Parlamenti Italian merr sot në diskutim draft ligjin e aprovuar nga qeveria italiane mbi Protokollin e nënshkruar mes Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane e Këshillit të Ministrave të Republikës Shqiptare.
Draft ligji do të prezantohet në dhomën e deputetëve në ora 12 të paradites së sotme ku pritet të marrin fjalën relatorët e tij, deputetja e Fratelli D’Italia me origjinë egjiptiane, Sara Kelany, Deputeti Paolo Formentini i Partisë Lidhja, Deputeti Riccardo Magi i Partisë Radikale si dhe pritet të ketë diskutime të përgjithshme nga deputetë të forcave të ndryshme politike.
Ndërkohë Amnesty International përmes një note zyrtare i ka kërkuar Parlamentit Italian mos të ratifikojë Protokollin Itali-Shqipëri, i nënshkruar më 6 nëntor 2023 në Romë mes Kryeministres italiane Giorgia Meloni e Kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Amnesty International ka arritur në konkluzionin se nga kjo marrëveshje ka shumë pak gjasa që të arrihet objektivi i deklaruar mbi menaxhimin e emigracionit. Mendon se zbatimi i tij do të kishte një ndikim negativ në një sërë të drejtash për njeriun, duke përfshirë të drejtën për jetën, integritetin fizik të personave të shpëtuar në det, të drejtat për lirinë personale, të drejtat për azil e për apelim efektiv të kërkesave për personat e transferuar në Shqipëri.
Për këtë organizatë “burgosja automatike e me kohë të zgjatur e azilkërkuesve është arbitrare dhe për këtë arsye e paligjshme.” “Nuk mjafton, shkruan dokumenti, që një protokoll dypalësh për të fshirë parimin se liria personale duhet të jetë e paracaktuar e burgosja një përjashtim.”
Amnesty International nënvizon se “ky protokoll dhunon detyrimin ndërkombëtar për të siguruar një zbarkim të shpejtë e të sigurt për azilkërkuesit e imponon një udhëtim të gjatë prej 1000 km nga Mesdheu Qëndror në Shqipëri. ” “E ky fakt mund të rëndojë shëndetin e sigurinë e emigrantëve.” Gjithashtu, nënvizon kjo organizatë “mungon qartësia e trajtimit të të miturve dhe personave vulnerabile.”
Po ashtu dokumenti i dërguar Parlamentit Italian kundërshton dhe koston e lartë për realizimin e këtij protokolli; rreth 500 milionë euro në 5 vitet e para të nënshkriimit të tij.
“Ky pakt kapërcen kufijtë e kërcënon të drejtat”, apelon Amnesty Intenational.- DOKUMENTI
INTERVISTE ME ELISA DE PIERI
SYRI TV ka intervistuar Elisa De Pieri, studiuese e së drejtës së emigracionit në Drejtorinë e Përgjitshme të Amnesty International në Londër, e një nga ekspertet që ka ndjekur e analizuar protokollin e firmosur nga Kryeministri Edi Rama e Meloni në Romë. “Pakti nuk është as i ri as inovativ, nuk kryen asnjë nevojë praktike e llogjistike për zgjidhjen e problemit. Deklaratat e kryeministrave janë politike, për të anashkaluar normat e detyrimet ndërkombëtare.”
Alba Kepi: Amnesty International ishte një nga organizatat e para që reagoi e kërkoi revokimin e paktit mes Romës e Tiranës mbi strehimin e emigrantëve në Shqipëri. Pse jeni kundër këtij protokolli?
Eliza De Pieri; Gjëja e parë që duhet thënë është se ky pakt bën pjesë në atë që ne e quajnë politika e ekstremalizmit të kontrollit të emigracionit, e karakterizohen nga dëshira për të anashkaluar normat e detyrimet ndërkombëtare ndaj emigrantëve e refugjatëve. Ky është kontekstin që ne e shohim e mbi të cilin është firmosur ky pakt.
E gjithashtu mendojmë se kjo marrëveshje është mbyllur në mënyrë të shpejtë mes dy liderëve, pa asnjë detaj se si do të praktikohet. Pra vetëm mund të tentojmë të imagjinojmë se si do të aplikohet ky pakt praktikisht e cfarë efekti do të ketë tek emigrantëve. E akoma më shumë kemi vëmendje të kuptojmë se si do të seleksionohen këta emigrantë për t’u mbajtur të burgosur në Shqipëri e kush do të mbahet në Shqipëri.
Alba Kepi; Pra qëndrimi i azilkërkuesve në regjim burgosje i emigrantëve është një nga pikat që Amnesty International kundërshton fort. A mund të më thoni se cilat janë pikat e tjera që gjeni të papranueshme në këtë pakt?
Elisa De Pieri: Burgosja e emigrantëve është problemi qendror i kësaj marrëveshje. Këto dy kampe në Shqipëri do të jenë qendra burgosje e jemi të preokupuar se me një sistem të tillë, burgosja e azilkërkuesve bëhet automatike. E burgosja automatike është ilegale kur nuk ka një kontroll të gatshëm të autoriteteve gjyqësore. Dhe pse pakti i nënshkruar thotë se Italia do të ketë juridiksionin e këtyre qendrave, ende nuk është identifikuar se kush autoritet gjyqësorë do të merret me to e cilat janë protokollet që do të ndiqen e do të lejojnë vendimet për të mbajtur azilkërkuesit në regjim burgosje. Nën këtë regjim emigrantët mund të mbahen në një kohë shumë të reduktuar deri në momentin e identifikimit e skanerizimit, por nëse nuk kontrollohet ky proces bëhet automatikisht një regjim burgosje automatik e pra ilegal. Nuk është një pakt i ri o inovativ siç na prezantohet. E mund të mësojmë nga këto eksperienca e ajo ç’ka ndodhi në Australi ka dëshmuar se burgosja mund të rrëshkasë në rrethana jo humane deri në torturë apo në situacione të vështira psikologjike.
Alba Kepi; Në Shqipëri të gjithë pyesin se si një vend si Shqipëria jo vend anëtarë i Bashkimit Europian, një vend me problematika të veta të thella nga emigracioni masiv i të rinjve, bëhet sot një vend ku mund të ngrihen 2 qendra emigrantësh. E drejta ndërkombëtare, normativa europiane e internacionale a po respektohet me këtë vend?
Elisa De Pieri: Dhe ne mendojmë se është një problem i rëndë. Prandaj gjykojmë dhe se Shqipëria, autoritetet gjyqësore shqiptare nuk duhet ta shohin këtë pakt thjesht si një kalim celësash për territorin ku do të ngrihen këto dy qendra. Ka shumë mundësi që juridiksioni shqiptar të bëhet i rëndësishëm në shuma pika të marrëveshjes, si në rastin kur emigrantët arratisen nga burgu, kur tentojnë të largohen nga territori shqiptar, apo në momentin e transferimit të tyre nga porti në qendrat e strehimit. Uroj që autoritetet e drejtësisë shqiptare t’i kushtojnë rëndësi këtyre elementëve.
Alba Kepi: Pak orë më parë ky pakt u aprovua në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian e në Dhomën e Senatit, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se “Shqipëria nuk është Gjermania naziste”. Fjalë të forta për të bindur senatorët se ky pakt është shpëtimi i problemit të emigracionit. Si e komentoni ju?
Elisa De Pieri: Shqipëria është pjesë e Këshillit të Europës, e duhet të respektojë Konventën Europiane të të drejtave të njeriut. Debati në Parlamentin italian tregon se qeveria e kuptoi kriticizmin e asaj çfarë kishte firmosur e pranoi këtë debat, pa harruar se fillimisht u përpoq të mos e kishte as këtë moment transparence.
Do të prezantoj një draft ligj, pra një përballje e re në Parlament mbi çfarë do përmbajë ky draft. E është një pakt që detajet ende janë nën mjegull e o pritet t’i ketë dhe Brukseli. Dëgjova kryeministrin Rama të thotë se “është një formë solidariteti që Shqipëri dëshmon ndaj Italisë e që vendet e tjera europiane nuk treguan”. E vërteta është se Shqipëri nuk është se merr në ngarkim azilkërkuesit, procedurat e tyre. Janë më shumë deklarata politike. Nuk kuptohen se kush është roli praktik e logjistik i këtij pakti e këto qendra mund të ndërtoheshin fare mirë në Itali. Amnesty International i ka kërkuar qeverisë italiane të përdorë fondet që janë të rëndësishme të këtij pakti për të forcuar e përmirësuar sistemin kombëtar italian të mikpritjes së emigrantëve.
Alba Kepi; Ju jeni eksperte në Londër. E them këtë sepse mbi mundësitë e mosrealizimit të paktit Rama-Meloni, në debatin publik, mediatik e politik shqiptar është bërë krahasimi me dështimin e marrëveshjes mes Londrës e Ruandës për një vendim të ngjashëm. Një koment i juaji?
Elisa De Pieri: Amnesty Intenational ishte absolutisht kritike ndaj ngritjes së qëndrës në Ruandë e kritike për ngritjen e qëndrave të tilla në vende të varfra. Të dy paktet janë pjesë e politikave për të ekstremizuar problemin. Marrëveshje mes Britanisë së Madhe e Ruandës synonte të transferonte juridiksionin ndaj peronave që dërgoheshin në Ruanda. Por Gjykata e Lartë Angleze e hodhi poshtë, pikërisht nga situata në të cilën ndodhet Ruanda.
Alba Kepi: Nëse në Itali ky pakt ka hyrë në një rrugëtim analize parlamentare, në Shqipëri për momentin nuk po ndodh asgjë. çfarë duhet të bëjnë ata që janë kundër, shoqëria civile, organizata jo qeveritare, shoqatat në mbrojtje të të drejtave njerëzore, që ky pakt të rrëzohet?
Elisa De Pieri; Është e rëndësishme që shoqëria civile të mbikqyrë mbi të drejtat e personave që ndodhen në territorin shqiptar e po ashtu dhe autoritetet gjyqësore shqiptare.
Alba Kepi: E sipas jush Bashkimi Europian mund të ndërhyjë për të rrëzuar këtë marrëveshje?
BE ka kërkuar më shumë detaje, e është shprehur se ky pakt nuk mund të zbatohet përtej territorit të vendeve anëtare të unionit. Duhet të presim e të shohim çdo ndodh, se cilat janë informacionet që qeveria italiane do të përcjellë në BE. Ne si Amnesty International ndjekim me vëmendje simpatinë që Gjermania ka deklaruar mbi këtë pakt e kuptojmë që ka një klimë vështirësie që qeveritë europiane kanë në përballimin e krizës së emigracionit. Deri tani është folur me boce e me fjalë të dëgjuara. Të presim e të shohim materialet qe qeveria italiane do të prezantojë e ne po i ndjekim me vëmendje.
Alba Kepi; Nëse qeveria italiane aprovon këtë draft ligj, pra nuk e rrëzon as parlamenti, cili do të jetë aksioni i Amnesty International?
Elisa De Pieri: Ne do të vazhdojmë të kërkojmë anulimin e këtij pakti e për ne kryesorja janë njerëzit, problematikat që lidhin historinë e tyre, rruga e trafikmit deri në Europë, mënyra se si do të identifikohen minorenët, azilkërkuesit që do të dërgohen në Shqipëri. Do të jenë qendra hotspot apo qendra të modelit CPR italian (Qëndra të Strehimit të Përkohshëm) e ka një diferencë e madhe mes tyre, si dhe mjaft probleme që mediet nuk i trajtojnë.