Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se kërkesa për zëvendësimin e targave ilegale të makinave, që Serbia i lëshon për qytetarët e Kosovës, nuk mund të shihet më si çështje e negociueshme në dialogun Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Bislimi thotë se pret që zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave me targa të Kosovës, të shkojë mirë, pa pasur nevojë për gjobitjen e qytetarëve.
Zbatimi i planit të Qeverisë ka nisur më 1 nëntor dhe do të bëhet në tri faza.
E para përfshin qortimin e qytetarëve, e dyta shqiptimin e gjobave dhe e treta targat provuese.
Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në qarkullim do të lejohen vetëm makinat me targa që i lëshon shteti i Kosovës – RKS.
Në intervistën dhënë REL-it, Bislimi flet edhe për një propozim franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, ky propozim parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza. Ai thotë se pala kosovare i ka bërë tashmë propozimet e veta në lidhje me të dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’ua transmetojë ato krerëve të Gjermanisë dhe Francës, në Berlin, më 3 nëntor.
Bislimi, po ashtu, flet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Bislimi, të martën (1 nëntor) ka filluar qortimi ndaj qytetarëve që kanë të vendosura tabela ilegale të lëshuara nga Serbia në veri të Kosovës. Pas tri javësh janë paralajmëruar edhe gjoba. Ndërkohë, Lista Serbe ka paralajmëruar rezistencë të ashpër që nga gjoba e parë që do të shqiptohet. Sa mendoni që këto masa të reja do t’i bindin qytetarët në veri të Kosovës që t’i ndryshojnë targat?
Besnik Bislimi: Ne shpresojmë nuk do të ketë fare nevojë për ndarje të gjobave. Kjo në zhargonin publik po quhet qortim, por në fakt është një lloj informimi shtesë për këtë afatin prej 21 ditësh, gjatë të cilit qytetarëve u rekomandohet t’i konvertojnë targat e tyre nga ilegale në legale, do të shfrytëzohet në maksimum. Kapacitete administrative ka për t’i plotësuar këto kërkesa.
Ne nuk do të donim që asnjë qytetar të penalizohej, për shkak se ende gjendet brenda suazave të aktiviteteve jolegle, siç është puna e targave. Por, megjithatë, më duhet të them që deklaratat e Listës Serbe tregojnë edhe një herë se pse ka ndodhur ky problem. Deklaratat e Listës Serbe tregojnë se qytetarët nuk po mund të marrin vendime, por dikush tjetër po merr vendime për ta dhe po i detyron ata që ende të mbeten në sferën ilegale, për arsye se fakti që duhet të ketë këso kërcënime, tregon që qytetarët janë të interesuar të integrohen, janë të interesuar që t’i përdorin apo shfrytëzojnë incentivat(lehtësime) tatimore dhe doganore që i ka ofruar Qeveria e Kosovës, por një forcë më e madhe po i saboton dhe po i pengon ata në këtë drejtim.
Radio Evropa e Lirë: Në intervistat që i kemi pasur rishtazi edhe me qytetarët serbë atje, nuk është vërejtur ndonjë gatishmëri e madhe. Ata thonë se mund të paguajnë edhe gjoba dhe nuk mendojnë t’i ndërrojnë targat. A shihni lëvizje pozitive pas këtyre masave fillestare?
Besnik Bislimi: Te deklaratat publike duhet të kemi kujdes si i konsumojnë ato, për arsye se ka njëfarë frikë që deklarimi publik nuk shihet vetëm si pozicionim apo si kritikë ndaj qëndrimeve eventuale të Listës Serbe apo strukturave ilegale, por shihet edhe si kërcënim për Serbinë, andaj edhe njerëzit kanë frikë nga konsekuencat e mundshme. Por, fakti që një pjesë e qytetarëve i kanë riregjistruar veturat e tyre me targa të Serbisë, dhe fakti që Serbia po detyrohet t’i kërcënojë dhe madje t’ua djegë veturat, tregon që nuk është ky disponimi (gatishmëria) i vërtetë te qytetarët. Sikur disponimi i vërtetë i qytetarëve do të ishte të paguanin gjobë dhe të mos i konvertonin tabelat, nuk do të kishte nevojë të digjeshin veturat e atyre që konvertohen.
Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara po insistojnë për shtyrje të plotë të afatit, siç po e quajnë. A po vazhdojnë diskutimet për këtë çështje dhe a ka gjasa që ky vendim të ndryshojë?
Besnik Bislimi: Nuk besoj që ka arsye që ky vendim të ndryshojë. SHBA-ja, si vend mik, ka dhënë sugjerimet e veta për Republikën e Kosovës me idenë që kjo do të ndihmonte futjen në legalitet të të gjithë poseduesve të veturave me targa ilegale.
Ajo që mediave si duket po u ikë, është pikënisja e interesimit të SHBA-së. Askush nuk e konteston legjitimitetin e vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe askush nuk e konteston faktin që këto targa janë ilegale dhe askush nuk e konteston faktin që këto targa nuk është dashur të ekzistojnë fare, maksimumi pas janarit të vitit 2018. Do të thotë, ekzistenca e tyre tregon që Serbia i ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.
Por, pikënisje për kërkesat për shtyrje të afatit vijnë kryesisht për dy arsye. E para, vijnë për shkak të një fushate të tmerrshme të dezinformimit dhe manipulimit të qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, nga ana e Serbisë, dhe e dyta për shkak të ekspozimit të skajshëm të këtyre qytetarëve ndaj kërcënimeve që u vijnë nga strukturat paralele të Serbisë.
Meqë kjo përbën problem edhe për neve, ne nuk kemi filluar me masa ndëshkuese dhe as me konfiskim të tabelave që nga data 1 nëntor, do të thotë i jemi përgjigjur edhe brengës së miqve ndërkombëtarë, që qytetarët në njëfarë mënyre duhet të mbrohen nga vetëintervenimi prej Beogradit dhe që ne, krahas kësaj pamjeje që u servohet qytetarëve të komunitetit serb në veri, të tregojmë fytyrën e kundërt të Qeverisë së Kosovës, si një Qeveri, e cila në vend të kërcënimeve, u ofron incentiva tatimore, dhe në vend të konfiskimit të menjëhershëm, siç e parasheh rregullativa, ne u mundësojmë atyre në disa faza që megjithatë të kalojnë nga ilegaliteti në legalitet.
“Përfshirja e Lajçakut ka qenë gabim”
Radio Evropa e Lirë: Megjithëse Qeveria e bëri shtyrjen (e afatit për riregjistrim) në një formë, prapë nga SHBA-ja u shpreh zhgënjim për mosshtyrje të plotë. Pse ka ardhur insistimi dhe pse pikërisht për 10 muaj? A ka pasur ndonjë garanci që do të ketë ndërkohë presion ndaj Serbisë për bindjen e qytetarëve për ndryshimin e targave?
Besnik Bislimi: Unë mendoj që termi zhgënjim në gjuhën shqipe ndoshta merr një konotacion pak më të ekzagjeruar se ajo që është menduar në qëndrimin atje. Kërkesa për shtyrje për 10 muaj ka ardhur si një lloj korrigjimi i kërkesës së Miroslav Lajçakut (të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun) që implementimi të bëhet për 12 muaj.
Ne, meqë vetëm kemi pasur një periudhë dymujore që e kemi zbatuar, ata kanë kërkuar që kësaj t’i shtohen edhe 10 muaj. Unë mendoj që kjo ka si bazë një interpretim të gabuar të zyrës së Lajçakut mbi implikimet që rrjedhin nga marrëveshja e vitit 2016.
Në vitin 2016 ka pasur një dakordim që nga janari i vitit 2017 deri në janar të vitit 2018 të hapet një dritare e ngjashme me dritaren e tanishme. Mirëpo, ajo dritare është hapur dhe është mbyllur. Do të thotë, ky provizion i marrëveshjes së vitit 2016 është konsumuar në tërësi dhe rrjedhimisht çfarëdo reference në atë marrëveshje është e pabazë. Por, duke qenë se jo të gjithë aktorët ndërkombëtarë posedojnë të gjitha informatat dhe të gjitha detajet e marrëveshjeve të kaluara, ka pasur një bindje që propozimi ia vlen të merret me seriozitet.
Ne e kemi marrë me seriozitet këtë kërkesë, por kemi menduar që brenda këtyre parametrave, përgjigja më e mirë është që t’i përshkallëzojmë masat dhe jo të shkojmë me intervenim të menjëhershëm pas datës 1 nëntor, meqë në këtë mënyrë më së miri u përgjigjemi sfidave të cilat na kanë detyruar t’i shtyjmë masat deri më 21 prill.
Por, edhe vetë data e 21 prillit e ka një arsye meqë dakordimi i shtatorit të vitit 2021 ka qenë që Brukseli para datës 21 prill 2022 të ndihmojë të dyja palët në prodhimin e një marrëveshjeje të përhershme rreth targave dhe atë sipas standardeve dhe praktikave më të mira të BE-së.
Meqë Brukseli ka dështuar në arritjen e kësaj marrëveshjeje, tanimë ne mendojmë që diskutimi për targat nuk është më pjesë e procesit të dialogut në Bruksel. Është vetëm një fazë e implementimit të vendimeve të shtetit të Kosovës.
Prandaj, edhe në këtë kontekst mendoj që ka qenë gabim involvimi i z.Lajçak dhe dhënia e rekomandimeve nga ana e tij. Jo vetëm që ka qenë gabim, por ndoshta edhe ka prodhuar efekte anësore të gabueshme.
Radio Evropa e Lirë: Pra, po thoni që nuk ka gjasa që vendimi aktual të ndryshojë, qoftë edhe nga ndonjë presion i mundshëm i SHBA-së? A po vazhdojnë diskutimet privatisht?
Besnik Bislimi: Nuk ka nevojë tash të ketë diskutime për arsye se ne vendimin e kemi marrë ditën e premte. Sot është dita e parë kur po fillojnë të zbatohen këto masa. Tash ne nuk e dimë si do të zhvillohet situata deri me datën 21 prill. Prandaj, nuk mund të themi që tani se çfarë do të ndodhë më 19 apo 20 prill.
Por, ne besojmë fuqishëm që bashkësia ndërkombëtare tani do të bëjë presionin e nevojshëm te pala serbe që të pushojë së kërcënuari qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, që të pushojë së manipuluari qytetarët e komunitetit serb në Kosovë dhe të fillojë që të punojë në frymën e integrimit të tyre, sepse kjo është në interes pikë së pari të vetë qytetarëve të komunitetit serb, është në interes të Kosovës, e me këtë edhe në interes të të gjithë rajonit. Dhe, mendoj se ky është edhe qëllimi i vetë partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, Serbia ka thënë se e ka vënë në gjendje gatishmërie ushtrinë për shkak të, siç ka thënë, situatës në Kosovë. Si e shihni ju këtë?
Besnik Bislimi: Kjo është fytyra e vërtetë e Serbisë, të cilën e kemi parë edhe shumë herë në të kaluarën. Ju kujtohen edhe në shtator të vitit 2021 kur ishin inspektuar trupat ushtarake të Serbisë në kufi dhe kishin fluturuar tre aeroplanë MIG. Natyrisht se do të kishte qenë jo profesionale sikur të kishim pritur reagime ndryshe nga aparati shtetëror i (Aleksandar) Vuçiqit.
Por, mendoj që kjo më pak ka të bëjë me Kosovën dhe më shumë janë sinjale ndaj ndërkombëtarëve meqë Serbia në të kaluarën ka ndjekur një politikë të tillë të nxjerrjes së kompromiseve përmes kërcënimeve ndaj bashkësisë ndërkombëtare.
Plani franko-gjerman për zgjidhjen e kontesteve Kosovë-Serbi në dy faza
Radio Evropa e Lirë: Të flasim pak për dialogun Kosovë-Serbi. Në javët e fundit është përmendur ai që po quhet plani franko-gjerman. Çfarë është ky plan? Çfarë thotë ky plan?
Besnik Bislimi: Ata që janë inkuadruar në debatin për planin franko-gjerman apo gjermano -francez, elementi i parë që e dinë është që ka pasur një dakordim që për elementet e planit të mos flitet publikisht në mënyrë që palët të mund të kontribuojnë tutje në avancimin e kësaj ideje.
Ditën e enjte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit. Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim.
Radio Evropa e Lirë: Nëse nuk mund të na jepni detaje se çfarë është (propozimi franko-gjerman) a mund të na tregoni a ekziston një dokument, a ka pasur dakordime verbale, a është diskutuar për kornizat e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse finale?
Besnik Bislimi: Është një propozim që mendoj, pak a shumë, si pikënisje ka një brengë ndoshta te vendet mike si Gjermania dhe Franca që procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur, që situata gjeopolitike në Ballkan nuk është edhe aq e mirë. Andaj, edhe propozimi që del nga aty është në kontekst të këtyre zhvillimeve. Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme.
Radio Evropa e Lirë: Tani për tani, a është diskutuar brenda palës kosovare, cilat janë rezervat karshi këtij plani? A ka më shumë rezerva te pala kosovare apo tek ajo serbe?
Besnik Bislimi: Ne nuk i dimë rezervat e palës serbe për arsye se dokumenti deri më tani nuk është bërë publik dhe rrjedhimisht nuk mund të diskutohet në forume më të mëdha.
Radio Evropa e Lirë: Por (dokumenti) është parë nga ju?
Besnik Bislimi: Natyrisht që është parë. Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron.
Radio Evropa e Lirë: A pritet që të jenë publike pas takimit që do të ketë kryeministri Kurti në Berlin?
Besnik Bislimi: U takon krerëve të shtetit të vendosin, por edhe atyre që kanë propozuar se kur është momenti që përmbajtja e idesë (propozimit franko-gjerman) të bëhet publike.
Radio Evropa e Lirë: A mund të thoni që në kohët e fundit po ndryshon qasja e faktorit ndërkombëtar karshi dialogut Kosovë – Serbi, për shembull z. Escobar (Gabriel) tha para disa ditëve se tani BE-ja po dëshiron të jetë pjesëmarrëse në vetë shkrimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me marrëveshjen Kosovë – Serbi në vend të asaj që është bërë deri tani, që u është kërkuar palëve të japin propozim dhe thjesht është bërë një ndërmjetësim. A po e shihni që po ndodh ky ndryshim dhe a mendoni që mund ta çojë tutje procesin?
Besnik Bislimi: Unë nuk e ndaj këtë qëndrim. Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit special, ende qëndron në idenë që u takon palëve të vendosin për tekstin në dokument, përderisa Bashkimi Evropian, pra zyra e zotit Lajcak, është fascilitator (lehtësues, ndërmjetësues) i gjithë procesit.
Ajo që ka ndodhur me propozimin gjermano-francez nuk mund të prezantohet si qëndrim i BE-së, për shkak se Bashkimi Evropian është paksa më i gjerë dhe është fjala vetëm për iniciativën e dy shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Unë nuk e di sa ka gatishmëri nga vetë zyra e zotit Lajçak për të marrë rol më agresiv në këtë proces, por e di që qasja e deritashme nuk ka arritur të prodhojë rezultatin e pritur. Madje, edhe pavarësisht insistimeve të zotit Lajçak që elemente të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të diskutohen në mënyrë konstruktive nga palët, nuk është se ka ngjallur shumë interes te Serbia.
Në takimin e datës 18 gusht Serbia ka rezistuar të participojë në mënyrë konstruktive në gjetjen e një formulimi të përbashkët për atë se si do të duhej të dukej korniza e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Më lini të insistoj në çështjen e planit franko-gjerman. Është përmendur se ka përpjekje për t’i arritur pesë njohjet nga vendet mosnjohëse të BE-së karshi Kosovës. A do të ishte e pranueshme për Kosovën një marrëveshje që përfshin këto njohje, por jo njohjen e Serbisë?
Besnik Bislimi: Tash unë nuk mund të flas se çka do të ishte e pranueshme dhe çka jo, se po hy prapë në komentimin e elementeve të propozimit, të cilat nuk do të doja tani t’i komentoja. Por, fakti që qarkullon në media ideja se propozimi duhet të përfshijë njohjen nga pesë shtetet tregon një vetëdijesim edhe të bashkësisë ndërkombëtare se sa e rëndësishme për një përfundim të suksesshëm të procesit të dialogut është njohja e këtyre pesë shteteve dhe sa problematik është fakti që këto pesë njohje po mungojnë deri tani.
Kjo sepse mendoj që Serbia ka arritur t’i eksploatojë në maksimum këto pesë mosnjohje deri tani duke rezistuar në qasje konstruktive. Sipas versionit serb, qasja konstruktive do të ishte vetëdëmtuese për ta, meqë një qasje konstruktive e Serbisë në dialog do të rriste gjasat për njohje nga Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qipro dhe kjo nuk është në interes të Serbisë. Prandaj, sa më parë që ta largojmë këtë adut që e ka Serbia, aq më shpejt do ta krijojmë një ambient të përshtatshëm për biseda serioze rreth marrëveshjes finale Kosovë – Serbi.
“Si do të duket Asociacioni – pas njohjes reciproke”
Radio Evropa e Lirë: Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë një pikë insistuese nga pala serbe, por edhe lehtësuese të dialogut. Çfarë pritet të ndodhë me këtë marrëveshje?
Besnik Bislimi: Tash i takon Serbisë të vendosë se në cilat pika apo ish-marrëveshje, marrëveshje të së kaluarës në të cilat ata insistojnë. Lehtësuesi ndërkombëtar insiston në implementimin e të gjitha marrëveshjeve, nuk e piketojnë vetëm marrëveshjen për krijimin e asociacionit. Kur futemi në këtë rrafsh, është e rëndësishme të dihet që shumë më shumë marrëveshje janë shkelur apo joimplementuar nga Serbia se nga Kosova. Dhe, po ashtu, është me rëndësi që marrëveshjet nuk janë të ranguara sipas rëndësisë.
Kjo pastaj tregon se çdo insistim i Serbisë për njërën nga këto marrëveshje, tregon pritje të tyre nga ky asociacion që janë të kundërta me pritjet e Kosovës, por edhe të palës ndërkombëtare në momentin kur kanë vendosur për dakordimin rreth asociacionit. Ne nuk e shohim këtë si presion, ne mendojmë se në atë moment kur Kosova dhe Serbia nuk ia kontestojnë njëra-tjetrës sovranitetin, në atë moment kur Serbia nuk mirëmban në Kosovë struktura paralele që kanë për synim ta dëmtojnë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin territorial dhe në atë kohë kur njohja reciproke është e siguruar, ne mund të diskutojmë me Serbinë për mekanizmat më të mirë për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit, në principin e reciprocitetit dhe në principin e ruajtjes së funksionalitetit të mekanizmave shtetërorë.
Radio Evropa e Lirë: A është diskutuar si ide që Kosova vetë ta prezantojë një tekst, një dokument, një statut për formimin e Asociacionit ashtu siç Kosova e konsideron të pranueshme, qoftë si një OJQ ose në ndonjë formë tjetër?
Besnik Bislimi: Unë po them, përderisa ne mendojmë për mekanizmat që mbrojnë dhe avancojnë të drejtat e komuniteteve joshumicë, respektivisht komunitetit serb në Kosovë dhe atij shqiptar në Serbi, ne jemi të gatshëm të bisedojmë pas njohjes reciproke. Kjo i bie që nuk kemi nevojë të angazhohemi tani për modalitete se si do të kishte mundur të ecet në këtë drejtim.
“Kosovës të mos i vendosen kritere shtesë për liberalizimin e vizave”
Radio Evropa e Lirë: Janë prezantuar prapë kushte të reja për liberalizimin e vizave për kosovarët. A shihni që do të ketë progres në këtë çështje, ashtu siç po flitet, deri në fund të vitit?
Besnik Bislimi: Takimi i radhës i grupit të vizave është paraparë me datën 9 dhe 10 nëntor. Tema e Kosovës do të jetë në agjendë në ditën e premte, më 10 nëntor. Ka vende të cilat, rreth Francës, kanë nxjerrë kërkesën që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të fillojë paralelisht me implementimin e sistemit ETIAS. Pra, kanë pasur kërkesa që kjo të lidhet edhe me harmonizimin e sistemit të vizave të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.
Por, ajo që është me rëndësi, cilido që të jetë propozimi, për këtë propozim duhet të ekzistojë një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare dhe vetëm atëherë kur ky grup punues e ka shumicën e kualifikuar, mund ta bartë rekomandimin te niveli më i lartë, që është niveli i ambasadorëve në COREPER(komiteti i përfaqësuesve të përhershëm në BE). Në qoftë se me datën 10 nëntor, grupi i vizave arrin ta nxjerrë një lloj konsensusi për qëndrimin e tyre, qoftë me apo pa ETIAS, kjo hap rrugën që në javën tjetër pastaj COREPER-i të marrë një vendim për ndryshimin e rregullores, të cilën pastaj ia përcjell për votim Këshillit të Ministrave, takim ky që pritet të mbahet mbase me datën 9 dhjetor.
Ne kemi një përkushtim politik të të gjitha vendeve anëtare që Kosovës t’i hiqen vizat.
E vetmja betejë që kemi tani, është insistimi ynë që, së pari, Kosovës të mos i vendosen kritere shtesë dhe, së dyti, që Kosova të mos trajtohet në këtë fazë të vendimmarrjes me vendet që tani fillojnë negocimin për liberalizimin e vizave, për shkak se ne e kemi përfunduar këtë proces dhe tani mbetet vetëm dokumenti politik.
Kërkesa në lidhje me ETIAS e ka për bazë faktin që diçka e tillë po u kërkohet vendeve që tani po fillojnë negocimin. Por, kjo është e logjikshme pasi që vendet që i bashkohen procesit më vonë ballafaqohen me kritere të reja dhe, së dyti, përderisa ky proces merr kohë është shumë e pritshme që liberalizimi i vizave për vendet si Kuvajti dhe Katari, të ndodhë pas fillimit të implementimit të ETIAS-it.
Kjo do të thotë se një kërkesë e tillë që u vendoset vendeve si Katari dhe Kuvajti, nuk ka kurrfarë implikime praktike. Ndërkaq për një vend që veçse i ka përmbushur obligimet vite më parë, kjo përbën një thyerje të përkushtimit politik apo premtimit politik të BE-së, pra të vetë rekomandimit të Komisionit Evropian, i cili ka thënë se Kosovës nuk mund t’i vendosen kushte shtesë.
Komentet