Ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Paddy Ashdown, thotë se ideja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është një “rrugë e shtruar me rrezik”.
Ashdown, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, thotë se ideja e tillë do të krijonte precedent për shqiptarët në Maqedoni, për kufirin hungarezo-serb e madje edhe për presidentin rus, Vladimir Putin, për të marrë një pjesë të Ukrainës.
Ashdown dhe dy ish-përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë në Bosnje, Carl Bildt dhe Christian Schwarz-Schilling, i shkruan këtë javë letër të hapur shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, duke iu bërë thirrje që të heqin dorë nga planet për “tregtinë e territoreve” midis Serbisë dhe Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ashdown, a mund të cilësohet si apel dramatik letra juaj drejtuar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, në të cilën ju dhe dy përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë paralajmëroni kundër “tregtisë me territore” midis Kosovës dhe Serbisë?
Paddy Ashdown: Mund të përdorni cilëndo fjalë. Ajo është një deklaratë, paralajmërim i rëndësishëm për njerëz të caktuar në Ballkan dhe në Bashkimin Evropian që e kanë zgjedhur bashkërisht këtë rrugë të shtruar me rrezik.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ju brengos më së shumti kur bëhet fjalë për Bosnjën?
Paddy Ashdown: E gjitha thuhet në letër. Këtu gjoja se nuk bëhet fjalë për vendosje të precedentit, por shkëmbim të territoreve. Kushdo që e njeh Ballkanin, ashtu siç mendoj unë se ne e njohim, e di mirë se kjo do t’iu japë vetëbesim dhe mbështetje atyre që duan të shpërbëjnë Bosnjën.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mendoni, nga ka ardhur ideja për të ashtuquajturin korrigjim të kufirit midis Serbisë dhe Kosovës?
Paddy Ashdown: Mendoj se këto janë rrethana të rrezikshme. Mendoj se do nisë një seri kërkesash të ngjashme për korrigjim të kufijve, që do të shkaktojnë migrimin e pakicave dhe do të destabilizojnë disa vende, përfshirë Bosnjën. Për shembull, Maqedonia është në prag të një referendumi të rëndësishëm për të ardhmen e saj dhe mundësinë e anëtarësimit në BE. Por, nuk kam dilema se, nëse Presheva i bashkohet Kosovës, edhe shqiptarët në Tetovë dhe Gostivar mund të thonë se duan t’i bashkohen Kosovës. E gjithë kjo do t’i dëmtonte përpjekjet e deritashme për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Radio Evropa e Lirë: Në letër shkruani se BE-ja është e gatshme të mbështesë një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë që do të përfshinte edhe shkëmbimin e territoreve. Kush pajtohet me këtë ide në qarqet evropiane? Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se nuk mund të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan. Edhe vendi juaj, Britania, është kundër ndryshimit të kufijve.
Paddy Ashdown: Mund t’ju them vetëm atë që kam dëgjuar. Kam kuptuar se përfaqësuesja e lartë e BE-së, (Federica) Mogherini, është e gatshme ta mbështesë këtë ide. Mendoj se komisionari evropian për zgjerim (Johannes Hahn) është më pak entuziast ndaj këtij opsioni, por gjithnjë i gatshëm që ta mbështesë. Mirëpo, shtrohet pyetja nëse Mogherini ka mandat për këtë, nëse vendet më të rëndësishme evropiane, sidomos kancelarja gjermane, Merkel, janë kundër zgjidhjes së tillë. Pavarësisht nga kjo, Mogherini ka lënë të kuptohet se BE-ja është gati ta pranojë opsionin. Shpresoj shumë që kjo nuk është e vërtetë.
Radio Evropa e Lirë: Po në lidhje me qëndrimin e SHBA-së? Njoftimi i këshilltarit për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Bolton, se ata janë të gatshëm të pranojnë çdo zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë është pak befasues, apo jo?
Paddy Ashdown: Jo edhe shumë befasues për dy arsye. Ata nuk e kuptojnë se cilat janë pasojat (e ndryshimit të kufijve) në terren dhe nuk e kuptojnë kompleksitetin. Që Shtetet e Bashkuara, me këtë administratë, janë më të prira që ta bëjnë këtë dhe më pak të dinë se çfarë ndodh në terren, nuk më befason. Së dyti, supozoj se (presidenti amerikan, Donald) Trump, si përkrahës i arritjes së marrëveshjeve me çdo çmim, e sheh këtë si “kjo është marrëveshje”. Nëse kjo shihet vetëm si marrëveshje dhe nuk mendohet për pasojat shumë të rrezikshme, mund të jetë joshëse për t’u pranuar, por do të jetë gabim i madh nëse pajtohen.
Radio Evropa e Lirë: Ju jeni të shqetësuar për pasoja jo vetëm në Bosnje, por edhe në vende të tjera dhe jo vetëm në Ballkan?
Paddy Ashdown: Absolutisht. Një person që me kënaqësi do t’i fërkonte duart, nëse kjo ndodh, është presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, sepse kjo është saktësisht ajo që ai dëshiron të shohë në Ukrainë: të zgjidhet problemi i Ukrainës duke i dhënë një pjesë të saj Rusisë. Këtë dëshiron ta shohë ai, një precedent që do t’i ndihmonte. Nëse nisim të ndryshojmë kufij, kjo do të vazhdojë tutje. A do t’i ndryshojmë tani kufijtë e Maqedonisë, a do ta shkëmbejmë popullsinë shqiptare në perëndim të Maqedonisë me Kosovën, a do të rishkruhet kufiri hungarezo-serb në zonën e Vojvodinës, a do të flitet për Sanxhakun? Nëse dëshironi të formoni xhepa një-etnik në Ballkan, atëherë duhet të rishkruani shumë kufij dhe në fund do të përfundoni me shtete etnikisht të pastra, që nuk mund të bëjnë asgjë tjetër, pos të jenë në konflikt me fqinjët.
Bisedoi: Bilana Joviqeviq; përgatiti: Valona Tela
Komentet