VOAL – Intervistën e dr. Pierre Maurer, personalitet i njohur zviceran dhe mik i shqiptarëve, njohës i çëshjes së Kosovës e i çështjes shqiptare në përgjithësi, e ka realizuar për voal.ch, Nexhmije Mehmetaj.
Zotin dr Pierre Maurer e takova ditën e shtunë, datë 21 prill, 2017 ora 18.30 do të bëhet hapja e ekspozitës të piktorit shqiptar Samedin Asllani në qytetin e Porrentryës – Jura-Zvicër. Ai është një personalitet zviceran që ngre ura bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe zviceranëve. Kisha dëgjuar për të se ka qenë anëtar udhëheqës kryesor në kuadër të misionit të OSBE në Shqipëri dhe në kohën e luftës në Kosovë, kontributi i tij padyshim është i çmueshëm. Lidhjet midis njerëzve si me zotin Pierre Maurer kalojnë në ura midis popujve e këto shpien, qoftë dhe në masën e vet të thjeshtë, në paqe mes shteteve. Ndërgjegjja e ditës ato i ulë te nënndërgjegjja e njeriut duke i kthyer në pasurimin e marrëdhënieve të njohura në histori mes dy vendeve. Bëmë një bisedë të shkurtër me të. Në fund i kërkova një Intervistë për portalin voal.ch të cilën ma dha me mirësjelljen e zakonshme fisnike të tij ( në gjuhën shqipe).
Z. Pierre Maurer, cila është vendlindja juaj dhe çfarë trashëgoni prej saj në kujtesën tuaj?
P. M. Jam me origjinë gjermane, jetoj në Zvicër, gjithashtu jam zviceran dhe jetoj në Porrentruy. Kam studiuar Sociologjinë, Zhvillimin dhe Shkencat Politike. Kam përfunduar doktoraturën mbi Politikën e Jashtme Jugosllave. Unë kam qenë student dhe studiues në Universitetin e Lozanës, Gjenevës, Bradford, Bruxelles, Beograd dhe Harvard. Aktualisht punoj si diplomat në Divizionin Humanitar të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e cila është pjesë e Ministrisë së Jashtme Zvicerane. Një kohë të gjatë kam punuar në Ballkan ( më shumë se 15 vite ) në funksione të ndryshme. Aktualisht punoj si diplomat në Divizionin Humanitar të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, është pjesë e Ministrisë së Jashtme Zvicerane.
A mund të na tregoni si u formua dashuria – miqësia me shqiptarët?
P. M. Për herë të parë kam qenë në Shqipëri për hulumtime tregtare përfaqësues i Kompanisë Burrs . Pastaj kam punuar për OSBE në Shqipëri, para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë (1998 – 2000). Kam qenë në Bajram Curri, Gjirokastër, Vlorë, Berat etj. Mandej kam punuar në Kosovë pas luftës. Fillimisht kam qenë shef i sektorit për partitë politike në Kosovë në kuadër të OSBE dhe mandej në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë. Gjithashtu shumë herë pushimet i kam kaluar në Ulqin
Cilat ishin njohuritë e para mbi shqiptarët?
P. M. Për herë të parë kam njohur një familje shqiptare në Shqipëri ka qenë ( klienti i Kompanisë Burrs cigareve Parisien në Zvicër) që në kohën e Enver Hoxhës. Edhe pse ishte shumë i pasur bënte një jetë shumë modeste. Në vazhdimësi kam njohur qytetarë në Tropojë, të cilët ishin shumë mikpritës, gjithashtu edhe shumë të kujdeseshim. Ata respektojnë jashtëzakonisht shumë miqtë dhe respektojnë me të vërtetë besën. Më kujtohet se në një varrim, isha ulur pranë vrasësit, i cili ishte toleruar për të marrë pjesë në varrimin e personit që vrau, sepse babai i të vdekurit pranonte praninë e tij. Ky pranim u hoq menjëherë pas varrimit dhe vrasësi duhej të ikte për të shpëtuar jetën e tij. Ata njëkohësisht janë edhe konservatorë dhe sidomos gratë shpesh kanë një jetë të vështirë. Ndërsa fjalën e parë që e kam mësuar shqip është fjala ,,Nuk e di” për arsye se të gjithë më përgjigjeshin kështu prej qytetareve të thjesht deri te njerëzit zyrtare. Ndërsa gjatë qëndrimit në Kosovë kam krijuar një rreth me miq shqiptarë.
Kur e keni vizituar Kosovën për herë të parë dhe kohëve të fundit?
P. M. Në Kosovë për herë të parë kam qenë në kohën e okupimit serb, më kujtohet kur në Prishtinë shihja çdo 50 metra polic. Dhe në hotelin Grand ku qëndroja kishte vetëm 5 apo 6 mysafirë. Herën e fundit kam qenë në janar të vitit 2015, për t’ i vizituar miqtë e mi në Kosovë.
Cilat janë përshtypjet e juaja për shqiptarët?
P. M. Për mua shqiptarët dukën shumë të hapur, miqësorë dhe mikpritës. Ata i përmbahen traditave të tyre dhe janë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre ekonomike. Lidhur me çështjet fetare, ata janë shumë tolerant.
Sipas jush ku afrohen e ku largohen, sadopak, Zvicra me Kosovën?
P. M. Është e vështirë të krahasohet Zvicra dhe Kosova. Ndër gjërat që ata kanë të përbashkët , do të përmendja një individualizëm ose egoizëm (që nuk është rasti për shqiptarët nga Shqipëria, të cilët janë më kolektiv). Të dy popujt janë gjithashtu mjaft konservatorë në besimet dhe zakonet e tyre. Shqiptarët janë gjithashtu shumë krenarë (mendojnë se ata kanë mundur vetëm Ushtrinë Serbe, me UÇK-në, duke harruar se NATO luajti gjithashtu një rol të caktuar), siç janë zviceranët që mendojnë se janë më të mirë se gjithë të tjerët. Të dy popujt janë gjithashtu poliglot, edhe pse kosovarët nën moshën 35 vjeç për fat të keq nuk flasin më gjuhën serbe, gjuhën e fqinjëve të tyre. Si dallime, do të them se kosovarët kanë një perceptim të ndryshëm të kohës, më shumë ballkanike sesa zvicerane. Niveli i arsimit është gjithashtu një ndryshim, kryesisht për shkak të rrethanave historike, gjë që e bënte të pamundur që një brez i tërë kosovarësh të ndjekin shkollën normalisht. Kjo ka pasoja tragjike, edhe pse askush nuk e përmend këtë .
Por me kohë dhe me rritjen e numrit të shkëmbimeve mes dy vendeve, unë jam i sigurt se këto dallime do të reduktohen ngadalë.
A mendoni se Kosova ka ndryshuar për të mirë në këto vitet e fundit?
P. M. Kosova ka ndryshuar sigurisht në vitet e fundit, por këto ndryshime nuk janë shumë të dukshme. Për fat të keq, ekonomikisht, gjërat mbeten kryesisht të pandryshuara, me një pjesë të madhe të të rinjve pa punë dhe pa perspektiv, dhe një grupi të vogël njerëzish shumë të pasur (shpesh të ulur në Parlament).
Politikisht, shumë gjëra mbeten të bllokuara, jo vetëm në dialogun midis shqiptarëve dhe serbëve, por edhe midis vetë shqiptarëve. Brezi i liderëve të vjetër të UÇK-së mbanë në kontroll forcat kryesore politike dhe të shoqërisë, dhe ka pak mundësi për ndryshime. Një brez i ri politik mezi doli, edhe pse kishte disa individë me kapacitete të dukshme.
Për sa i përket çështjeve sociale, përparim i vogël është arritur, me traditat shqiptare që ende ndikojnë shumë në jetën e përditshme të popullit dhe vendosin modele konservatore dhe sjellëse për të gjithë anëtarët e shoqërisë. Megjithatë, në këtë fushë, unë shoh më shumë potencial për ndryshime. Për shembull, niveli i lindjeve tani ka arritur standardet evropiane, larg situatës që mbizotëronte në kohën komuniste, ku familjet me 8 ose 9 fëmijëve ishin të zakonshëm, për të mos thënë standarde. Kjo ka ndryshuar krejtësisht.
Sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, Kosova mbetet shumë e varur nga ndihma e parë dhe subjekti i ndërhyrjeve politike, veçanërisht amerikane. Marrëdhëniet me fqinjët kanë mbetur të kufizuara, me përjashtim te pushimeve verore qe i kalojnë ne Ulqin një numër i madh i kosovarëve.
Çuditërisht, marrëdhëniet me Shqipërinë nuk kanë çuar në bumin ekonomik që pritej nga disa observues. Marrëdhëniet me BE mbeten të dobëta dhe problematike, ilustruar nga mohimi i liberalizimit te vizave , e cila është prioritet i jashtëm i Prishtinës për shumë vite. Mungesa e njohjes së Kosovës nga vende të tjera, përfshirë edhe BE, mbetet një pengesë që pengon zhvillimin e saj. Ende kërkohen shumë ndryshime.
Çfarë mendoni për të ardhmen e Kosovës dhe ku i shihni mangësitë në qeverisje?
P. M. Bazuar tek ajo qe thashë me lartë , nuk jam optimist për të ardhmen e Kosovës. Reformat serioze në të gjitha fushat, në veçanti në qeverisje, janë të domosdoshme. Transparenca në sistemet gjyqësore dhe ekonomike është urgjentisht e nevojshme. Duhet të bëhet një luftë e vërtetë kundër korrupsionit. Një nga prioritetet është zgjidhja e çështjes së pronës, e cila bllokon të gjitha mundësitë e zhvillimit. Unë jam i vetëdijshëm se e gjithë kjo nuk është e lehtë, por qeveria duhet t’i trajtojë këto çështje urgjentisht. Arsimi është gjithashtu një problem qendror, mungesa e mjeteve, niveli i dobët i mësuesve, kushtet e këqija të shkollës, e gjithë kjo e bën shumë të vështirë që Kosova të fillojë një fazë të vërtetë zhvillimi. Prioritetet duhet të rishikohen. Për shembull, unë nuk mund ta kuptoj insistimin nga lidershipi i Kosovës për të krijuar një ushtri: në rrethana aktuale, unë nuk mendoj se kjo është ajo që i nevojitet më së shumti Kosovës për momentin!
Megjithatë, kam frikë se parakushtet për ndryshime të rëndësishme ende nuk janë në dispozicion në Kosovën e sotme.
Si do ta përshkruani imazhin e shqiptarëve në Zvicër ?
P. M. Imazhi i shqiptarëve në Zvicër është shumë negativ. Gazetat janë të mbushura me tregime që paraqesin shqiptarët me stereotipa: të paarsimuar, të dhunshëm etj. Si zakonisht, kjo vjen nga një pakicë e keqbërësve që nuk janë përfaqësues të të gjithë popullit. Dhe disa “shembuj të mirë” të shqiptarëve të suksesshëm, si disa futbollistë, burrështetas si Behgjet Pacolli dhe të tjerë, apo artistë si Sam Asllani, nuk janë të mjaftueshëm për të balancuar këtë perceptim negativ. Kam frike se do të duhet kohë para se të ndryshojë kjo.
Këto ditë ju jeni angazhuar në hapjen e Ekspozitës së piktorit të shquar shqiptar Samedin Asllanit në Porrentruy duke dhënë kontribut të çiltër në forcimin e miqësisë tradicionale midis dy popujve. Si lindi ideja për këtë mbështetje fisnike?
P.M.Arsyeja është se Samedin Asllani është një artist i madh, po krijon një stil të pastër, të veçantë, gjithashtu është një person që po jep një imazh pozitiv për kosovaret në Zvicër, gjithashtu edhe për arsye të personalitetit të tij dhe si njeri shumë profesional. Ne fillim ideja ka lindur nga miku im ish ambasadori i Kosovës në Zvicër Naim Malaj.
A mos keni përshkruar ndonjë udhëtim, kujtim nëpër Shqipëri apo Kosovë që do ta veçoni?
P. M. Po. Kam shkruar një raport për OSBE që tregon përvojën time në Tropojë gjatë vitit 1998, ishe një eksperiencë e pabesueshme, ishte një kohë kur sundonte kaosi (asgjë nuk ishte nën kontroll). Shumë njerëz vdisnin, ishte shumë rrezik, njerëzit shtinin me armë gjatë gjithë kohës. Ndërsa Bajram Curri ishte qendra e grupimit të të gjithë luftëtareve të UCK, që vinin nga të gjitha këndet e botës. Puna ime ishte si monitor pranë OSBE përgjatë gjithë kufirit, më lejonte të shihja luftën direket përgjatë kufirit. Ju mund ta imagjinoni që kam përjetuar shumë momente shqetësuese që do të mbesin në kujtesën time përgjithmonë. Ju mund të gjeni krejt ketë përshkrim në librin “Mission impossible en Albanie”nga Gerard de Villiers të cilit ia kam treguar regjionin gjatë asaj kohe. Mund të gjeni gjithashtu përshkrime për ketë periodë në librin e Ismail Kadaresë ,,Lulet e Prillit”, duke e pasur parasysh stilin e tij shumë imagjinar dhe karakteristik. Kjo ishte për mua një përvojë e paharrueshme në një regjion shumë të bukur siç është Valbona.
Ju falënderoj me respekt të veçantë për intervistën e bukur e të sinqertë!
Delemont, 15.05.2017 Nexhmije Mehmetaj
Komentet