Intervistoi: ENTELA BINJAKU*
Cila ka qenë fëmijëria juaj? Si e mbani mend qytetin tuaj të lindjes, shkollën, mësuesit?
Shkreli: Fillimisht, dua t’ju falënderoj për intervistën dhe për mundësinë që më dhatë për të ndarë disa hollësi nga jeta ime me lexuesit, megjithse kanë kaluar aq shumë vjetë nga fëmijëria. Fëmijëria ime ka qenë e vështirë nën rrethanat ekonomike dhe politike në të cilat jetonim në ish-Jugosllavinë e 1950-ave. Por nuk mund të them se fëmijëria ime ishte, as më e vështirë as më e mirë, në krahasim me bashkombasit e mijë moshatarë shqiptarë të lindur dhe të rritur në fshatrat e rrethit të Ulqinit në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Për të gjithë ne,ashtu si edhe për familjet tona, fëmijëria ishte luftë për mbijetesë. Familja ime e ka origjinën nga Shkreli i Malësisë së Madhe dhe deri sa u mbyll rruga midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë pas prishje Tito/Enver, të parët e mi më thonin se në Shkrel dilnin çdo verë ndërsa dimërin e kalonin në fshatin Amull në rrethin e Ulqinit. Por unë jam lindur dhe rritur në fshatin Amull dhe në trollin e të parëve të mi, afër Kishës së Shkrelit, e vizitova vetëm pas shëmbjes së komunizmit. Pra, atje ku u linda nuk ishte qytet, por një fshat i izoluar malor, larg gjithkafes dhe pothuaj gjithkujt. Shkollën fillore katër vjeçare e kam kryer në fshatin Shtodër ku detyroheshim të shkonim në këmbë, nja një orë larg shtëpisë. Ndërsa klasat 4-8-vjeçaren i kam kryer në fshatin Katërkollë, pothuaj dy orë larg, gjithnjë duhej të shkonim në këmbë, shpesh nepër ujë e baltë dhe pa rrugë të kalueshme. Ajo që mbaj mend është se mësuesit, emërat e të cilëve i kujtoj edhe sot me mall — të gjithë shqiptarë — përpiqeshin të bënin të pamundurën për të ndihmuar studentët nën kujdesin e tyre. Tetë-vjeçaren e kam kryer në gjuhën shqipe, me serbishten si lëndë të dytë. Në të vërtetë, ky ihste i vetmi “shkollim” në gjuhën shqipe, pasi gjimnazin e kam kryer në një seminar katolik në Kroaci dhe pastaj studimet në Amerikë në gjuhën anglisht.
Cila ishte përbërja juaj familjare? Si ka qenë lidhja juaj me prindërit?
Shkreli: Ashtu siç kanë qenë dikurë kur familjet e mëdha tradiconale shqiptare, ku dy tre vëllëzër ose më shumë jetonin dhe punonin së bashku në të njëjtën shtëpi, për tu kujdesur për familjen, ashtu ishte edhe familja ime:deri sa u arratisëm nga vendi ynë për në mërgim nga fundi i 1960-ave, babai me familjen e vet dhe dy vëllezrit e tij me familjet e tyre jetonim së bashku, duke u marrë me bujqësi dhe blegtori, tjetër të ardhura nuk kishte. Ndonëse, ndoshta e pa parë sot, kjo jetesë familjare, megjithse mjaft e vështirë, prapseprap e kishte edhe anën pozitive të saj. Unë vazhdojë të jem shumë afër me kushërinjt e mi të parë, me të cilët jemi rritur dikur në të njëjtën shtëpi, ndërsa respekti dhe dashuria për njëri tjetrin vazhdojnë megjithse jemi të përhapur gjithandej në Amerikë. Si rrjedhim, edhe me prindërit kam qenë tepër afër,megjithse e shihja se gjithmonë dëshironin të bënin më shumë për ne fëmijtë, mundësitë nuk i kishin. Në të vërtetë, varfëria dhe kufizimet e mëdha materiale, ndjej se më bënin të isha më afër dhe të kisha më shumë respekt për prindërit dhe për mundimet e tyre për të na dhënë mundësi më të mira se ç’kishin pasur ata vetë.
Cilat ishin pasionet tuaja të rinisë? A mendoni se keni bërë në jetë atë që ka qenë pasioni juaj?
Shkreli: Është vështirë të flitet për “pasione të rinisë” kur duhej menduar pothuaj çdo ditë se nga do vinte kafshata e gojës, ishte pra një luftë për mbijetesë në vendlindje dhe me arratisjen dhe qëndrimin nepër kampe refugjatësh në Itali, 1969-1970 — para ardhjes në Amerikë – duhej patur kujdes për miqërqenjen fizike dhe materiale, pra gjitnjë ishte gjithnjë një fazë e jetës për të mbijetuar dhe nuk bëhej fjalë për pasione të fëmijërisë ose të rinisë. “Pasioni” kryesor ndërsa isha si refugjat politik në Itali, ishte sigurimi i vizës për Amerikë. Në atë periudhë të jetës time emigrimi në Amerikë ishte bërë objektivi kryesor. Fatbardhsisht, me të arritur më në fund në Amerikë, nga rrethanat e jetës megjithse e vështirë fillimisht, por pak më mirë se në vendlindje dhe jeta prej refugjati, fillova gjithashtu të zhvilloj pasione dhe interesime në botën e re të ëndërrave. Mësova gjuhën anglishte dhe fillova kolegjin, pjesa tjetër pas kësaj pastaj është histori. Interesimi, në mos pasioni fillestar ishte politika dhe gazetaria. Fillova të shkruaj në anglisht për gazetën e kolegjit por edhe për revistën e komunitetit katolik shqiptar në Amerikë, Jeta Katolike Shqiptare. Në vitin 1974 pas konkursit, provimeve dhe provave të tjera fillova punën tek Zëri i Amerikës, ku përveç shërbimit shqip, punova në zyra të ndryshme të këtij enti ndërkombëtar të SHBA-ave duke mbuluar rajone të ndryshme gjeografike të botës për një periudhë 30-vjeçare.
Si ka qenë përvoja e shkëputjes nga vendlindja? Sa e rëndësishme mendoni se është për një individ lidhja me origjinën?
Shkreli: Unë në të vërtetë isha larguar nga vendlindja në moshë tepër të re, menjëherë pas tetë-vjeçares për tu regjistruar në seminarin katolik në Rijekë të Kroacisë, nga ku edhe jam arratisur për në Itali. Por shkëputja nga vendlindja sipas një thënjes anglisht,ishte “bitersweet”. E dhimëshme por edhe shpresëdhënse. E dhimëshme sepse ishte një shkëputje nga çdo gjë që njihje deri atëherë,vendlindjen, familjen e afërt dhe të largët,shokë, çdo gjë pra, pasi në të vërtetë nuk kisha shkuar askund më larg se në Ulqin dhe nuk dinim fare se ku do përfundonim eventulisht. Largimi ishte shpresëdhënës, sepse mendoja për diçka më mirë për veten dhe për familjen, megjithse nuk kishim asnjë ide se çka na priste me të arritur në mërgim. Për mua, që kam ardhur në Amerikë në moshën e fillim të 20-ave, lidhja me vendlindjen, me origjinën e të parëve – ndonëse i larguar në moshë të re — më ka shërbyer të ruaj identitetin tim të prejardhjes, që për mua është tepër me rëndësi që në këtë botën në të cilën jetoj sot, të mund i përgjigjem pyetjes se kush jam dhe nga vi?
Vajtja në Amerikë. Cilat kujtoni si vështirësitë më të mëdha tuajat në atë periudhë?
Shkreli: Asgjë nuk është e kollajt në këtë jetë, madje as në Amerikë.
Fillimisht, mos njohja e gjuhës, e kulturës, e politikës dhe të gjitha zakoneve the traditave amerikane ishin pengesa të mëdha, pasi dëshira ime ishte për t’iu adaptuar vendit dhe zakoneve – megjithse askush nuk më kërkonte një gjë të tillë – por isha i vetdijshëm se nëqoftse do të përparosh në Amerikë, nuk mund të jetosh në një “geto”, i izoluar nga jeta e përditshme e larmishme e këtij vendi. Kështuqë, besoj ashtu si edhe për shumicën e mërgimtarëve në këtë vend, për mua katër pesë vitet e para kanë qenë të vështira. Dëshiroja të vazhdoja studimet, por njëkohsisht kisha nevojë të punojsha sepse kisha ardhur në këtë vend pa asnjë lekë as dollarë. As prindërit, të cilët ishin rishtas në Amerikë, nuk kishin kushedi se çfarë të ardhurash, në të vërtetë, pa përvojë e pa gjuhë, kishin punë që paguheshin shumë pak. Por rrethanat të detyrojnë të bëjshë atë që nevojitet, nëqoftse do të hecësh përpara, në rastin tim: punën ditën, shkollën natën, duke filluar me anglishten.
Si ka qenë jeta juaj studentore? Cfarë e ka karakterizuar atë përiudhë të jetës?
Shkreli: Në të vërtetë, më pyete më lartë për “pasionet” e mia në rini. Ishin vitet e para në Amerikë, që përafërsisht mund t’i karakterizoj si vitet që ndoshta fillova të zhvilloj interesime dhe pasione intelektuale. Sepse deri atëherë, unë në të vërtetë nuk kisha një jetë normale ku “pasionet” mund të nxënin rrënjë, sepse jeta deri atëherë ishte një jetë për mbijetesë si në vendlindje ashtu edhe rrugëve të mërgimit, siç theksova edhe më lartë. Në kolegjin Lehman në New York fillova të interesohesha për jetën dhe sistemin politik amerikan, për historië dhe për gazetarinë, duke u regjistruar gjithashtu për të marrë kurse në këto degë. Megjithse vullnetin e kisha të madh dhe punoja rëndë, unë prapseprap e ndjeja veten jo në nivelin me studentët amerikanë, kryesisht për arsye të gjuhës, por me kalimin e kohës, edhe kësaj mungesë ia dola. Fillova të bëhem pjesë e komunitetit dhe e jetës në kolegj duke shkruar për gazetën dhe duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme sstudentore. Aty në të vërtetë sigurova bazën elementare të përgatitjes për punën që fillova më vonë pranë VOA-s, duke vazhduar edhe studimet universitare me të arrijtur në Washington, mesin e viti 1974. Ishte kjo një periudhë gjatë të cilës zgjërova horizontet e mia mbi jetën në këtë vend, përfshirë sistemin politikë, gazetarinë dhe jetën shoqërore në përgjithësi, me qëllim për tu bërë pjesë e pandarë e saj, por pa harruar rrënjët nga vija dhe identitetin tim prej malësori. Karakteristika e kësaj periudhe për mua ishte se mësova se njëkohsisht mund të ishe shqiptar i mirë dhe amerikan i mirë, pa humbur identitetin tëndë, pasi askush nuk kërkonte një gjë të tillë. Pa asnjë konflikt moral as kombtar, mund ta duash Amerikën dhe kombin e origjinës, në të njëjtën kohë, sidomos në rastin tonë, kur historikisht Shtetet e Bashkuara kanë bërë aq shumë për kombin shqiptar.
Cila është familja juaj sot?
Shkreli: Familja e ngushtë:bashkshortja prej 40-vjetësh, një djal dhe dy vajza me familjet e tyre. Nga familja më e gjërë, kam një vëlla e dy motra dhe familjet e tyre. Dyzina kushërinjsh e kushërirash me familjet e tyre.
Përpara se të punonit në Zërin e Amerikës, a kishit dëgjuar më parë për këtë program?
Shkreli: Në të vërtetë, e kisha dëgjuar, jo rregullisht se isha i ri dhe natyrisht nuk e kisha disiplinën dhe as kuriorizitetin e mëvonshëm, për politikën dhe gjëndjen në botë. Isha pra i vetdijshëm për ekzistencën e kësaj radioje ndërkombëtare, të këtij “zëri” nga Washingtoni, por vetëm aq. Por, më vonë këtu në Shtetet e Bashkuara, kisha menduar shpesh gjatë karierës time se kur dëgjoja Zërin e Amerikës në rrethin e familjes atje në vendlindje, në një fshat të izoluar në rrethin e Ulqinit, ndonëse në moshë të re, as nuk mund të imagjinoja se një ditë do isha unë që do të flisja në valët e asaj radio të famshme amerikane në gjuhën shqipe, drejtuar bashkombasve të mi anë e mbanë trojeve tona në Ballkanin Perëndimor dhe anë e mbanë botës, në atë kohë nepërmjet të valëve të shkurtëra. Dhe jo vetëm aq, por nëqoftse më lejon të shprehem me pak modesti, që të kisha detyra të ndryshme me rëndësi, jashtë shërbimit shqip, ishte e pamundur ta merrja me mend atëherë. Madje edhe sot, në këtë moshë dhe pas një kariere të gjatë 30-vjeçare, më duket gjithnjë si një ëndërr.
Si do ta vlerësonit ndikimin e “Zërit të Amerikës” tek shqiptarët në Evropë? Si e masnit këtë ndikim?
Shkreli: Kjo është një pyetje që më është bërë shpesh herë dhe pak a shumë kam dhënë të njëjtën përgjigje. Është thënë me të drejtë, besoj unë, se Zëri i Amerikës ka patur ndikim pozitiv në zhvillimet në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, jo vetëm gjatë Luftës së Ftohtë, pas shëmbjes së Murit të Berlinit por besoj se edhe sot vazhdon të luaj rolin e një medias serioze dhe të gëzojë gjithnjë respekt nga shqiptarët kudo. Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara gjatë dekadave e sidomos gjatë Luftës së Ftohtë e kanë karakterizuar Zërin e Amerikës si ambasadorin më të mirë të Amerikës, pasi depërtonte në skutat më të izoluara të botës, atje ku nuk mund të shkelte këmba e ambasadorit ose ndonjë përfaqsuesi tjetër. Këtë rol kjo radio e ka luajtur jo vetëm në Shqipëri por edhe anë e mbanë ish-botës komuniste. Ish-disdenti polak, Lech Walesa ka thënë se pa transmetimet ndërkombëtare të Amerikës gjërat nuk ishin zhvilluar ashtu si u zhvilluan eventualisht. Zëri i Amerikës përpiqej të ishte zëri i atyre, të cilët nuk kishin ndonjë zë dhe zëri i të cilëve nuk merrej parasyshë nga autoritetet. Besoj se në përgjithësi, Zëri i Amerikës, që tani është bërë pjesë e pandarë e medias shqiptare, ka ndikuar jo vetëm në zhvillimet politike por edhe në evolucionin mediatik shqiptar. Gjatë Luftës së Ftohtë ne nuk kishim asnjë ide se kush dëgjonte ose nëse VOA dëgjohej fare. Shpesh ndodhte që duke u këthyer nga transmetimi, një ish-kolegu im, Xhevat Kallajxhi nga Gjirokastra — një patriot i vërtetë dhe gazetar i njohur dhe ish-botues i gazetës Demokracia në Gjirokastrën e para luftës, më drejtohej:”Ore Shkreli, si thua, na dëgjoj njeri sot?”. Ku ta dij unë i shkreti, more Xhevat. Ne e bëmë tonën, ua dhamë informacionin që patëm”. Mirëpo ne e dinim se dëgjimi i VOA-s në atë kohë dënohej rëndë. Nejse, në post-komunizëm patëm mundësi të masim audiencën me anë të sondazheve që treguan se në të vërtetë VOA kishte një audiencë jashtzakonisht të madhe në radhët e shqiptarëve. Unë dhe kolegët e mi, të atëherëshëm dhe të sotëm, jemi krenarë nëqoftse kemi patur një ndikim pozitiv në zhvillimet e Shqipërisë post-komuniste, por megjithë këtë ndikim të VOA-s, jeni ju ata heronjtë e vërtetë të luftës për liri e demokraci, të cilët nën rrethana dhe kushte ç’njerzore jetese nën regjimin më të egër komunist në Europë, i ruajtët ndjenjat tuaja për liri.
Cilat ishin lidhjet tuaja me Shqipërinë para viteve ‘90?
Shkreli: Nuk kam pasur kurrfarë lidhjesh me Shqipërinë e para viteve ’90 dhe as me përfaqsuesit e regjimit komunist. Pasi nuk ekzistonin lidhjet diplomatike midis dy vendeve, ishte e pamundur që unë si nëpunës i qeverisë amerikane të takohesha ose të kisha lidhje me regjimin komunist të Enver Hoxhës. Për më tepër, nuk besoj se ai regjim kishte ndonjë konsideratë të madhe për mua dhe kolegët e mi.
Si e kujtoni vizitën tuaj të parë në Shqipëri? Cfarë ju bëri më shumë përshtypje në atë vizitë?
Shkreli: Vizita im e parë në Shqipëri ka ndodhur në Mars-Prill, 1991, pas nënshkrimit në Washington të protokollit për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si pjesë e delegacionit të parë të Amerikës në Shqipëri. Vizita e parë zyrtare nga një delegacion i Departamentit të Shtetit kishte për objektiv fillimin e përpjekjeve për hapjen e ambasadës amerikane në Tiranë, për herë të parë në pothuaj 50-vjetë dhe pjesëmarrjen tonë si vërejtës në zgjedhjet e para të ashtuquajtura pluraliste. Isha tepër i gëzuar për privilegjin që mu dha për të vizituar Shqipërinë e atëhershme, por me të ulur në aeroportin e Tiranës, gëzimi u këthye shpejt në hidhërim e zhgënjim. Ndonëse e prisja se Shqipëria do të ishte shumë keq, politikisht dhe ekonomikisht, situata me të cilën u përballëm ishte tepër shokuese. Kisha parë varfëri në shumë vende, por varfëria e Shqipërisë së vitit 1991, shokojë mua dhe kolegët e mi nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Gjithashtu edhe frika mbizotëronte, pasi regjimi komunist me në krye Ramiz Alinë kontrollonte gjithnjë situatën.
A mendoni se Shqipëria e 2016 është ajo që aspiruan shqiptarët e 90?
Shkreli: Natyrisht se Shqipëria e sotme nuk mund të krahasohet me Shqipërinë e fillim ’91 kur unë e passë për herë të parë. Unë nuk besoj se Shqipëria e sotëme është ajo për të cilën aspironin shqiptarët, që e donin Shqipërin ë si gjithë Europa. Shqipëria sot nuk është si e gjithë Europa! Megjithëse në atë kohë mendohej se duke parë varfërinë, gjëndjen politike dhe ekonomike, por edhe duke pasur parasyshë krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës për pothuaj gjysëm shekulli,ishim të mendimit se ky popull do ta marrë veten aq shpejt duke u distancuar nga ajo histori, si asnjë popull tjetër në ish vendet komuniste. Pasi shqiptarët kishin vuajtur më shumë se të tjerët, merrej me mend se nuk do t’i ndalonte gjë drejtë përparimit, për të kapur kohën e humbur gjysëm shekullore nën komunizëm.
Ku mendoni se janë duke shkuar shtetet tona-Kosova dhe Shqipëria?
Shkreli: Jo në drejtimin e duhur dhe jo në drejtimin që pritej. Është thënë se sot shqiptarët gëzojnë një liri më të madhe se kurrë më parë në historinë e tyre. Janë të zotët e vetit si kurrë më parë. E çfarë po ndodhë? Fatkeqsisht kjo liri po keqpërdoret, po nepërkëmbet dhe po abuzohet nga një klasë politike e korruptuar, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Shqipëria duhej të kishte qenë ndër vendet e para ish-komuniste vend anëtar i BE-së dhe Kosova sot duhej të ishte vend-kandidat për BE-ën. Në vend të kësaj, për vite me radhë, delegacione të huaja shkojnë e vinë në Tiranë dhe Prishtinë, për të shërbyer si ndërmjetës për ruajtjen e paqës midis pozitës dhe opozitës, sikur vendi është në gjëndje lufte. Një zhvillim ky i pa precedencë në asnjë vend tjetër në Europë dhe më gjërë. E pafalshme! Gjithmonë më të fundit, për gjithçka. Ndoshta ju që jetoni atje i shihni punët me më shumë optimizëm, por shikuar nga këndej oqeanit, detyrohem që 25-vjetë pas shëmbjes së komunizmit dhe 8 vjetë pas pavarësisë ssë Kosovës të pyesim, “Quo Vadis” Shqipëri e Kosovë?
A mendoni se shqiptarët e të gjitha trojeve kanë një projekt të përbashkët zhvillimi të kombit?
Shkreli: Unë nuk shoh ndonjë program të përbashkët të shqiptarëve anë e mbanë trojeve. Me përjashtim të takimit të përbashkët të qeverive që janë mbajtur njëherë a dy dhe të takimit të kryebashkiakve të pesë qyteteve shqiptare kohët e fundit në Tiranë. Edhe këto duken më shumë si përpjekje progandistike, si një shou se sa takime me projekte vërtetë të përbashkëta që do të sillnin rezultate për të mirën e të gjithë shqiptarëve. Nuk i ndalon kush sot shqiptarët që të përpilojnë dhe të zbatojnë projekte të përbashkëta në fusha të ndryshme, i.e kulturore, gjuhësore, ekonomike, shkencore, historike e tjera, e të tjera. Fatkeqsisht, duket se nuk ekziston vullneti për nisma të tilla mbarë kombëtare të zhvillimit, në radhët e kësaj klase politike.
Çfarë këshillash do të kishit ju për të rinjtë shqiptarë si pjesa më vitale e kombit, kudo ku jetojnë?
Shkreli: “Rruga më e mirë drejtë progresit është rruga e lirisë”. Xhon F. Kenedi — “Asnjë armë as arsenal armësh nuk është më i fortë se vullneti dhe guximi moral i burrave dhe grave të lira”. Ronald Reagan
Si e pritët vlerësimin e akorduar nga Presidenti i Shqipërisë?
Shkreli: E ndjeva veten tepër të privilegjuar dhe të nderuar për vlerësimin që më bëri Presidenti i Shqipërisë, Z. Bujar Nishani me dekoratën “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”. Ishte diçka që nuk e prisja dhe as nuk e konsideroj veten të merituar të këtij titulli, pasi gjithmonë jam përpjekur të punoj në heshtje dhe pa pretendime për vlerësime të tilla. Me këtë vlerësim, Presidenti Nishani ka nderuar veten.
Faleminderit!
ENTELA BINJAKU – Gazetare dhe Sociologe në Tiranë
Komentet