Deputeti socialist Ben Blushi i sheh të pakënaqurit nga qeveria, por dhe partitë kryesore politike, si elektoratin më të madh në vend.
I ftuar në emisionin “Të paekspozuarit” me gazetarin Ylli Rakipi në Ora News, Blushi tha se vendit i duhet një parti që të përfaqësojë shtresën e mesme dhe të varfër, ndryshe nga partitë aktuale që mbrojnë interesat e oligarkëve dhe të të pasurve.
Pse shqiptarët ikin dhe janë të zhgënjyer?
Unë besoj se në Shqipëri, pas 25 vitesh, shqiptarët janë duke bërë një bilanc. Çfarë fituan për 25 vjet. A jetojmë më mirë? A jemi të lirë? A fitojmë më shumë demokraci apo mirëqenie nga zgjedhjet në zgjedhje. A janë zgjedhjet një përsëritje e mërzitshme e asaj që kishim? A ka drejtësi të avaruar? A ka stabilitet? Ky bilanc shtyn shumë njerëz që të jenë më pak militantë nga sa kanë qenë.
Ç’është Shqipëria e Rilindjes pas tri vitesh?
Rilindja ndihmoi që ky dëshpërim të rritej. Ky dëshpërim i akumuluar prej 25 vitesh të shtohej. Pse? Njerëzit në vitin 2013 mendonin se kjo ishte një mundësi e fundit, ndoshta për t’i vënë një kapak tranzicionit, për të mbyllur një epokë korruptive, jofunksionale, emigracioni të lartë. Kjo nuk ndodhi. Rilindja veçse i shtoi zullumet që kishte për të zgjidhur. Dhe bilanci i sotëm, pas tri vitesh, është katastrofal. Shteti për mua është në prag kolapsi, unë nuk besoj se kemi parë këtë kaos, përveçse në vitin ’97, apo në prag të atij viti. Shteti nuk funksionon. Shikoni se çfarë ndodh. Shqipëria sekuestron zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, 10 për qind e bashkive kanë rënë, se njerëzit që i drejtojnë kanë probleme me ligjin. Është totalisht afunksionale, ekonomia e Shqipërisë është në ditët e veta më të zeza, nevoja për të lënë Shqipërinë, për ta braktisur, është më e madhe. Ky është bilanci i Rilindjes për tre vjet. Dhe kjo është ajo që unë them vazhdimisht, e vazhdimisht, e vazhdimisht… Kjo është arsyeja që ka kaq shumë pakënaqësi midis partive të mëdha. Njerëz ndërmjet dy poleve të mëdha, majtas apo djathtas, janë duke u shtuar. Partia më e madhe sot është Partia e të Pakënaqurve. Partia e të Pakënaqurve është më e madhe në Shqipëri.
Pse duhet që shqiptarët të votojnë për ju?
Nuk kam ardhur sonte t’i them askujt votoni për mua, sepse unë akoma nuk jam një subjekt elektoral.
Do të jesh nesër…
Nuk e dimë, koha do ta provojë. Unë po përpiqem sot të higjienizohem, kjo është në aspektin personal. Unë nuk pranoj më të jem palë me çdo të keqe që mua më duket se është e keqe. Kush është kjo? Qeverisje sektare. Mungesë drejtësie, mungesë parimesh, kriminalizim i interesit privat, cenim i integritetit të individit çdo ditë. Kjo është në aspektin personal. Unë po flas për aq sa më takon, sigurisht që me sa konstatoj, se unë jam duke takuar shumë njerëz sot në Shqipëri, ka një masë të madhe njerëzish, që po mendojnë, apo po shkojnë drejt një opsioni të ri, apo të tretë, apo të katërt. Koha do ta provojë sa i vlefshëm është ky dhe kush do ta bëjë. Jam i bindur se dikush do ta bëjë. Dikush në Shqipëri, mos brenda një viti, brenda dy-tri viteve të ardhshme, do të grumbullojë aq shumë shpirtra të pakënaqur dhe shpirtra të lirë, për të formuar një projekt politik, i cili pa dyshim do të iniciojë rënien e kësaj klase politike që është shumë e shpejtë.
Mund të ndryshojë PS-ja nga presioni i brendshëm apo kërkohet një lëvizje e re që ta çojë në minorancë PS-në?
Në 6 muajt e fundit tentova të provoj se sa ishte e mundur të transformohej PS-ja nga brenda, ku ka votim, ku bëhet debat për çështjen themelore, ku merret një vendim dhe pakica i imponohet shumicës. Kjo që nuk ndodhi dhe ajo që ka ndodhur është një shëmtirë politike e pahonepsshme. Sepse nuk jemi në vitin 1997, jemi në vitin 2016, dhe 25 vjet më vonë, partia më e madhe në Shqipëri, del dhe thotë se unë nuk kam interes të jem një parti demokratike, se këtë tha. Dhe sigurisht kjo shëmti, nuk mbaron këtu. Kjo do të vazhdojë, sepse mungesa e demokracisë në një parti, denigron të gjithë sistemin.
Kjo nënkupton se do të krijosh një parti të re, këto janë pyetjet që kanë njerëzit?
Doja që njerëzit fillimisht ta kuptonin këtë gjë, sepse është pak e vështirë të kuptosh nga jashtë se çfarë ndodh brenda një partie. Unë u përpoqa aq sa munda. Nuk është se ai debat “duhen apo s’duhen zgjedhje në parti” s’pati interes. Përkundrazi, pati interes. Të them të drejtën e kam humbur shpresën. Para tre-katër muajsh, ndoshta mendoja se mund të ketë një pikë kthese. Dhe çfarë kërkova unë? Në PS të ketë zgjedhje. A ka njeri që mund të thotë jo? E thanë ata, morën vendim që nuk ka zgjedhje.
Mendoni se ka degraduar kjo parti?
Mendoj se të dy partitë e mëdha, që janë në anën e së njëjtës monedhë, janë shumë të ngjashme, në kuptimin e demokracisë, raportet që kanë me drejtësinë, raportin që kanë me të varfrit, me të pasurit. Do mendimin tim? Dy parti që na qeverisin sot nuk janë parti, janë parti të të pasurve. Shqipërisë i mungon një parti e shtresës së mesme dhe të të varfërve. PS-ja dhe PD-ja nuk janë njëra majtas dhe tjetra djathtas. Janë të dyja vertikale dhe janë parti të të pasurve.
Nuk duken as të të pasurve…
Janë të kateve të larta. Kush e përfaqëson shtresën e mesme dhe të të varfërve? Për mua askush. Asnjë nga partitë që ka fuqi të marrë vendime. Sigurisht mund të ketë një parti periferike, por ajo nuk ka as fuqi. Ky kontingjent njerëzish, në mos në këto zgjedhje, në mos këto të vitit 2017, pa dyshim që për tre-katër vjet do të përfaqësohet në Parlament dhe do të ketë mundësi të kushtëzojë partitë e mëdha dhe do t’i bëjë akoma më të vogla.
Çmendoni për Lulzim Bashën, kryetarin e opozitës së sotme. A ia vështirëson apo lehtëson ai punët Edi Ramës?
Unë mendoj se Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë aleatët e vetëm të Edi Ramës në Shqipëri. Të vetmit. I pari e ndihmon me të shkuarën e vet, sepse terrori që po krijon kjo qeveri është se ne jemi e keqja më e vogël. Po nuk na votuat ne, vjen një e keqe më e madhe, që është Saliu, që e keni provuar. Sigurisht që kjo është pesha dhe guri më i rëndë që ka opozita sot.
Do të ketë një lëvizje të re kundër kastës?
Ka shumë pakënaqësi dhe herët apo vonë kjo do të krijojë një lëvizje të re, kjo është e padiskutueshme. Mos sot, pas një muaji, tre muajsh apo tre vjetësh, kjo do të ndodhë. Unë do t’i bashkohesha me shumë qejf një lëvizjeje që mbron interesin publik dhe nxjerr nga varfëria sa më shumë njerëz. Çdo lëvizje që do të pakësojë varfërinë do të pakësojë edhe oligarkët, do ti hiqte më shumë pushtet çdo qeverie kushdoqoftë ajo. Kushdo që do bëjë këtë gjë në Shqipëri do të ketë sukses. 90% e shqiptarëve sipas sondazheve tregojnë se tre partitë e mëdha nuk e mbrojnë interesin publik. Cënimi i këtij interesi krijon varfëri, padrejtësi dhe krijim oligarkish. Partitë e vogla nuk do të mbeten kështu siç janë, ato nuk do mbyten, por do të fuqizohen. Ky është një proces që sapo ka nisur dhe ka dy mundësi që të ndryshoëj. Presion nga populli dhe presion nga drejtësia dhe me pak ndihmë ndërkombëtare. Klima ndërkombëtare si në 1991 po e favorizon këtë gjë, po ndodh në Itali, ndodhi në Greqi, Spanjë dhe do të ndodhë edhe në Shqipëri.
Komentet