*Frederic Miterrand, ish-ministër i Kulturës së Frances, ne rolin e gazetarit per nje film dokumentar per familjen mbreterore.
A.Furxhi: Me sa di nuk është hera e parë që ju vini në Shqipëri ? Si e njihni Shqipërinë, si e keni njohur në fakt Shqipërinë ?
Mitterrand: Kjo është vizita ime e dytë. Kam ardhur për herë të parë përpara 7 vitesh. Më pati ftuar në atë kohë një mikesha ime shumë e mirë që e ka emrin, Liria Begeja, për të kaluar 4 ditë në Tiranë dhe më duket se vendi ka bërë shumë progres, ka ecur shumë përpara. Përshtypja që kam, ndoshta ngaqë jemi edhe në pranverë dhe koha është e bukur, është se jeta është më e këndëshme, përshtypje që nuk e pata përpara 7 vitesh.
A.Furxhi: Nëse një francez ju pyet sot se çfarë vendi është Shqipëria, cila do të ishte përgjigjia juaj që tanimë e njihni Shqipërinë?
F.Mitterrand: Do të thoja së pari që është një përvojë shumë e ndryshme nga të tjerat. Shqipëria zë një vend të veçantë në botën imagjinare të francezëve. Për shumë kohë ka qenë një vend krejtësisht i ndaluar, gjë që nxiste si të thuash kureshtjen e njerëzve sepse kur i ndalon diçka njeriut ai ka dëshirë që ta njohi atë, por ishte e pamundur për ne ta njihnim. Përveç profesorëve të frëngjishtes, të cilët shkruajtën për Shqipërinë në vitet ’80-të një libër të mrekullueshëm, ne nuk dinim asgjë nga Shqipëria. Por kur kthehesh në Shqipëri 20 vjet pas ndryshimeve, gjen një vend normal, si të tjerët, natyrisht me kulturën e vet, me veçantitë e veta, me gjuhën e saj, me origjinalitetin që ka, është një përvojë shumë interesante.
A.Furxhi: Ish diktatori i Shqipërisë, Enver Hoxha, pati bërë disa studime në Francë në rininë e tij. Edhe njerëz të tjerë, diktatorë të tjerë nëpër botë, në një mënyrë a një tjetër kanë kaluar nga Franca, kanë bërë studime të larta dhe kanë marrë edukimin e tyre në Francë. Por njerëz si ne, që vijmë nga një periudhë e diktaturës mund të bëjmë sot pyetjen: Çfarë u bën Franca këtyre njerëzve, këtyre diktatorëve, çfarë edukate iu paska dhënë ?
F.Mitterrand: Për fat të mirë nuk kemi vetëm diktatorë që studiojnë nëpër universitetet franceze, po kemi shumë njerëz të ditur, mjekë, shkenctarë që kane marrë çmimin Nobel, etj., pra për të cilët kultura dhe gjuha franceze kanë qenë pozitive, por natyrisht ju e dini që edhe Pol Poti ka bërë studimet e tij në vitet ’50-të në Paris, po ashtu edhe Enveri ka bërë studimet në Montpelie, madje mesa di unë nuk i ka mbaruar ato studime, kam më tepër idenë se pak studionte dhe përfitonte, bënte festa, bënte qejf si të thuash. Por mund të them se Franca ka një sistem edukimi të hapur, ku shumë të rinj vijnë për të studiuar dhe ku njerëzit i shprehin idetë e tyre politike, si për shembull maoizmi, etj., dhe për të rinj të cilët nuk e kanë kokën shumë të formuar dhe të mbushur do të thoja, infektohen nga këto idetë maoiste ose ekstremiste le të themi.
A.Furxhi: Zoti Miterrand, ju jeni në Shqipëri këtë herë, për të realizuar një film-dokumentar rreth familjes mbretërore, Mbretëreshës Geraldinë të shqiptarëve. Në fakt tu thuash sot shqiptarëve që një televizion i rëndësishëm, i njohur, franko-gjerman si ARTE, interesohet për Mbretëreshën Geraldinë, natyrisht që bën përshtypje. Përse keni menduar dhe përse keni vendosur që të realizoni një film të tillë ?
Mitterrand: Mua më interesojnë shumë disa çaste që njerëzimi i jeton në momente të vështira, në momente të tmerrshme, si të thuash kur mirësia, mirësjellja, eleganca arrijnë të mbijetojnë në çaste të vështira. Më interesojnë psh.edhe punetorët e hekurudhave, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore, mblidhnin pusullat që i hidhnin hebrenjtë të cilët shkonin drejt kampeve të nazizmit. Këta punëtorë kishin një dozë njerëzimi shumë të forte. Jam shumë i mahnitur, më pëlqejnë, më tërheqin këto sjelljet e vogla, por shumë të njerëzishme. Pra, personazhi i Mbretëreshës Geraldinë në vitin ’38-të, kur Europa po shkonte drejt tmerrit nga pikëpamja historike, për mua është një personazh pozitiv, e cila sjell një farë elegance, zemrën, mirësjelljen në një periudhë shumë të tmerrshme. Pra, duke qenë se kemi pamje e imazhe të kësaj periudhe kur Shqipëria u kthye në qendrën e vëmendjes në atë kohë për arsye se Mbretëresha Geraldinë po vinte në Shqipëri, doja t’i shfrytëzoja dhe të bëja diçka interesante për televizionin. Gjithashtu më bën shumë përshtypje që shqiptarët e kujtojnë Mbretëreshën Geraldinë, ndërkohë që ajo ka qenë Mbretëreshë vetem për një vit. Pra, dua të them me këtë se fakti që njerëzit e kujtojnë tregon se diçka ka ndodhur, diçka ka mbetur në kujtesën e njerëzve megjithëse ajo ishte këtu për pak kohë.
A.Furxhi: Pikërisht, përse besoni dhe mendoni se historia e një familjeje mbretërore që ka zgjatur shumë pak, 11 vite, ose Mbretëresha Geraldinë, siç u shprehët edhe ju, ka mbretëruar veç një vit. Përse ajo do të ishte një subjekt filmi interesant për një publik si ai i Francës apo i Perëndimit në përgjithësi krahasuar me familjet e mëdha mbretërore të Europës, me monarkitë shumëvjeçare ?
F.Mitterrand: Po, është e vërtetë, por në Francë ne na intereson dhe indeksi i progresit për një shoqëri e cila e mban trashëgiminë kulturore të saj, e ruan atë, por njëkohësisht shkon drejt një fazë më moderne. Dhe cilido qoftë mendimi që mund të kemi sot për periudhën mbretërore të Zogut në Shqipëri, megjithëse nuk ishte aq e gjatë, mendoj se është një periudhë historike ku Shqipëria u shfaq në Europë si vend dhe tregonte që ky ishte një vend në ndërtim e sipër. Natyrisht mund të themi gjëra positive e negative mbi Monarkinë, mbi Republikën, por mos të harrojmë që duhet bërë një bilanc historik në një çast të caktuar për të parë që ky bilanc mund të jetë interesant. Pra në një perspektivë historike, do të thoja, po të shihnim që në atë kohë në Europë, fashizimi, totalitarizmi, nazizmi po rriteshin, dhe historia në Shqipëri, është interesante të shihet edhe kjo periudhë, mëgjithëse është e shkurtër.
A.Furxhi: Kur e parashikoni që filmi të shfaqet, të jetë gati për publikun ?
F.Mitterrand: Besoj, në vjeshtën e këtij viti. Do të shfaqet në kanalin televiziv franko-gjerman ARTE dhe besoj do të shpërndahet edhe në televizione të tjera. Konstatoj se edhe televizione të tjera janë të interesuara ta kenë këtë film. Dhe këtu shoh po ashtu edhe interesin që njerëzit kanë për Shqipërinë, për personazhin e Geraldinës, e cila ishte si një yll kinemaje, ishte tmerrësisht e bukur, dhe kameramanët donin ta ndiqnin, siç mund të ndjekim sot artistet e kinemasë nëpër botë, e ndiqnin gazetarët dhe pas fundit të Monarkisë shqiptare, dëshironin të dinin ku ishte, ta filmonin, ta admironin, ekziston një pjesë adhurimi ndaj saj, dhe është e këndshme të shohësh në televizion diçka të tillë.
A.Furxhi: Zoti Miterrand, dua të flasim pak për ju personalisht. Ju jeni një njeri shumë i njohur në Francë dhe pyetjen që do t’ju bëj tani duhet ta keni dëgjuar ndoshta me dhjetera herë në vendin tuaj, megjithatë për publikun tim, për publikun e Shqipërisë do kishte interes. Si ishte e mundur, si ndodhi që një intelektual, një politikan i spektrit të majte te hyje ne një qeveri të djathtë, për t’u bërë Ministri i saj i Kulturës ku qëndruat në post 3 vite ?
F.Mitterrand: Kam pranuar menjëherë, sepse mendoja se ideali im e donte qe të isha vërtetë shërbëtor, nje i cili më ka udhëhequr për gjithë jetën, meqënëse unë e kam filluar aktivitetin kulturor kur isha 23 vjeç me kinemanë, duke bërë filma nëpër lagje të vështira, keshtu quheshin atëherë. Ate ditë pra kur kuptova se mund t’i shërbeja idealit tim të jetës, nuk ngurrova asnjë minutë.
A.Furxhi: Dhe këtë përvojë tuajën si Ministër i Kulturës ju e keni treguar në librin që keni shkruar pasi e latë detyrën, “Rikrijimi”. Midis të tjerave me ka bërë përshtypje një shprehja juaj ku thoni : “Më pas ajo që me pëlqeu në këtë aventurë ishte se guxova që të hidhem në kafazin e luanëve të politikës dhe të vëzhgoj nga afër egërsinë dhe dobësitë e tyre.” Çfarë keni dashur të thoni me këtë ?
F.Mitterrand: Le të themi se bota e politikës nuk është një botë ku të gjithë i japin lule njëri-tjetrit dhe këndojnë këngët napolitane duke u puthur e përqafuar, por është një kafaz me egërsira të cilët i hedhin kthetrat njëri-tjetrit, grinden, dhe unë kisha kureshtjen për të hyre aty brenda dhe duke qenë se e kisha çelësin e artë, që mund të dilja nga kafazi një moment, sepse isha Ministër i Kulturës dhe në çdo moment mund të largohesha, më interesoi shumë që të hyja në kafaz.
A.Furxhi: A mund t’ia këshillonit një politikani tjetër europian një përvojë të tillë ? A është një përvojë që ia vlen kalimi nga një kamp në kampin tjetër ?
F.Mitterrand: Është mrekulli. Është një punë shumë interesante. Si Ministër takon njerëz shumë interesantë. Është një punë për të cilën shihen efektet e punës, sepse Ministri i Kulturës bën gjëra, ndërton, sepse ka edhe mjaft vende që thonë a ia vlen të jesh Ministër Kulture apo jo ? Por në fakt, po t’i shohësh nga afër të gjitha vendet ku ka një Ministër Kulture imazhi i vendit ecën në botë. Madje doja të thoja në Shqipëri jam shumë i impresionuar dhe të shoh sesa përmirësime të jashtëzakonshme janë bërë lidhur me imazhin e Shqipërisë në botë.
A.Furxhi: Ju keni lidhje gjaku me ish Presidentin François Miterrand, jeni drejtpërsëdrejti nipi i tij. Si ka ndikuar kjo lidhje familjare në jetën tuaj apo në karrierën tuaj ?
F.Mitterrand: Ka ndikuar shumë, edhe negativisht edhe pozitivisht. Në mënyrë negative, sepse mu desh shumë kohë që ai të më vinte re, të më inkurajonte, të më konsideronte, sepse nuk kishte kohë. Dhe pozitivisht, sepse besoj se kam përfituar nga mënyra sesi ai jetonte, sesi ecën koha, më ka mësuar durimin, një tolerancë absolute ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe , të mos kem paragjykime. François Miterrand-i nuk kishte paragjykime. Kur dikush vinte ta takonte ai ishte i favorshëm ndaj personit, donte ta dëgjonte, natyrisht ndoshta më vonë mund të kuptonte se kishin mendime të kundërta, por në fillim ishte shumë dashamirës. Dhe në të njëjtën kohë një ndërtim për karakterin, për moralin shumë të fortë, për personalitetin tim. Shumë nga kundërshtarët e tij e kanë neglizhuar njohjen kulturore, morale, katolike le të themi, që kishte Presidenti Miterrand. Mbanin mend dinakëritë e tij, zgjuarsinë, dhe mendonin se ai kështu ishte, e përcaktonin me këto mbiemra, por e kishin gabim, sepse François Miterrand-i përdorte dinakërinë, mprehtësinë, zgjuarsinë, ai ishte princi i makiavelit, i përdorte të gjitha këto për t’i shërbyer një ideali moral, të fortë të dhënë nga prindërit, të cilin e kishte shumë të fortë, shumë të ndërtuar.
A.Furxhi. Le të flasim pak për Europën sot. Kontinenti është duke u përballur me krizën e refugjatëve nga Lindja e Mesme, nga Afrika e Veriut, ka një debat të madh sot në Europë lidhur me atë sesi Kontinenti e përballon këtë krizë, këtë dhimbje të madhe njerëzore. Sipas mendimit tuaj si po përballet Europa, si po përpiqet ta zgjidhë këtë krizë humanitare ?
Mitterrand: Mendoj se vështirësitë aktuale të Europës janë edhe drama dhe njëkohësisht sfida e gjeneratave që po arrijnë në moshë madhore sot. Dramë, sepse Europa nuk po arrin të tejkalojë krizat e saj, të vetat, jo ardhjen e refugjatëve, por e kam fjalën për krizën ekonomike, për papunësinë dhe shifrat e saj të larta në disa vende, për pabarazinë që ekziston në disa vende dhe gjithashtu për zhvillimin e lëvizjeve të ekstremit të djathtë të cilat siç e thamë kanë ekzistuar në Europë dhe më përpara. Europa, pra, ka një vështirësi të menaxhojë në një mënyrë koherente, me kuptim, si të thuash, këto probleme. Emigrantët, ardhja e refugjatëve, janë një problem, midis problemeve të tjera. Së dyti, konstatoj po ashtu se vendet që kanë qenë buldozerët e Europës , krijuesit e Europës, nuk kanë të njëjtën politikë. Gjermani është treguar më zemërgjerë, Franca është treguar e matur, më e kujdesshme, kjo ekzistenca e këtyre dy politikave të ndryshme është edhe një lloj kërcënimi për marrëdhëniet e vet këtij çifti, kurse për vendet e Lindjes të cilat kanë përfituar nga ndërtimi europian, nga BE-ja, e kam fjalën këtu për Sllovakinë, Republikën Çeke dhe vende të tjera. Këto vende lindore pra nuk po tregohen solidare, kanë përfituar nga solidariteti në vendet perëndimore të BE-së, por nuk po tregojnë të njëjtën gjë ndaj këtyre refugjatëve. Pra, në Komisionin Europian u diskutua që të thoje që secili nga këto vende të priste refugjatë mirëpo po shohim që nuk po ndodh kështu, e kam fjalën për Hungarinë, Sllovakinë, të cilët nuk pop resin refugjatë sepse janë me origjinë muslimane, ne mund të themi se nuk po kuptojnë, pra nuk e kanë kuptuar si funksionon Europa, kur vetë Angela Merkel pranon në Gjermani 1 milion emigrantë. Pra, Europa nuk është një supermarket ku vini të blini çfarë të doni dhe i hidhni në plehra ato që nuk i doni. Nëse një vend hyn në Europën e bashkuar natyrisht do të ketë avantazhe shumë të mëdha, por duhen pranuar edhe detyrat që të jep kjo bashkësi dhe ka disa vende për fat të keq që nuk po i përballojnë, nuk po i marrin përsipër këto detyra. Me këtë dua të them se duhet të vendosim diçka. Nëse BE-ja do të jetë një bashkësi federale më pro europiane, më e mbledhur, më solidare, apo do të vazhdojë të rri siç është, e paralizuar, nga një formë burokracie, e cila nuk është në gjendje të kuptojë sfidat strategjike të Kontinentit tonë. Pra, ne kemi 500 milion banorë në një BE, e cila nuk arrin të ketë një zë të vetëm në botë, e cila është njëkohësisht një fuqi ekonomike e jashtëzakonshme, një gjigand ekonomik, por një xhuxh politik. Ndërkohë që kemi Presidentin Juncker, një njeri i jashtëzakonshëm, po ashtu edhe personalitete të tjera të Europës, por burokracia e Brukselit është shumë e rëndë, e ngadaltë dhe nuk ka një vizion politik të caktuar europian.
A.Furxhi: Dhe në këtë kontekst europian, ka vende si Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit, të cilat aspirojnë që të integrohen në Bashkimin Europian. Është një nga aspiratat më kryesore të Shqipërisë dhe shqiptarëve që prej 25 vitesh tashmë. Disa hapa janë hedhur, vendi tashmë është zyrtarisht kandidat për në BE, regjimi i vizave është hequr, shqiptarët udhëtojnë lirshëm në Europë, megjithatë integrimi në Europë duket ende një ëndërr e largët. Cili është mendimi juaj për këtë proces, për integrimin e Ballkanit në Europë ?
F.Mitterrand: Integrimi i Ballkanit është një proces i ndërlikuar , sepse secili prej vendeve të Ballkanit janë shumë të ndryshëm edhe Kroacia për shembull është vend ballkanik, por ka hyrë në Europë. Secili prej vendeve ballkanike ka veçantitë e tij dhe duhen parë me kujdes. Dhe Greqinë e dimë se është një vend i Ballkanit dhe e pamë sesa e rëndë ishte kriza e këtij vendi dhe ishte një subjekt, i cili pothuajse e ndau BE-në në dysh përsa i përket qëndrimit që duhej mbajtur ndaj saj. Për të folur për Shqipërinë më konkretisht. Shqipëria ka shumë anë pozitive dhe ndoshta mund të duket sikur po bëj politikë në emisionin tuaj, por jam i detyruar ta bëj. Ju keni një Kryeministër, i cili është një avokat i jashtëzakonshëm i vendit tuaj në rrafshin ndërkombëtar. Siç e dini, vetë Presidenti Obama sapo e priti në Amerikë. Ai ka krijuar lidhje, marrëdhënie me vendet lider në Europë si Franca, Gjermania, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe mendoj se është një avokat i jashtëzakonshëm për integrimin e Shqipërisë në Europë. Natyrisht që gjendja ekonomike, socio-politike, infrastrukturës së Shqipërisë ka ende gjëra për të bërë. Ajo është ende e brishtë. Ka disa faza për të kaluar ende. Megjithatë do të thoja diçka të qartë, ndërgjegjësimi i vendeve të BE-së për faktin që Shqipëria po I afrohet kësaj familjeje europiane. Ky ndërgjegjësim është bërë. Para 5 vitesh ky ndërgjegjësim nuk ekzistonte. Dua të them se edhe imazhi i Shqipërisë është përmirësuar, sepse nuk mund të flasim vetëm për kriteret politike, shoqërore të vendit, por imazhi, çfarë mendimi kanë njerëzit dhe mund të them se tani përshtypja për Shqipërinë është shumë më e mirë sesa më përpara.
Komentet