Robert Hand, këshilltar politik i Komisionit të Helsinkit thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ngusin Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë një marrëveshje brenda vitit, sepse ato kanë çështje të vështira për të zgjidhur. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Hand tha se ai vetë nuk është dakord me idenë e ndryshimit të kufijve por shtoi se ajo nuk është hequr nga tryeza. Njohësi i hershëm i çështjeve të Ballkanit i tha koleges Keida Kostreci se tarifa 100 për qind ndaj Serbisë është gabim taktik, por se megjithatë në këndvështrimin afatgjatë, Shtetet e Bashkuara do të jenë mike dhe aleate të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Hand, Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rifillojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve. Administrata amerikane thotë se koha është tani për një marrëveshje, por disa analistë thonë se nuk ka pse të ketë nxitim. Pse është pikërisht tani momenti?
Robert Hand: Mendoj se tani është koha për t’iu rikthyer negociatave dhe dialogut. Dhe më pëlqejnë disa nga deklaratat që kanë ardhur kohët e fundit nga administrata, që bëjnë thirrje për heqjen e tarifave që ka vendosur Kosova, si edhe që i bëjnë thirrje Serbisë që të ndalë përpjekjet agresive për të kthyer mbrapsht disa nga njohjet e Kosovës, pra që të ndalin këto veprime negative dhe të fillojnë të ndërmarrin disa veprime pozitive.
Për sa i takon ngutjes, mendoj se kryesisht është përqendruar tek arritja e një marrëveshjeje deri në fund të vitit dhe nuk është se më befason shumë një gjë e tillë. Kam parë diplomatë dhe politikanë përmes dekadave me radhë që kam që punoj me Ballkanin, që e kanë fokusin shumë afatshkurtër, për atë kohë që janë ata përgjegjës dhe që të marrin meritën, duke u përpjekur të sigurojnë një marrëveshje me shumë shpejtësi. Dhe bëhet me mjaft nxitim. Dhe pastaj pas ndonjë viti, fillon të shohësh pasojat e këtij nxitimi në terren sepse gjërat janë bërë në mënyrë shumë të rrëmbyer. Prandaj unë vetë nuk jam kundër të rënit dakord për të filluar bisedimet, për të filluar dialogun për të parë se çfarë është e mundur, por nuk mendoj se domosdoshmërisht duhet të ketë një nxitim për të rënë dakord, por ndoshta duhet të ketë kohë për të shprehur mosmarrëveshjet, për të filluar dhe konsoliduar një dialog, dhe të vazhdojnë nga ajo pikë, në vend që të shpresojnë për një marrëveshje deri në fund të vitit.
Zëri i Amerikës: Pra a po sugjeroni ju që Shtetet e Bashkuara të përshtasin pozicionin apo pritshmërinë e tyre për afatin e fundit të vitit?
Robert Hand: Mendoj se duhet të inkurajojë fillimin e një dialogu sa më shpejt. Nuk duhet të thotë që dialogu duhet të përfundojë me një marrëveshje në fund të vitit dhe të përpiqet të këmbëngulë arritjen e një marrëveshjeje kur Serbia dhe Kosova kanë disa çështje shumë të vështira për të diskutuar, që mund të duan kohë për t’u zgjidhur. Dhe është më mirë që të lejohet që të kenë kohë të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të arrijnë një marrëveshje të mirë dhe të konsoliduar, sesa të ngutesh për të arritur diçka, thjesht për hir të pasjes së një marrëveshjeje, thjesht që disa të pretendojnë fitore.
Zëri i Amerikës: Që ta vëmë në kontekstin e Shteteve të Bashkuara, këtu do të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm. A mendoni se shtysa për arritjen e një marrëveshjeje ka të bëjë edhe me faktin se nëse nuk arrihet deri në fund të vitit, me afrimin e zgjedhjeve, fillimin e fushatës intensive, kjo çështje mund të mbetet jashtë vëmendjes dhe mund të zvarritet?
Robert Hand: Nuk mund të them nëse është kaq e drejtpërdrejtë, por siç e thashë, me politikanët dhe diplomatët, për shkak të ndryshimit të posteve të tyre, të zgjedhjeve që po afrohen, ata natyrshëm kanë prirjen të mendojnë me afate të shkurtra. Megjithëse ka kundërshtime ndaj disa propozimeve që janë bërë përsa i takon dialogut në Evropë – sepse kemi edhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian këtë vit (maj) dhe gjendja në Evropë është shumë fluide – dhe kjo mund të nxisë disa njerëz në Bruksel që të nxitojnë. Pra mund të jetë nga këtu, ose nga Brukseli, por thjesht natyra e politikës, u jep udhëheqësve politikë një kornizë kohore më të shkurtër dha ata nxisin për arritjen e marrëveshjes ndërsa këndvështrimi im si dikush që e ka ndjekur Ballkanin për dekada, unë i kam parë pasojat e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje të nxituar. Mendoj se më mirë t’i sjellim njerëzit në tryezë, të fillojnë të flasin dhe pastaj të shohim se ç’ndodh, sesa të nxisim për një marrëveshje në fund të vitit.
Zëri i Amerikës: Që nga vera e kaluar, filluan të hidhen ide për korrigjim kufiri, shkëmbim apo ndryshim territori, si një mënyrë për të arritur një kompromis. Shtetet e Bashkuara i kanë nxitur palët të jenë elastike dhe ka lënë të kuptohet se do të mbështesë çdo zgjidhje për të cilën bien dakord Prishtina dhe Beogradi. Cili është mendimi juaj për mundësinë e një kompromisi bazuar në secilin prej këtyre skenarëve?
Robert Hand: Jam mjaft i shqetësuar për këtë lloj propozimi. Nuk jam një prej atyre që automatikisht e hedhin poshtë këtë ide të ndryshimit apo shkëmbimit të territorit, ose çfarëdo që ta quash. Mendoj se duhet të kujtojmë që në fillim të viteve 2000, para se Kosova të njihej, sapo ishte përmbysur Millosheviçi, ekzistonte mundësia për një marrëveshje të tillë (me ndryshim kufiri). Unë jam më shumë një person që mendon se kohët kanë ndryshuar. Në atë kohë, Serbia ishte në gjendje të pengonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Në 2008-ën u shpall pavarësia. Kosova është njohur nga një numër i madh vendesh. Kohërat kanë ndryshuar dhe kjo e ndryshon natyrën e asaj që mund të ndodhë mes Beogradit dhe Prishtinës, se çfarë mund të negociohet. Disa nga shqetësimet e mia konkrete, kanë gjithashtu të bëjnë me faktin që kohërat kanë ndryshuar. Ne tani kemi një situatë shumë më të rrezikshme në Evropë, me një Rusi shumë më agresive, që ushqen jostabilitet në Ballkan, si edhe kemi pasur intensifikim të retorikës nacionaliste, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë dhe sado që të themi që do të ishte një marrëveshje ku të dyja palët të binin dakord, se në një farë mënyrë kjo është një situatë unike, të jeni të sigurt që demagogë të tjerë nacionalistë në Ballkan dhe gjetiu në Evropë, në Rusi, përsa u takon Kaukazeve, Ukrainës, territorit që është marrë atje, ata do ta përdorin këtë si precedent, do të thonë që është precedent dhe do të përpiqen kështu të plotësojnë synimet e tyre dhe për këtë arsye është kaq e rrezikshme. Ka edhe arsye të tjera që nuk më pëlqen kjo ide. Po bëhet nga disa politikanë mesa duket pas dyersh të mbyllura. Nuk më duket se çfarëdo për të cilën mund të bihet dakord në tryezën e negociatave do të marrë mbështetje popullore, as në Serbi as në Kosovë. Unë do doja që këto marrëveshje të kishin mbështetje popullore. Mundet gjithashtu të rrisin tensionet në zonë, sepse serbët në Jug të lumit Ibër, apo ata që jetojnë në Luginën e Preshevës, shqiptarë që mund të jetojnë në zona të tjera të Serbisë apo që kanë prona në jug të Ibrit, i bën të gjithë nervozë lidhur me atë që mund të ndodhë. Pra është një çështje shumë delikate. Një tjetër shqetësim është se është pothuajse si të pranosh se në shekullin e 21-të, nuk mund të realizojmë transformimin e shteteve në Evropë, përveçse në baza përkatësie kombëtare, nuk mund të kemi një shtet shumëkulturor dhe shumetnik, sikur dorëzohemi në këtë drejtim nëse duam të ndajmë kufij për të akomoduar këto shqetësime. Dhe ky është një parim që unë mendoj se duhet të luftojmë ta kemi në Evropë, që kufijtë nuk kanë edhe aq rëndësi dhe pavarësisht nga përkatësia etnike, je qytetar i një vendi dhe ke një rol të barabartë për të luajtur ashtu si gjithkush tjetër. Dhe arsyeja e fundit se pse jam i shqetësuar është se sigurisht nëse bien dakord të dyja palët është në rregull, por ashtu siç është situata tani, mua më duket se presioni më i madh është mbi Kosovën që në një farë mënyrë ta mundësojë këtë. Do të ishte mirë të dëgjoja një zyrtar amerikan, që të thotë se po e pranojmë një marrëveshje reciproke, por nëse njëra nga palët, Prishtina por edhe Beogradi thotë “jo” ne do ta respektojmë dhe e mbështesim plotësisht. Por në fakt unë mendoj se ajo që ka ndodhur, është një presion i vazhdueshëm që të bindet veçanërisht Kosova të pranojë një kompromis, të pranojë një lloj ndryshimi kufiri, apo shkëmbim territori ose diçka të ngjashme. Pra unë e shoh këtë si një situatë disi asimetrike për momentin dhe kjo më shqetëson.
Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se do të ishte një alternativë tjetër për zgjedhje që të ishte e pranueshme dhe të mos përfshijë ndryshimin e kufirit?
Robert Hand: Si çështje praktike, të dalim me një zgjidhje si kusht për të dyja palët që të hyjnë në BE. Gjëja e parë që do të rekomandoja është që Bashkimi Evropian të ndërmarrë një angazhim më të fortë ndaj Ballkanit Perëndimor për sa i takon integrimit në BE dhe këtu zgjedhjet e Parlamentit Evropian do të jenë të rëndësishme. Por më e rëndësishmja është që Serbia ta dijë se nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën dhe në një moment të caktuar të sigurohet që Beogradi ta kuptojë që nuk mund të luajë me dy porta, nuk mund të bëjë lojëra gjithë kohës: atë që e ka humbur, e ka humbur. Nuk mund të kthehemi mbrapsht në histori dhe është për të ardhur keq për Serbinë që ju desh të përjetonte vitet e Millosheviçit, apo gabimet që mund të ketë bërë Koshtunica dhe të tjerë, por ne nuk mund thjesht t’i falim dhe të kthehemi mbrapsht në kohë dhe të rinegociojmë gjërat. Ne jemi këtu ku jemi tani dhe Serbia duhet ta pranojë situatën. Edhe Kosova duhet të bëjë disa gjëra në mënyrë të njëanshme, pa negociuar me Serbinë: të bëjë më shumë për t’i bërë serbët që jetojnë në Kosovë, të ndjehen si qytetarë të vendit, të barabartë me ata që kanë përkatësinë etnike shqiptare, t’u japin një të ardhme në vend, sepse do të ishte mirë për Kosovën, jo sepse është pjesë e negociatave për njohje nga Serbia. Pra ka gjëra që të dyja palët mund të nxiten të bëjnë, pa qenë nevoja të bien dakord me njëra-tjetrën.
Zëri i Amerikës: Ideja që ka qarkulluar për korrigjim, apo ndryshim të kufijve, apo shkëmbim territori, nxori në pah edhe ndarjen për këtë çështje mes Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të BE-së, me saktë Gjermanisë. Çfarë do të thotë kjo për procesin?
Robert Hand: Mendoj se do të thotë që duhet të peshojmë se sa vlerë ka të vazhdojmë me këtë ide. Mendoj se shqetësimet që kam dëgjuar nga Gjermania për ndryshimin e kufijve, për rreziqet dhe precedentët, janë legjitime. Dhe siç e thashë më parë edhe unë i kam ato shqetësime. Në këtë këndvështrim është ide e keqe. Prandaj shpresoj që ata këtu në Uashington që e mbështesin këtë ide – dhe mendoj pozicioni zyrtar i Shteteve të Bashkuara është që janë të hapur ndaj idesë, jo se shprehimisht e mbështesin atë – por ata që mendojnë se kjo është ide e mirë. duhet të analizojnë implikimet, domethënë se si do të përdoret si precedent në raste të tjera, nëse ka mbështetje popullore në Kosovë dhe Serbi dhe cilat mund të jenë pasojat e mundshme nëse e bëjnë një gjë të tillë.
Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje tjetër për idenë e ndryshimit të kufijve. A mendoni se po zbehet, apo mendoni se është ende mbi tryezë?
Robert Hand: Ka pasur shumë kundërshtime serioze ndaj saj, para së gjithash nga shumë organizata joqeveritare në Kosovë dhe Serbi, madje ndonjëherë duke bashkëpunuar në qëndrimin e tyre se kjo nuk është zgjidhje dhe unë e shoh këtë si një zhvillim pozitiv. Më pëlqen kur shoh shoqërinë civile dhe opinionin publik të luajë një rol në mënyrën se si bëhen këto gjëra. Ka pasur njerëz që janë shprehur shumë më negativisht se unë. Siç e thashë, unë jam kundër idesë, por këtu ka pasur nga ata që e hodhën poshtë krejtësisht që nga fillimi dhe argumentet e tyre janë shumë të mira. Jo vetëm që është diçka që mund të mos arrihet, por edhe në përpjekje për ta arritur, mund të shtosh tensionet në rajon dhe ta bësh më pak të qëndrueshëm. Dhe çfarëdo që të arrish në këtë drejtim, mund të krijosh precedentë të rrezikshëm apo të lejosh që të bëhen pretendime nga të tjerë në Ballkan, apo gjetiu në Evropë, apo përreth globit ku mund të duan të bëjnë ndryshime të ngjashme kufiri, ku nuk është rënë dakord. Prandaj, të paktën për mua, ato argumente janë shumë bindëse dhe mendoj që i kanë bërë ata që mund të kenë menduar që kjo mund të ishte një zgjidhje e mire dhe e shpejtë, të mendohen edhe një herë. A po zbehet? Nuk jam i sigurt, edhe mundet. A është zhdukur? Jo, është ende aty. Kam përshtypjen që kjo është diçka ku Beogradi mendon se mund të luajë dhe nga e cila mund të përfitojë diçka, pavarësisht nëse do të ketë marrëveshje. Dhe kështu jam i sigurt që çështja e ndryshimit të kufirit, apo e shkëmbimit të territoreve, ose çfarëdo që të quhet, është diçka që do të vazhdojë të shfaqet por përsëris që ka mundësi të ketë më pak mbështetje nga ç’kishte para gjashtë muajsh.
Zëri i Amerikës: Pasi qeveria e Kosovës vendosi tarifën 100 për qind ndaj importeve serbe, Beogradi ka refuzuar të rifillojë bisedimet, por ndoshta çka është më shqetësuese për Kosovën është ndikimi tek marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara që kanë këmbëngulur që ajo të hiqet. Sa dëm ka shkaktuar një gjë e tillë për këtë marrëdhënie dhe a do të jetë afatgjatë?
Robert Hand: Nuk besoj se do të jetë afatgjatë. Ashtu si edhe me shumë gjëra që kanë ndodhur në vitet e fundit, po ndeshemi me pengesa dhe e shoh në OSBE për shembull dhe unë isha së fundmi në Vjenë ku patën bisedime me aleatë, në pikëpamjen afatshkurtër mund të kemi mosmarrëveshje, por në vështrimin afatgjatë, mendoj se marrëdhënia jonë me Kosovën, ashtu si edhe me shumë miq dhe aleatë të tjerë, është e fortë, dhe është e pranishme, dhe pikëpamja e Kongresit është që duhet të vazhdojë të jetë e tillë. Kështu që mendoj se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten një mik dhe partner i fortë i Kosovës dhe fakti që mund të mos jemi në një mendje për një vendim që merr qeveria në Prishtinë, kjo nuk do të thotë që nuk jemi më një mik apo partner. Do ta zgjidhim, thjesht nuk jemi dakord në këtë pikë. Në fakt unë mendoj se ishte një gabim taktik vendosja e këtyre tarifave.
Zëri i Amerikës: Nuk është vetëm çështja që qeveria i vendosi këto tarifa, por kryeministri i vendosi si kundërpeshë ndaj Serbisë dhe kjo ka shkaktuar probleme mes tij dhe presidentit Thaçi. Sa e vështirë mendoni se është bërë situata me këtë ngurtësi?
Robert Hand: Fakti që ka këndvështrime të ndryshme në Kosovë, nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe. Unë sapo thashë që ka pikëpamje të kundërta këtu në Uashington për disa nga këto gjëra që po flasim. Kështu funksionon demokracia. Mund ta kuptoj se çfarë po përpiqej të realizonte kryeministri kur i vendosi këto tarifa, nëse mund të ketë qenë duke u përpjekur të vendoste një kundërpeshë ndaj Serbisë, sepse Serbia ka bërë përpjekje aktive që vende dhe organizata ta tërheqin njohjen për Kosovën e të tjera të ngjashme, por mendoj se është një gabim taktik dhe gjëja më e mirë që mund të bëhet, është që (kryeministri) ta pranojë këtë fakt dhe të gjejë një mënyrë për të dalë nga ky qëndrim. Mendoj se Kosova në këtë moment vetëm do të përfitonte po t’i hiqte këto tarifa, të eliminonte mosmarrëveshjen me Uashingtonin për këtë çështje dhe pastaj të përpiqet që trysnia të ushtrohet ndaj Serbisë që edhe ajo të fillojë të ndërmarrë disa hapa pozitivë, pra t’i kërkohet Serbisë të ndalë përpjekjet për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Fakti është që Kosova është shtet, është njohur prandaj le të gjejmë mënyrë të bëjmë përparim sesa të bëjmë hapa prapa.
Komentet