Xhindoset kur mendon se sa padrejtësi po u bëhen shqiptarëve në Maqedoni dhe nuk ka aspak besim se gjërat do të shkojnë mirë për shqiptarët, pas qeverisë së koalicionit të ri.
Në intervistën për portalin tesheshi.com, zoti DioGuardi thotë se nëse edhe këtë herë gjërat nuk funksionojnë dhe një tjetër krizë e pason Maqedoninë, ndaj saj duhen vendosur sanksione dhe të mbahet një tryezë për krijimin e një kornize që më në fund të çojë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Dhe për këtë, sipas DioGuardit, SHBA duhet të marrë një rol kryesor dhe të mos i lërë zhvillimet në dorën e Bashkimit Europian.
Intervista e plotë:
Zoti DioGuardi, në Kongres u mbajt një seancë dëgjimore për situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ju ishit pjesë e panelit që dëshmoi para kongresmenëve dhe ngritët zërin për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, sidomos në Maqedoni. Çfarë mendoni se do të ndryshojë tashmë, pas kësaj seance dëgjimore?
Ndryshimi i vetëm që mund të presim në këtë moment është që Departamenti i Shtetit ta ketë marrë mesazhin. Por, nëse ata nuk e kanë marrë mesazhin, sepse mos harroni se ata përfaqësojnë administratën amerikane, janë përfaqësues të Trump, duhet të sigurohemi që ta marrin. Edhe duhet të sigurohemi gjithashtu që Kongresi e ka marrë mesazhin. Mua më duhet të flas me Danan (kongresmenin republikan Dana Rohrabacher, i cili është kryetar i Nënkomitetit për Punë të Jashtme në Kongres, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Kongres dhe drejtues i seancës dëgjimore për Ballkanin), dhe të sigurohem që e ka shumë të qartë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë në tryezën për përcaktimin e kornizës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni.
Në këtë mënyrë, të gjitha ato parime që u shkruajtën më shumë se 15 vjet më parë, duhet t’i zbatojmë tani. Pastaj Kushtetuta duhet të shprehet qartë se ky është një shtet (Republika Ish-Jugosllave e Maqedonisë) për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe shqiptarët dhe maqedonasit. Kushtetuta aktuale nuk e thotë këtë. Ajo Kushtetutë është e një lloji të vjetër, të Jugosllavisë dhe që thotë se ky është një shtet për sllavët e Maqedonisë. Kjo nuk është e drejtë. Shqiptarët ndihen keq dhe mes tyre lind pyetja: “Përse jemi këtu?”
Ne duam që ata të ndihen me të drejta të barabarta. Kjo është mënyra amerikane e të menduarit dhe të vepruarit. Kjo është edhe mënyra ndërkombëtare.
Pra, unë e bëra mjaft të qartë në seancën dëgjimore. Tashmë do të punoj sërish që ta ndjek si çështje me zotin Rohrabacher për të parë se çfarë do të bëjë ai që të lidhet me Departamentin e Shtetit dhe t’u thotë atyre që “kemi këto komente, veçanërisht nga Joe DioGuardi, i cili ka shumë përvojë në këtë fushë, dhe përse nuk kemi një kornizë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të mos lëmë vetëm Europën që të merret me këtë. Ne madje duhet të marrim drejtimin, ashtu siç bëmë edhe në Kosovë”. Kosova nuk do të ishte e pavarur sot nëse nuk do të ishte për SHBA-në. Ishte George W. Bush. Ne bëmë shumë për ta arritur atë që arritëm dhe shqiptarët e dinë mirë këtë.
Pra, nëse SHBA nuk do ta njihte pavarësinë, as vendet e tjera nuk do ta bënin. Tani kemi sa, 115 vende që e njohin pavarësinë e Kosovës nga 190 vende gjithsej, por Serbia ende nuk e pranon. Dhe ne kemi njerëz që flasin që të kemi Serbinë si shtetin që t’i referohemi për përgjigjet për Ballkanin. Serbia nuk është përgjigjja për Ballkanin. Ata duan Serbinë e madhe. Ata duan dështimin e Bosnje-Hercegovinës si shtet, në mënyrë që të marrin Republikën Srbska dhe ende po bëjnë lojëra në veri të Kosovës. Dhe nëse ndodh ndonjë gjë në Maqedoni, çfarë do të bëjnë ata, do ta quajnë konflikt etnik. Jo politik. Jo ekonomik. Por, etnik. Përse? Sepse ata duan probleme në rajon, në mënyrë që të përfshihet Rusia që t’i mbështesë.
Në seancën dëgjimore në Kongres, ne dëgjuam zotin Rohrabacher të thotë se nuk ka problem që Rusia të përfshihet në rajonin e Ballkanit. Ai foli edhe për bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë, Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Cili është mendimi juaj për këtë?
Nuk kam asnjë mendim. Ai thotë se nuk kemi nevojë për një Luftë të Ftohtë të re. Por duket se dikush, në njëfarë mënyre dëshiron një Luftë të Ftohtë të re. Nuk e di përse.
Por, për çfarë ka nevojë rajoni?
Ajo që kemi nevojë është bashkëpunimi. Problemi është se qeveritë atje janë kaq të korruptuara sa nuk mendoj se do të bashkëpunojnë në mënyrën e duhur.
Ne duhet të bëjmë diçka. Mbase të vendosim sanksione; mbase me anë të marrëveshjeve kornizë që duhet të shtrojmë në tryezë; dhe mbase që të kemi një bojkotim të shqiptarëve të Maqedonisë nëpër botë, në dërgimin e remitancave në atë shtet. Mos të dërgojnë fare para atje për investime apo për çdo gjë. Shumë para shkojnë në Maqedoni nga familjet shqiptare. Unë mendoj që është më mirë t’i dërgojnë dhe t’i investojnë diku tjetër, mos t’i përdorin në Maqedoni. Gjithashtu të mos shkojnë me pushime në Maqedoni.
Bëjini të kuptojnë sa të rëndësishëm jeni. Ashtu siç ndodhi në kohën e Martin Luther King këtu në Amerikë, kur njerërzit me ngjyrë nuk përdorën më autobusët dhe bënë që kompanitë të falimentojnë. Apo kur Gandhi u tha indianëve mos përdorni më pambukun, Anglia pothuajse falimentoi. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë tani në Maqedoni. Në këtë mënyrë ata do të kuptojnë fuqinë e shqiptarëve. Shqiptarët dërgojnë shumë para në Maqedoni përmes remitancave.
Zëvendës/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, zoti Hoyt Brian Yee tha se Amerika është prezente në Ballkan. Asgjë nuk ka ndryshuar. A mendon se do të ndryshojë ndonjë gjë? A do të ketë më shumë apo më pak prezencë amerikane në Ballkan, veçanërisht në vendet ku jetojnë shqiptarët?
Amerika është prezente në Ballkan përmes NATO-s. Kemi një bazë ushtarake në Kosovë të quajtur Bondsteel. Janë shtatë mijë ushtarë amerikanë atje. Pra, ne jemi prezentë atje dhe nëse diçka do të shkojë keq të jeni të sigurtë se ata do ta ndalojnë përpara se situata të dalë jashtë kontrollit. Por, ne nuk jemi të angazhuar me të vërtetë atje. Shikoni se çfarë tha zoti Yee. Shefi i tij është Donald Trump tashmë. Dhe Donald Trump kërkon të bëjë shkurtime me 30 për qind në fondet për Departamentin e Shtetit.
Si do t’ia bëjmë ne tani që të dërgojmë njerëz të zgjuar nëpër botë, veçanërisht në Ballkan nga Departamenti i Shtetit, kur kemi tashmë probleme më të mëdha me Korenë e Veriut, probleme me Sirinë. Turqia nuk është problem. Ende nuk kemi shtruar në vijë të mbarë problemin mes izraelitëve dhe palestinezëve. Mendoj se zoti Yee është disi shumë optimist për praninë tonë në Ballkan. Ne duhet të bëjmë diçka tjetër.
Prandaj unë jam shprehur se mbase duhet të ndërmarrim ca hapa të vegjël si fillim. Le ta nisim me Maqedoninë, ku mund të bëjmë diçka duke pasur një kornizë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën ishte rënë dakord 16 vjet më parë. SHBA e garantoi zbatimin e asaj marrëveshjeje dhe të njëjtën gjë bëri edhe Bashkimi Europian. Përse nuk po funksionin tani? Ne duhet të kthehemi pas për rregullimin e kësaj dhe mandati për qeverinë e re duhet të funksionojë. Përndryshe duhet të bëjmë diçka. Sanksione apo çfarëdo zgjidhjeje.
Diogardi ben punen e Nje patrioti te madh shqiptaro amerikan
Diogardi ben punen e Nje patrioti te madh shqiptaro amerikan