Mes Edi Ramës dhe Ben Blushit janë rikthyer akujt. Ben Blushi ka shpallur dje kandidaturën e tij në garën për kreun e Partisë Socialiste, ndërsa ka përshkallëzuar presionin mbi Edi Ramën që t’i hapë rrugë garës. Gjatë një interviste në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, Ben Blushi solli shembullin e Australisë ku kryeministri u zëvendësua, për shkak se humbi zgjedhjet në parti. Në këtë kontekst, Blushi shpalli edhe ambicien për t’i marrë Edi Ramës postin e kryeministrit. Deputeti rebel ka prezantuar edhe një pjesë nga platforma e tij për kreun e PS. Blushi tha se Edi Rama e ka mbushur PS me kriminelë. Sipas tij, në PS bën karrierë vetëm nëse ke pistoletë pa leje, nëse ke vrarë ndonjë në aksident dhe je larguar nga vendi i ngjarjes. Deputeti Blushi u shpreh se Edi Rama preu në besë viktimat dhe protestuesit e 21 Janarit. Sipas tij, Rama i braktisi ata, duke i lënë që të vriteshin. Blushi tha se Rama duhet të ishte në mes të protestuesve dhe jo në zyrë.
Ju keni deklaruar se do dilni me një platformë tuajën në Kongresin e PS. Pse u prish Blushi me Ramën?
Ne duhej të kishim një Kongres para tre vjetësh, që duhej të zgjidhte kryetarin e partisë për shkak se kështu janë rregullat e partisë sonë. Nuk po kërkoj një gjë nga hiçi. Ky Kongres u shty në mënyrë të pajustifikueshme për gati tre vjet. Unë kam insistuar që ai të mbahet në një datë të caktuar dhe nuk kam marrë një përgjigje për hir të së vërtetës. Mbasi u shty me shkak pa shkak. Më në fund është vendosur më 19 mars. Që do të thotë, sipas librit të Partisë Socialiste, ka një libër PS, siç ka çdo organizatë. Ka një kontratë anëtarësie e cila parashikon që në këtë Kongres zgjidhen të gjitha forumet e PS, organizata, asamble dhe kryetari i partisë, të cilit i ka skaduar afati në 2013. Mandati i Ramës si kryetar i PS është i skaduar në kuptimin legal të fjalës. Kam kërkuar të ketë garë, sepse është një normë. Kjo parti ka bërë garë në 2 vitet e fundit. Sa herë ka pasur garë për kreun e partisë njerëzit kanë dalë, dikush ka fituar dikush ka humbur. Qoftë në opozitë apo qeveri. Kam kërkuar sepse nuk është një normë vetëm e PS, është e pranueshme për sistemin ku jetojmë. Kemi ndërtuar një sistem lirie që ndërtohet mbi konkurrencën e lirë. Ku ka garë duhet të ketë dhe konkurrencë. Pretendimi i heshtur është që nuk ka në botë të ketë garë. Edi Rama ka fituar zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk ka nevojë. Unë them që është e gabuar. Zgjedhjet nuk i ka fituar Rama por PS, që doli e para në zgjedhje.
Nuk mund të mohosh kur thua PS Edi Rama apo PD, Lulzim Basha. Kryetari zgjedh listën e deputetëve dhe sigurisht që ka peshën e tij…
Nuk i heq kontributin Ramës, por zgjedhjet i fitojnë partitë në Republikë Parlamentare siç jemi ne. Po flasim nëse duhet të ketë garë apo verifikim, apo konfirmim në Partinë Socialiste.
E quaj të dëmshme që unë fitoj zgjedhjet dhe nuk kanë asnjë vlerë rregullat…
Pse mendon se e rëndon stabilitetin qeverisës. Stabilitetin e rëndon qeverisja e keqe. Abuzimi, korrupsioni, koncesionet, largimi nga ligji, normat, rregullat. E kuptoj atë që do të thuash se në Evropë norma e shkeljes së normave po dominon. Nuk mund të ketë vend demokratik nëse partitë janë autokratike. Beson se Partia Laburiste angleze të rrijë 7 vjet pa bërë zgjedhje? Evropa është ndërtuar mbi bazë rregullash dhe demokracie, ne këtu po shkojmë. Që kur u rrëzuan monarkitë, ato që janë, janë simbolike. Që kur u ndërtuan parlamentet, kush janë fuqitë politike? Janë partitë? Nëse partitë nuk janë demokratike, nuk mund të ketë demokraci as në Evropë, as në Gjemani, as në një vend.
Eduart Ndocaj ka paralajmëruar kandidimin përballë Edi Ramës, ndonjë koment?
I uroj një garë të mbarë edhe Edit edhe Eduardit. Janë rivalët e mi në një kuptim. Edi me Eduardin janë shokë. Edi e bëri Eduardin deputet. Kështu që ta ndajnë garën bashkë, sepse për shumë gjëra mendojnë njësoj. E kanë më të lehtë. Mendojnë njësoj sepse kanë të njëjtat orekse. Të dy janë ndërtues. Eduardi ndërton në Milano, ky tjetri ka ndërtuar Tiranën. Kanë shumë gjëra të përbashkëta. Edhe më pëlqen që janë shokë dhe ju uroj garë të mbarë.
Keni thënë që do paraqisni një platformë dhe keni lënë të kuptohet që do paraqisni kandidaturën tuaj. A do të jeni dhe kandidat për kryeministër, se me statutin e juaj duhet të jeni dhe kryeministër?
E para kjo që po ndodh është qesharake, jo torturuese. Qesharake në kuptimin që një parti që ka marrë përsipër për të drejtuar vendin bëhet kaq qesharake në publik. Ka kaq vjet që nuk bën zgjedhje. Çdo gjë bëhet me emërim. Është njësoj si një ndërmarrje, e cila funksionon por askush nuk mblidhet, nuk ka bilanc, ka fitime, ska fitime.
Fitime ka, zgjedhjet e fundit i fituat…
Po pra kemi marrë 400 mijë vota. 1 në 4 shqiptarë ka votuar për ne. Kjo është e vërteta, zgjedhjet e fundit që u bënë në maj të vitit të kaluar kemi marrë 400 mijë vota. Dalim te faktet. Do ketë apo nuk do ketë zgjedhje? Unë prapë i mbetem kësaj. Unë nuk kam mundësi të marr vendim, pavarësisht se lexoj librin e shtëpisë, rregullat e partisë, i cili thotë se mandati i kryetarit është katër vjet. Ky afat ka skaduar. Ka gjasa që të ketë një Kongres, ku eventualisht zgjidhen të gjithë, përveç kryetarit të partisë. Pyetja këtu është: Po mirë mo kryetari i partisë ka fituar të gjithë zgjedhjet, këta të tjerët nuk kanë fituar zgjedhjet? Nuk mund të ketë kuptim. Nuk mund të ketë fuqi prapavepruese. Mund të bëhen zgjedhje për të ndryshuar statutin, por radhën që vjen. Kjo radhë është me këtë rregull. Ky është kongres zgjedhor dhe nëse do të ketë zgjedhje siç e thotë neni, sigurisht që unë do të kandidoj. Por çfarë parashikon statuti? Që në një kongres zgjidhen kandidatët, zgjidhen platformat e tyre se çfarë idesh kanë për të drejtuar partinë dhe mbas 2 javësh, anëtarësia voton kryetarin e partisë. Pra, ne e zgjedhim kryetarin me anëtarësi që sot është 90 mijë apo 100 veta. Kjo është e thjeshtë. Nuk mund të jetë kaq e lodhshme që duhet të ketë nuk duhet të ketë, përderisa është normë.
Po neni 30, për të cilin ka folur dhe z. Tahiri?
Po thotë që kemi marrë 1 milion vota që Rama të jetë kryetar i PS. Nuk është e thënë. Po mirë mo në vitin 2003, a jemi në situatë të ngjashme? Kishim një kryeministër që i mbaroi mandati. U fut Edi Rama përballë tij, tha njeri mos kandido? Çështja këtu është që këtij njeriu nuk kemi pse i njohim një llastim që kudo të kandidojë vetë, kandidon. Kur e ka vetë në dorë të prishë zgjedhjet i prish. Në vitin 2009 duhej të jepte dorëheqjen se i humbi zgjedhjet. Kandidoi prapë duke ndryshuar statutin, në 2013 thotë që nuk ka më zgjedhje. Më gjeni një kryetar në botë nga ai i Koresë së Veriut deri te Raul Kastro që ka mandat 7 vjeçar, apo infinit. Unë nuk e pranoj këtë.
Me status është kryetar partie, kryeministër. Ky është parimi.
Rasti i fundit është në shtator, kryeministri i Australisë. I qëlloi që ishte kryeministër, kishte fituar zgjedhjet. Njësoj si në rastin tonë, mes mandatit i bien zgjedhjet brenda partisë. Bëri zgjedhje brenda partisë, ministri vetë i Drejtësisë iku, u zgjodh. E sfidoi brenda partisë dhe fitoi. Është sot kryeministri i Australisë, është ai që rrëzoi kryeministrin që ishte zgjedhur. Pse? Sepse fitoi në parti dhe partitë mblidhen kur e kanë afatin bëjnë zgjedhje. Po nëse kryeministri çmendet? Nëse qeveris keq? Si ka mundësi grupi ta heq atë që e drejton për të mos shkuar në një katastrofë. Prandaj, bota ka luftuar mekanizimin, e cila i jep mundësi grupit të zgjedh CEO-n e vetë. Kryetari është një CEO, është një administrator.
Ju po dilni dhe si kandidat për kryeministër dhe si kandidat për të qeverisur Shqipërinë më mirë?
Këtë e vendos PS. Unë kam dalë si një njeri i cili beson në dy gjëra. E para, besoj në konkurrencën e lirë, pra besoj tek liria. Dhe e dyta, besoj se këtë punë mund ta bëjë më mirë se Edi Rama. Ky është themeli i çdo gare. Unë besoj se e drejtoj PS më mirë se Edi Rama, sepse e bëj partinë më kolegjiale, partinë në të cilën votohesh, nuk emërohesh, partinë që nuk fut banditë dhe nuk zëvendëson ata që zgjidhen me atë që kanë armë. Shi ku kemi aritur ne? Shumë njerëz më thonë mua “po ti ça ke, për çfarë e bën ti këtë gjë”. E bëj për të gjithë ju. Disa thonë “e bën këtë gjë se është karrierist”. Po të bësh karrierë sot në PS është gjëja më e lehtë. Mjafton të blesh një pistoletë pa leje, merr një dëshmi penaliteti me cen, shko kryej një aksident, shko dhuno, dhe e sigurt që bën karrierë në PS. Kjo është fatkeqësia. Dhe unë jam kundër kësaj. Nuk mund të pranojë kurrë. Unë kam shumë dyshime tek Edi Rama. Pse harxhon kaq shumë kohë me kriminelë? Pse rri me vrasës, kur e di se janë vrasës?
A i qëndroni mendimit për 21 Janarin?
Kam qenë më 21 Janar dhe si të gjithë u shpërndamë kur ndodhi. Nuk harroj dy gjëra, ai që i vrau, Berisha i vrau ata në pabesi, i vrau në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me çdo normë morale. Kjo nuk diskutohet. Por atë ditë Edi Rama i thirri njerëzit në protestë dhe iku. Nëse nuk do të ikte, por do kishte dalë në ballë të protestës, ata të katërt nuk do ishin vrarë. Pra nëse unë thërras njerëzit në protestë, edhe sikur ta di që para meje ka armë, do dal vetë i pari. Edi Rama shet gjëra që nuk shiten, shet gjëra që nuk i bën dot, kështu shiti dhe 21 Janarin. Nuk mund të qëndronte Rama në zyrë dhe protestuesit atje. Rama i preu në besë protestuesit e 21 Janarit. Dhe thirri familjarët në zyrë. Pse duhet të shkonin familjarët në zyrë? Duhet të shkonte Edi Rama tek ata, që kishin humbur të afërmit. Duhet të shkonte Rama në vaki.
Komentet