Komisioni i BE po përpiqet të ndërmjetësojë në mosmarrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Por taktika e tyre për të joshur presidentin serb Vuçiç dhe për ta mbajtur atë larg ndikimit rus, nuk funksionon, thotë eksperti i Ballkanit, Florian Bieber, në një intervistë për programin më të ndjekur të lajmeve në Gjermani, Tagesschau
BE po përpiqet që të ndërmjetësojë mes Kosovës dhe Serbisë. A do funksionojë kjo?
Roli aktual i BE-së është shumë i vështirë sepse në fakt ka shumë pak besueshmëri. Ajo ka vënë shumë baste për Serbinë javët e fundit. Të krijohet përshtypja se Bashkimi Europian po tregohet mjaft jokritik ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mesa duket në përpjekje për ta joshur atë larg përqafimit të ngushtë të Vladimir Putinit. Duke shpresuar madje se Rusia mund t’i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Por përpjekja për të tërhequr presidentin Vuçiç sjell mungesë kritikash ndaj politikës serbe dhe kritika në mënyrë disproporcionale ndaj politikës së Kosovës.
A është vërtet kështu? Apo ky është më shumë një argument nga Kosova?
Padyshim që është kështu. Kjo vërehet edhe në deklaratat e Shteteve të Bashkuara. Në këtë drejtim, politika e SHBA dhe BE është relativisht e qartë. Ata vërtet duan të përpiqen të izolojnë Putinin në Ballkan dhe ta sjellin Vuçiçin në anën perëndimore. Dhe Vuçiç po e shfrytëzon këtë në mënyrë shumë të qartë. Ai është përballur me protestat më të mëdha masive që kur ka marrë detyrën. Ka shumë zëra kritikë në Serbi në lidhje me politikat e tij. Ai e përdor këtë mbështetje perëndimore për të rritur hapësirën e tij të manovrimet. Mendoj se ai nuk ka gjasa që të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me Putinin për shkak të kësaj. Ai po e përdor këtë lojë mes fuqive të mëdha, siç ka bërë prej shumë vitesh, për të rritur manovrimet e tij.
Në Bruksel dëgjohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në dallim nga paraardhësit e tij, shihet si pjesë e problemit dhe jo si pjesë e zgjidhjes. A është e justifikuar kjo?
Kurti është sigurisht shumë më kokëfortë dhe gjithashtu më pak i gatshëm të dëgjojë partnerët e tij perëndimorë. Ai e filloi karrierën e tij duke thënë se Kosova duhet të marrë vendimet e saj dhe të mos dëgjojë shumë partnerët e saj perëndimorë. Kjo kokëfortësi është një synim i qartë i politikave të tij, por duhet pasur parasysh edhe se paraardhësit e tij kishin më shumë gjasa që të dëgjonin Perëndimin sepse ata vetë ishin të korruptuar dhe të përfshirë në krime lufte, për këtë arsye ishin më të lehtë për t’u shantazhuar. Kurti thjesht nuk mund të shantazhohet. Dhe duhet ta pyesni vetën: a është ndoshta edhe politika perëndimore pjesë e problemit? Mendoj se edhe Kurti u soll gabim në situatën aktuale. Por të besosh se ke thjesht një kryeministër që bën atë që dëshirojnë, është një politikë disi e gabuar. Mendoj se njerëzit kanë thënë shpesh: Kosova është gjithsesi në anën tonë dhe do të bëjë gjithçka që duam.
BE-ja ka vite që po përpiqet të afrojë Serbinë dhe Kosovën dhe po llogarit një zgjidhje të negociuar.
Problemi është se BE-ja nuk ka më besushmërinë që i nevojitet për të sjellë realisht një zgjidhje të negociuar. Sepse në fillim të procesit ishte premtimi për anëtarësim të shpejtë në BE. Kjo do të thotë nëse të dyja shtetet bien dakord për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia dhe Kosova mund të anëtarësohen më shpejt në BE. Kjo thjesht nuk duket më realiste sot. Në Serbi nuk ka më shumicë për anëtarësim në BE. Nuk është më një synim shoqëror. Dhe Kosova nuk mund të mbështetet në një nga shtetet anëtare të BE-së që do të bllokojë përsëri procesin. Kjo do të thotë se anëtarësimi në BE thjesht nuk është më mjaftueshëm tërheqës për shtetet ose nuk është më aq realist sa të ketë një ndikim pozitiv në një zgjidhje të negociuar. Dhe me këtë, BE-ja në fakt ka humbur argumentin më të rëndësishëm për të bindur të dy shtetet për të bërë kompromise.
Nëse BE-ja nuk është e besueshme, kush tjetër do ta bëjë?
Nuk ka tjetër. Bashkimi Europian po negocion ngushtë me SHBA. Të dyja tërhiqen së bashku. Kjo është pozitive për momentin. Nuk ishte kështu gjatë presidencës Trump, kur SHBA bëri të veten në Ballkan. Por problemi është se BE-ja nuk mund të zëvendësohet. Nuk ka asnjë tjetër që mund ta bëjë këtë. BE-ja duhet të bëhet më e besueshme, që do të thotë se perspektiva e anëtarësimit duhet të bëhet më reale. Kjo është e rëndësishme, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën. Kjo është gjithashtu e rëndësishme në lidhje me Ukrainën. Nuk mund të bësh një ofertë realiste për anëtarësimin e Ukrainës, nëse nuk mund të integrosh Ballkanin Perëndimor. Dhe pastaj duhen fjalë të qartë. Që vërtet të identifikoni qartë se cilat janë problemet, kush është përgjegjësi, të vendosni qëllime të qarta dhe më pas të ofroni edhe shpërblime të qarta. BE-ja duhet t’i bëjë më mirë detyrat e shtëpisë për të qenë një ndërmjetës i besueshëm.
https://www.tagesschau.de/ausland/europa/kosovo-konflikt-eu-100.html