Berisha: Ku isha kur u rrëzua shtatorja e diktatorit. Gjithçka u organizua nga PD
Berisha: Me Azemin vendosëm si ta rrëzojmë bustin
Berisha: Slogani i parapërgatitur për rrëzimin e bustit “te sheshi, te sheshi”
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka shkuar sot çdo dyshim mbi organizatorët e protestës dhe qytetarëve për rrëzimin e shtatores së dikatorit Enver Hoxha, 27 vite më parë. Në emisionin “Studio e Hapur” në News24 Berisha tha se gjithçka, nga fillimi i shkurtit e deri në ditën e rrëzimit të shtatores u organizua nga Partia Demokratike.
Ai rrëfeu se lajmin për rrëzimin e shtatores e mori pak minuta më pas në zyrën e tij nga Gramoz Pashko. Ish-kryeministri dhe ish-kreu i PD-së tha se protesta nisi nga Kamza, aty ku studentët ishin në kushte çnjerëzore. “BalkanWeb” sjell intervistën e plotë.
E hodhën more e hodhën, fraza e artikuluar nga Pashko në zyrat tuaja në rrugën e Kavajës. E mbani mend këtë moment?
E mbaj mend si tani. E mbaj mend atë ditë në çdo hap që kam bërë. Ësëhtë e gdhendur në memorien time në mënyrë të pashlyeshme. Ditë si ajo janë të rralla jo për Shqipërinë por edhe për shumë e shumë vende. Është dita ku energjia nukleare e njerëzve…nuk kam parë një etën time një elektrizim njerëzor siç kam parë në mitingun e mëngjesit të asaj dite në Qytet Studenti. Nuk kam parë njerëz në një ekstazë të vërtetë si aty dhe ajo masë e pafundme energjie u shndërrua në një forcë të jashtëzakonshme që përmbysi në fakt diktaturën e egër komuniste në Shqipëri. Nuk është 20 shkurti thjesht përmbysja e një shtatoreje, është përmbysja e kultit më poshtërues, më skllavërues që shqiptarët kanë përjetuar në të gjitha kohërat. Nuk ka kult pa ithtar dhe Enver Hoxha për një seri rrethanash ndoshta ishte njeriu që në proporcion krijoi kultin më të rëndësishëm dhe për kohën e pushtetit të tij kaq i fuqishëm ishte kulti i Enver Hoxhës sa edhe 5 vite pas vdekjes së tij ishte sundimtar absolut në çdo rrugë, në çdo cep të këtij vendit.
A e besuat, si përjetuat?
Unë kam qenë tek studentët dhe jam nisur së bashku me masën e njerëzve dhe kam kaluar në sheshin Skënderbu e kur njerëzit kishin ardhur në shesh. Nuk kishte rënë busti po e rrethonin. Aty kam qenë unë, e vërteta nuk di ndonjë nga anëtarët e kryesisë së PD që nuk ka qenë. Kam shkuar në zyrë, ka ardhur pak më mbrapa Gramozi dhe menjëherë ka ardhur lajmi që thoni ju. Anëtarët e komisionit drejtues kanë qenë në masën e njerëzve. Dua të sqaroj dy momente. Në momentin e parë lëvizjen nga alfa tek omega në mënyrë absolute e ka organizuar PD-ja. Çfarë ka ndodhur nga data 4 shkurt që ka filluar në Kamzë e deri më datë 20 shkurt e në vazhdim e gjitha është vepër e organizuar nga PD. Për këtë fatmirësisht ka dokumente. Ne e organizuam protestën me degën e PD-së në Kamzë sepse kushtet e studentëve ishin më të zeza se kudo tjetër, terrori i policisë ishte më i madh dhe terror nga banorët ultra majtistë. Aty ne vendosëm të fillojë protesta. Më datë 5 protesta ka dalë në shesh. Ka shkuar Imami dhe Hajdari me porosi timen.
Ju vetë nuk keni qenë?
Jo, të shpjegoj unë. Kanë shkuar, kanë sjellë pikat e studentëve të Kamzës. Ka qenë Blendi Fevziu dhe një gazetar tjetër dhe brenda disa orësh kanë arritur të nxjerrin studentët në Qytet Studenti për t’u solidarizuar me protestën. Në selinë e PD në datën 6 janë formuluar kërkesat dhe janë lexuar në datën 7 në mitingun e studentëve. Këto janë bërë në drejtimin e degëve të PD. Më datë 7 unë kam deklaruar në Zërin e Amerikës se PD do mbështesë totalisht këtë lëvizje studentore. Ky proces është në dokumente. Ne kemi ndjek një taktikë, pasi u ngrit lëvizja ne i thamë shoqatës studentore: Do dilni ju. Se kjo ishte luftë për depolitizim, por një parti sa të merrte flamurin e depolitizimit e politizonte. Ne takuam Gjinushin për depolizitimin e arsimit. Por lëvizjet e protestat nuk i bënim dot ne, se studentët dilnin sikur ishin nxjerrë nga ne. Gramozi dhe Azemi kanë folur në mitingje dhe janë pritur shumë mirë. Azemi ka deklaruarse do të hiqet emri dhe do rrëzohet shtatorja e Enver Hoxhës në sheshin Skënderbej. 90% e atyre studentëve ishin drejtues të PD.
Ne kemi shpërndarë njerëzit nëpër qytete, në Shkodër i kam gjetur studentët shumë të mërzitur, situatë dramatike, për shkak të terrorit. Ka një akord për paqe sociale pas vendosjes së zgjedhjeve. Pengesa kryesore ishte se s’duhet të dilnim si flamurtarë për një çështje që ishte e studentëve. Për grevën e urisë ne e kemi mbështetur në mënyrë totale. Ka 10 deklarata nga unë e anëtarët të tjerë drejtues të PD, për mbështetjen e grevës. Ne nuk i futëm mish për top. Procesi është më transparenti që mund të ekzistojë.
Ka nga ata që thonë se protestën nuk e drejtoi PD?
Ata të cilët kanë drejtuar grevën nuk e thonë diçka të tillë, që e kanë drejtuar vetë protestën. Të gjithë kanë thënë që pas fshihej PD. Nëse mbahej distancë bëhej për mospolitizim nga ana e PD, se tjetër ishte po ta politizonte Parti e Punës, por ne e quanim të drejtë të studentëve.
Në grevë ka qenë edhe vajza juaj…
Edhe vajza ime ka qenë në grevën e urisë. Ajo më pyeti dhe unë i thashë shumë mirë. S’mund të ndodhte që të tjerët të futeshin dhe ajo jo. Ka ndenjur deri në momentin e fundit. Grevat shndërrohen në një masë të ngurtë që nuk e thyen askush. Po t’i thoshte PD dilni nga greva, ato do thoshin gjithmonë Jo.
Ne thoshim referendumi të bëhet me trupën ekzistuese. Këtë Ramiz Alia nuk e pranonte se e dinte që e kishte të humbur. Në fund Alia propozoi ndarjen e universiteteve për të hequr emrin. Dhelpërak. Të ndanim një universitet tjetër, për shkenca shoqërore të quhej Enver Hoxha por ne këtë nuk e pranonim.
Cili ishte preokupimi juaj?
Preokupimi im ishte në tërësi për ata njerëz. U futën në kushte çnjerëzore. Në një lokal 700-800 vetë. Organizuam shërbimin shëndetësor. Kishte tendenca për t’i nxjerrë me forcë.
Historiku i fillimit të këtij problemi është fillimi i dhjetëditëshit të dytë të janarit. Unë kam biseduar me Hajdarin dhe pikërisht kjo ka qenë. I thashë ne nuk jemi opozitë por pseudo opozitë. Ne çdo ditë që kalojmë përbri shtatores së Enver Hoxhës jemi qartësisht opozitë qesharake. Filluam të mendonim rrugët se si të përballeshim me këtë. Dy ishin simbolet, shtatorja dhe emri i universitetit. Emrin e universitetit ua ngarkuam studentëve.
Çfarë ishte bërë? Ne kishim çuar përfaqësuesit tanë dhe ishin hequr bustet e portretet nga të gjitha sallat por për emrin merrej vendimi nga instanca të tjera. E heqim shumë thjesht më tha Azemi, bëjmë një miting në shesh dhe i kthejmë njerëzit e asgjësojnë. Jo i thashë sepse parti me parti ata e kthejnë prapë. Së dyti, nuk dua të dal sepse çfarë thoshte Partia e Punës, ai është idhulli ynë, hajde të bëjmë referendum. Kjo rrezikonte që PD-në ta nxirrte jashtë ligjit. Kur filluan anti-mitingjet, në datën 10 kur ne filluam të sulmonin Enver Hoxhën në mitingje. Ideja tjetër ishte ta hiqnim me një mënyrë gjysmë ilegale dhe atë nuk e pranova se thashë vijnë e vajtojnë. Atëherë duhej të bëhej një miting jo nga ne. Një nga vendimet e para të PD ishin hapja e RD-së dhe krijimi i sindikatave por ato ishin në rrugë e sipër. Asnjë nuk ishte kundër heqjes së shtatores.
Ishte përgatitur slogani për rrëzimin e shtatores “tek sheshi”. Rajmonda Bulku me të shoqin dhe familja Pashko, ajo ishte gjithë ditën me ne. Dalja e Rajmondës dhe thirrja nëna dhe motra dalim e shkojmë tek Ramiz Alia për të shpëtuar djemtë tanë u pasua nga ajo “tek sheshi”. Ama ne nuk dinim si do ishte mitingu. Nuk dinim nëse do ishin 50 mijë apo 100 mijë. Aty ishin më shumë se 100 mijë.
Kush e rrëzoi bustin?
Masa. Ishte vepër e heronjve anonimë. Fatmir Mekoçi ka marrë plumb në kokë. Janë njerëz realë ata. Kush e lidhi, kush solli kabllon. Skenari u zhvillua në mënyrë të përsosur.
Studentët e dhjetori apo PD, kush e rrëzoi shtatore?
Organizimin e ka bërë PD. Shkaku ishte greva e urisë. Bustin e rrëzuan ata qindra mijëra qytetarët.
Ata nuk kishin asnjë iluzion se atë e rrëzoi PD, të gjithë betejën e zhvilluan kundër PD. Është absurde të mendohet se kishte organizim tjetër.
Do bënit gjë ndryshe?
Ishte operacioni më i përsosur i realizuar nga PD. Nëse PD do rrëzonte me flamurin e saj bustin, PD do dilte jashtë nga ligji por do plaste luftë civile. Ramiz Alia e kishte të qartë që e rrëzoi PD këtë proces. Ideimi ishte i PD. Rrëzimin e bënë qytetarët shqiptarë. Shmangëm konfliktin. Ramiz Alia bëri gjithçka për të shpallur gjëndje të jashtëzakonshme dhe për t’ju kthyer me metoda militare PD-së.
Rrezikonte vendi luftë civile?
Shumë. Me datë 20 shkurt janë bërë 3 mbledhje shumë të rëndësishme. Unë sot dëgjova se kanë gjetur filmime. Dëshmitë më të besueshme të mbledhjes së parë ishin rrëfimet e Marsh Ajatit, i cili ishte mbështetës i Ramiz Alisë, por edhe mbështetës i hapjes. Ka dhe një tjetër dëshmitar që shkruan po të njëjtat gjëra. Bëhet mbledhja e dytë e presidiumit të Kuvendit Popullor. Ramiz Alia mori vendim antiKushtetues për të shpallur gjendjen e jashtëzakoshme. Aty e ka kundërshtuar një grua Eleni Selenica dhe i thoshte që Kushtetuta nuk të lejon të bësh kështu, Ramizi i kthehet që nuk ka Kushtetutë këtu. Gjendja e jashtëzakonshme u përgatit nga Ramiz Alia, se u tremb nga ajo që ndodhi por në fakt asnjë xham nuk u thye. Ramiz Alia ka qenë për të qëlluar mbi njerëzit. Ramiz Alia nuk ishte ai që kujtojnë njerëzit. Ishte një diktator pa kult. Ishte i opseduar nga skenari i Çausheskut. Donte të bënte një kasaphanë në Bllok.
U penduat që nuk i latë njerëzit të shkonin në Bllok?
Jo, ka qenë një akt i jashtëzakonshëm. Njerëzit filluan të hapin lajmin që puçistët vranë Ramizin, donin me çdo kusht që të bëhej kasaphana. Edi Ramën me të tjerë i kishte çuar te bunkeri i Enver Hoxhës, Nexhmijen e çoi në Dajt. Neritan Ceka është njeriu që shpëtoi një tjenamen të dytë në Tiranë. Ai mori djalin në krahë se s’po i besonin njerëzit.
Konflikt i gjatë për demokraci?
Kurrë nuk kam parë fitimtarë me konflikt civil. Me këtë vendi paguan çmimin më të shtrenjtë. PD ja doli në vendin e diktaturës më totalitare, pa konflikte.
A mbetet rrëzimi i bustit rrëzim i një simboli, dekomunistizimi a është bërë?
Në qershor në 1991 ka ndodhur një ngjarje e madhe, vizita e James Baker kur ai në parlament deklaroi se jam këtu me ftesë të Sali Berishës. Ai në fakt ishte me ftesë të qeverisë por e bëri këtë për të treguar mbështetjen për opozitën. Ai më pyeti a është rrëzuar komunizmi në Shqipëri, i thashë që është rrëzuar por mbeturinat janë shumë toksike. Ai këtë e ka vendosur në një libër të tij.
Pasi dështoi Ramiz Alia me skenarin e sheshit, montoi skenarin e puçit të shkollës së bashkuar ku çuam Neritan Cekën dhe Abdi Baletën,. Biseda 5 orëshe që kanë bërë ata me një grup puçistësh. Gjoja komanda e shkollës nuk pyetej më dhe e kishin marrë ata komandën. Janë vrarë në Tiranë 11 vetë nga forcat e sigurimit të komanduara nga Gramoz Ruçi. A i kishte marrë Ruçi të gjitha frenat në dorë por në këshillin presidencial u bë ministër i brendshëm.
Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë…
Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, opozitarë por vëllezër ka qenë një nga gjërat unike të opozitës shqiptare. Nga doli opozita shqiptare? Nuk ishte një opozitë e disidencës. Nuk dilte nga burgjet e kampet e përqendrimit. Ishte nga njerëzit e privilegjuar të regjimit. Berisha ishte një nga ata, Gramoz Pashko ishte një nga ata. Të gjithë studentët, 99% e tyre i përkisnin grupit të privilegjuar të rinisë shqiptare, por pse? Sepse vetëm 1/10 vinin në universitet kurse të persekutuarit dhe ata që kishin problemet më të vogla ekonomike nuk shihnin universitet me sy.
Kam takuar Azem Hajdarin, dy herë më datën 9, ditën e diel. Të dyja herët kemi folur për pluralizmin politik. Sqaruam çdo gjë, kjo duhet të ishte kryekërkesa. Mustafaj ka bërë një bisedë më të zgjatur se unë me të. Kemi ikur në darkë, jemi kthyer në mëngjes në një miting të madh dhe Azem Hajdari lexon aty pluralizmi politik forma më e lartë. E përqafova dhe i thashë bërë shumë mirë. Lërë më tha se më thanë si të dalim kundër baballarëve.
Ditën kur shkuam në Gramoz Pashkos, disa thanë të mos quheshim opozitë. Këmbëngula dhe unë.
Në elitën politike janë kthyer fëmijë të ish-drejtuesve të komunizmit, sa përgjegjës e ndieni veten?
Nuk nënkuptoja kurrë bashkëvuajtës ish-të përndjekur politikë, xhelatë të diktaturës. Të gjithë të tjerët po, përveç këtyre dy kategorive. E gjithë inteligjenca shqiptare që heshte, që konformohej dhe që ishin dhjetëra mijëra, ishin një shtyllë e fuqishme e qëndrimit të diktaturës. E tërë pjesa tjetër e popullatës që shkonte dhe votonte në kutitë e votimit, me votë sekrete votonte për partinë e punës. Një bashkëfajësi duhet ta ndiejmë këtu. Problemi më madhor i shqiptarëve është mungesa e pendesës. Po ti marrësh bashkëqytetarët tanë të dashur që unë i admiroj, nuk kam dëgjuar njeri tjetër të kërkojë falje në këtë vend. Unë kam kërkuar të falur sepse kam votuar për diktaturën.
Në emër të kujt keni kërkuar falje?
Unë kam votuar për diktaturën, kam kërkuar falje.
Ndjesë tjetër që doni ta bënit?
Kjo është një ndjesë që e kam bërë disa herë, që të hap rrugën, që njerëzit të ndjejnë bashkëfajësinë, dhe të kërkojnë ndjesë. A e dini që në familje nuk flisni me njëri-tjetrin, i ruheshin njëri-tjetrit.
Çfarë po diskutonit në këtë fotografi?
Asgjë nuk harroj unë, ky është mitingu që Rama erdhi në legalizimin e PD. Rama nuk ishte në ditët e protestës, ka qenë në Korfuz se kishte një ekspozitë, e kishin nis për ta larguar nga problemi. U kthye, erdhi në mbledhje, e nxori Gramoz Pashko jashtë nga mbledhja, se u soll shumë harbut, dhe ishte i veshur me këpucë zbori, me çorape të leshta, dukej kukubet. Pashko tha nuk e duroj dot kështu.
Çfarë ndodhi, u zhduk nuk erdhi më. Kur vjen ditën e mitingut dhe më kërkon, dua të flasim më tha. I thashë të vërtetën, më vjen keq por është përcaktuar se kush do flasë. Unë nuk mundem dhe këtë po i shpjegoj. Nuk mundem ta prish këtë protokoll. Ky siç e ka zakon, këputi dhe një të sharë dhe u largua me Ardianin. Ndërkohë që iku dhe s’u duk më. E kam takuar dhe njëherë tjetër. Më 15 janar zhvillohet një miting me institucionet artistike të Tiranës në sheshin “Italia”. Ky erdhi me Kasem Trebeshinën dhe Ardian Klosin. Ky nuk çonte fjalë përpara por vinte papritur. Do flas tha se ju nuk flisni si duhet. Unë do them që nga një komunist të varet në shtyllë. I thashë po babën ku do e varësh. Në shtyllë tha. I thashë atëherë shko dhe krijo partinë e varjes në shtyllë. E lashë të fliste, nuk tha ato, tha na skuqi si kinezët…
Sapo unë sulmova Enver Hoxhën, sigurimi i shtetit me malavitën që kishte mbledhur u fut dhe çau në dysh mitingun. Pastaj ka ardhur, hera e tretë dhe e fundit, në një takim me intelektualët e Tiranës. Aty i janë përveshur intelektualët dhe jo Sali Berisha. I është ngritur e ndjera Fatbardha Shkupi dhe i ka thënë Edi Rama të kërkosh ndjesë për persekutimin që më ka bërë Kristaq Rama mua, për pasoja e atij persekutimit dhe pastaj të vish të më japësh leksione mua. Është ngritur dhe ka ikur.
Kishit nevojë për Ramën?
Për të gjithë kishim nevojë , ne nuk ja mbyllëm dyert po ai me platformë ultra-radikale, aty mori përgjigje.
Shtator 1991 – kryetar i PD me mandat të plotë…
Nuk kishte një procedurë që ndalonte anëtarët e partisë. Unë jam zgjedhur kryetar i komisionit drejtues me datë 14 shkurt 1991, pas një lloj puçi që u bë ndaj Azem Hajdarit. Lëvizja studentore krijoi disa përplasje në komision. U krijua një lloj pështjellie e pasiguri e kishte njerëz aty që menduan se Azemi po vepronte më je kolegjialisht, se vendimi fillestar ishte që vendimet ishin kolegjiale. Pas një takimi që bëmë me Ramiz Alinë për çështjen e lëvizjes studentore, këta kishin marrë një vendim për të shkarkuar Azemin. Dua të them , një nga kryetarët ka thënë të vërtetën Arben Sulo, u mblodhën të shkarkojnë Azemin pa qenë ai vetë, dhe të zgjedhin Aleksandër Meksin. Filloi një sherr i ligjshëm. Unë i thashë që nuk mund të pranohet asnjë vendim në shpinë të tjetrit. U ktheva të nesërmen me një skemë: mbledhja që keni bërë është e paqenë, thashë që të votojë komisioni drejtues. Duhej shpëtuar fytyra nga kjo që kishte ndodhur. U pranua propozimi im, u votua nga kryesia me 4 kandidatura, unë nuk mora shumicën, por mora sa të gjithë ata sëbashku. Unë nuk kam pranuar që të zgjidhem, po ashtu edhe Gramoz Pashko. U futën intelektualët e rinj që thanë se duhet pranuar. Neritani tha që s’duhej balotazh. Unë i zgjodha kryetar i Komisionit Drejtues të PD.
A trashëgoi elita politike mentalitet totalitarist?
Padiskutim. Cili ishte mentaliteti ynë? Nga më i shquari intelektual i kombit kishte mentalitetin e një shoqërie totalitare. Nuk ishim të asaj kohe. Edhe unë kur kam marrë vendim, absolutisht po ta analizosh vendimin tim, përsëri kishte , vendimi më i rëndë që kam marrë, aty kur e kujtoj gjej copëza të totalitarizmit. Nuk doja të takohesha me të huajt se nuk doja të më akuzonin për spiun. Mendoja pse t’ia lë këtë turp familjes time se bëhej e turpshme. Unë nuk kam qenë i bindur se do shihja rënien e diktaturës.
Pse?
Sepse ishim tepër të ngujuar. Lëvizi Tirana? Jo. Nuk kisha besim se do ngrihej Kavaja, Shkodra.
Akuza për ju se keni drejtuar PD me autoritarizëm?
Akuzat i pëlqej e vemtja që nuk më pëlqen është të projektosh fajin tek tjetrit. Kjo nuk është civile, për të tjerat jam dakort. Mund të them se në të gjithë ata që kam pasur fatin të bashkëpunoj deri sot, nuk janë më shumë se 2 ose 3 për të cilët nuk kam një vlerësim. Për të gjithë të tjerët kam vlerësim për kontributin e tyre. Unë besoj se një nga kyçet e gjërave që kam arritur, është qëndrimi im ndaj bashkëpunëtorëve të mi. Kam vlerësuar kontributin e tyre. Puna ime ka qenë punë ekipi.
2-3 emrat që nuk vlerësoni?
Njëri prej Shinasi Rama, të cilin mund të gjesh qindra faqe për të. Shkuam në Shkodër, mitinugn inagural të PD. Më thotë do vish dy orë para, shkuam me Pashkon. Na çoi në një shtëpi, na priti i zoti i shtëpisë, kur na del nga një dhomë një njeri i transformuar. Ky tha është një ilegal se më ndjek sigurimi. Po ca ke bërë? Dua të recitoj një vjershë, dhe filloi e tha se do ta recitoj në Shkodër. Unë i thashë asnjëri as tjetri s’ka për të ardhur në miting. Shkuam në miting dhe një oficer qëlloi, po s’u vra njeri. Se me atë vjershë çohej në kasaphanë. Në Tiranë, i thamë Shinasi nuk ke më punë.
Ca do ndryshonit në organizimin e PD në vite?
Në karrierën time në PD, unë jam marrë intensivisht kur kam qenë në opozitë, e pastaj jam marrë me Shqipërinë kur kam qenë në pushtet. Jam përpjek të bëj më të mirën, po gjithë kjo qeverisje ka kaluar përmes gabimeve, sic ishin piramidat tepër serioze, apo dhe gabime të tjera. Po unë jam marrë me Shqipërinë.
Duhet të linit liri mendimi në PD?
Nuk ka njeri të thotë se e pësova nga mendimi që shpreha. Njerëzit kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre. Kurrë s’ja kam penguar njeriu mendimin. Dëshira ime më e madhe është që njeriu të më thotë mendimin sic e ka. Partia ka patur procedura, të gjithë janë kthyer në kontributet e tyre reale në PD, ata njerëz kanë vënë gurë themeli në PD, por edhe në ndërtimin e këtij sistemi të ri.
Fryma e autoratirizmit që ju akuzojnë është se keni lënë partinë në duart e Bashës…
Nuk ka aspak të vërtetë. Unë edhe 100 herë garantoj çdo shqiptar se kurrë nuk i kam kërkuar Bashës apo Olldashit të kandidojnë. E vetmja gjë që them është që pse nuk kandiduan të tjerët. Unë nuk i thashë por nuk e pengova Bashën të kandidojë, as Olldashin. I lashë në garë. Asnjë lloj pengese nuk gjen një njeri të vetëm të thotë që nuk kandidova se nuk më la Berisha.
Në grupin parlamentar të PD a ka kush e zëvendëson Bashën?
Gjatë gjithë karrierës sime unë kam qenë i një besimi të thellë se Sali Berisha nuk është i pazëvendësueshëm dhe e kam thënë disa herë. Nuk di njeri të pazëvendësueshëm. Unë iu përkas atyre që një nga shkaqet themelore që kam vendosur t’i kundërvihem atij sistemi ka qenë ideja e të pagabueshmit dhe pazëvendësueshmit. Këto të dyja nuk i pranoja kurrsesi.
PD ka 5 vite në opozitë e duket sikur ka një mungesë besimi të demokratëve ndaj PD-së?
PD ka nevojë shumë të bashkojë të gjitha kontributet. E konsideroj këtë si një nga mekanizmat më të rëndësishëm të suksesit të saj. PD duhet të bashkojë të gjitha kontributet nga viti 1990 deri sot. Ato janë pa asnjë diskutim një thesar i madh kombëtar. Demokratët janë grupacioni politik me vlerat morale më të larta në shoqëri në kuptimin me drogën,. Krimin e korrupsionit.
Ju po thoni se duhet të kthehen ata që u lanë jashtë listave?
Që nga 90 e deri sot. Këtu qëndron një potencial i madh i PD-së. PD duhet të bëjë gjithçka për të shpëtuar vendin nga ky narkoshtet që është unik në botë. Shpresë tjetër unë nuk di. Shpresa e vetme pastaj është të marrin rrugët e botës siç po i marrin.
Ju latë pas 8 vitet e qeverisjes që u anatemuan nga opozita e atëhershme. Duket sikur ka një marrëveshje mes të majtës dhe të djathtës për një lloj amnistie?
Në mënyrë absolute nuk pranoj krahasimin. Pse? Në 4 vitet e PD-së, ose në 8 vitet e saj, Shqipëria ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë për të mos qenë ajo që ishte. Në Shqipëri u ndërtuan mbi 11 mijë km rrugë. Të gjitha përfunduan, përveç se nihilizmi i Edi Ramës nuk përfundon kurrë. Në Shqipëri u ndërtuan dhe rindërtuan mbi 1300 shkolla dhe kopshte dhe janë të gjitha në regjistër.
Në Shqipëri u ndërtuan 720 sisteme ujësjellës dhe kanalizime. Në Shqipëri u ndërtuan 14 impiante të përpunimit të ujërave të zeza sot nuk funksionojnë sepse bashkitë socialiste nuk paguajnë energjinë dhe i derdhin në det. Në Shqipëri kur erdhëm në pushtet ishte 4.8% përdorimi i internetit, e sollëm 64%. Kur erdhëm në pushtet ekzistonin 4 mln ullinj, lamë 11 mln kur ikëm. Këto i thashë sepse që të gjitha janë para të taksapaguesve. Në Shqipëri u rritën rrogat nga 12- deri në 150%. U dyfishuan pensionet e ulëta. Çfarë u bë këto 5 vite? Cila rrugë përfundoi?
Akordojnë para për Tiranë-Elbasan dhe akoma nuk përfundon?
E di pse?
Për shkakun tuaj?
Absolutisht jo. Pjesa që ndërtoi Sali Berisha është me çmimin rekord më të ulët. Nëse ka njeri që ka çmim më të ulët për tunel në Ballkan të vijë e të më thotë. Ku shkuan paratë e 5 viteve të taksapaguesve shqiptarë.
Po nëse pllakat e shesheve shkojnë 640 mln euro dhe vidhen 580 mln, nëse vidhen në dogana, atëherë më thuaj ti mua. A i coi Rama ministrat e mi në gjykatë, i ka çuar me dosje të bardha. Tha të arrestohet Arben Imami nga Këshilli i Minstrave. Unë nuk them se s’ka pasur korrupsion po më thuaj çfarë është bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Arrestimi i Andi Tomës për rrugën Elbasan Gjinar?
S’ka lidhje me rrugën. Është tërësisht i pafajshëm. Autoriteti i Rrugëe është i pavarur nga ministria. Hetimi të vazhdojë, por sot Haxhinasto ka thënë që unë rezultatet e inspektimit ja kam dërguar të gjitha kryeministrit. Bypassi i Fierit u prokurura nga ne me një çmim të leverdisshëm. Çfarë ndodhi më pas? Vali Bizhga u bënte presion nënkontraktorëve shqiptarë. Nën emër të Edi Ramës. Vepra duhet të përfundonte në fund të vitit 2016, dhe vjen fundi i vitit 2017, Rama e Gjiknuri po shpallin tender nga e para, kur janë mbi 20 mln euro që kompania italiane u ka nënkotratorëve shqiptarë. Asnjë rrugë nuk më ka mbetur në mes. Ne i mbaronim rrugët para afatit. Ne ndërtuam 11 mijë km në 8 vite. Kompania nuk merrte dot punën tjetër pa mbaruar 70% të punës që kishte filluar. Ata pastaj punonin jashtë planit që kishim ne për të filluar tjetrën.
Edhe Rruga e Kombit?
Ajo që u kontraktua nga ne është mbaruar në kohë rekord. Nga Miloti në Rrëshen e kishte Banka Botërore, kundërshtuese e flaktë e rrugës së Kombit me 4 korsi.
Akuzat për korrupsion për Shkelzenin, sulm politik?
Tërësisht politik. Kur Rama ende nuk ishte bërë kryeprokuror, prokurorët i mbyllën shpifjet. Por tani pa asnjë lloj prove, akuzat që i bëjnë Shkëlzenit e nderojnë atë, se është jashtë çdo imagjinate, për një email. Qëllimi i Edi Ramës është të krijojë paralelizma të paqena. Me një qëllim shpifës të tillë vetëm e nderon djalin tim.
Si e komentoni vendimin e SHBA për Adriatik Llallën?
Vendimin e sekretarit Tillerson… natyrisht komentin kryesor duhet ta bëjë Adriatik Llalla. Për të ai vendim është i marrë, unë s’mund të them kur nuk di aferat për të cilat është marrë.
Si ish-kreu i organit të akuzës dhe ish-kreu i ILDKP a duhet t’i nënshtrohet Llalla vettingut?
Absolutisht unë e quaj veprim të gabuar nenin e heqjes së vettingut. Ai është një pragmatizëm i diktuar nga të huajt por jo i ndershëm. Në qoftë se unë kam shkelur, kam krijuar akte korruptive, kam gëzuar pasuri të paligjshme unë nuk duhet t’i gëzoj. Por Kushtetuta ka bërë një amnisti. E ka ndaluar Kushtetuta vettingun. Gjykatësi dhe prokurori që tërhiqet nga detyra ndërpritet vettingu. Çdo vendim i Kushtetueses është normë kushtetuese.
Nëse ka të dhëna për çdo njeri Prokuroria duhet të nisë hetimin, jo pse refuzoi. Unë nuk do isha dakord me ndërprerje vettingu.
Opozita bëri një betejë në parlament kundër Arta Markut, a jeni penduar?
Opozita bëri betejë kundër Edi Ramës kryeprokuror, kjo është gjithçka.
A është Llalla një peshk i madh?
Unë nuk mund të shpall asnjë njeri të pa akuzuar as peshk të madh e as peshk të vogël. Këtë mund ta bëjë Edi Rama.
I përfshirë në akte korrupsioni tha Tillerson, ju e besoni?
S’mund të them as po e as jo pa ditur konkretisht aktet. Mendoj që në princip se një vendim i tillë i një shtetari si Tillerson duhet të ketë baza dhe jashtë një baze solide nuk mund të merrej një vendim i tillë.
Meta ju ftoi për t’u konsultuar për negociatat me Greqinë për detin dhe plotfuqishmërinë për Bushatin? Cfarë i sugjeruat
Tek Meta gjeta gadishmërinë e tij të plotë për ta dhënë plotfuqinë, e them pa mëdyshje se ashtu është rregulli. Së dyti veprime më anti-Kushtetuese se ka kryer Rama me Bushatin me këtë proces nuk janë kryer kurrë. Besoj se letra është bërë publike dhe është e paimagjinueshme të shkelet nen për nen Kushtetuta. Nga shitja e detit e trilionanve e metër kub gaz e zhdukja nga fjalori e hartës të fjalës Çamëri, se si mund të demonizoj unë çamët e martirizuar, kjo që ka bërë Rama është e papranueshme. Çfarë do u thotë çamëve që janë legjendarë në historinë e shtetit grek, do u thotë që s’keni qenë çam. Këtu është shkel gjithçka, janë përdhos të gjallë e të vdekur.
Ju nuk e kërkut plotfuqishmërinë dhe nuk e kërkoi as Rama?
Ligji që ishte thotë për delegacionet që krijon qeveria plotfuqishmërinë e jep kryeministri. Këtu gjykata nuk e pranoi si të përshtatshme për çështjen dhe ia dha Presidentit.
Presidenti i kërkoi detaje të reja Bushatit nuk e pranoi plotfuqishmërinë
Po si t’i çosh një derr në thes Presidentit e t’i thuash vër firmën. Presidenti ka nevojë të informohet për çdo gjë. Këta në vend se t’i çojnë një memo të vogël për procesin e bërë fshehtas, këta bëjnë allishverishe.
Cili është pazari?
Është te deti, i kanë lënë Greqisë, dhe kjo mund të bëhet një sherr i madh në rajon. Greqia tani duke dhënë një copë ujë dhe kripë e duke marrë zonën ekonomike për vete, duke zgjeruar ujërat në 12 milje, Shqipërisë i mbetet uji rëra dhe kripa. Edi Rama është i kapur.
Si mund ta ndaloni marrëveshjen?
Do ketë revoltë popullore. Shqiptarët nuk i shesin territoret e tyre. Gjykata Kushtetuese nuk ekziston. Kanë ikur, nuk ka kuorum. Gjykata është populli.
Deklarata e Ramës për presidentin?
Mendoj se në qëndrimet e Edi Ramës ndaj Kosovës ka absolutisht qëllime shumë të dëmshme dhe qëndrime të papranueshme. Kurrë nuk kam qenë kundër përpjekjeve për normalizimin dhe bashkëpunimin me Beogradin. Nuk kundërshtoj këtë gjë. Por i dëmshëm është qëndrimi paternalist i Ramës ndaj Kosovës. Është një ushqim për tezën serbe të shqiptarëve të mirë të Tiranës dhe shqiptarëve të ligj të Prishtinës. Është mbështetje e tezës serbe se nuk merrem dot me Prishtinën dhe po merrem me Tiranën. Pse u bë Kosova e pavarur? A jemi ne njerëz seriozë? Edi Rama bën gabimin më të rëndë që në mënyrë të përsëritur i lejon vetes të fyejë udhëheqjen politike të Kosovës.
Pra, ishte fyese thoni ju?
E tëra fyese, qoftë ajo e shpikjeve, qoftë e lopës, qoftë të gjitha këto. Çfarë kuptimi kanë këto. Kjo është gjuhë e Enver Hoxhës. Ai thoshte Mahmut Çakalli. Midis shtetarëve nuk flitet në këtë mënyrë.
Provokime keni bërë dhe ju, që kosovarët të kenë pasaporta shqiptare?
Jo s’kam thënë ashtu. Kam thënë të gjithë qytetarëve përveç atyre rezidentë në Kosovë. Me marrëveshje. Ne iu themi shqiptarëve do bashkohemi në Europë. Ne nuk na pengon asgjë sot, brenda një viti të vendosim çdo standard në marrëdhëniet mes dy vendeve. Na pengon vetëm mendësia dhe burokracia shqiptare.
Ju i qëndroni akoma kësaj ideje?
Edhe tani, prapë marrëveshje duhet se është shtet ai. Unë nuk mund të marr vendime për qytetarët e një shteti të pavarur. Hajde të merremi me hekurudhën dhe projektet infrastrukturore. Të paktën projektin e hekurudhës Milot-Morinë. Jep mesazhe në interes të Beogradit.
Personalitete të artit kanë kërkuar dosje, keni kuriozitet ju për dosjen tuaj nëse keni një të tillë?
Nëse kam një të tillë do ta shoh. Njëherë kanë thënë një mendim negativ të vjehrrës. Kam kuriozitet por nuk di a ka. Se kam bërë sepse nuk e kam konsideruar veten të persekutuar. Kam shkuar jashtë.
Hapja e dosjeve po ndodh shumë vonë. Nuk dihet nëse do ketë lustracion?
S’ka lustracion.
Ju vetë si një nga aktorët më të rëndësishëm a ndjeni përgjegjësi që shqiptarët nuk u përballën me të shkuarën?
Dy ligje që ka bërë Berisha dhe qeveria e tij janë ligje lustracioni. Por Sali Berisha dhe qeveria e tij në ato vite bëri ligjin e krimeve të komunizmit. U dënuan 73 vjet dhe ai ligj është në fuqi. Ligjin sapo erdhën në pushtet socialistët, nuk e amenduam por hoqën komponentin lustracion. Sapo erdha në pushtet në vitin 2008 bëmë ligjin e lustracionit. U ngrit gjithë Gjykata Kushtetuese në konflikt interesi hodhi poshtë ligjin. Sali Berisha tregoi vullnetin politik më të qartë dy herë që ka qenë në pushtet për ligjin e lustracionit.
Nuk ndjeni përgjegjësi për dështimin e dekomunistizimit?
Natyrisht për çfarë ka pasur njohuri kohe unë jam përpjekur të bëj. Atë që bëmë me gjenocidin e ka bërë Polonia 10 vjet prapa. Ne ishim të vetmit që e bëmë. U përpoqa me bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë por në një shoqëri që mungon pendesa edhe ajo nuk eci. Pastaj u rikthyen me mekanizëm vote në pushtet neobllokmenët. Edi Rama riktheu simbolet. Unë nuk mund të mos respektoja verdiktin e shqiptarëve.
Ju bëri përshtypje fakti që nuk kishte aktivitet nga PD sot për 20 shkurtin?
Mendoj se duhet të kishte.
Komentet