Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj.
N.Frashëri
Në relievin e letërsisë shqiptare Naim Frashëri me veprën dhe fjalën e tij të frymëzuar shënon majën më kulmore të mendimit poetik, duke u bërë një burim dritëdhënës për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare në dekadat e fundit të shekullit XIX dhe më pastaj. I pushtuar nga angazhimi i madh i atdhetarisë ai u tret për idealin e shenjtë të përlindjës së kombit të vetë. Naim Frashëri digjej nga dëshira për ta parë Shqipërinë të çliruar nga robëria shekullore turke. Poeti e donte Shqipërinë një vend të lulëzuar, që të “zgjohej atëherë, kur u ngrohmoti,“ si shoqet përqark:
“Pa shiko lulet e tjera,
Q’u çel e lul’e u lulëzuan,
Shih, pa shih ç’u zbukuruan,
I ngjalli përsëri vera.
I ndërgjegjshëm për qëllimin e tij si atdhetar i flaktë, poeti ka kënaqësinë ta quaj Shqipërinë “Mërmë” dhe veten djalë i saj i përgjëruar :
Shqipëri! të qofsha falë!
Të kam mëm’ e më ke djalë.- (poezia “Parajsa”)
Duke studjuar misionin e shkrimtarit në veprën e Naim Frashërit, Prof. E. Çabej ka shkruar për të: “Poeti e ndjen veten të dërguar që me anë të fjalës së tij të zgjojë kombin nga gjumi i gjatë i shekujve. Rëndësia e tij qendron kryesisht këtu, që ai në kohë të sundimit të huaj ndezi pishtarin e lirisë, që e hodhi këtë në literaturë dhe e mbajti ndezur ne dorë. Ai përmbushi detyrën që i pat caktuar vetes……ai i derdhi të gjitha fuqitë e tij mendore e fizike dhe në këtë punë shkriu veten në kuptimin e vërtetë të fjalës. Qiriri që ai këndon në një nga vjershat e tij, i cili digjet vetë për t`u ndritur të tjerëve, është një simbol i poetit vetë dhe i veprës së tij..”
I frymëzuar nga dëshira e zjarrtë për t`u dhënë shqipëtarëve“pakëz dritë”, Naim Frashëri shkroi më gjithë fuqinë e shpirtit vjersha patriotike, me qëllimin e lartë që të ngjallte në zemrat e bashkëkombësve dashurinë për Atdheun dhe lirinë dhe të forconte në mbarë popullin e tij vetëdijën kombëtare,duke u bërë ashtu me veprën e përkushtimin e vetë Apostull i Shqipëtarizmës, i ndërgjegjshëm për misionin historik të poetit, ai përgjërohet para bashkëkohësve:
Në mes tuaj kam qendruar
E jam duke përvëluar
Që t`u jap pakëz dritë,
Natën t`ua bëj ditë.
…………………………..
Për ju do rri të tretem
Asnjë çik të mos mbetem.
“Kurrë ndonjë poet s`është nisur ashtu vetëdijshëm rrugës së vetmohimit për hir të një qëllimi të shenjtë” – ka shkruar për të Prof. R.Qosja, dukë analizuar përkushtimin e madh të këtij poeti. Një personaliteti të tillë dritëdhënës i përshtaten fare mirë fjalët e novelistes amerikane Edith Wharton : “Janë dy mënyra për të shpërndarë dritë: të jesh qiri, ose pasqyrë që e reflekton atë”. Themi kështu, pasi Naimi me veprën e tij ndriti si qiri nga njëra anë, po nga ana tjetër pasqyroi dhe mendimin progresiv të kohës.
Figura iluministe e Naim Frashërit u shfaq në horizontin shqiptar në momentin historik më të nevojshëm, atëherë kur Perandoria Turke po numëronte vitet e fundit, kur vendet fqinjë kishin fituar pavarësinë dhe atdheu kish nevojë për dritë. Me veprën e tij ai u bë Volteri dhe Russoi i parë i Shqipërisë.
Si poet romantik dhe përçues i iluminizmit, Naim Frashëri u përpoq të rilindte ndërgjegjen kombëtare së pari përmes evokimit të së kaluarës historike, duke treguar lashtësinë e popullit dhe heroizmat e figurave më të shquara. Ashtu ai përpiqej poetikisht të rriste krenarinë kombëtare, të shtonte dashurine për Shqipërinë dhe ndjenjën e të qenurit shqipëtar:
“Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjallë ka qënë.
Pellazg` u thoshin më parë,
Më së fundi shqiptarë.
Përkrahës i teorisë pellazgjike lidhur më origjinën ë kombit tonë, Naim Frashëri rreh të kumtojë se “Neve jemi më të parët” në Evropë krahas helenëve dhe romakëve e madje dhe më të lashtë se ata. Tek rrëfen lashtësinë e kombit, poeti gjen rast dhe përmend figurat më të shquara të së kaluarës, thur vargje për trimërinë e heronjëvë të dikurshëm:
Pirrua ish nga Shqipërija
Trim q` e lëvdon historija,
Skënderbeu Kastrioti,
Q`u rrëfye aq i zoti,
Ishte burr` i Shqipërisë
Kështu gjithnjë po me këtë synim patriotik poeti tregon po me atë ndjenjë krenarie:
E kush e bëri Morenë?
Gjith shqipëtarë qenë.
S` ish shqiptar Marko Suli?
Xhavella e Miauli?
Bubulina e Kanari?
Shqipëtar bir shqiptari.?
Po ndjenjën e patriotizmit dhe të krenarisë kombëtare, më tepër se në çdo vepër , poeti do ta shfaqte te poema epike “Histori e Skënderbeut”. Është e vërtetë se autorë të hershëm shqiptarë si Marin Barleti, Tivarasi, Dhimitër Frangu , Gjon Muzaka, e më pastaj, Frang Bardhi e kishin vënë në qendër të librave dhe të shkrimeve të tyre heroin tonë kombëtar,Gjergj Kastriotin, Skënderbeun. Po ashtu qe vlerësuar dhë ngritur lart Skënderbeu edhe nga përsonalitete të shquara të botës. Papa Kalisti III do t`i jepte tiullin e lartë të “kapitenit të përgjithshëm të Selisë së Shenjtë “. Ky papë e lavdëronte dhe e propagandonte Skënderbeun si një “mbrojtës të krishtërimit” dhe i shkruante atij më 1457: “Nuk ka njeri në botë, i cili të mos dijë trimëritë që keni bërë, dhe i cili të mos ju lavdërojë gjer në qiell si një kryengritës të vërtetë dhe si një kryeluftëtarë bujar të krishtërimit” [Hist.ë Shqipërisë – f -310, 1959]. Po ashtu do ta çmonte heroizmin e Skënderbut më vonë, në kohën e iluminizmit, filozofi i famshëm francez, Volteri. Poeti angles, Bajroni, do ta kujtojë në veprën e tij “Çaild Harold”. Shkrimtarë e piktorë europianë e deri tek Longfellow në Amerikë do të trajtojnë në veprat e tyre figurën e Skënderbeut. Po rëndësia e veprës së Naim Frashërit për Skënderbeun qendron në atë se ai e shkroi në radhë të parë për gjithë popullin shqiptar dhe në një periudhë që ajo nevoitej aq shumë. Me poemën e tij ai e ngriti dhe e lartësoi Skënderbeun.“Naimi i jep dimensione të gjëra fytyrës madhore të Skënderbeut dhe e ngriti atë njeri (të ngritur në veprat e veta luftarake dhe morale) në nivelin e simbolit kombëtar të luftës për liri e pavarësi.”
Për ta dhënë sa më madhështore dhe tërheqëse figurën e heroit kombëtar, Naim Frashëri përdori gjithë talentin e tij poetik dhe përvojën letrare, që kish fituar nga letërsia klasike botërore. Përmes një imazhi gjysëm mitologjik, si tek “Íliada” dhe “Eneida”, ngrihet natën hija e të atit të Skënderbeut, Gjon Kastriotit dhe endet në hapsirat e luftës, për të gjetur të birin, Gjergjin, e mbiquajtur Skënderbe:
U ngrit fat`i Shqipërisë,
Si i vdekuri nga varri,
Mori rrugën e Asisë,
Duke rendur si i marri.
Dhe kur hija e fanepsur e takon heroin, fillon t`i flasë. Ashtu si në një pamje danteske, si në një legjendë, hija bisedon me të birin, si i vdekuri më të gjallin:
Flë, i thotë, o jetëgjatë,
Nuk e di se ç`është bërë!
Ç`e gjëti të zinë tët atë
Dhe Shqipërinë të tërë.
Po qëllimi kryesor i poetit nuk është vetëm që të jap informacion për epokën e trimërisë Skënderbejane, por dhe të ndezë te lexuesit zjarrin e luftës kundër sulltanit dhe zgjedhës së robërisë turke. Jo më kot hija e të atit e vë në pozitë të vështirë heroin, kur do që ta nxisë për kryengritje:
A më sheh ti mua plaknë?
Të qenkësha si ti djalë!
Muratit i pinja gjaknë,
S`gënjehesha sot më fjalë.
Kuptohet se këto vargjëe kishin një tingëllim aktual. Analogjia historike është më se e qartë: Ashtu si luftuan Skënderbeu dhe i ati kundër sulltanëve, ashtu duhet të bënin edhe bashkëkohësit e poetit, që të shpëtonin Shqipërinë dhe të fitonin lirinë.
Me përmasa madhështore dhe si me imazhe homerike jepet edhe kthimi çlirimtar i Skënderbeut në Krujë.
Zjente fusha tundej mali
Nga armët e trimërisë,
Hingëllin e s` mbahej kali,
Që sjell mbrenë e Shqipërisë.
Poeti ishte i sigurt se çdo shqiptar, po të dinte dhe të njihte luftrat dhe trimëritë e Skënderbeut, do të krenohej me të dhe të kaluarën e atdheut. Për këtë arsye Naim Frashëri përpiqet të nënvizojë çdo vlerë morale e pamje heroike të kryëtrimit të Shqipërisë, aq sa edhe për armët e tij, kur i pa në muzeun e Vjënës, u mrekullua dhe shkroi i mahnitur e gjithë frymëzim:
Lum ti moj Shqipëri,thashë,
Armët ` e tij kur i pashë,
Ndë Belvedere, në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.
Ndjenjat patriotike poeti mundohet t`i forcojë jo vëtëm duke evokuar të kaluarën heroike dhe lashtësinë e kombit, po edhe duke treguar me gjithë frymëzimin e tij bukuritë e natyrës shqiptare. Me mall të patreguar dhe gjithë krenari ai shkroi për bukuritë e madhështinë e vendlindjes poemën e famshme lirike “Bagëti` e Bujqësija”. Tek këndon me dashuri të zjarrtë për malet e larta, për fushat e gjera me lule, për lumenjtë e kulluar dhe pyjet e gjelberuar të atdheut të tij, mbushet me krenari dhe flet me eksklamacion:
Ti , Shqipëri më ep nder, më ep emërin shqiptar,
Zemërënë ti ma gatove, plot me dëshirë dhe me zjarr.
Kjo poemë qe një hymn madhështor për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët e kohës së Rilindjes, që ushtroi një ndikim të jashtëzakoshëm për edukimim e ndjenjave patriotike dhe forcimin e ndërgjegjes kombtare. Poema “Bagëti e Bujqësija” ka qenë dhe është edhe sot e kësaj dite një burim i pashtershëm atdhedashurie për të gjithë brezat.
Rigjallërimin e vetëdijës kombëtare poeti përpiqej ta bëntë edhe duke shtuar dashurinë për gjuhën amëtare, që ajo të mësohej e këndohej sa më mirë. Për poetin gjuha shqipe është e shenjtë dhe e lashtë sa vetë kombi. Sipas poetit shqipëtarët kanë atë “Gjuh` që flisnin Përënditë, /Atë flisnin Pëllazgjitë” Po gjuha e nënës sonë nuk është vetëm e lashtë, po edhe e bukur dhe e lehtë, prandaj duhet ta duan e ta mësojnë të gjithë:
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël! Sa e gjerë!
Sa e lehtë! Sa e lirë!
Sa ë bukur ! Sa ë vlërë!
Naim Frashëri i pushtuar nga frymëzimi i zjarrtë i shqiptarizmës, shkruan më ndjenjë krenarije po edhe me një kënaqësi dhe admirim për bukurinë magjepsëse të gjuhës shqipe:
E ku shkruhen në kartë
Fjalët e gjuhës së zjarrtë!
Poeti me të drejtë vlerësonte lartë mësimin e gjuhës aq sa mësimin e saj e lidhte me përparimin kombëtar:
Vëllezër shqiptarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëmë udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.
Të shkruajmë gjuhën tënë,
Kombin ta ndriçojmë,
Gjithë ç`është e ç`ka qënë,
Nga dalëz ta mësojmë.
Naim Frashëri,që shkroi me kaq dashuri për bukurinë e gjuhës shqipe, u përpoq me gjithësa mundi intelektualisht me veprën e tij për lartësimin e nivelit kulturor të saj. Këtë anë të rëndësishme të veprës së poetit nënvizonte edhe albanologu i famshëm Norbert Jokl-i , i cili, duke shkruar për autorin e “Historisë së Skënderbeut” dhe të “Qerbelasë”, theksonte rolin e madh të veprës së këtij poeti për formimin e gjuhës letrare shqipe. Me veprat e Naimit gjuha shqipe u pasurua edhe nga ana leksikore me shumë fjalë të reja. Është shumë e dukshme përpjekja e tij si edhe dëshira e madhë për ta pasuruar, po edhe për ta pastruar gjuhën shqipe. Kjo anë e krijimtarisë së poetit duket edhe në titujt e librave shkollore e diturake, që botoi siç janë “Vjersha për Mësonjëtoret e Para” dhe “Këndimi i Çunave”, ku fjala “mësonjëtore “ zëvëndësonte fjalën “shkollë” dhë fjala “Këndim” fjalën “lexim”.
Naim Fashëri si poet mbarëkombëtar, i pushtuar tërsisht nga ideja patriotike e bashkimit dhe vëllazërimit të të gjithë shqiptarëve, ngrihet mbi ndasitë fetare. Shpirti i tolerancës e lartëson edhe më tepër figurën e tij si Apostull i shqiptarizmës. Nuk është e rastit që në librin “Lulet e Verës” midis vjershave me motive të ndryshme, ndodhet edhe poezia “Para Krishtit”. Në këtë poezi autori nuk e shikon Krishtin as si shenjtor, as si fetar, po si një njeri tokësor, si përfaqësues i humanizmit më të thellë, që predikon mirësinë dhe drejtësinë dhe që sakrifikon veten për njerëzinë.
Se kjo fytyrë
Është paqyrë,
Dhe na rrëfenë,
E s’na gënjen.
Gjithçka hequr njeriu i mjerë
Nga veth’ e tinë e nga i vëllaj
Që kanë vrarë e kanë prerë
Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.
Toleranca fetare e Naimit nuk e çudit aspak lexuesin, pasi ajo është edhe tolerancë e popullit të tij , gjë që flet për një psikologji të qytetëruar, për një civilizim mbarëshqiptarë. Poeti mbi gjithçka vë mëmëdhenë. Ai i drejtohet Nënës Shqipëri me apoteozë, duke u përfalur me përgjërim: “Shqipëri të qofsha falë,/ Të kam mëmë e më ke djalë”. Kështu, heroi lirik i Naimit u jep shëmbullin e tij shqiptarëve, që ta ndjejnë veten si ai, bijë të Nënës Shqipëri, që në radhë të parë Shqipëria të jetë metaforikisht “Parajsa” e tyre, kurse feja të mos i përçajë, se jemi vëllezër të një kombi, të një gjaku, të një gjuhe dhe një bese:
Gjithë ç`jemi shqipëtarë,
Jemi një fis e një farë,
Kemi të tërë një shpresë,
Një gjak, një gjuhë,një besë.
Të bashkuar dhe jo të ndarë, shqipëtarët do ta shpëtojnë mëmëdhënë, prandaj ai i këshillon bashkëkohësit:
“Lëreni më nj`anë fenë,
Të shikojmë mëmëdhenë”
(Parajsa)
Po është e vetëkuptueshme se me këtë këshillë poeti shtron nevojën e bashkimit kombëtar, duke u ngritur kundër ndasive fetare, që viheshin re gjithandej. Pra, Naimi, kur thotë “Lëreni më nj’anë fenë”, nuk ngrihet kunder feve dhe as nuk tregohet “ateist”. Për më tepër, për të qënë sa më i vërtetë, pas kësaj porosije, ai bën edhe pak didaktikë, kur shkruan :
“Fet` e besët t`i kemi,
Po të ndarë të mos jemi,
Hoxh’ e xhami e dervishë,
Priftër e kallogjër’ e kishë
Nderë që kanë ta kenë,
Po të duan mëmëdhenë,
Të duan njerëzinë
Dhe tërë Shqipërinë
Kjo ide e Naim Frashërit, që feja të mos na ndajë, që për Shqipërinë “ t`i lëmë më nj’anë besimet fetare”, për analogji na kujton vetiu thirrjen e famshme të Pashko Vasës :
“ Çonju shqiptarë prej gjumit, çonju,
Si vëllazën në një besë shrëngonju
Dhe mos shikjon kisha e xhamia
Fe e shqyptarit asht shqyptarija”
Pra dy autorë të famshëm të Rilindjes kanë ide të njëjtë për bashkimin kombëtar, duke kërkuar që ndasitë fetare të mos bëhen pengesë për idealin patriotik të unitetit mbarëkombëtar.
.
* * *
Vargje e më sipërme të marra nga poezitë e këtyre dy autorëve të Rilindjes sonë flasin për një dukuri të psikologjisë sonë kombëtare, për atë që shqipëtarët ndjenjën patriotike e kanë të shenjtë dhe mbi gjithçka.
Kjo ide e fuqishme e karakterit atdhetar të shqiptarit i pat tërhequr vemëndjen studjuesit austriak J. G. Hahnit, i cili rreth 150 e ca vjet më parë, më 1867, siç e thekson edhe Prof. Çabej, kur në veprën e tij shkruante: “Greku dhe vëllahu lirinë politike ia sakrifikon besimit. Shqiptarit i vjen aq rëndë të durojë zgjedhën, sa lirimin nga kjo zgjedhë e paguan me besimin e të parëve”.
Për ta përforcuar edhe më shumë këtë ide le të kujtojmë edhe deklarimin e ish kryeministrit të Malit të Zi, Vojvodës, Mark Milani, i cili pohonte se “sa herë që ne përpiqeshim të ndërsenim në Shkodër katolikët kundër muslimanëve, apo anasjelltas, e kishim betejën të humbur, sepse shqiptarët e kishin ndjenjën kombëtare shumë më të fortë” .
Më një fjalë, thënë më shkoqur, te shqiptari ndjenja kombëtare qendron e fuqishme dhe mirëkuptimi ndër fetar midis tyre është gjë normale. Aspekt i kësaj dukurie janë edhe martesat midis mijëra e mijëra shqiptarëve me besime të ndryshme, gjë që dëshmon realisht pohimet e J. G. Hahnit dhe M. Milanit.
* * *
. Po edhe kur shkruan për Abas Aliun dhe Qerbelanë, Naim Frashëri nuk është se do të propagandojë dogma fetare; përkundrazi, ai do të japë një mesazh, duke marrë anën racionale, humane dhe përparimtare të ngjarjeve. Qendrimi ideoemocional i autorit është pro me Alinë dhe me të bijtë, po është kundër palës regresive të përfaqësuar me Mauvian dhë Jezidin. Në një analizë për poemën “Qerbelaja”, Prof. Kristo Frashëri, njohës i historisë së Orientit, ka shkruar se Naimi ka marrë anën e Aliut dhe të bektashizmit, për arsyen se ky ishte drejtimi më progresiv, ishte si një lloj protestantizmi brenda muslimanizmit.
Lidhur me bindjen pantheistike të Poetit duhet nënvizuar edhe ideja e tij botëkuptimore për ndeshjen e së mirës me të keqen. Kjo gjë duket në natyrë siç është fenomeni i ditës dhe i natës , i dritës dhe i errësirës; në jetën njerëzore, ku ndeshet e vërteta me gënjeshtrën. Ashtu si ndodh edhe në jetën vetiake të njeriut, ku përzihen:
Dhe Parajsi dhe Skëterra,
Dhe ëngjëlli dhe djalli,
Edhe gjithçka të tjera,
Janë brenda tek i gjalli.
Këtë dualizëm konfliktuos poeti e shtrin edhe te puna e njeriut si edhe te subjekti i veprës letrare. Siç ka vënë re me kohë Prof E.Çabej “Te “Istori e Skënderbeut” të tërheq vëmendjen fakti se përfaqësuesit e së keqes janë sulltanët turq, Muradi II dhe Mehmëdi II, përfaqësuesi i së mirës i krishteri Skënderbë ( lë të nënkuptojmë këtu edhe të atin dhe gjithë njërëzit e tij të afërt – shënimi ynë -A.M.). Në këtë mënyrë trajtimi duhet t`ia çmojmë aq shumë poetit, kur që ky vetë ishte muhamedan. Kjo ndodh në frymë të karakterit të popullit shqiptar, tek i cili ndjenja etnike ka qenë gjithmonë më e fortë se ndjenja religjioze . Naimi i shikuar dhe nga kjo anë na tregohet pjella e thjështë e kombit të tij. Ai është frymë nga fryma jonë dhë gjak nga gjaku ynë”.
Naim Frashëri qe në të njëjtën kohë dhe poet dhe edukator i kombit të vet. Si një sociolog largëpamës ai këshillonte shoqërinë shqiptare që “gruaja duhet të jet` e mësuar më shumë nga burri, se fëmija së pari nga mëma e marrën arësimin dhe mësimet…..Gruaja është mëmë e fëmijësë, zonjë e shtëpisë dhë krei i njerëzisë”. Të shtroje para opinionit shoqëror ide të tilla progresive, kur në Shqipëri dhe në gjithë vendet fqinjë patriarkalizmi ishte aq sundues, do të thotë të ishe njeri me autoritet intelektual të jashtëzakonshëm, një dijetar me aureolë qiellore, para të cilit burrat e rëndë ulin kokën. Në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë nuk duhë harruar edhe thënia tjetër e Naimit për arsimimin e rinisë, që çdo prind të kujdesej më sa të mundej për të mësuar fëmijët , se ata, siç shkruante ai “janë për një kohë më tej nga koha juaj”. Ndërsa vetë të rinjtë i këshillonte me fjalën e urtë “Trupi shëndoshet me të punuar,,/ Mendja ndritohet me të mësuar”…. Po si edukator i kombit ai nuk mjaftohej vetëm me këshilla, po vriste mëndjen të ndihmonte konkretisht duke bërë libra diturakë për fëmijët e atëhershëm të Shqipërisë siç janë “Vjërshat për Mësonjëtoret e Para”, “ Këndimet e Çunave”, vjersha “Dituritë” , “Istori e përgjithshme”. Sot këto botime shkollore do të dukëshin didaktikë dhe miturake, por për në atë kohë, kur në Shqipëri kishte vetëm një shkollë shqipe dhe asnjë libër, rëndsia e tyre ka qënë e jashtëzakonshme. Përmes atyre teksteve të shkruara më një gjuhë të rrjedhëshme dhe të natyrëshme, autori përpiqej të jepte mësime edukative dhe informacoine shkencore. Me gjithë paraqitjen didaktike të atyre librave, ne , po të thellohemi në realitetin shqiptar të asaj kohe, gjejmë tek ato vepra edhe edukatorin, edhe dijetarin edhe artistin e fjalës, poetin e përkushtuar për gjithë çështjen kombëtare. E rëndësishme është të theksojmë me këtë rast se edhe nga ato tekste të thjeshta shkollore marim vesh mendimet përparimtare, që kishte përqafuar autori. Naimi kishte një kutpim materialist për Universin, sistemin diellor dhe planetet”:
Dheu është në mes të qiellit,
I vjen rreth e rrotull diellit.
Po kështu edhe për vetë diellin ai shkruan në përputhje me idenë e heliocentrike të N.Kopernikut
Dielli ësht` një yll i zjarrtë
Që ndrin posi lëmsh i artë,
Është me mijëra herë
Nga dheu m`i math e m`i gjërë.
Në mënyre realiste shpjegon Naim Frashëri edhe fenomenet e natyrës, reshjet atmosferike, vetëtimën, gjëmimet,elektrikun, për botën e gjallë shtazore,bimore, njeriun dhe evolucionin e tij nga barbaria deri në kohët e reja. Dikur njeriu “Me egërsirat luftonte”, po pastaj “Zu kafshët e i përdori,/Metalet nga dheu i nxori,/ Gjithë ç` kish nëvoj`,/ Mihu ,lëroi, mbolli korri,/ Shoshi, bloi, mbrujti e gatoi.”
Po t` i hedhësh një sy gjithë veprës letrare të Naim Frashërit, si në poezi ashtu edhe në prozë, dallon me një herë së ai kishtë një informacion shumë të gjerë kulturor; ai njihtë mirë letërsinë antike greko- romake, sidomos Homerin e Virgjilin, letërsinë europianë, Danten e autorët romantikë si Shatobriani, Lamartini e V.Hugoi; mbështetej në filosofinë e iluministëvë dhe idetë e dijetarëve materialistë si Volteri, Russoi, Lajbnici, Darvini e të tjerë,ashtu siç njihte edhe poetët e dijetarët orientalë si Firdusi e Rumiu.
Si u tha më sipër, Naimi, si ish student i gjimnazit Zosimea, pati ndikime të ndjeshme nga iluminizmi, që ka qënë rrymë filozofike e shek.XVIII. Iluminizmi qe një revolucion në mënyrën e të menduarit, që parapërgatiti ideologjikisht njerëzit dhe i priu revolucionit demokratike ne Europë dhë në Amerikë. Ishte koha e shkëlqimit të dritës mendore, kur Volteri në Francë i kishte hapur luftë obskurantizmit, dhe kërkonte që bota të drejtohej nga mbretëria e arsyes,duke lartësuar diturinë. Ish koha, kur Emmanuel Kanti në Gjermani reklamonte se motoja e jetës duhët të jetë “ Të guxosh për të ditur”-”Dare to know”, kur Th. Jeffërsoni në Amerikë, i ndikuar nga filozofia e Lockut dhe Volterit, përpiqej për diturinë e gjithë popullit the deklaronte “Dituria është fuqi”- (Knowledge is power). Ide të tilla përparimtare lëshonin dritë në mendjet e njerëzve. Ishte pikërisht ajo dritë që ënderronte dhe dëshironte Naim Frashëri me vargjet e
poezisë së tij:
Jak` o drit` e uruar,
Që lind nga perëndon.
At` an` e ke ndrituar,
E ne pse na harron?.
Si iluminist poeti ka shumë besim te dituria, se dritë e diturisë përpara do të na shpjerë, prandaj ai u bën thirrje të gjithëve për të fituar dituri dhe dritë:
O burra shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s` është koh` e parë,
Tani lipset dritë. Poetin e ngazëlleu hapja e shkollës së parë shqipe dhe me një lavdërim të veçantë shkruan për qytetin, që pat nderin të çelte i pari derën e saj:
Lumja ti , moj Korç` o lule,
Që i le pas shoqet e tua,
Si trime në ball` u sule,
Ta paçim për jetë hua.
Shkollat që po hapeshin dhë forcimi i përditshëm i ndërgjegjës kombtare e bënin optimist Naim Frasherin për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi i Turqisë:
Se shqipëtari
E gluha e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipëria.
Besimi i poetit për ardhmërinë e Shqipërisë ishte i patundur, sepse ai e kuptonte që drita e diturisë po e mundte errësirën:
Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë.
Shkoi errësira.
Naim Frashëri qe i bindur se dita e Pavarësisë nuk do të ishte ë largët. Me frymëzimin e tij poetik ai parandjente dritën e agimit të Shqipërisë:
Lum kush ta shoh
Për pak kohë.
Po ai vet, ai që u tret tërë jëtën si qiriri, nuk arriti ta shikonte atë ditë aq të dëshiruar. Për gjithë këto ane të personalitetit të tij intelektual dhe krijues ai qe bërë një apostull i shqiptarizmit. Naim Frashëri vdiq më 20 Tetor të vitit 1900, në Stamboll, dukë lënë pas dritën e veprës së tij dhe dëshirën e madhe që “Shqipëria të ndritohet, të lulezohet”. Ashtu, më veprën dhë fjalën e vetë, poeti qe futur në mendjen dhë në zemrën e gjithë shqiptarëvë. Si apostull i shqiptarizmës ai që bërë pjesë e ndërgjegjës kombëtare. Poeti e ndjente dashurinë e njerzëve, prandaj edhe shkroi:
Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj.
Dhe vërtetë ai është e do të jetë në mendjën e kombit shqiptar me vargjet e tij patriotike dhe dritën e mendimit poetik. Vepra e Naim Frashërit bëri epokë në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Së pari se me fjalën e tij edukoi gjithë popullin me dashurinë për atdhenë dhe së dyti se krijoi shkollën e parë poetike shqiptare, që nga morrën e marrin dritë breza të tërë poetësh deri në ditëtë tona..
Illyria, 20 tetor, 2003
Ismail Kadareja do te ishte me i mirenjohur po te kishte ardhur ne Amerike.
Ismail Kadareja do te ishte me i mirenjohur po te kishte ardhur ne Amerike ku
ai do te bente me shume pune dhe nga ku do tja ngrente prestigjin kombit dhe popullit Shqiptar
ne ShBA dhe ne arene nderkombetare.