NGA: GERILINA KODHELI*
Ai është një nga gazetarët më të komentuar shqiptarë, jo vetëm për reagimet e tij të sinqerta dhe ekspresivitetin me të cilin hap debat, por edhe për faktin se bashkëshortja e tij është një nga politikanet më strikte në Shqipëri. Enkel Demi dhe Mesila Doda janë bërë shpesh objekt i komenteve të pakëndshme të politikanëve, megjithatë, sulmet ndaj familjes së tij gazetari i ka konsideruar si të bëra nga njerëz mendjeshkurtër. Por, gazetari i njohur na rrëfen në një intervistë për “Vip Pages” edhe gjithçka rreth profesionit të tij, emisionit “Shih Programin” dhe dashurisë së madhe për radion. Enkeli na zbulon edhe të tjera detaje sa u takon familjes dhe fëmijëve të tij. “Shih Programin” është një emision shumë sportiv.
Ishte qëllim në vetvete që të bëje një format të tillë, apo është brenda natyrës tënde?
Nuk besoj se ka qenë qëllim në vetvete. Është një koncept që unë e kam paraqitur që para 4 apo 5 vjetësh. Duket sportiv ndoshta nga mënyra jotradicionale e të intervistuarit, që është më tepër një bisedë sesa intervistë. Njerëzit që intervistoj mundohen që të jenë të rehatuar, në sensin që e heqin mitin e televizionit, i cili nganjëherë i ngarkon me emocione të panevojshme. Unë mundohem ta bëj emisionin sa më popullor, me sa më pak etiketa, por jo pa edukatë, në mënyrë që edhe ata që e shohin t’iu duket sikur po ndodh në shtëpinë e tyre e jo në televizion.
Trajtoni tema sociale, kulturë e më pak politikë. Synoni t’i qëndroni larg politikës?
Dita e hënë i kushtohet politikës normalisht, kemi një intervistë politike, por më pas jam shumë i interesuar për zhvillimet e artit në Shqipëri, veçanërisht të të rinjve, personave që nuk janë të afirmuar, por që kanë nevojë për një dritare. Nëse e keni vënë re, vijnë shumë të rinj, që e kanë si një lloj pedane për t’u shfaqur. Kuptohet, ka një lloj seleksionimi sepse kur bëhet fjalë për art, flasim për art dhe jo për komercialitet. Nuk ndodh që të vijnë dhe të bëjnë tallava.
Në fakt, pyetja është nëse e shmangni të bërit politikë në emisionin tuaj?
Jo, nuk e shmang. Unë i intervistoj politikanët, por shmang debatin politik. Më pëlqen më shumë biseda në studio dhe mundohem që të ndërtoj në pyetje kurthin e gazetarit, por jo në ndërprerjen e parafolësit apo të bërit agresiv. Nganjëherë mua më bezdis fakti që gazetarët shqiptarë të ftojnë në studio dhe “të marrin erzin”, a thua se janë ata që kanë lindur me të drejtën. T’i do bësh pyetje, tjetri do përgjigjet; nëse bën pyetje të mençura, ka shumë gjasa që i intervistuari të bjerë në kurth. Fakti që çdo emision citohet në portale, do të thotë që emisioni pëlqehet edhe nga ambienti gazetaresk, jo vetëm nga njerëzit.
E bëni ju përzgjedhjen e personazheve?
Unë kam një redaksi të vogël, jemi dy apo tre persona që punojmë Është e pamundur që informacioni të vijë te një person i vetëm, duhet t’i gjesh. Ndodh të prezantojmë artistë të rrugës, për të cilët duhet të kesh të bësh me terrenin për t’i gjetur.
Cilën nga intervistat do të veçoje dhe cili nga personazhet ka dalë nga parashikimet e tua duke rënë në kurth?
Nuk më vjen ndërmend një emër.
Ka pasur dy apo tri intervista që personazhet i kanë hapur punë vetes. Radioja, dashuri më vete?
Tani është bërë gati e pazgjidhshme, nuk zgjidhem dot më nga radioja. Nuk e di se sa vjet u bëra që bëj emision çdo ditë. Kam që në vitin 1993 që bëj emision në radio, dhe tani jam i vetmi që së bashku me kolegun Oga, nga e hëna në të premte bëjmë tri orë radio në ditë. Kemi audiencë, jemi programi më i ndjekur në radio në fashën tonë orare. Nganjëherë mendoj që na njohin më shumë nga radioja dhe mendoj se di të bëj radio më mirë sesa televizion, dhe është çështje dashurie, pasioni, nuk e lë dot. Gjithashtu radioja është një lloj fizkulture për ata që duan të bëjnë televizion, sepse të bën më të rrjedhshëm.
E konsideron veten gazetar ironik apo të pëlqen të bësh humor?
Nuk e di. Unë mundohem të bëj në ekran atë që bëj në jetën e përditshme, flas pak a shumë njëlloj. Megjithatë, ka disa gjëra që të bëjnë jo vetëm të bësh ironi, por madje edhe cinizëm. Ka disa gjëra të tjera që të bëjnë të heshtësh.
Të kanë kritikuar ndonjëherë për sarkazmën që përdor në intervista?
Nuk bëj sarkazëm në intervista, madje ndonjëherë bëj ndonjë injeksion për të çtensionuar emocionet. Nuk është sarkazma, ironia apo batuta qëllim në vetvete, sepse unë nuk jam komik. Në momentin që e kthen në qëllim në vetvete, rrezikon të bëhesh bajat. Është komunikimi im i përditshëm, ky jam unë.
Enkeli si DJ?
Ai ka vdekur, sepse ai projekt mbaroi.
Je i apasionuar pas muzikës?
Unë bëj radio dhe e njoh muzikën, nuk është thjesht hobi. Njoh shumë zhanre, nisur që nga muzika e lehtë dhe popullore shqiptare, që më pëlqen shumë, e për të vazhduar te muzika e huaj kontemporane, për të cilën kam shumë njohje, sepse është edhe radioja që më ndihmon. Nuk jam profesionist, por kam shije.
Për shkak të Mesilës je bërë shpesh objekt i diskutimeve dhe sulmeve nga politika. Të vjen keq?
Pse të më vijë keq? Unë shyqyr që e kam Mesilën! Megjithatë, në përgjithësi, ata që merren me këtë lloj historie janë ose dritëshkurtër, ose njerëz shpirtvegjël. Unë kam një karrierë shumë kohë përpara se Mesila të evidentohej në politikë, në funksione siç është deputeti. Por janë këto goditjet që ne i kemi zakon, poshtë brezit, që përpiqen të lidhin Mesilën me mua, apo mua me Mesilën, e kështu me radhë. Të lë një shije të keqe fillimisht, por më pas mësohesh. Shqipëria është mësuar edhe me gjëra më të rënda se kaq. Megjithatë, që të jenë rehat këta, nuk kam ndërmend ta lë ndonjëherë Mesilën për këtë punë.
Ti vetë, mendon të impenjohesh seriozisht në politikë?
Kam pasur gjithë jetën oferta, që kur kam qenë i ri, madje jam marrë dikur, shumë herët, në fillim të viteve ’90. Por më pas jam tërhequr, sepse nuk më pëlqen, nuk e bëj dot. Mund të kem mendim politik, por jo, nuk kam pranuar asnjëherë ofertat që më janë bërë.
E kritikon Mesilën për vendimet politike apo e këshillon?
Jo, nuk e kritikoj asnjëherë, nuk është puna ime. Vendimmarrja politike nuk merret në shtëpi. Mund të diskutojmë për diçka, siç ndodh në çdo shtëpi, për lloj-lloj problemesh, por jo për vendimmarrje politike. Vendimmarrja politike nuk është individuale, por punë grupi, dhe është gjëja më e shëmtuar që në një punë grupi, ku duhen marrë vendimet, të futet familja. Unë kam qëndruar larg kësaj historie dhe mendoj se e kanë analizuar këtë fakt, sepse askush nuk thotë që unë jam eminenca i Mesilës. Nuk e kam bërë kurrë me qëllim dhe mendoj se është më mirë për të dhe për mua.
Po kur keni qëndrime të ndryshme për çështje të rëndësishme për Shqipërinë, apo kur Mesilës i duhet të bëjë kompromise në emër të orientimit politik, si i zgjidhni?
Nuk ka ndodhur të jemi vënë në provë kaq të vështirë, por zakonisht i themi gjërat hapur dhe unë dal në televizor dhe e them atë lloj kundërshtie. Ka qëlluar ndonjëherë kur ishte PD-ja në pushtet, që unë kam shprehur ndonjë gjë në kundërshtim me qëndrimin e saj zyrtar, por ky nuk është burim konflikti. E rëndësishme është të mos jetë qëllim në vetvete dhe të konceptohet si sfidë, sepse, kë po sfidon? Po sfidon gruan për një vendim! Sidoqoftë, Mesila është djathtas, edhe unë, e nuk kemi pasur ndonjë problem të kësaj natyre.
Çfarë babai është Enkel Demi?
Siç ka qenë babai im.
Autoritar?
Jo, jo! Nuk është se kur hyj unë në shtëpi ata ngrihen në këmbë se erdhi babai, por mund të them se jam një pikë referimi në shtëpi, siç është edhe Mesila. Mundohemi të mos dublojmë njëritjetrin. Edhe kur nuk jemi dakord për vendime familjare, në momentin që është marrë një vendim, mundohemi që tjetri të mos e kundërshtojë.
Aktualisht si i keni marrëdhëniet me Bashën, duke qenë se e keni kritikuar kohë më parë?
Unë nuk kam problem me Bashën dhe nuk kam pasur ndonjëherë. Unë nuk kam problem me Bashën, por me gënjeshtarët.
Komentet