Kjo intervistë është dhënë katër vjet më parë. Shpëtim Karamuça ishte pjestar i grevës të urisë që u injorua plotësisht nga PD.
Kur isha 4 vjeç më vranë nënën pa gjyq, ndërsa babanë ma pushkatuan, unë kam 26 vite burg dhe gjithë jetën i përndjekur – jam me kancer dhe nga greva nuk largohem sa të marr dëmshpërblimin
Ish i përndjekuri me kancer: Nuk do të dal nga greva, kërkoj dëmshpërblimin!
Shpëtim Karamuça nga Tirana 73 vjeçari i sëmurë me kancer në fyt, është një nga shtatë grevistët ish-të përndjekur, të cilët janë futur në grevë urie për dëmshpërblimet që iu takojnë dhe nuk i kanë marrë akoma. I moshuari i bën apel Ministrisë së Drejtësisë dhe Kryeministrit që ta ndihmojnë pasi ai nuk ka marrë asnjë pagesë nga dëmshpërblimi, nuk ka para të mjekohet si dhe nuk ka ku të jetojë. Prej më shumë se 48 orësh, edhe pse i sëmurë, ai jeton vetëm me ujë dhe shpeshherë kur flet me zërin e ngjirur prej sëmundjes përlotet, duke kujtuar torturat në burg për 26 vjet me radhë. 73 vjeçari rrëfen se ai dhe shokët e tij do ta çojnë këtë grevë deri në fund.
Si quheni, dhe për çfarë arsye keni filluar këtë grevë?
Quhem Shpëtim Karamuça, jam 73 vjeç, i përndjekur thuajse gjithë jetën time. Kam kryer 26 vite burg dhe jam përndjekur politikisht për agjitacion dhe propogandë si pjesa më e madhe e të persekutuarve. Jam bashkuar me shokët e mi të përndjekur në këtë grevë, për të vetmen arsye që ka të bëjë me përfitimin e dëmshpërblimit që meritojmë. Nuk po kërkojmë mëshirë, por duam të respektohen të drejtat e njeriut si kudo në botë. I bëj thirrje Ministrit të Drejtësisë, Kryeministrit, Ministrisë së Financave dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse të mendojnë dhe të vënë dorën në zemër për këtë kategori, pjesa më e madhe e së cilës është në mëshirë të fatit. Ne nuk na interesojnë prirjet politike, nuk shohim se kush vjen e kush ikën në qeveri, por duam paratë që na takojnë. Grevës do t’i shkojmë deri në fund, le të sëmuremi, nuk e kursejmë jetën edhe sikur të vdesim këtu.
Përse jeni i përndjekur dhe a keni marrë ndonjë këst nga dëmshpërblimi?
Historia ime e ka fillesën që prej vitit 1944, kur unë isha 4 vjeç. Atë vit më vranë mamanë pa gjyq. Një vit më pas më pushkatuan babanë dhe mbeta jetim duke jetuar ku të mundesha tek njerëzit e mi. Kur arrita në moshë madhore më futën në burg dhe kam qëndruar në burgun e Burrelit 11 vjet. Më pas kam jetuar nëpër kampe ku punonim në miniera dhe ushqeheshim në kushte çnjerëzore. Kam dalë prej burgut në vitin 1991. Nëse të persekutuarit e tjerë kanë marrë ndonjë pagesë nga dëmshpërblimi i burgut që kanë kryer, unë personalisht nuk kam marrë asnjë lloj pagese, për më tepër që jam i sëmurë dhe jam diagnostifikuar me kancer në laring.
Sa kohë keni që kuroheni me kancer?
I sëmurë dhe i diagnostifikuar me kancer në laring kam që në vitin 2008 kur kam shkuar në Holandë, duke u strehuar me azil politik. Atje jam kuruar falas dhe duke kryer terapi për 7 javë rresht sëmundja thuajse m’u zhduk. Jam kthyer në Shqipëri përpara katër muajsh pasi më mbaroi edhe koha e azilit. Kur kam ardhur jam zhgënjyer totalisht, prandaj i kam drejtuar një ankesë dhe kërkesë për ndihmë Ministrit të Drejtësisë dhe Kryeministrit Sali Berisha por nuk kam marrë asnjë ndihmë. Apeli im është të më jepet dëmshpërblimi që më takon sepse ditët e fundit kam pasur shqetësime nga sëmundja dhe duhet të kurohem sërish. Kam katër muaj në Shqipëri dhe nuk kam kryer asnjë vizitë sepse nuk kam para. Më ka strehuar një shoku im, për të fjetur dhe ndodh që nuk kam me çfarë të ushqehem. Kërkoj nga shteti të drejtën time, kërkoj mundin për të gjitha torturat që kam përjetuar, nuk dua mëshirë, dua vetëm paratë që më takojnë.
Shpëtim Karamuça ndërroi jetë më 22 dhjetor 2012.

Komentet