GRETA GARBO OSE SIPAS FELINIT THEMELUESJA E URDHËRIT RELIGJIOZ QË QUHET KINEMA
Hyjnoren Greta Garbo e kemi imagjinuar të ftohtë dhe misterioze, por stërmbesa e saj na zbulon një Greta Garbo të panjohur deri tani.
Filmi i fundit i Greta Garbos u shfaq më 1941, që titullohej Two-Faced Woman – Gruaja me dy fytyra. Ishte aq i pasuksesshëm sa shënoi edhe fundin e karierës së saj. Ideja që ajo të shfaqej me një « look të ri», si e donte regjisori George Cukor, duke e bërë që të trukohej në mënyrë krejt të ndryshme nga përpara. Për publikun e saj, Greta Garbo nuk do të duhej të ndryshonte: Nuk ishte kjo që duhej t’i kërkohej një ikone të kinematografisë, duke e bërë aktoren e bukur suedeze të zhdukej një herë e përgjimonë nga ekrani. Prej këtij momenti filloi periudha e Mungesës së Madhe. Dhe si ndodh rëndom me legjenda të tilla, realiteti i saj u kthye në një jetë tejet të rezervuar që shkonte deri në obsesion. Për ta njohur Garbon në jetën e saj të përditëshme, çka nuk arritëm kurrë ta mësonim kur qe gjallë, na tregon një ekspozitë në Triennale të Milanos, që mban emrin Greta Garbo, Misteri i Stilit, me veshjet dhe garderobën e saj. Veç këtyre ekspozohen edhe disa kostume të rralla me të cilët ajo ka interpretuar në filma të ndryshëm. Në këtë ekspozitë shfaqen për të parën herë veshjet e saj private, të cilat janë dëshmitare të mënyrës bashkëkohëse dhe moderne të personazhit të shquar, që e bëni atë të qendronte në avantguardë, ashtu si tregon edhe stërmbesa e saj, Gray Horan në intervistëm e mëposhtëme, dhënë ekskluzivisht për Revistën italiane Io donna, të cilën ne po ia sjellim lexuesit të Voal-it.
Kur arrite ta kuptosh si stërmbesë se hallë Kata, si e thërrisnin në familje, ishte në realitet Greta Garbo?
«Nuk dija asgjë për të shkuarën e saj deri sa mbusha dhjetë vjeç, kur m’u desh të shtrohesha një javë në spital për një operacion dhe më duhej që t’i mbaja sytë të fashuar. Garbo më kishte sjellë disa disqe, midis të cilëve kolona zanore e filmit Peter Pan dhe një album me këngë të Maurice Chevalier. Përmes këngëve rashë në dashuri me të, dhe kur ai ardhi në New York për një koncert, ajo bëri që të takoheshim me Chevalier në backstage, prapaskenë. Ndërsa fliste me prindërit e mij, ai vazhdoi të përsëriste shpesh emrin Greta Garbo. Me t’u kthyer në shtëpi fillova të konsultohesha me enciklopedinë dhe duke e parë fotografinë e kuptova se kush ishte gruaja për të cilën ata flisnin. Më kujtohet se mbeta thellësisht e impresionuar, por jo e habitur ».
Kur keni filluar të shihnit filmat e saj dhe cili prej tyre iu ka pëlqyer më shumë?
«Kur filmat e saj shfaqeshin në televizor unë ngulesha për të ndjekur deri netëve vonë. Por më të preferuarit e mi janë Margarita Gotie dhe Ninoçka. Tek Gotje ajo është sublime dhe veshjet janë aq romantike, ndërsa tek Ninoçka është shumë e gjallë dhe gazmore. Do të thosha se ky personazh është më afër se askush me Garbon në jetën e saj reale ».
Gjithmonë për të është thënë se ka pasur një karakter tepër të ftohtë. Në fakt ajo ka qenë shumë e dhënë pas familjes së saj, në çfarë rastesh takoheshit me të?
«Kujtoj se halla vinte në shtëpinë tonë jashtë New York-ut disa herë në vit dhe ne shkonin e i bënim vizita në apartamentin e saj ku jetonte. Për Krishtlindje përgatisnim një tip bufeje suedeze me të gjitha gatimet që preferonte ajo duke përdorur për mbulesë tavoline dhe piceta buke, që nëna e Garbos, që ishte stërgjyshja ime i kishte qendisur me duart e saj. Pas vdekjes së gjyshit tim Sven, që ishte vëllai i Garbos, nëna ime, vëllezërit e mi dhe unë mbetëm të vetmit njerëzit e saj. Ajo e admironte tim atë që ishte mjek, dhe ishte e vetmja që e thërriste «njeriu në të bardha». Duke mos pasur fëmijë, ajo e kishte nënën time si bijë, dhe ishte shumë krenare për të, sepse nëna ime ishte nga të paktat femra të asaj kohe që kishte mbaruar fakultetin për jurisprudencë në Universitetin e Yale, ku asaj kohe pranonin shumë pak vajza ».
A e kishe ndonjëherë sensacionin se halla jote Kata ishte një mit?
«Greta Garbo ishte unike dhe këtë e kam pasur gjithnjë të qartë. Ishte e bukur dhe elegante. Kuptohej nga mënyra si sillej dhe si silleshin të tjerët ndaj saj që ishte tepër e rëndësishme. Ajo të frymëzonte respekt dhe vëmendje ».
Greta Garbo gjithnjë të krijonte përshtypjen e misterit. Këtë përshtypje e krijonte edhe në familje ?
«Jeta e saj private ishte e një artisteje. Qëndrimi i saj ndaj jetës vinte nga shpirti i saj i ndjeshëm. Nuk pranonte kompromise, ishte autentike, dhe për gjithçka kishte mënyrën e saj unike. Nuk mund të influencohej lehtësisht prej të tjerëve, por ishte edhe gazmore dhe moderene, Praktikoi yoga-n gjatë gjithë jetës dhe kanë mbetur legjendare ecjet e saj të gjata. Ajo preferonte vetëm ushqimet natyrale dhe të shëndetshme, siç bëhet sot në botën e yjeve, por mendoni se ajo këtë gjë e ka bërë e para e të parave. »
E si ishte e organizuar në shtëpi garderoba e Garbos, e cila tani është ekpozuar?
«Kishte transformuar një dhomë gjumi të apartamentit të saj në New York në garderobë, me dollapë rrobash e këpucësh që arrinin deri në tavan, ajo aty mbante veshjet dhe koleksionet e këpucëve. Kujdesej për veshjet duke i mbuluar me letër të hollë speciale për t’i mirëmbajtur sa më mirë. Sot garderoba e saj ruhet në dhoma të posaçme me temperaturë të kontrolluar dhe gijthçka është kataloguar. »
Bizhuterinë e mbante rrallë dhe kjo duket qartë në fotografitë e saj.
«Greta Garbo i vlerësonte gjërat e bukura, përfshi këtu edhe bizhuteritë. Ajo kishte bizhuteri të mrekullueshme të markave të famshme Cartier e Van Cleef & Arpels dhuruar nga admiruesit dhe ata që i vinin rrotull, por ajo blente bizhuteri të çmuara edhe vetë. »
A kishte ndonjë objekt që e mbante si fatsjellës ?
«Mbante gjithnjë një unazë të trashë floriri me një vulë, e cila i ishte dhuruar dhe që kishte formën e një përkrenareje fisnike suedeze. Mbante edhe shumë byzylykë ari në varg të dizajnuar nga Verdura. Janë bylyzykë klasikë që i prodhojnë edhe sot e kësaj dite. Një herë më dha një këshillë për bizhuteritë. Më tha: “Nuk duhet që ato të hyjnë në garë me fytyrën tënde”. Në rastin e saj, nuk kishte asnjë gur i çmuar që të mund të qe në lartësinë e saj. »
GRETA GARBO – HYJNESHA
Greta Garbo, emri i artit i Greta Lovisa Gustafson lindi në Stokholm më 18 shtator 1905 dhe vdiq në New York më 15 prill 1990. Ajo është aktore me origjinë suedeze nga më të famshmet e të gjitha kohëve, duke magjepsur gjenerata të tëra fansash të kinemasë, me bukurinë e saj misterioze. Për bukurinë dhe artin e saj si aktore u mbiquajt Hyjnorja.
Qëndron në Suedi deri në vitin 1926, kohë kur viziton Mekën e Kinemasë, Hollywood-in., ku fillon edhe jeta e aktores Greta Garbo. Prej 1927 deri më 1937 interpeton rreth njëzet filma me role joshëse. Tek Anna Christie (1930), Garbo do të flasë për herë të parë në filmin me zë. Në botën e kinemasë Greta Garbo ishte e rrethuar prej legjendave. Në Hollywood merrej nëpër gojë për historitë e saj të dashurisë, duke filluar prej aktorit John Gilbert e me rardhë. Aktorja suedeze, e dashuruar me aktorin, e braktis atë, posa ky i kërkoi të martohej.
Ajo kërkonte të mbetej gjithnjë autonome dhe e pavarur.
Për ekranin e madh Grate Garbo ka xhiruar shumë filma, duke u shndërruar në një mit të kinemasë, si Ana Karenina, Ninoçka, Margarita Gotie, Mata Hari etj. etj. Ajo ka interpretuar spiunen, mbretëreshën që bënte lojë të dyfishtë, vrasësen, aristokraten, gruan e pabesë, gruan joshëse të parezistueshme, kurtizanen dhe prostitutën. Tek Ninoçka, komedia e vetme që ajo ka interpretuar, hyjnesha e ekranit të madh dëshmon cilësi të mëdhaja interpretimi, ku përherë gjatë roleve të saj mbetet Greta Garbo. Për këtë, filmi u reklamua me sloganin “Garbo laughs”, pra “Greta Garbo qesh”).
Më 1941 largohet nga skena. Më 1950 revista Variety e kandidon si aktoren më të mirë të gjysmëshekullit të parë. Çmimin Oskar te karrierës e mori më 1954. Si aktorja më e mirë është kandiduar edhe katër herë të tjera për Oskar.
Më 1953 ajo bleu një apartament tepër lluksoz me shtatë dhoma në New York City më 450 East 52nd Street, ku jetoi deri në fund të jetës. Nëpër muret e apartamentit vareshin kuadro të Renoir, që ishte njëri nga piktorët e saj më të preferuar.
Vdiq në Medical Center në Manhattan në ditën e Pashkës më 1990. Ajo ishte pjesë e Star system, mit, hyjneshë, duke e mbyllur jetën larg çdo publiciti. Federico Fellini e kishte përcaktuar si themeluesen e një urdhëri religjoz që quhet kinema.
Vdiq në moshën 84 vjeçare, si rezultat i një pneumonie dhe mosfunksionimit të veshkave. Përpara ajo kishte arritur që ta kuronte me sukses kancerin e gjirit. Pas vdekjes trupi i saj u kremua dhe pas një beteje të gjatë ligjore hiri i saj u çua në Varrezet Skogskyrkogården Cemetery në Stokholmin ku kishte lindur. Ajo la për trashëgim krejt pasurinë e patundëshme të vlerësuar prej $20,000,000 USD stërmbesës të saj Gray Reisfield nga New Jersey, pikërisht asaj që ka dhënë intervistën e mësipërme. Ajo i jetoi vitet e pas braktisjes së kinemasë totalisht e izoluar dhe larg projektorëve, por pa e braktisur asnjë çast jetën e saj private. Ndërkohë duke qenë një grua tepër e zgjuar, kishte investuar në pronësitë tregtare përgjatë Rodeo Drive në Beverly Hills. Ajo njihej si kursimtare në ekstremitet dhe ishte tepër e pasur.
Për kontributin e saj që ka dhënë për kinemanë, ajo e ka yllin e saj në Bulevardin e Famës në Hollywood Walk of Fame tek 6901 Hollywood Boulevard./Elida BUÇPAPAJ
Komentet