Nga Monika Shoshori Stafa
Bashkëbisedim me Drejtoren e Fondacionit Federal për Diktaturën në Gjermani për procesin ku Shqipëria është vendi më i vonuar i ish-Lindjes komuniste. Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, sipas rezultateve më positive të shembujve të huaj
Ka pak sot njerëz që edhe mund të duan të rrëfejnë hapur kujtimet e tyre të diktaturës komuniste në Shqipëri sepse të kujtosh hidhërimin nuk është aspak e lehtë. Çështja se çfarë qëndrimi duhet mbajtur ndaj funksionarëve dhe bashkëpunëtorëve të regjimit të mëparshëm komunist ka qenë gjithmonë një burim i rëndësishëm i mosmarrëveshjeve në vendet post- komuniste të Europës Lindore. Por ajo sigurisht nuk ka qenë e njëjta në rajon.
Të gjitha demokracitë që erdhën më pas u përballën me atë çfarë Huntington e ka quajtur një ‘problem torturues’, ku forma të ndryshme të një drejtësie në tranzicion janë shoqëruar me transformime nga më të rëndat, një shembull i qartë i kësaj është dhe Shqipëria. Megjithatë ka pasur disa pika me të cilat këto vende duhet të ndaheshin njëherë e mirë me të kaluarën, gjë të cilën nuk e kanë bërë, si ndjekja kriminale e zyrtarëve më të spikatur të regjimit të kaluar apo përfaqsuesve të tyre, kthimi dhe kompensimi i pronave dhe deklasifikimi i dosjeve të policisë sekrete për inspektim publik.
Asnjë nga këto opsione, megjithëse i është dhënë një përgjigje me kohë në opinionin tonë publik nëpërmjet medias dhe më gjerë nga ekspertizat e huaja që kanë mbërritur në Tiranë, nuk është realizuar. Arsyeja? Vitet ikin dhe me to edhe kujtimet, e bashkë me kujtimet dhe dëshmitarët e terrorit të kuq. Kush i ndihmoi shërbimet e sigurisë në spiunazhin ndaj fqinjit, kolegut dhe anëtarëve të familjes? Çfarë dënimi i drejtë mund të hartohet për këta bashkëpunëtorë nëse është shtruar ndonjëherë kjo pikë për diskutim, i cili teknikisht nuk shkel asnjë ligj?
Si duhet një shoqëri të përqafojë ideologjinë liberale dhe shtetin e së drejtës nëse vazhdon të bëjë marrëveshje me ata të cilët “pa u shpallur fajtor, nuk mund të quhen të pafajshëm”? Për të gjitha këto pyetje ne bashkëbiseduam me Dr. Anna Kaminsky- n, Drejtore e Fondacionit Federal për zbardhjen e Diktaturës në Gjermani, përgjigjet e diskutueshme të së cilës ndaj pyetjeve tona cojnë te pikënisja e ligjit për lustracionin, këtë proces të verifikimit sistematik të zyrtarëve publikë për lidhje me shërbimet e sigurimit të epokës komuniste.
Dr. Kaminsky, javë më parë ishit në Shqipëri dhe vizituat Tiranën dhe Shkodrën. Patë se diçka kishte ndryshuar gjatë këtyre dy viteve që ju munguat që nga vizita juaj e fundit? Çfarë përshtypjesh ju lanë takimet me grupe të ndryshme interesi mbi ligjin për Dosjet e Sigurimit?
Dr. Kaminsky: Shqipëria është mjaft e bukur dhe mbi të gjitha njerëzit që më presin atje, ata me të cilët kam një miqësi të sinqertë janë shumë të mirë. Sa i përket hapjes së dosjeve të Sigurimit, shumë njerëz, kryesisht viktimat e mëparshme dhe njerëzit që kanë statusin e të përndjekurit, vazhdojnë të presin ende gjatë për tu njohur me këto dosje e të informohen mbi to. Por ajo me të cilën u njoha mbetet e njëjta fazë; pritja për të ndërmarrë hapa konkretë. Por sigurisht pas kalimit të ligjit në parlament, shpresa është se tani komisioni për këto dosje së shpejti do të nisë punën. Por çështja që do të mbetet shumë e rëndësishme për t’u diskutuar është se ku kanë përfunduar këto dosje dhe çfarë u ndodhi atyre gjatë këtyre 25 viteve të fundit që nga rënia e komunizmit.
Gjatë këtyre viteve ju keni pasur një raport shumë të ngushtë me zhvillimet në Shqipëri sa i përket Ligjit për Dosjet dhe monumenteve memuaristikë, gjatë të cilave keni ndikuar në nxitjen e cuarjes përpara të këtij procesi jo vetëm si eksperte por edhe nisur nga përvoja gjermane. Takimet e juaja me përfaqsues të institucioneve shtetërore që merren me të kaluarën komuniste kanë qenë në vëmendjen e opinionit publik, sidomos të atij grupi që është kaq i ndjeshëm ndaj këtij procesi. Por ende ka shumë gjëra për të bërë, megjithëse hapi i madh me kalimin e Ligjit për Dosjet është ndërmarrë. P.sh. ka ende shumë për të bërë lidhur me njohjen e agjentëve të Sigurimit që kanë spiunuar familjarët e të përndjekjurve ose ata që kanë dalë si dëshmitarë të rremë dhe spastrimin e tyre nga radhët e klasës politike shqiptare, emra të cilët ende sot mbajnë poste publike. Çfarë mendoni lidhur me këtë pritshmëri? Është e tepërt për ju?
Dr. Kaminsky: Mendoj se është e drejta e gjithsecilit që është përsekutuar dhe përndjekur në atë kohë apo që ka humbur anëtarë të familjes nën terrorin komunist të njohë se cfarë ka ndodhur, përse ka ndodhur dhe kush ishte përgjegjës apo autori. Çfarë unë shoh, si e jashtme në këtë proces, është se gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka gjithmonë e më shumë institute që po kërkojnë mbi të kaluarën për të memorizuar atë cfarë ka ndodhur. Kështu p.sh., së fundmi është ngritur një muze-memorial në Shkodër, ndërsa në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ka një kënd që i dedikohet terrorit komunist dhe viktimave të tij. Një tjetër monument memuaristik që quhet “Post-Bllok” është vendosur diku në bulevard.
Sigurisht ka ende shumë punë për të bërë sepse duhen më shumë të tilla. Mbi të gjitha e kaluara juaj ka shumë nevojë për transparencë-nga njëra anë duke hapur dosjet, nga ana tjetër duke ngritur memoriale dhe monumente në vendet ku krimet e komunizmit kanë ndodhur. Përpjekjet për të ngritur një muze të përkujtesës në Spaç, nuk duhet të mbeten në dëshirën e familjarëve të viktimave. Këto vepra të kujtesës duhet të konvergojnë në një vullnet politik së pari sepse ndryshe vendet e tmerrit të diktaturës komuniste do të fillojnë të zhduken e që këtej, bashkë me to të gjitha dëshmitë e së kaluarës. Dhe për respekt të kujtesës të të afërmve dhe brezit të ri të cilët kanë të drejtën e tyre të njohin cfarë ka ndodhur me prindërit apo me gjyshërit e tyre, kjo gjë duhet të parandalohet me urgjencë.
Pyetja se “cili ka dosje dhe çfarë ka bërë?” diskutohet gjithmonë në Shqipëri dhe madje edhe në formë shantazhi deri në foltoret e parlamentit shqiptar, ndërsa viktimat po ikin nga kjo botë me shpirtra të trazuar. Ndonjë koment tuajin?
Dr. Kaminsky: Ne, në Gjermani kemi eksperienca të mira me transparencën. Njerëzit kanë të drejtën të dinë kush është përgjegjës për krimet e së kaluarës. Dhe pyetja është: kur ne kemi kaq shumë viktima, kaq shumë të persekutuar dhe të pushkatuar-atëherë cilët janë autorët e tyre? Duke mos ditur se cili është përgjegjësi/autori, ushqehet më shumë mosbesim në popull dhe nxiten më tej dyshimet. Kjo nuk është një bazë e fortë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat dhe një shoqëri demokratike solide në të cilën njerëzit të besojnë fort– forcat politike duhet ta dinë këtë dhe nëse nuk fillojnë ta vënë në punë, rritet rreziku që ata të mund të përjashtohen kur kohët shfaqin paqëndrueshmëri në procesin e tyre historik.
Çfarë është procesi i lustracionit? Çfarë masash mund të aplikohen në Shqipëri?
Dr. Kaminsky: Së pari, nisur nga eksperienca jonë në Gjermani, gjëja më e rëndësishme është të sigurojmë dosjet dhe dokumentet e së kaluarës nga shkatërrimi i mëtejshëm. Por është gjithashtu shumë e rëndësishme të sigurojmë kujtimet e viktimave dhe të të afërmve të tyre të përndjekur dhe të persekutuar. Sepse nuk do të gjeni gjithçka nëpër dosjet e së kaluarës. Kujtimet e njerëzve që kanë jetuar ngjarjet duhet të regjistrohen për t’u përdorur në programe shkollore, nëpër salla universiteti, dëgjesa publike dhe gjithashtu duhet të arkivohen për të ardhmen gjithmonë me një qëllim, njohja dhe që historia të mos përsëritet.
Në vendet balltike, procesi i lustracioni erdhi natyrshëm duke gjetur mbështetje unanime, ndërsa në Poloni u ndjenë disa skandale të vogla lidhur me disa denoncime zyrtarësh ende në fuqi. Mendoni se është koha në Shqipëri, të fillojmë të mbështesim këtë ide? Kush mund ta shohë ligjin e ri të lustracionit si të panevojshëm këtu te ne, çfarë mendimi keni?
Para së gjithash duhet të shihet se çfarë dosjesh dhe dokumentesh ekzistojnë ende. A është e mundur të gjenden sa dosje mungojnë? Cilat nga ato nuk janë të plota etj.? Vetëm kur ju të keni përfunduar këtë proces kërkimi dhe të keni njohuri të sigurta mbi këtë që parashtrova më sipër mund të vazhdoni më tej për të gjetur autorët e krimeve të komunizmit. Një pikë e tjetër që duket se është e rëndësishme të evidentohet lidhet me studimin në mënyrë të saktë, rast pas rasti të atyre që mund të quhen autorë; cilat ishin arsyet që u përfshi, cilat ishin rrethanat, në cfarë moshe ishte ai/ ajo dhe cfarë ai/ ajo bëri. Gjykimi i të gjithë njerëzve brenda një mënyre skematike 25 vjet pas përfundimit të diktaturës komuniste, nuk mund të jetë mënyra më e mirë për një shoqëri demokratike që aspiron shtetin e së drejtës dhe stabilitetin për të shkuar drejt Europës
Komentet