Në foto, Hans-Dietrich Genscher
më 7 dhjetor 1991, gjykatësi kushtetues francez, Badinter, i ngarkuar nga KE që të bënte një vlerësim të gjendjes në Jugosllavi raportoi: “Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë ndodhet në procesin e shpërbërjes”
Natën e 16 dhjetorit, duke gdhirë 17 dhjetori, ministrat e Jashtëm të 12 shteteve anëtare të BE, vendosën me këmbënguljen e Gjermanisë që të njohin prej 15 janarit 1992 Slloveninë dhe Kroacinë si shtete të pavarura. Por që në 23 dhjetor 1991, konsulli i përgjithshëm gjerman në Ljubljanë dhe konsulli i përgjithshëm gjerman në Zagreb u paraqitën presidentëve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, Kuçan dhe Tuxhman, shkresën e Presidentit Federal të Gjermanisë, Richard von Weizsäcker për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Për këto zhvillime dhe veçanërisht për rolin e Gjermanisë, FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG zhvilloi pak ditë më parë një bisedë me ish- Ministrin Federal Gjerman të Punëve të Jashtme, Hans – Dietrich Genscher. Shkëpusim disa pjesë nga kjo intervistë:
FAZ: Në dhjetor 1991, Komuniteti Evropian vendosi të njohë Slloveninë dhe Kroacinë. Në këtë kohë në Jugosllavi bëhej luftë dhe Vukovari qe shkatërruar. Pse ka mbetur veçanërisht në dokumentet angleze i fiksuar pohimi që “me njohjen e parakohshme” të Sllovenisë dhe Kroacisë Gjermania e shkatërroi Jugosllavinë, madje se është përgjegjëse për luftën?
Genscher: Këtu kemi të bëjmë natyrisht edhe me përpjekjet e disa të përfshirëve të tjerë në atë kohë, për të justifikuar më pas gabimet që bënë në atë kohë. Gjermania më parë qe angazhuar në mënyrë të vendosur për ruajtjen e njësisë së Jugosllavisë. Ajo ishte vendi, i cili kishte marrëdhëniet më të mira me Jugosllavinë. Ne ishim ata që u përkujdesëm që të lehtësohej afrimi i Jugosllavisë me Komunitetin Evropian. Kjo është arsyeja pse më ftoi ministri i Jashtëm jugosllav, Budimir Lonçar që të shkoj në qershor 1991 në Beograd, për të folur me grupet e ndryshme popullore. Atje unë takova për herë të parë edhe Sllobodan Milosheviqin. Për mua aty u bë krejtësisht e qartë, ky njeri kërkon Serbinë e Madhe.
FAZ: E tha ai këtë?
Genscher: Jo, por qe më se e qartë. Kjo ishte përshtypja që të linte ai. Në Komunitetin Evropian, u krijua atëherë me propozimin e Francës një Komision, nën kryesinë e presidentit të Gjykatës Kushtetuese Franceze, Robert Badinter, me detyrën për të krijuar rregulla për njohjen e shteteve në Evropë. Përsa i përket Jugosllavisë kjo ndodhi në pranverë 1991.
Ndërkohë në Evropë qenë shtuar zërat që kërkonin njohjen diplomatike të Sllovenisë dhe Kroacisë. Edhe Margaret Thatcher- ndërkohë në pension- u shpreh për njohjen e shteteve. Një mbështetje të fortë dhanë edhe Belgjika dhe Holanda. Kryetari i radhës të BE, ministri i Jashtëm i Hollandës, Hans van der Broek vendosi më në fund një afat. Ai tha: nëse problemi nuk zgjidhet brenda dy muajsh me mjete paqësore, Komuniteti Evropian do të avancojë në njohjen e shteteve. Afati kaloi në fillim të dhjetorit. Më 16 dhe 17 dhjetor ne patëm pastaj atë mbledhje, vendimi i së cilës ishte që ne i njohim si shtete të pavarura Slloveninë dhe Kroacinë prej 15 janarit 1992. Dhe Gjermania iu përmbajt kësaj.
FAZ: Po Gjermania e kishte bërë njohjen që në 23 dhjetor 1991.
Genscher: Ne nuk i njohëm këto shtete që më parë. Ne më parë morëm vetëm vendimin për t’i njohur. Kjo u bë edhe sepse Helmut Kohli si kancelar federal tha se qeveria federale do të vendosë për këtë që para Krishtlindjeve. Ishte i nevojshëm një vendim i kabinetit, njohja e shteteve nuk është diçka dytësore. Për një rol të posaçëm të Gjermanisë nuk mund të bëhet fjalë.
FAZ: Pse thuhet atëherë se Gjermania i vuri nën presion partnerët?
Genscher: Një lloj roli luan që Jugosllavia, për një pjesë të të majtëve gjermanë shërbente si shembull për “rrugën e tretë. Por vendimi për njohjen e Sllovenisë dhe Kroacisë ndoqi vetëm një zhvillim, i cili ishte i pakthyeshëm. (dw)
*Janar 2012
Komentet