Shenida Bilalli, gazetare e luftës të ish-Jugosllavisë që më 1991 me dokumentarët e saj kundërshton regjimin e Milosheviçit
Shenida Bilalli, gazetarja nga Prishtina ka plot 24 vjet që jeton në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb. Ajo është e njohur si skenariste e regjisore televizive në programin Dokumentar, por edhe si gazetare e programit informativ me tema aktuale të Kroacisë.
Shenida Bilalli është shqiptarja e parë nga Kosova që ka kryer Akademinë për Teatër, Film dhe Tevizion në Zagreb, më 1983. Ajo ka realizuar më tepër se 300 filma dokumentarë, dramat Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe Monologu i Teutes.
Publikun në Kosovë e bëri për vete me tema të guximshme sociale, por shpejt e zotëroi edhe tregun e ish Jugosllavisë me filmin „ Krahu i thatë“, i cili flet për gjendjen e rëndë të Kosovës në vitin 1989, ku intelektualët, për shkak të papunësisë shitnin krahun e punës si hamallë. Me mjeshtri dhe stil të veçantë autorja hyn në konkurrencën më të ngushtë për shpërblimin në festivalin televiziv në ish Jugosllavi. NEUM 1990.
Aty mori ftesën nga TV Zagrebi, për të punuar për programin Dokumentar dhe emisionin e femijëve. Në 1991 sipas skenarit dhe regjisë së saj, xhiron serinë “Çka ?Kush? Ku ?” me motive nga Bibla, ne 10 episode me aktorët më të njohur të Kroacisë.
Gjatë xhirimit në Kroaci, prindërit e porosisin të mos kthehet në Kosovë, se është në listën e zezë. Ndërkohë bashkëshorti dhe 3 fëmijët i bashkohen në Zagreb, ku dhe filluan të jetojnë.
Në vitet 1990 mediumet dhe televizioni kroat ishin plot lëvdata dhe shumë vlerësues për talentin e shqiptares 30 vjeçare, por Shenide Bilalli, nuk e harroi kurrë vendlindjen e saj dhe më 1991 xhiron filmin dokumentar për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova „Kur e humbi vendlindjen“.
Në filmin plot skena të trenave kundërshton regjimin e Milosheviçit dhe paraqet gjendjen reale në Kosovë, dëbimin e rinisë dhe forcës mashkullore që largohen nga Kosova për shkak gjendjes së keqe, emigrojnë dhe bëhen njerëz pa status në botë.
Ky film ishte jashtëzakonisht guximtar, por ndërkohë ia hap autores dyert e mëdha. Programi Dokumentar TVK e caktoi regjisore dhe gazetare në emisionin informativ „Për Liri „ ku ishin angazhuar gazetarët dhe regjisorët më të dalluar të Kroacisë për ta mbrojtur shtetin nga agresioni i Milosheviçit.
Me stil të veçantë dhe me një sensibilitet tepër të hollë, Shenida Bilalli iu bashkohet nënave Kroate „Bedem Lubavi“ –“Muri i Dashurisë” të shpëtojnë djemtë nga ARJ, dhe kështu fiton simpatinë e teleshikuesve kroatë.
Nuk ndalet asnjë çast. Vazhdon të xhirojë temën e luftës në vijën e parë, ku personazhë të saj janë luftëtarë refugjatë, të lënduar, fëmijë, femra të dhunuara, sensibilizon botën për gjendjen në Kroaci dhe i ndihmon familjet për t’i gjetur të zhdukurit.
Filmi „Muri i dhimbjes“, 1997, Shenida Bilallin e ngjiti në skenën botërore ku përfaqësoi Kroacinë në Kanë. Me këtë film tërhoqi vëmendjen jo vetëm të kritikës por edhe të politikës botërore, ku shpejt doli në dritë e vërteta për të zhdukurit dhe pa vonuar, u hapën gropat e të vdekurve në Vukovar dhe u gjet shumica e të zhdukurve.
Filmi „Muri i dhimbjes“ theu të gjitha rekordet e shitjes së filmit në festivalin e Kanës dhe në Kroaci . Autorja ua dhuroi prindërve të të zhdukurve të drejtat e autoriale për të ngritur lapidarin të cilit ia dhanë emrin simbas filmit të saj, “Muri i dhimbjes”. “Muri i dhimbjes” hyri në antologjinë e filmit Kroat.
Por Shenida Bilalli në Kosovë mbeti si heroina-dëshmitare e grevës së minatorëve të Stari Tërgut që zbriti 900 metra nën tokë.
QËNDRIMI I MINATORËVE TË STAN TËRGUT ISHTE GUROR, SHUMË I VENDOSUR, KUNDËR MILOSHEVIÇIT
Shpejt m’u thyen ëndrrat e gruas së re, me ngjarje të përditshme: demonstrata, dënime, burgosje, procese të montuara, arkivole të blinduara me djem të rinj që vinin nga ushtria jugosllave…
ELIDA BUÇPAPAJ: E dashur Shenide, tash në shkurt, u mbushën 24 vjet nga greva e minatorëve të Stan Tërgut, si i kujton ato ditë dhe ku ishit?
SHENIDA BILALLI: Pyetja e minatorëve dhe Kosovës është më komplekse se ç’duket. Kemi një histori të gjatë të vuajtjeve të popullit shqiptar nga pushtimi serb që sundonte në Kosovë nga viti 1912. Por këto vuajtje u kulmuan në vitet 1950 me shpërngulje të mëdha të shqiptarëve deri në vitet 1980 ku mbërrin caku tjetër dhe ndryshon fati i shqiptarëve mbas vdekjes së Titos.
Minatorët janë thjesht një zë i kundërshtimeve të popullit shqiptar ndaj dhunës në Kosovë. Muaji nëntor dhe shkurt tek unë zgjojnë kujtime të thella për Kosove e viteve 1983-90.
Posaçërisht më mbeten në kujtim sorra të zeza mbi qiellin e Prishtinës. Në atë kohë isha grua e re, nënë e djalit të tretë, forca e re e Kosovës. Kam punuar në rubrikën Dokumentar si regjisore dhe skenariste në emisionin për gra „Ato„ me tendencë të ndihmojmë emancipimin gruas shqiptare.
Në atë kohë bota ime ishin lulet, rregullimi i banesës, moda dhe edukata e fëmijëve.
Po shpejt m’u thyen ëndrrat e gruas së re, me ngjarje të përditshme: demonstrata, dënime, burgosje, procese të montuara, arkivole të blinduara me djem të rinj që vinin nga ushtria jugosllave, fëmijët që mbyteshin nga frika, në çdo hap veç vuajtje dhe varfëri e pafund.
Jetonim me orë policore. Në heshtje zhdukeshin njerëz, sidomos studentët dhe intelektualët. Ajri ishte tepër i dendur, nuk mujshim frymë me marrë nga presioni dhe tortura psikike e fizike, që e ushtronin përditë mbi popullin shqiptar… Si sot më kujtohet kur gazetarët tanë në programin e TV Prishtinës fillonin çdo emision Ditar ose Lajme me ‘irredentista’, ‘separatista shqiptarë’, ‘represion’, ‘iredencë’… ‘separatizëm’… Na shpëlanin trurin. Por kur dilja nga ndërtesa e TV, sorrat e zeza mbulonin qiellin e Prishtinës. U sillshin në një rreth pa fund. Si me pasë parandjenja, ose si me paralajmërue që do të ndodhë më e keqja mbi popullatën e Kosovës.
Në Has e mora edhe përgjigjen pse të gjithë meshkujt e fshatit ishin furrtarë
ELIDA BUÇPAPAJ: Në atë kohë keni xhiruar edhe filma dokumentarë me tema sociale?
SHENIDE BILALLI: Interesante është se më 1983 kam diplomuar me një dokumentar me tematiken sociale për nënën vetushqyese. Gjithmonë më ka interesuar bota e femrës, por jeta gjatë studimeve në Zagreb ka pasë ndikim të madh te unë, për shkak të imazhit që na shoqëronte në botë.
Më mundonte fakti se të gjithë shqiptarët përfytyrohen si furrtarë ose si punëtor fizikë. Unë rjedh nga një familje e vjetër intelektuale qytetare prishtinase. Kur jam kthyer nga studimet më 1983 kam filluar të punoj në montazhin e filmit, por prirja ime ndaj skenarit dhe ngjarjeve të përditshme si dhe puna ime e suksesshme, më ndikuan që unë të emërohem në ekipin e programit Dokumentar 1984. Fillova të punoj si regjisore dhe skenariste dhe jam marrë me hulumtimin se ku jetojnë furrtarët dhe me çfarë jetese kanë gratë e tyre. Xhirova filmin „ Hasi i Thatë“ simbas skenarit të Agim Mehmetit, me asociacion nga kënga e Sinan Vlaslijut „Niset trimi ne gurbet“. Kur kam mbërri në fshatin e Hasit afër Shqipërisë, gjeta plot gra pa burra, ishin vetëm me fëmijë. Jetonin në kushte të papërfytyrueshme, pa ujë, pa rrugë, pa mjek. Edhe ata meshkuj që kishin mbetur në fshat ishin të gjithë furrtarë. Gratë, edhe pse ishin të veshura vetëm me veshje kombëtare të Hasit, dukej se ishin shumë të bukura. Po e mora edhe përgjigjen pse të gjithë meshkujt e fshatit ishin furrtarë. Tregimet e grave dhe e të rinjve nga Hasi më qartësuan se shqiptarët e atyre anëve nuk kanë pasë mundësi të shkollohen, se ishte politika sistemit jugosllav ashtu. Me mijëra njerëz përditë janë larguar nga Kosova, kjo ishte e vetmja mundësi për ta ushqyer familjen, por ishte edhe shkatërrim i familjes. E kam shkruar shpejt e shpejt skenarin e filmit për gratë e Hasit, të cilat gjithë jetën e kalonin në vetmi. Por për fat të keq filmi ka mbetë në arkivin e Kosova filmit dhe kolegë të dashur e kanë coptuar skenarin e famshëm pjesë-pjesë dhe me to kanë krijuar spote. Sot filmi do të kish pasë një vlerë shumë të madhe, sepse ky fshat është shfarosur. Pas atij filmi kam xhiruar tema të tjera të ndryshme sociale dhe në fund e bëra filmin për Grevën e minatorëve të Trepçes.
Nga 1980-1989 Kosova vlonte, ishte flakë e gjallë sepse jeta e shqiptarit nuk kishte kurrfarë vlere
ELIDA BUÇPAPAJ: Çka ka ndikuar tek ju të përfshiheni në dramën e grevistëve të Stan Tërgut 900 metra nën tokë?
SHENIDA BILALLI: Në ato vite, nga 1980 e sidomos nga 1989, Kosova vlonte, ishte flakë e gjallë. Jeta e shqiptarit s’kishte kurrfarë vlere. Më dhimbseshin nënat që i humbnin djemtë para syve, në demonstrata, në rrugë, në prag të shpisë, të varfër, as kafshatën e bukës nuk kanë pasë mundësi t’ua jepnin. Fëmijët dhe rinia e Kosovës vdisnin nga uria. Përditë forcat policore të Serbisë ushtronin forcën mbi popullin shqiptar. Populli duronte provokime të jashtëzakonshme. Gazetarët dhe krijuesit nuk kanë pasë shumë mundësi të bëjnë diçka! Por në shpirt unë jam dokumentariste. Dhe argumentet e fuqishme më shtyjnë dhe më motivojnë të reagoj. Kjo ndodhi përkisht në shkurt. Ndjenjat e mia ishin akumuluar për shkak të padrejtësisë së pafund. Dhe, në ato rrethana, kam përfunduar 900 metra nën tokë, ku jam bërë pjesë e ngjarjes epokale, në grevën e minatorëve të Stan Tërgut.
Minatorët – një forcë e pasfidueshme, ata ishin një grusht njerëzish kundër njësive speciale të policisë e cila i bllokoi rrugët krejtësisht
ELIDA BUÇPAPAJ: Greva e minatorëve ishte mishërim i zemërimit të njerëzve të Kosovës ndaj padrejtësive të pushtimit serb.
SHENIDA BILALLI: Muaji shkurt bënte ftohtë… Ishte natë e vonë, mbas orës 2:00. E kisha djalin e tretë në gji. Banonim në qendër të Prishtinës në një apartament në katin e 8. Djali ishte pa qejf, por heshtjen e mesnatës me mjegull e thyen zërat e minatorëve. Ecnin përgjatë rrugës, me kapelat dhe me uniformat e punës, në duar mbanin portretet e Titos. Dëgjoheshin jehonat e zërave të tyre: Tito… Jugosllavi…Kurrë nuk e harroj atë skenë. Ishin aq pak, një grusht i vogël, kundër njësive speciale të policisë, e cila i bllokoi rrugët krejtësisht. Policët ishin në çdo ndërtesë, në çdo çati, në çdo rrugë. Atë natë minatorët kanë zgjuar tek unë një forcë të pasfidueshme. Kam filluar me qajtë me një zë shumë të çuditshëm… Me të dyja duart e mbyllja gojën që të mos ndihet piskama ime. I thashë tim shoqi:„Duhet bërë diçka. E çfarë intelektualësh jemi nëse nuk reagojmë dhe nuk iu bashkangjitemi minatorëve. Nëse minatorët marrin parasysh me e rrezikue atë rrogë të vogël, me të cilën i ushqejnë fëmijët, edhe ne duhet me e kundërshtue këtë terror.“ Im shoq më tha: „Shiko punën tënde“. Aty ndjenjat e mia janë thyer. Në mëngjes kam marrë kamerën dhe me lejen e Smajl Smakës, kryeredaktorit të programit të informimit, kam shkuar në Stan Tërg.
Qëndrimi i minatorëve ishte guror, shumë i vendosur, së pari, kundër regjmit të Milosheviçit që ishte instaluar të shkatërronte autonominë e Kosovës
ELIDA BUÇPAPAJ:Minatorët e Stan Tërgut ishin luftëtarët e parë të lirisë në Kosove më 1989. Cilat ishin kërkesat që bënë grevistët e Stan Tërgut?
SHENIDA BILALLI: Ajo skenë e minatorëve ishte historike dhe madhështore, 900 metra nën tokë, në horizontin 11… ku mbizotëronte vetëm terri dhe zëri i minatorëve, i cili kërkonte të drejtat e njeriut në emër të 1300 grevistëve dhe në emër të popullit të Kosovës.
Grevistët kërkonin të plotësohen kushtet politike: të kthehet kushtetuta e Autonomisë së Kosovës e vitit 1974. Kërkonin dorëheqjen e parevokueshme të politikanëve Ali Shukria, Rahman Morina e tjerë dhe të ndalet agresioni ndaj popullit. Skena 900 metra nën tokë nuk harrohet. Shiheshin vetëm hije të kapelave të bardha të minatorëve, të cilët qëndronin të ulur nëpër korridore të ngushta, të pandriçuara, veç me drita të vogla të kapelave.
Janë skena dhe ndjenja që nuk harrohen. Mbizotnonte heshtja, heshtja dhe vetem heshtja. 1300 minatorë duke pritur çdo moment se çka do të bëhet. Minutat bëheshin orë e orët bëheshin vite. Fytyrat e tyre tregonin mërzinë për familjet. Lotët iu rridhnin nëpër fytyrat e tyre pa i pyet, ata asnjë zë nuk e leshonin… Dhimbjen dhe mërzinë për më të afërmit, sidomos fëmijët, e mshefshin në emër të grevës. Ua parashtronin kushtet gazetarëve dhe politikanëve që vinin në vizitë.
Qëndrimi i minatorëve ishte guror, shumë i vendosur, së pari, kundër regjmit të Milosheviçit që ishte instaluar të shkatërronte autonominë e Kosovës . Konstant parshtronin 9 kushte cilat përsëriteshin: „Nuk dalim nga zgafella deri sa agresioni i Milosheviçit nuk ndalet ndaj popullit shqiptar, dhe të ndalohet çdo orvatje e mëtejshme për shuarjen e Autonomisë së Kosovës. Nëse nuk e ndalni këtë zjarr, ai do të përhapet në tërë Jugosllavinë. Këto ishin fjalët e grevistëve. Isha e habitur çfarë disipline dhe rregulli ka pasur në mesin e tyre, pa kurrfarë skenari, gjithçka funksiononte për mrekulli.
Me minatorët isha tri ditë dhe tri net. Por ata kuptuan që janë të rrethuar nga njësitë speciale të Jugosllavisë, poashtu edhe nga armata e Jugosllavisë, e cila ishte përgatitur për intevenime më të rënda. Stan Tërgu ishte bombë e cila pritke çdo moment të shpërthente. Minatorët, qëllimisht, më larguan nga zgafella me këto porosi: “Të lutem shko dhe shiko sa kemi perkrahje nga studentët dhe populli.“
Dola me mendimin se do të kthehem shpejt. Por isha e habitur pse të gjithë minatorët, para se të largohem, më afroheshin e përshëndeteshin me mua. Disa më përqafonin me fjalë dhe lotë: Rruga e mbarë të qoftë, motra jonë, ishalla Zoti të ruan! Dhe shpejt largoheshin. Atëherë nuk kuptoja se po përshëndeten me mua dhe unë nuk do t’i shihja më. Minatorët më shpëtuan, duke sakrifikuar jetën e vetë. Këtë e kuptova kur dola zgafella. Çdo hap ishte plot e përplot me polici.
Shfrytëzoj rastin të lëvdoj Skënder Buçpapaj për komentin „Populli e di kë ka cub kë hero“, që risjell në kujtesë vargjet e poezisë të pavdekëshme të poetit Qerim Ujkani… „Populli i di të gjitha“…
ELIDA BUÇPAPAJ: Minatorët e Stan Tërgut fituan solidaritetin e gjithë Kosovës, a mund të na sjellësh detaje, si regjisore që e përcolle këtë grevë drejtpërdrejtë!
SHENIDA BILALLI: Kosovën e kam lënë në ato skena dhe me ato vdes. Më kujtohet solidarizmi një për të gjithë dhe të gjithë për një, ende e përjetoj ashtu Kosovën. Skenat në zgafellë kanë qenë shumë të rënda. Më kujtohet vetëm hyrja në zgafellë dhe e shfrytëzoj rastin të lëvdoj Skënder Buçpapaj për komentin „Populli e di kë ka cub kë hero“, që risjell në kujtesë vargjet e poezisë të pavdekëshme të poetit Qerim Ujkani… „Populli i di të gjitha“…
Atë e kam përjetuar dhe vërtetuar disa herë, prandaj i besoj popullit. Kam hi në zgafellë dhe, pa ndihmën e minatorëve të cilët më njihin në bazë të punës së mëparshme, asgjë nuk kisha mundë të bëja. Populli shumë mirë e di kush punon me shpirt e kush shet patriotizëm. Por desha të cek hyrjen në oborr të Stan Tergut. Pakëz është komike. Po vërtet është. Së pari, duke iu falënderuar dukjes time shumë moderne, kam hyrë në oborr të zgafellës. Në atë kohë nuk ka pasë shumë femra shqiptare bjonde. Të gjithë mendonin se jam gazetare e huaj. Policia serbe ka menduar se jam gazetare e huaj, ndoshta ka menduar se jam gazetare serbe. Nuk kanë kërkuar letërnjoftim, çka ka qenë e detyrueshme, me siguri për shkak të qëndrimit tim shumë të vetësigurt. Me vetëdije e pa vetëdije e kam bër këtë, për shkak të vendimit që kisha marrë. Isha me një xhaketë prej lëkurë antilope dhe ecja si mankene, a thua se nuk më intereson asgjë tjetër… vetem moda dhe bukuria. E në të vërtetë isha e frikësuar, e vetmja femër në 1000 e sa meshkuj….
U krijua LDK më në krye Ibrahim Rugovën – ka qenë një lëvizje e hatashme madhështore që kurrë nuk përsëritet, ku intelektualët më të mëdhenj të Kosovës kanë qenë unikë të vendosur si kurrë më parë, së bashku me popullin Kosovar
Nuk kemi të drejtë dhe as guxim të harrojmë meritat dhe emrin e dr Ibrahim Rugovës dhe intelektualëve të LDK, si dhe të gjithë atyre që u përkushtuan dhe u flijuan për lirinë. Ata janë themeli i pavarësisë dhe demokratizimit të Kosovës
ELIDA BUÇPAPAJ:Greva e minatorëve të Stan Tërgut tregoi pjekurinë e popullit të Kosovës, që do t’i paraprinte pluralizmit politik që do të shpallej në Kosovë në fund të atij viti me krijimin e LDK-së, si mendoni ju?
SHENIDA BILALLI:Atëherë u formua LDK më në krye Ibrahim Rugovën – ka qenë një lëvizje e hatashme madhështore që kurrë nuk përsëritet. Intelektualët më të mëdhenj të Kosovës kanë qenë unikë të vendosur si kurrë më parë, së bashku me popullin Kosovar, i cili ishte guximtar. Në kushte krejtësisht të pabarabarta e kundërshtonin me politikë paqësore makinerinë e egër pushtuese. Ajo është diçka aq e madhe! Ishim të rrethuar nga njësitë speciale serbe, pastaj jugosllave, të armatosura deri në dhëmbë, kudo, në çdo hap, në tokë, në ajër. Por populli vazhdonte të jetonte jetën e përditshme me idealin… e pavarësisë. Ajo lëvizje kurrë nuk përsëritet kurrkund në botë. Ibrahim Rugova dhe LDK me popullin shqiptar i treguan botës se Kosovarët nuk janë agresorë, por popull që don paqe…
Ajo lëvizje demokratike kërkonte sakrificë të madhe nga populli shqiptar. Më në fund u shpërblye, por çmimi i lirisë ishte shumë i shtrenjtë. Një milion shqiptarë nga Kosova u shpërngulen, me mijëra të vrarë dhe shumë të zhdukur. Shumë fëmijë të Kosovës sot janë jetima… Por luftën dhe imazhin për shqiptarë në botë fituam. Meritat e LDK dhe të Ibrahim Rugovës, këtij mendimtari të rrallë në botë, janë të mëdha. Prandaj nuk kemi të drejtë dhe as guxim të harrojmë meritat dhe emrin e dr Ibrahim Rugovës dhe intelektualëve të LDK, si dhe të gjithë atyre që u përkushtuan dhe u flijuan për lirinë. Ata janë themeli i pavarësisë dhe demokratizimit të Kosovës.
SHENIDA BILALLI:– PËR HATËR TË VIKTIMAVE TË PANUMËRTA QË KEMI PASUR, DUHET TA RUAJMË TOKËN TONË SI SYTË E BALLIT
Jam befasuar si ndodhi të harrohen minatorët. Gjeja arsyetim se ishte kohë lufte, por mbas luftës askush nuk u kujtua për minatorët
ELIDA BUÇPAPAJ: Megjithëse gjithë reflektorët e botës u fokusuan tek minatorët grevisë dhe ishte ngjarja më e madhe, sot e kësaj dite mbulohet me heshtje, si është e mundur?
SHENIDA BILALLI: Jam befasuar si ndodhi të harrohen minatorët. Gjeja arsyetim se ishte kohë lufte, por mbas luftës askush nuk u kujtua për minatorët.
Nuk jam pajtuar me këtë realitet. Dhe në vitin 2000, me ekipin e TV Kroacisë, xhirova reportazhin për minatorët – „Ku janë heronjtë e Kosovës“. Ishte dhjetor, dimri shume i ftohtë, akull, ekipi ynë nëpër borë mezi ka mbërri në fshatin Kolonija Angleze. U takova me minatorët dhe familjet tyre që jetonin në kushte shumë të vështira. Larg civilizimit, në mal dhe në varfëri. Por minatorët u gëzuan shumë kur më kanë pa, dhe nuk më kishin harruar… Për mua ka qenë një gezim i veçantë.
Reportazhi ka zgjuar shumë interesim të madh në Zagreb dhe tek gjithë populli Kroat. Pa vonuar organizuam një aksion humanitar nga Kroacia për ndihmën ndaj fëmijëve të minatorëve. Por aq sa simpati kam zgjuar, aq edhe i kam hidhëruar disa. Në reportazh e kam cekë se fati i minatorëve dhe i Kosovës është fatkeq, për shkak të pasurisë të madhe që e ka Kosova. Minatorët u harruan, Ibrahim Rugovën filluan ta shajnë, të gjitha vlerat e vërteta të kombit u muarën nëpër këmbë. Posaçërisht në tekstin e reportazhit kam theksuar se më të merituarit për lirinë e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe minatorët, ata që hapën të parët rrugën për lirinë e Kosovës, nuk po nderohen. Mbas atij reportazhi ka filluar kalvari im në Zagreb, nga një grup i shqiptarëve, të cilët kanë ndikuar mjaft në opinion për shkatërrimin e autoritetit tim dhe mohimin e punës sime në Kroaci, po edhe në Kosovë.
Minatorët jetojnë në Koloninë e Anglezëve, emër që tregon se Trepçen e kanë shfrytëzuar të gjitha perandoritë: Roma, Bizanti, Otomanët, Anglia, Serbia, por jo shqiptarët
ELIDA BUÇPAPAJ: Grevistët e Stan Tërgut e rrezikuan jetën e tyre në të mirë të drejtës për liri të popullit të Kosovës – ku janë këta njerëz sot, për të cilët duket se nuk kujtohet kush?
SHENIDA BILALLI: Minatorët në jetën time kanë status të posaçëm dhe mendoj se ngjarja minatorve nuk ka përfunduar. Përsëri kam marrë iniciativën dhe kam shkuar direkt në Trepçë, në Stan Tërg më 2009, kam shkuar në vendin e ngjarjes mbas 14 viteve. Në produksion TV Kroacinë kam xhiruar filmin dokumentar me titull „Horizonti i nëntë i Kosovës“. Jam takuar përsëri me minatorët. Zoti ka dashtë që atë ditë minatorët kanë qenë në grevë dhe kanë pasur takimin me përfaqësues evropianë. Përfaqësuesit e huaj nuk më lejuan të xhiroj në sallën ku ishte takimi. Por, me dëshirën dhe këmbënguljen e minatorëve isha në mesin e tyre përsëri. Përsëri zbrita 900 metra nën tokë në horizontin 11. Ishte shumë i rëndë momenti i hyrjes në zgafellë. Kur më lajmëroi drejtori që lejohem të hyj në zgafellë, jam gëzuar aq tepër, por para hyrjes, mjekët ma maten tensionin: ishte 200. Nuk preferonin të zbres, po unë nuk i ndigjova, shkova në zgafellë. Shok të madh kam përjetuar para hyrjes në garderobën e minatorëve, e cila gjindet para zgafellës. Ishte e zbraztë, por veç disa tesha të vjetëruara të minatorëve që kujdesen për mirëmbajtje Trepcës… Skenat ishin e trishtuese. Veç zinxhirë, numra dhe zbraztësi. Në dhomën tjetër na priti një skenë shokuese -afër 1000 kapela të bardha të minatorëve të gjuajtur nëpër tokë, të përzieme me ujë… Dukeshin si kokat e minatorve. Por mblodha forcën dhe xhirova kapela te bardha. Ato skena janë më të fortat në film.
Kur zbritëm në horizontin e 11 kam ndier një zbrazëti të jashtëzakonshme: skenat në zgafellë ishin krejt të tjera. Korridoret të zbrazëta. Veç ekipi i tv dhe i mjekëve që ishin me ne. Në zgafellë nuk ishin ata që më jepnin forcë më 1989. Uka… Xhemali… Nexhmedini dhe shumë të tjerë. Unë kërkoja fytyrat e minatorëve.
Trepça është plaçkitë tërësisht, të gjitha makineritë për punë në zgafellë i ka marrë Serbia. Minatorët tregonin se, në kohën kur kishin punuar, përditë i nxirrnin nga 15 kilogram ar, dhe kalonin tortura speciale nga rojet se mos po e marrin ndonjë gram ar me vete. Para se të shkonin në shtëpi i zhveshnin lakuriq dhe ua matnin peshën, ndërsa arin e çonin në Beograd. Ndërkohë minatorët sot e kësaj dite janë pa punë dhe në kushte shumë të vështira, të harruar nga të gjithë. Ata jetojnë në Koloninë e Anglezëve, emër që tregon se Trepçen e kanë shfrytëzuar të gjitha perandoritë: Roma, Bizanti, Otomanët, Anglia, Serbia, por jo shqiptarët.
Me vite kisha jetuar me frikë shumë të madhe se do të vijë dita dhe do ta sulmojnë Kosovën mbas Kroacisë dhe Bosnjës
ELIDA BUÇPAPAJ: Greva e Stan Tërgut do t’i printe UÇK, por me një ndryshim thelbësor, formacioni ushtarak do të reflektonte përçarjet e thella politike, minatorët e Stan Tërgut fituan besimin e gjithë popullit të Kosovës, çfarë do të shtonit?
SHENIDA BILALLI: Sa i perket UÇK, per mu ajo ka qenë një fenomen i panjohur. Jam marrë me çështjen e Kosoves me vite, dhe kur kam dëgjuar së pari per UÇK,kam menduar se është një provokim i madh për Kosovën nga ana e serbëve, duke menduar sa njerëzit ishin larguar në mërgim dhe në Kosovë kanë mbetur veç pleq dhe gra. Parashtroja pyetje: Kush e mbron Kosovën? Me vite kisha jetuar me frikë shumë të madhe se do të vijë dita dhe do ta sulmojnë Kosovën mbas Kroacisë dhe Bosnjës. Kisha një përvojë të madhe e të hidhur nga lufta e Kroacisë dhe e Bosnjes. Kisha xhiruar shumë filma nga Vukovari deri te Srebrenica. Prej frikës se mos po përhapet lufta në Kosovë, çmos kam bërë nëpërmjet tryezave të rrumbullakta dhe projeksioneve të filmave të jepja mesazhin „Ndalni Luftërat „. Politikanë, gazetarë dhe shoqatat humanitare kroate më të njohura në atë shtet së bashku me mua kanë ngritur zërin për Kosovën. Politikanët Stipe Mesiq, Ivica Račan, Slaven Letica …Gazetari Goran Miliq, drejtor televizionit Miko Galić dhe shumë të tjerë.
UÇK-së duhet t’ia japim vlerat e vërteta, duhet t’ia japim vlerat e vërteta çdo heroi të kombit pa marrë parasysh nga i cili vend është. Kryesore është të jetë shqiptar, dhe në atë mënyrë jemi popull madh, i cili i i di dhe i njeh meritat e të gjithëve
ELIDA BUÇPAPAJ: Ju, Shenide, nuk jeni mjaftuar të kërkoni në Kroaci ndihmë për Kosovën dhe të tregoni vërtetën, por keni shkuar edhe në qytete të Europës?
SHENIDA BILALLI: Kam qenë e lidhur me shumë shoqata botërore të grave dhe kam pas premieren e filmit tim autobiografik „Ndalni luftërat“ në Vjenë, Paris, Bernë, Bruksel, Pragë dhe shumë shtete të tjera europiane ku e kam ngritur zërin për Kosovën dhe kam gjetur mbështetje. Në atë kohë kam pasur përkrahje të madhe nga gratë e Ambasadorëve të SHBA (Mongomeri), Anglisë (Monro),Gjermanisë dhe shteteve më të forta të botës. Mbrëmjen kur ndërhyri NATO në Kosovë, në qytetin bregdetar Rovinje ambasadat kanë oganizuar promovimin e filmit tim KOSOVA 1.2. Të gjithë gëzoheshin e unë qaja si fëmijë duke mos e ditë se ku i kam më të afërmit.
Por e kur kam kuptuar që UÇK me të vertetë ekziston atëherë i kam mbështetur me filmin Kosova, ku e kam përkrahur UÇK-në, dhe e kam paraqitur si një forcë të madhe të Kosovës. Pas filmit, në Zagreb nuk kam mundë me kalue prej njerëzve që donin të më takonin. Dhe shumë djem janë nisur për t’u rreshtuar në UÇK.
Mendoj se duhet me e respektue ushtrinë tonë të parë të Kosovës dhe viktimat aq të shumta që i patëm… Aty ka shkuar rinia jonë, forca jonë. Shumë nëna kanë mbetur pa femijë, shumë gra kanë mbetur pa burra, shumë fëmijë kanë mbetur pa etërit e tyre.
UÇK-së duhet t’ia japim vlerat e vërteta, duhet t’ia japim vlerat e vërteta çdo heroi të kombit pa marrë parasysh nga i cili vend është. Kryesore është të jetë shqiptar, dhe në atë mënyrë jemi popull madh, i cili i i di dhe i njeh meritat e të gjithve. Për hatër të viktimave të panumërta që kemi pasur, duhet ta ruajmë tokën tonë si sytë e ballit. Mërgimtarët e dinë çka është vuajtja e vërtetë, e dinë kur je dhe ndihesh i huaj.
Minatorët e kanë ndryshuar jetën e Kosovës, sistemin e Jugosllavisë, Ballkanit, Europës, dhe Botës
ELIDA BUÇPAPAJ: Çfarë ndikimi pari greva e minatorëve në jetën tënde si profesioniste dhe njeri ?
SHENIDA BILALLI: Minatorët e kanë ndryshuar jetën e Kosovës, sistemin e Jugosllavisë, Ballkanit, Europës, dhe Botës. E kanë ndryshuar qëndrimin e fuqive më të mëdha botërore ndaj shqiptarëve. Por ata kanë pasur ndikim të madh edhe në jeten time personale dhe në qëndrimin tim jetësor. Deri në atë kohë isha e prirur ndaj modës dhe ndaj botës së femrës, të cilat i mendoja se ato ishin thelbi i jetës. Por kur e pashë qëndrimin burrëror të minatorëve 900 metra nën tokë duke sakrifikuar familjen për çështjen e të mirës së tërë popullit dhe atdheut atherë e kam kuptuar çka është jeta. Familja, atdheu dhe populli. Unë e kam vazhduar rrugën e tyre.
Të gjitha këto ndodhën në Horizontin Njëmbëdhjetë. 900 metra nën tokë, të rrethuar me qindra njësi speciale dhe policë nga tërë Jugosllavia. Ajo është trimëri e minatorëve
ELIDA BUÇPAPAJ:Juve, e dashur Shenida, si figurë publike ju ka pagëzuar greva e urisë e minatorëve të Stan Tërgut. A ka mbetur diçka pa rrëfyer prej atyre ditëve që duhet të mbeten të fiksuara edhe në memorien kombëtare?
SHENIDA BILALLI: Shumë gjëra ndodhnin mbas kamerës …. Drama e minatorëve në çdo moment ndryshonte, kushtet e minatorëve nuk plotësoheshin. Vinin delegacione të ndryshme, asgjë nuk u plotësohej. Dëshpërimi më i madh i grevistëve ishte kur erdhi presidenti i Jugosllavisë Stipe Shuvar, i cili tha disa fjalë dhe shkoi. Minatorët e kuptuan të vërtetën që është Milosheviçi kryesori. Skenat mbrenda zgafellës kanë qenë shumë të rënda. Prisnim çka po ndodh. Minatorët filluan të verbohen. Mbas një kohe gjatë që rrinin në këmbë, çizmet e gomës iu shkaktonin plagë të gjalla. Disave iu binte të fikët, një minator afër nesh vdiq nga zemra. Të gjitha këto ndodhën në Horizontin Njëmbëdhjetë. 900 metra nën tokë, të rrethuar me qindra njësi speciale dhe policë nga tërë Jugosllavia. Ajo është trimëri e minatorëve. Kanë pasë një ngrohtësi të posaçme dhe kujdes ndaj meje. Mërziteshin për mua e jo për veten. Shumë kam qajtë deri sa kam qenë në zgafellë. Më ka mbytë mirësia e tyre. Më besuan shumë dhe më zgjodhën të përcaktoja kush mundet me hy në zgafellë e kush jo nga gazetarët. Vinin edhe provokues. Televizionit të Kroacisë i dhamë përparësi… Edhe ditën e sodit, kur ndigjoj zërin e rrotave dhe zinxhirëve të liftit, më trishtojnë… Por në zgafellë asnjë moment nuk jam frikësuar. Kam qenë gjithë kohën e zhytur në mendime… Unë isha aty disa ditë, ndërsa ata tërë jetën e kalojnë në këtë mënyrë. Kur kam dalë nga zgafella kam qajtë shumë dhe e kam kuptuar çka do të bëhet me minatorët. Shoferi më tha: Po si po qan ti gazetare je dhe regjisore, aq shumë lotë…. Mbas asaj kam pritë që do të më thërrasë policia dhe do të më marrë në pyetje. Gjatë gjithë kohës më vonë policët civilë më kanë shoqëruar në çdo hap dhe jeta ime private ndryshoi totalisht… Një ditë kuptohet… pse…
Pas grevës së minatorëve ndodhi helmimi masiv i fëmijëve, diçka edhe më e rrezikshme, edhe më provokuese për shqiptarët. Helmoheshin fëmijët në çerdhe e shkolla. Në fillim nuk besoja, por shpejt u binda
ELIDA BUÇPAPAJ: Greva e urisë e minatorëve të Stan Tërgut do të shënonte kulm në jetën tuaj dhe në karrierën tuaj profesionale, por do të shënonte edhe një kthesë përfundimtare për ju?
SHENIDA BILALLI: Pas grevës së minatorëve ndodhi helmimi masiv i fëmijëve, diçka edhe më e rrezikshme, edhe më provokuese për shqiptarët. Helmoheshin fëmijët në çerdhe e shkolla. Në fillim nuk besoja, por shpejt u binda. Në Podujevë kanë filluar rastet e para të helmimeve. Fëmijët e helmuar dukeshin pa vedije dhe me levizje të duarve pa kontroll. Lart fluturonin pa pushim helikopterët e Serbisë… Atëherë e kam parë sa forcë të madhe ka populli shqiptar, sa askush në botë… Të helmuarit kanë qenë një masë e madhe, nja 1000. Ishte moment i rrezikshëm edhe për mua. Disa do të mendonin se mos isha gazetare serbe. Isha e veshur në mënyrë të veçantë, se po dilja në terren për xhirim.
Isha para televizionit kur kalonin vetura duke iu rënë sirenave, ishin plot me fëmijë pa vetëdije. Sa e kam parë çka po ndodhte e kam marrë kamerën pa pyetë dhe drejt e në Podujevë. Por i ndieri xhiruesi Fatos Kastrati më shpëtoi mua, duke iu thënë njerëzve: Hej, është shqiptare… Kasetën me materiale e solla në TV Prishtina dhe, me këngëtaren Violeta Rexhepagiq, lajmin e përhapëm në botë. Pastaj kasetën e kam dorëzuar në LDK, në dorë të Bujar Bukoshit… Por, për çudi, kurrë askund nuk më ka përmendë. E unë, pra, e kisha rrezikuar jetën. (Fund)/07.02.2013
– Intervistoi ELIDA BUÇPAPAJ
Komentet