E themeluar në vitin 1989 nga ish anëtari i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Joe Dioguardi, organizata lobiste “Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane” ndihmoi në sensibilizimin e opinionit amerikan për shtypjen e shqiptarëve në Kosovën e viteve ‘90 nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit. Momentet kryesore të kontributit të saj për çështjen shqiptare janë përmbledhur në një botim të përgatitur nga aktivisti Faton Bislimi. Kolegu Burim Goxhuli realizoi një intervistë me autorin e këtij botimi.
Zëri i Amerikës: Zoti Bislimi, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e themeluar disa dekada më parë, është njëra nga organizatat më të vjetra lobiste shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kontributi i kësaj organizate është në qendër të një botimit tuaj me titull “Përpjekjet për Lirinë Shqiptare dhe Fundin e Jugosllavisë”. Cilat janë disa nga momentet kyçe të aktivitetit të kësaj organizate?
Faton Bislimi: Momenti i parë historik është fakti se në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për herë të parë zgjidhet një ligjvënës me prejardhje shqiptare. Zoti Dioguardi, siç e dini, ka prejardhje arbëreshe, pra gjak shqiptari. Në vitin 1986, për herë të parë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara ai paraqet rezolutën e parë për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi në atë kohë. Ajo që më bën mua përshtypje dhe besoj publikut e të gjithë shqiptarëve, është se në këtë kohë vetëm një ligjvënës, zoti Dioguardi e kishte nënshkruar këtë rezolutë dhe në Senat miku i tij, zoti Bob Dole. Por vetëm një vit më vonë, në vitin 1987 e njëjta rezolutë merr përkrahjen e 58 ligjvënësve amerikanë, si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat. Vetëm një vit i është dashur zotit Dioguardi, edhe para fillimit të krijimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, për ta rritur përkrahjen në rreth 60 ligjvënës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është fillimi më i mirë i mundshëm. Kjo është historia e kërthizës do të thoja, nga e cila buron mandej liga në vitin 1990 dhe aktivitetet e tjera.
Zëri i Amerikës: Zoti Bislimi, ju jeni anëtar i bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Ku është i përqëndruar sot aktiviteti i kësaj organizate lobiste?
Faton Bislimi: Siç kemi vepruar tash e 32 vite, ne vazhdojmë të jemi në ballë të frontit diplomatik dhe lobist për të mbajtur kauzën kombëtare shqiptare në kuadër të përparësive të Shtëpisë së Bardhë, e veçanërisht të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ne kurrë nuk jemi ndarë në baza partiake. Vazhdojmë sot e kësaj dite t’i shërbejmë kombit, atdheut dhe vazhdojmë të punojmë me udhëheqësit kyç të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, qofshin ata demokratë, apo republikanë. Mos harroni, s’do të ishte e mundur as ndërhyrja në Kosovë e as shpallja e pavarësisë së Kosovës, sepse njëra ndodh në kohën e një presidenti demokrat e tjera në kohën e një presidenti republikan, respektivisht zotit Clinton dhe zotit Bush.
Zëri i Amerikës: Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, angazhimi i lobit shqiptaro-amerikan sikur është zbehur. Sot, kur kosova është e pavarur dhe Shqipëria është një vend demokratik, a mendoni se lobi shqiptaro-amerikan e ka fuqinë si në të kaluarën dhe sa i është përshtatur realitetit të ri?
Faton Bislimi: Kjo është një çështje që na brengos në vazhdimësi, sepse ka qenë ndryshe përkrahja e mërgatës sonë gjatë luftës në Kosovë, ku njerëzit kanë ndarë kafshatën e bukës për të ndihmuar Kosovën dhe shqiptarët, që po përjetonin tmerrin e fundshekullit 20 në mes të Evropës. Ne nuk jemi më në atë gjendje. Tani kemi shtetin e pavarur të Kosovës. Fuqia në aspektin e përkrahjes nuk mund të jetë sikur ka qenë në vitet 90 e veçanërisht gjatë luftës në Kosovë. Mirëpo ne i jemi mirënjohës të gjithë mërgimtarëve, të gjithë përkrahësve, që në asnjë moment nuk i janë ndarë punës sonë. Mos harroni, puna e Ligës nuk ka përfunduar, sepse shteti i Kosovës në formësimin e tij të plotë ende nuk ka përfunduar. Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut ende janë të cenuara, sikur edhe në Mal të Zi. Mos të flasim për Luginën e Preshevës, e cila do të thoja se është pjesa më e dhimbshme e kauzës tonë kombëtare. Kosova dhe Shqipëria kanë shtetet e tyre, kanë buxhetet e tyre, kanë ministritë e jashtme të tyre. Se sa bëjnë këto shtete për kauzën kombëtare është përgjegjësi e atyre që kanë pozita zyrtare dhe ne nuk përzihemi në ato punë. Ne vazhdojmë ta bëjmë punën tonë për interesin kombëtar të shqiptarëve në Ballkan e veçanërisht për formësimin e mëtejshëm të Republikës së Kosovës.
Zëri i Amerikës: Vëmendja e administratës amerikane sot është përqëndruar tek kriza në Ukrainë, për shkak të agresionit të mundshëm rus. A mendoni se kjo do të ndikojë në çështjen ende të pazgjidhur të Kosovës me Serbinë?
Faton Bislimi: Fokusi ynë do të jetë mbajtja në pjesën frontale të politikës së jashtme amerikane të interesit të Kosovës. Ne këtë mund ta arrijmë vetëm përmes miqve tanë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Ju e thatë me plotë të drejtë se është interes i administratës së Shteteve të Bashkuara që të mos lejojë ndryshimin e orientimit të superfuqisë dhe vendit si superfuqi që Shtetet e Bashkuara e kanë karshi Rusisë, qoftë edhe përmes problemeve në Ukrainë. Ajo që na obligon ne të punojmë edhe më shumë, është që edhe në këtë katrahurë gjeopolitike botërore, të mos lejojmë që kauza jonë kombëtare, veçanërisht përpjekjet që aleatët e Rusisë, që në këtë rast është Serbia, të dëmtojnë interesat e shqiptarëve dhe të dëmtojnë interesat e Kosovës.
Komentet