në ato vite. E ata që prishën atë veprimtari për Skënderbeun vetëm pse do fliste historiani Pëllumb Xhufi a e dini se kush janë? Ta them unë. Janë pinjollë të atyre ballisto-zogistëve që në kohën e Enver Hoxhës hidhnin bomba në ambasadat tona në Romë, e Paris e gjetiu dhe krijonin probleme të mëdha edhe me vendet që ne kishim marrëdhënie shumë të mira diplomatike. Nasho Jorgaqi i quajti ata “Mërgata e qyqeve”. Unë po i quaj këta të sotmit si “kukuvajka të mërgatës” që u ka ngelur sahati nja pesëdhjetë pas. Do të vijë ora, ndoshta edhe gjatë kësaj interviste të flas me emra konkretë se cilët kanë qenë ata… Më vjen keq që edhe pas kaq shumë vitesh ata nuk kanë nxënë aq mend e të pendohen, nuk paskan hequr dorë nga këto metoda terroriste me bomba e tritol. Nuk e di, por edhe ata që hidhnin shtyllat e elektrikut në erë para ca vitesh, nga kjo kategori duhet të kenë qenë
– Kur filloi kjo veprimtari armiqësore kundër Shqipërisë?

Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu
– Duhet theksuar se qysh gjatë luftës së Dytë Botërore anglo – amerikanët e të tjerë vunë dorë mbi krerët kriminelë të luftës, të cilët i morën nën mbrojtje pasi u arratisën para ose bashkë me pushtuesit ose pas çlirimit të vendit në 1944. Në fillim të arratisurit u vendosën në Greqi, Angli, Francë, RFGJ (zonën anglo – amerikane të pushtimit), Austri, Turqi, Egjipt, Siri etj. Anglia, në fakt, që para hyrjes së SHBA-së në luftë, u bë kryeqyteti i qeverive kufoma dhe mbretërve të arratisur, ndër të cilët ishte edhe Ahmet Zogu, i vetëquajtur mbret, të cilët ajo i përdori gjatë dhe pas luftës sidomos në luftë kundër kampit socialist duke u bërë një shembull i madh edhe për SHBA, që e ndoqën këtë shembull. Kështu krerët kriminelë dhe reaksionarë të tjerë u mirëpritën dhe u shpëtuan si edhe u morën nën mbrojtje nga Komanda Aleate e Mesdheut në 1944 – 45. Në 1945 në Itali kishte 750 të arratisur, nga të cilët 80 vetë ishin indipedentë (bashkëpunëtorë të fashistëve italianë), 350 ballistë dhe 300 zogistë në kampet, ku i trajtonin anglo – amerikanët, të tjerët ishin në Greqi, Turqi, Austri, Gjermani Perëndimore etj. Sipas të dhënave të kohës, “krimineli Eqrem Libohova qëndron në kampin në Leçe (Itali) me gjeneralin Aleksandër, komandant i ushtrisë aleate të Mesdheut”, “Abaz Kupi, mik i anglezëve, me të dy djemtë, me Gaqo Gogon e Isa Toptanin, është më i përkëdheluri nga të gjithë dhe mbahet në një vilë”. Rreth 23 kriminelë u morën atëherë nga aleatët dhe u vendosën në kampin e Karbunarës të Barit (Itali), ku “ata qëndronin të lirë dhe bridhnin nëpër kafenera”; ku rrinin edhe shokët e tyre fashistët italianë. “Maklini dhe Emeri – shkruan një specialist i huaj – mbanin lidhje me ish shokët e tyre të armëve në Shqipëri, duke i ndihmuar ata në vitet e para të varfërisë dhe të mërgimit” . Bile Maklini protestoi pranë qeverisë angleze, e cila nuk po i jepte A. Kupil paradhënien apo borxhet që kish marrë ai në Shqipëri dhe deklaroi “Ne iu kemi detyrime këtyre njerëzve, personalisht dhe si komb… nëse nuk do të ishte çështja politike, atyre do t’ju ishin dhënë medaljet britanike. Ata me të vërtetë i meritojnë ato”. Pas kësaj, “si përfundim A. Kupi u ripagua plotësisht nga fondet sekrete”. Vatikani, si për tërë fashistët e tjerë, u bë një vatër strehimi e kriminelëve shqiptarë, duke u dhënë mbështetjen kryesore, për faktin se në ato kohë anglo – amerikanët bënin edhe sikur ndiqnin kriminelët e luftës para shpalljes së gjyqit të Nurembergut, ku kriminelët shqiptarë e tjerë nga vendet e demokracive popullore nuk dhanë llogari. Që në mesazhin e vitit të ri 1945 e më vonë Papa Piu XII hodhi bazat e fushatës antikomuniste e revanshiste kundër “totalitarizmit” (komunizmit), “të drejtat për atdhe” etj. të të arratisurve. Mbrojtja e Vatikanit nuk ishte vetëm çështje fetare, por kryesisht politike dhe ideologjike.
– A e njihte qeveria komuniste e Tiranës këtë veprimtari armiqësore kundër saj dhe vetë Shqipërisë dhe si reagoi?
– Që në ditët e para të çlirimit qeveria shqiptarë protestoi dhe u kërkoi qeverive anglo – amerikane dhe satelitëve të tyre dorëzimin e kriminelëve shqiptarë të luftës, të cilët ishin arratisur jashtë shtetit dhe strehoheshin nga ato. Në fund të shkurtit 1945, komisioni shtetëror shqiptar për zbulimin e kriminelëve të luftës i drejtoi Komisionit Ndërkombëtar në Londër kërkesën e qeverisë shqiptare për dorëzimin e 42 kriminelëve shqiptarë të luftës. Po si qeveria angleze dhe ajo amerikane, nën pretekstin se qeveria shqiptare nuk njihej, nuk i dorëzuan. Më 1 qershor 1945 kryetari i qeverisë shqiptare Enver Hoxha i drejtoi protestë qeverisë amerikane, ku i theksonte se ajo nuk po zbatonte vendimet e Konferencës së Moskës për të dorëzuar kriminelët e luftës por përkundrazi i kishte grumbulluar në Itali dhe i përgatiste e ndërsente kundër Shqipërisë së re. Përsëri qeveritë perëndimore jo vetëm nuk pranuan, por përkundrazi ato bënë grumbullimin e grupimin e kriminelëve të luftës në kampe, kurse e shkolla spiunazhi e diversioni, duke i riorganizuar në organizata kundërrevolucionare dhe me anën e tyre intensifikuan veprimtarinë agjenturore e diversioniste subversive kundër RPSH.
– Çfarë faktesh dispononi për këtë?
– Shumë. Kam shkruar dhe libra për veprimtarinë armiqësore jashtë shtetin në ato vite. Për shembull, Hasan Dosti u thoshte miqve të vet: “Amerikanët dhe anglezët ishin aleatë që gjatë luftës na këshillonin të bashkëpunonim me gjermanët, prandaj s’ka si të kuptohet që sot ata të na dorëzojnë me gjithë mend si kriminelë lufte”. Por për ti bindur që t’u shërbenin spiunazheve të huaja, kriminelët i kërcënonin dhe i frikësonin me arrest, të arratisurit me taktikën e dorëzimit të tyre në Shqipëri si kriminelë. Bile vetë krerët bënin sikur jetonin si ilegalë dhe se i luteshin papës të mos dorëzoheshin ku “vërtet shkoi në Vatikan tek at Valentini, këshilltar i papës, një delegacion i përbërë nga Ernest Koliqi, Kol Bibë Mirakaj, Vasil Andoni, Z. Pali e Xhafer Deva”.
– Si reaguan anglo-amerikanët ndaj ankesave dhe kërkesave të qeverisë së Tiranës?
– Në vitin 1947 qeveritë anglo – amerikane deklaruan publikisht se nuk do t’i dorëzonin kriminelët e arratisur, duke i marrë nën mbrojtjen se gjoja ata paskeshin merita për Luftën Nacionalçlirimtare, se gjoja nuk qënkeshin përzier me pushtuesit italianë e gjermanë. “Askush në perëndim nuk i mori parasysh ankesat e qeverisë shqiptare… ose, edhe në rast se i dëgjuan i hodhën poshtë … As Kongresi e as Parlamenti nuk pyetën administratat e tyre rreth luftës që zhvillohej. Ata thjesht nuk dinin gjë rreth saj”, shkruan anglezi N. Bethel. Koloneli i S.I.S-it anglez Maklin kujton, “panikun e madh në mes të miqve shqiptarë” kur në vitin 1947 Enver Hoxha kërkoi të dorëzoheshin kriminelët shqiptarë, kur gjoja anglo – amerikanët arrestuan 15 prej tyre në Itali dhe i siguruan në burgun e Rexhina në Romë e në kampin e Frasketit në 1948, se mos forcat përparimtare atje i sakrifikonin këta fashistë. Sipas të arratisurit Bido Kuka, komandanti i kampit u premtoi kriminelëve se, nëse në Itali do të fitonte e majta (PKI ) ne vitin 1948, atëherë ” ai do t’i armatoste dhe do të shkonin bashkë në male”.
– Si filloi organizimi apo bashkimi i emigrantëve politikë shqiptarë në ato vite?
– Unë e thashë që veprimtaria e tyre armiqësore ka filluar menjëherë pas çlirimit. Mit’hat Frashëri etj. kriminelë mbaheshin si gjoja të arrestuar nga anglo – amerikanët në Itali në vitet 1945 – 46, por kjo bëhej me qëllim që të nxirreshin si shpëtimtarë të situatës më vonë, të ngrinin prestigjin e Ballit Kombëtar, të sabotonin çështjen e dorëzimit të kriminelëve e t’i dërgonin të arratisurit në Shqipëri që të bënin çfarë u urdhërohej. H. Dosti u thoshte miqve të vet: “Çështja është që neve duhet t’i shkundim njerëzit tanë nga plogështia dhe t’i bëjmë që lë mos heqin dorë nga lufta kundër qeverisë së Tiranës”.
Pas zgjedhjeve edhe Orme Sarxhent i Forin Orisit anglez ndërhyri në MPJ të Italisë me kërkesën e Maklinit dhe menjëherë kriminelët shqiptarë u liruan. Kështu kriminelët shqiptarë nuk dhanë llogari as në gjyqin e Nurenbergut dhe as më vonë për krimet e tyre të luftës dhe kundër njerëzimit, sepse u mbrojtën nga anglo – amerikanët, të cilët bënë çmos në mbarim të luftës, duke marrë masa të forta për t’i shpëtuar agjentët e tyre e kuislingët e fashistëve për t’i përdorur për interesat e veta kundër ish demokracive popullore. SHBA e pranuan edhe kriminelin Abaz Kupi, por harruan se ai, veç krimeve të luftës, më 6 prill 1924 në Mamurras vrau amerikanët George de Long e Coleman, me urdhër të Zogut për të diskretituar qeverinë shqiptare. Më vonë, më 8 maj 1965 qeveria RFGJ deklaroi, se ajo do të pushonte ndjekjen penale kundër kriminelëve nazistë të luftës dhe krimet e tyre kundër njerëzimit do të quheshin të parashkruara. RPSH deklaroi se ajo nuk ka baza juridike dhe morale për një vendim të tillë të njëanshëm, se ata duhet t’i nënshtrohen së drejtës së akteve ndërkombëtare. Legjislacioni i brendshëm i RFGJ nuk ka asnjë lë drejtë t’i parashkruaj krimet e tyre, ajo është një fyerje e rëndë e kujtimit të miliona viktimave të kriminelëve nazifashistë dhe një orvatje për të rehabilituar kriminelët e luftës si dhe një provokacion i hapur kundër popujve që luftuan. RPSH kërkoi arrestimin e kriminelëve dhe dërgimin e tyre në vendet ku kanë kryer krimet për t’i gjykuar e dënuar.
Kështu anglo -amerikanët, titistët, italianë e grekë, që gjatë LANÇ-it dhe pas çlirimit vunë dorë për rigrupimin e reaksionit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Anglo – amerikanët vunë dorë mbi agjenturat e OVRA-s, Gestapos, në mbeturinat e organizatave tradhtare si dhe shovinistët fqinjë.
– Pra duket se kemi një vijimësi veprimtari dhe qëndrimi të kësaj mërgate?

Ahmet Zogu
– Pa asnjë dyshim. Veprimtaria e mërgatës politike shqiptare jashtë shtetit nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i tradhtisë së madhe, që ju bë popullit tonë gjatë pushtimit fashist dhe më vonë, duke qenë në kundërshtim të hapur me interesat e këtij populli. Kuislingët shqiptarë që u arratisën gjatë luftës dhe pas luftës ndërruan padronë dhe u bënë aleatë të Perëndimit, spiunë të anglo – amerikanëve etj., duke patur karakteristika të përbashkëta: së pari, ata ishin shërbëtorë të pushtuesve italianë e gjermanë, së dyti, pjesërisht ishin agjentë të anglo – amerikanëve që gjatë LANÇ-it dhe së treti, së bashku me anglo – amerikanët etj. do të luftonin nga jashtë pushtetin popullor në Shqipëri (komunizmin), që nuk e hodhën dot në dorë gjatë luftës. Procesi i grumbullimit të mërgatës shqiptarë brenda e jashtë Shqipërisë në vitet e para pas çlirimit ishte më i thjeshtë, kurse më vonë me forcimin e mëtejshëm të pushtetit popullor u vështirësua, megjithëse qëndrimi antikomunist i anglo – amerikanëve e satelitëve të tyre ndaj qeverisë tonë dhe pushtetit popullor e favorizuan grumbullimin e elementëve kundërshtarë renegatëve, të pakënaqur, keqbërës, klerit antikomunist, të intelektualëve të pasqaruar, të gënjyerve etj. Nën mbrojtjen e nxitjen e reaksionit ndërkombëtar ata u përpoqën të mëkëmbeshin, të fuqizoheshin, të riorganizoheshin dhe të hidheshin në veprime për të rrëzuar pushtetin popullor dhe për të përgatitur një luftë të tretë botërore më të përgjakshme, por ata dështuan përsëri.
– Është vënë shpesh në dyshim lufta dhe përpjekjet e Sigurimit të Shtetit në përballimin dhe mposhtjen e kësaj veprimtarie diversioniste kundër Shqipërisë. Tani që kanë ndërruar kohët ç’mund të thoni për këto dyshime?
– Nuk ka dyshime, ka sulme të përbindshme dhe akuza të paqena kundër Sigurimit të Shtetit. Ajo ka qenë një luftë heroike që ne e përballuam më sukses të plotë. Në terrenin konkret lufta jonë udhëhiqej nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, të cilët kishin marr miratimin e Enver Hoxhës në aspektin politik të problemit. Në terrenin konkret vepronin Mehmeti dhe Kadriu…
(Vijon)
Komentet