Shfaqja “Duke menduar Medean” u mirëprit me premierën e saj në Zvicër. E shfaqur në teatrin zviceran, kjo vepër me regji dhe koreografi nga Gjergj Prevazi ishte në vëmendjen e kritikës jo vetëm si një bashkëpunim i suksesshëm shqiptaro-zviceran, por dhe mbi vlerat që përcolli. Me një aktivitet të gjatë në jetën artistike brenda dhe jashtë vendit, koreografi Prevazi tashmë është i vlerësuar në produksione të ndryshme artistike dhe kjo jo vetëm në fushën e dancit. Por ndërsa në vende të ndryshme ka një tjetër vëmendje për jetën artistike, kur flitet për Shqipërinë Prevazi pohon se institucionet shqiptare, arti ynë në radhë të parë duhet të azhurnohet në përgjithësi me artin evropian, pasi sipas tij kjo gjë ka munguar deri tani. Në intervistën dhënë për gazetën, koreografi Prevazi pohon se në vlerësimet e produksioneve të ndryshme në art duhet të përfshihen në kriteret e vlerësimit edhe pjesëmarrjet ndërkombëtare. Por kur flitet për mundësitë ekonomike, sipas Prevazit dihet që problemet janë prej 25 vitesh, dhe tashmë duhet që në vëmendje të jetë që buxheti i akorduar për jetën artistike të ndahet në mënyrë të barabartë mes institucioneve të artit publike dhe skenës së pavarur kulturore.
“Duke menduar Medean” ishte në skenat e teatrit në Zvicër këtë vit. Më 13 janar ishte premiera, një shfaqje që u vlerësua, çfarë mund të na thoni si regjisor dhe koreograf?
Shfaqja “Duke menduar Medean” është një produksion i teatrit Kazerne të Bazelit, i bashkisë së Bazelit dhe të disa fondacioneve zvicerane, të cilat e kanë mbështetur shfaqjen financiarisht, përfshirë dhe “Proenvecia”, që është fondacioni zviceran për kulturën. Shfaqja u prezantua si premierë në Kazern me datën 13 janar, dhe është shfaqur 5 net rresht, ku biletat kanë qenë të shitura të gjitha. Në gjykimin tim pati një pritje mjaft pozitive, për më tepër mediat. Ka disa shkrime kritike nga mediat në Zvicër, që janë shprehur me nota pozitive. Kujtojmë që media dhe kritika në Zvicër është shumë aktive, kritika teatrore aktive. Nuk ka shfaqje, që nuk i bëhet një skaner nga profesionistë apo kritikë arti. Në këtë rast për shfaqjen ka pasur disa shkrime kritike, po ju citoj: “mbrëmë është shfaqur një danc jashtëzakonisht interesant, ku sidomos në momentin kur Jasoni demonstron burrërinë e tij. Një përzierje e stilit të kërcimit të tij, ku dallohen elementë të folkut shqiptar me break dance. Ai demonstron figurën e pushtetshme nëpërmjet pozave, të cilën koreografia por dhe kërcimtari Labinot Rexhepi i ofruan shumë mbrëmjes. Do të ishte interesante të shihni në shfaqje edhe momente të tjera, të kësaj natyre”. Një gazetë tjetër thotë: “mbrëmja shfaqi një rrugë të re të leximit të mitit të Medeas, në bashkëpunim ndërmjet dy realiteteve teatrore, shqiptar dhe zviceran. Shfaqja dhe diferencat e teatrit tradicional evropian vijnë në një kuptim dhe perceptim të ri teatror, të fuqishme, impresionuese dhe të lexueshme. Shfaqja integron natyrshëm muzikën live dhe instrumentistët nuk janë vetëm instrumentistë, por janë dhe aktorë, që e bëjnë Euripidin të tingëllojë natyral”. Pra këto janë disa nga shkrimet të gazetave dhe blogjeve zvicerane mbi shfaqjen, që siç e shihni është pritur mjaft mirë.
Pas skenës së Zvicrës, ku do të vijojë më tej shfaqja, e cila vitin që kaloi u shfaq dhe në Shqipëri?
Shfaqja besoj pranverën e ardhshme do të ketë dhe një turne rajonal, Ballkanik, ku përveç Prishtinës, Shkupit, do të prezantohet dhe në Mal të Zi, Serbi, dhe jemi në bisedime dhe për në Bosnje dhe Kroaci.
Që në fillim të kësaj bisede përmendët kritikën në art, që në Shqipëri duket se nuk ka në art?
Ky është një fakt i njohur. Tek në kritika është e zbehtë në kuptimin, që nuk ka qenë në gjendje këto vite që të bëjë vërtetë një prezantim te publiku, të një realiteti teatror në potencialet e tij, në mundësitë e tij, por dhe në azhornimin e tij bashkëkohor në raport me teatrin evropian. Kritika tek ne ose i ka sheqerosur shfaqjet me shkrimet e saj, ose në raste të tjera sidomos për arsye kundërvënie e ka nxirë gjithçka. Pra rrallë sheh shkrime kritike në media, të cilat ti e kupton që autori i shkrimit është i barazlarguar nga vlerat e një shfaqje dhe nga defektet, apo problematikat që vijnë nga mosrealizimet e elementëve të shfaqjes. Kështu që në këtë kuptim, tek ne le të themi që nuk kemi kritikë.
Jeni shumë i vlerësuar në projekte të ndryshme që janë në skena edhe falë bashkëpunimeve me të huajt. Veprat që ju jeni angazhuar kanë marrë vlerësime në skena të ndryshme. Por si i shikoni institucionet e huaja dhe ato shqiptare, një krahasim?
Nuk bëhet fjalë për Zvicrën, sepse është një shtet i pasur. Por ajo që unë do të doja ti sygjeroja institucioneve shqiptare në radhë të parë është azhurnimi apo abdetimi i teatrit apo dhe i artit tonë në përgjithësi me artin evropian. Siç duam të integrohemi në fusha të tjera, dhe e përsëris që në Shqipëri ndoshta akoma nuk e kuptojnë se sa e rëndësishme është që të prezantohet në Zvicër një shfaqje teatri nga Shqipëria, një shfaqje danci, një film i mirë. Këtu nuk ka sensibilitet për këtë gjë. Madje mendoj që Ministria e Kulturës duhet të përfshijë në kriteret e veta edhe pjesëmarrjet ndërkombëtare të produksioneve tona. Me sa di nuk është kriter. Pra për vlerësimin e një projekti unë besoj se ka një sistem pikëzimi, ose duhet të ketë një sistem të tillë, dhe jo vetëm ministria, por dhe bashkitë. Çdo ent mbështetës apo sponsorizues i artit, të paktën në vendet e rajonit ka kritere në të cilat vlerësohet shkalla e pjesëmarrjes ndërkombëtare. Mendoj se kjo është e rëndësishme në kushtet e një vendi, që ka qenë totalisht i izoluar, dhe në kushtet e një vendi që pamundësia ekonomike ka krijuar një riizolim të dytë, mendoj që në kriteret e projekteve artistike, që janë produksione artistike në fushën e teatrit, dancit, muzikës, etj, kriteri i pjesëmarrjes ndërkombëtare është i rëndësishëm. Pra nëse bëhet një shfaqje, që ka paraqitjen e saj në Shqipëri, por ka dhe prezantim ndërkombëtar, sigurisht që duhet të kenë prioritet që herës tjetër të jetë më i favorizuar se dikush që nuk e ka pasur këtë gjë. Ky duhet të jetë një kriter, sepse është një kriter i barazlarguar nga interesat e ngushta të njerëzve. Diku jashtë në festivale ndërkombëtare dhe këtu nuk kam parasysh në festivale shqiptare në Kosovë apo Maqedoni, flas për festivale ndërkombëtare që organizohen nga shtetas joshqiptar është e rëndësishme, që të kuptojmë dhe ne se kush nga punët tona vlerësohen dhe kush nuk vlerësohet. Dhe sigurisht që ky kriter është i rëndësishëm për të rivlerësuar dhe rimarrë në konsideratë autorë apo grupe artistësh, të cilët janë të suksesshëm në arenën ndërkombëtare.
Në këto vite, për ju çfarë nuk ka qenë në vëmendje për skenën e pavarur kulturore?
Problemet nuk i përkasin vetëm viteve të fundit. Këto janë probleme, që i përkasin një kohe 25 vjeçare në Shqipëri. Janë probleme që janë prej 25 vitesh në jetën artistike. Unë po ju jap një shembull. Në buxhetin e Ministrisë Kulturës franceze, 51 përqind e fondeve shkojnë për institucione publike siç janë teatrot, muzetë, etj, dhe 49 përqind shkojnë për iniciativën e lirë apo skenën indipendente kulturore, që do të thotë në një sistem në të cilin ne jetojmë konkurrenca ndërmjet institucioneve që janë publike, që përfaqësojnë traditën, trashëgiminë, etj, rri përballë kërkimeve apo iniciativave të pavarura, indipendente. Sigurisht ky sistem në të cilin ne jetojmë bazohet mbi konkurrencën e lirë dhe në këtë konkurrencë vlerat janë shumë më lehtë të evidentohen se sa kur mungon kjo konkurrencë. Pra ne kemi disa lloj aktivitetesh, ku nuk ka konkurrencë të lirë në Shqipëri. Në këtë kuptim do ishte mirë që kjo konkurrencë të ngrihet dhe këtë e ngrenë mekanizmat shtetërorë duke financuar me gjysmën e buxhetit që kanë institucionet publike në art dhe gjysmën tjetër për iniciativat e lira. Pra buxheti për jetën artistike nga MK të ndahet, gjysma të shkojë për institucionet publike dhe pjesa tjetër për skenën e pavarur kulturore.
Keni aplikuar këtë vit për Festivalin Ndërkombëtar të Dancit?
Kam aplikuar ashtu si dhe vitet e tjera. Pres të ndodhë më e mira, pres të na rriten financimet për festivalin.
Keni pasur jo pak probleme dhe vitet e tjera me buxhetin?
Gjërat shpeshherë duhen parë dhe në kontekstin e situatës ekonomike në të cilën ne jetojmë. Por gjithmonë ka vend për tu përmirësuar. Ka vend që të rishihen politikat e institucioneve, të rishikojnë vlerat dhe shumëllojshmëria e arteve, që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Unë gjithmonë e kam thënë, që festivali që unë drejtoj është i vetmi i këtij lloji në vend. I vetmi festival ndërkombëtar danci në Shqipëri, ku i ka rezistuar edhe furtunave të forta financiare. Kemi pasur vite, që nuk kemi marrë buxhet, si vitet 2011-2012. Një festival, që është bërë me përkrahjen e miqve. Duke qenë i vetëm, duhet të ketë dhe vëmendje më të madhe jo vetëm nga MK, por dhe nga institucionet e tjera në vend.
Si do të vijojë jeta juaj artistike, kur flasim për projektet e tjera?
Do të kemi një projekt në vijim të këtij viti me regjisorin Altin Basha dhe dramaturgun Stefan Çapaliku, ku jam koreograf në këtë shfaqje në teatër. Ky është projekti më i afërt, ndërsa në vjeshtë do të jetë dhe një premierë e kompanisë që unë drejtoj “Albania Dance Theater Company”.
Intervistoi: Julia Vrapi
Komentet