Gazeta le monde e së shtunës pasdite ka botuar një intercistë të gazetarit të saj që mbulon Ballkanin Remy Urdin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Përgjigjet e Kurtit ishin interesante se ai fliste menjëherë pas fillimit të dialogut me presidentin serb Vuçiç dhe direkt pasi ka takuar shefin e shtetit francez Makron. E rëndësishme në këtë dialog, disa detaje të të cillit kanë dalë edhe në shtypin shqipfolës, por që Lapsi.al po e boton të plotë, është ideja e kryeministrit Kurti, për të mos dialoguar më për statusin e Kosovës, por për njohjen reciproke. Po ashtu interesant është fakti se gazetari e pranon që ka pasur një plan të administratës Trump për shkëmbim kufijsh por bashkëbiseduesi i tij e quan këtë kapitull të mbyllur. Kurti ka përsëritur edhe njëherë propozimin e bërë edhe në Bruksel që dy vendet të nënshkruajnë një “deklaratë paqeje” ku ata angazhohen të mos sulmojnë kurrë më ushtarakisht njëri tjetrin. Lajme të tjera nga intervista janë edhe ato se Franca ende është skeptike për liberalizimin e vizave dhe se në optikën e makron qëndron ende logjika që Serbisë i duhet bërë ndonjë lëshim për ta njohur Kosovën…
Le Monde: Sapo keni takuar për herë të parë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel. Cila ishte përshtypja juaj?
Kurti: Ky ishte takimi i parë për një dialog në të ardhmen. Nuk ishte i lehtë, por konstruktiv. Kam insistuar që asgjë të mos fshihet nën qilim, pra që çështja e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohet me sinqeritet. Të gjithëve na duhet kjo njohje reciproke. Vuçiç u përgjigj duke thënë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën.
Mospranimi i realitetit në njërën anë, apo e vërteta në anën tjetër, vijnë nga e njëjta logjikë. Serbia duhet të distancohet nga koha e Millosheviçit, i cili e nisi aparteid dhe përfundoi me gjenocid në Kosovë. Liderët e Serbisë duhet të ndahen nga trashëgimia e Millosheviçit.
Pavarësia e Kosovës është 13-vjeçare. Nuk mund të kemi diskutime siç kemi bërë para vitit 2008. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010, i cili validitoi faktin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar, ky debat është mbyllur. Nuk do ta diskutoj statusin e Kosovës, është çështje e zgjidhur. E vetmja çështje sot është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë. Vuçiçi duhet ta kuptojë këtë. Vuçiçi ende e konsideron Kosovën territor të cilin Serbia një ditë duhet ta rikthejë, pa marrë në konsideratë popullin dhe qytetarët e saj. Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të bëhet më demokratike.
Konkretisht, si mundet të ecë përpara dialogu ndërmjet Kosovës
dhe Serbisë ?
Në Bruksel, unë bëra katër propozime. I pari Ishte reciprociteti i të drejtave të pakicave serbe dhe shqiptare në secilin
nga vendet. E dyta një “deklaratë paqeje” ku dy vendet angazhohen të mos sulmojnë kurrë më ushtarakisht njëri tjetrin, veçanërisht në një kohë kur Beogradi po blen armë në Rusi; por Vuçiç menjëherë refuzoi. E treta është të bëjmë cështjen
e të zhdukurve në luftë një përparësi Dhe e katërta është për të shkuar drejt një marrëveshjeje rajonale të tregtisë së lirë.
Ky dialog serbo-kosovar zhvillohet nën kujdesin e Bashkimi Evropian. Ndërsa nga ana amerikane, administrata e Trump, më parë dëshironte shkëmbime teritoresh midis Serbisë dhe Kosovës, a shihni ndonjë ndryshim diplomatik që prej asaj zgjedhjes së Joe Biden?
Zgjedhja e Presidentit Biden është një sinjal shumë pozitiv. Së pari, Joe Biden u bë udhëheqësi i social demokratëve në botë dhe kjo është shumë pozitive. Unë besoj se administrata amerikane nuk e ka marrë asnjëherë shumë seriozisht atë cfarë donte të bënte z. Trump në këndvështrim diplomatik. Historia absurde e shkëmbimit të territoreve ka mbaruar. Le të mos flasim më për të.
Si shkoi takimi juaj i parë me Emmanuel Macron?
Ne diskutuam çështje bilaterale në fushat e sigurisë, kulturës, të Frankofonisë. Unë nga ana ime, insistova në problemin e liberalizimit të i vizave për qytetarët e kosovës, tre vjet pas dritës jeshile dhuruar nga Bashkimi Evropian, dhe ndërkohë që ka pasur një rënie drastike të emigracionit. Parisi mbetet skeptik.
Shpresoj që kjo vizitë do të ndihmojë për të kapërcyer skepticizmin e Francës. Unë insistova në nevojën e marrëdhënieve shumë të forta ekonomike bilaterale me Francën.
Diplomatikisht, i kam kërkuar presidentit Macron që ta lidhë njohjen e ardhshme të Kosovës nga Serbia me pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, sepse këto dy subjekte, në këndvështrimin tim nuk duhet të ndahen. Z. Macron më pyeti se cfarë është e gatshme të lëshojë Kosova për Serbinë në këmbim të njohjes. Por pyetja e vërtetë është tjetër: kur do të jetë Serbia e gatshme të njohë Kosovën? Mendoj se duhet ti japim fund taktikës së dhënies gjithmonë më shumë Serbisë, pa e kënaqur dot kurrë në këmbim.
Intervistë e gazetarit Remy Ourdan e botuar në të përditshmen që mban datën e së dielës 27 qershor/ Përgatiti Lapsi.al