Fatmira Nikolli – Mendimi im është që ndërtimi, restaurimi apo bërja e ribërja e një institucioni siç është Teatri Kombëtar, apo edhe institucione të tjera si Teatri Kombëtar, të përmasave të tilla duhet të jenë plotësisht nisma dhe vepra të shtetit. Në këto nuk ka punë privati. Sepse bashkëpunimi i tillë është problematik. Në rastin konkret ky bashkëpunim do ketë këto pasoja. Nuk ka privat në botë që e bën për hobi një sipërmarrje të tillë. Po pra, po bashkëpunimi është i rrezikshëm në rastin konkret, sepse të merr territor”. Aktori e regjisori, Alfred Trebicka ndalet gjatë tek çështja e Teatrit Kombëtar në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Duke nënvizuar se teatri është lënë qëllimisht të rrënohet, ai vë theksin te memoria në art, e memoria e qytetit dhe vlerat e godinës përtej infrastrukturës.
Nëse, thotë ai, do i shembim të gjitha se janë të vjetra, çfarë na mbetet. Duke mos pasur dyshime për korrupsion, Trebicka, thotë se nuk mund t’i kërkohet transparencë, trafikantëve të drogës. Për të, thelbi i asaj që po ndodh është përballja e komunitetit të artistëve me disa interesa të pastra biznesi. Ndaj, edhe në atë projekt që u prezantua, u pa që ishin kullat afër teatrit. “Nuk dua të gjykoj në bazë fjalësh po në bazë veprimesh konkrete. Veprimet konkrete që janë bërë deri tani sa i takon pjesës së artit e kulturës, e këtu kam parasysh fatin e kinemave, “17 Nëntori” e “Republika”, nuk janë më.
Ndërkohë që në momentin kur është ndërhyrë është thënë që do bëhet një kinema me parametra evropianë”,-thotë Trebicka për “GSH”.
– Që prej muajit shkurt një debat i madh ka lindur për çështjen e Teatrit Kombëtar. Nisi për ligjin e artit dhe më pas u bë një debat për teatrin. Si e keni ndjekur ju?
Natyrisht që unë jam pjesë e komunitetit teatror. Pavarësisht se administrativisht nuk jam pjesë e teatrit, por përderisa jam aktor dhe regjisor dhe në momentin që flasim jam në pikun e aktivitetit tim, sigurisht e kam ndjekur nga afër. Le të themi se kjo historia e teatrit është histori e vjetër. Është të paktën 20-vjeçare. Vitet e fundit ishte lënë në heshtje, jo se s’ka pas lëvizje nën të. Vetë nisma e ndërtimit të Turbinës ishte një paraprirje për të shkuar drejt kësaj, por se çfarë do të bëhej me teatrin nuk e dinte askush, nuk ishte artikuluar gjë. Thjeshtë u tha që do të spostohej teatri nga ku është për të shkuar të Turbina.
Por, nëse do bëhej rikonstruksion, apo do të ndërtohej teatër i ri, nuk artikulohej asgjë. Sigurisht, thashetheme kishte plot.
Në shkurt ishin dy pika që dolën njëherësh, e para ishte ajo e shpërnguljes së teatrit te “Turbina” dhe e dyta, qarkulloi dhe një ide që aty në Teatrin Kombëtar do të instalohej Teatri i Operës, çfarë, për mua e shumë te tjerë, nuk kishte sens, sepse ti heq një trupë dhe sjell një trupë tjetër. Më pas, ajo lloj infrastrukture që ka Teatri Kombëtar aktual, nuk ka lidhje fare me çfarë kërkon një Opera.
Unë e njoh operën dhe e di që Operat kanë stafe gjigante, orkestër, solistë, kor, balet, e të tjerë.
Teatri Kombëtar tani nuk është për opera. Gjërat precipituan shpejt. Nga momenti i artikulimit të shpërnguljes së teatrit dhe dalja e projektligjit për artin, u bë bashkë edhe komuniteti teatror përmes Sindikatës së Teatrit dhe Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, reaguan. Edhe unë jam pjesë, ndonëse nuk jam anëtar i asnjërës sindikatë. Gjërat u bënë më publike. Heshtja e gjatë që prej vitesh dukej si heshtje, u bë publike dhe u bë pjesë e medias dhe debatit publik.
Jemi në këtë situatë që jemi sot. Pas kërkesës që ne patëm për një takim me ministren e Kulturës, takim që nuk u realizua kurrë, erdhi prezantimi i menjëhershëm i një projekti.
– Para prezantimit, ministrja pati thënë se nuk ka projekt për teatrin se do hapej konkurs e do zgjidhej projekti…
Po, ministrja tha nuk ka projekt, por tha se do punojmë për të. Më pas doli që ishte një projekt i gatshëm dhe u bë një prezantim. Një prezantim që unë do thosha, që ishte jo ashtu siç duhej. Nuk dua të përdor terma të rëndë “diktatorial”, “autoritar”, etj.
– Ishit ftuar në atë prezantim?
Jo. Dhe nuk është problemi më ftuan a nuk më ftuan mua, sepse kishte edhe plot të tjerë që nuk u ftuan. Ishin kolegë që duhej të ishin ftuar. Është bërë si duket një seleksionim paraprak që disa nuk duhen thirrur. Fatmirësisht e ndoqa atë moment, atë prezantim në ERTV përmes telefonit. Ndoqa fjalën e kryeministrit dhe prezantimin e arkitektit, dhe po ashtu nëpër media të tjera dëgjova edhe fjalën e mjeshtrit Ndrenika.
– Si ju është dukur projekti?
Është e papranushme, e nuk ka sens një prezantim i tillë. Mbledh aty 200 njerëz nga komuniteti artistik, sepse kishte muzikantë, piktorë, regjisorë filmi dhe mos të krijosh asnjë lloj hapësire e mundësie për të bashkëbiseduar, domethënë, më duket pa sens. Dukej qartë që ishte marrë një vendim në vetvete që kjo do bëhet. Vetë fjala e kryeministrit filloi me frazën: teatri do shembet dhe do të ndërtohet një teatër i ri, sepse ai është i kalbur. Kuptohej që nuk la asnjë hapësirë për komunikim. Ai thjesht tha vendimin e tij.
Nuk kishte vend as për argumente, për gjëra që janë kërkuar gjithmonë që në debatet e para që janë bërë në vitet 1998-2000. Është kërkuar që të diskutohet për këtë, është kërkuar të diskutohet se si duhet të jetë teatri.
Momenti që duhet prishur ky teatër a jo, vjen më pas, por kur e nis me frazën që ky do shembet, tërë të tjerat bien, se për çfarë do diskutojmë? Pse do prishet, është histori tjetër, që as aty nuk ka transparencë dhe nuk ka se si të ketë transparencë, se ka korrupsion. Është njësoj si të kërkosh transparencë me trafikantët e drogës, çfarë transparence do t’i kërkosh atyre? Sa kilogram kokainë ke kaluar e sa ke fituar? Çfarë t’u pyesësh?
– Megjithatë bëhet fjalë për pronë e truall publik, apo jo?
Sigurisht që është pronë publike e truall publik. Mua nuk më pëlqen që çështja kalohet sa nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës.
Njëherë e merr topin bashkia e një herë ministria.
– Mbase ministria ka qenë e papërfshirë aq sa nuk e dinte që kishte një projekt?
Po. Mbase, sepse projektin e shfaqi kryeministri. Mënyra se si është bërë prezent ky projekt ka shumë pikëpyetje e lë shumë për të dyshuar në prapavijat që fshihen pas kësaj, e këtë e them duke mos dashur të përfshihem më thashetheme. Nuk dua të gjykoj në bazë fjalësh po në bazë veprimesh konkrete. Veprimet konkrete që janë bërë deri tani sa i takon pjesës së artit e kulturës, e këtu kam parasysh fatin e kinemave, “17 Nëntori” e “Republika”, nuk janë më.
Ndërkohë që në momentin kur është ndërhyrë është thënë që do bëhet një kinema me parametra evropianë. Por, sot nuk ka më kinema “17 Nëntori” as kinema “Republika”. Duke pas parasysh se çfarë ndodhi me kinematë, ke frikë, sigurisht që ke frikë.
– Ndaj e vini në dyshim bashkëpunimin privat-publik?
Mendimi im është që ndërtimi, restaurimi apo bërja e ribërja e një institucioni siç është Teatri Kombëtar, apo edhe institucione të tjera si Teatri Kombëtar, të përmasave të tilla duhet të jenë plotësisht nisma dhe vepra të shtetit. Në këto nuk ka punë privati. Sepse bashkëpunimi i tillë është problematik. Në rastin konkret ky bashkëpunim do ketë këto pasoja. Nuk ka privat në botë që e bën për hobi një sipërmarrje të tillë.
– Në fakt, kryeministri u shpreh në prezantim që privati nuk do të falimentojë duke nënkuptuar bashkëpunimin me të.
Po pra, po bashkëpunimi është i rrezikshëm në rastin konkret, sepse të merr territor.
– Nga ana tjetër, godina në vetvete ka probleme?
Godina në vetvete ka shumë probleme në aspektin e amortizimit, por unë them që këto lloj objektesh, këto lloj institucionesh, janë institucione që përveç memories arkitektonike kanë edhe një lloj memorie shpirtërore.
Nëse ti e shemb, e zhduk, ti fshin memorien. Në fund të fundit, historia e teatrit tonë fillon atje dhe deri më sot vjen atje. Nuk ka vend tjetër. Nuk është se kemi një vend tjetër që të heqim këtë e t’i referohemi një tjetre. Në këtë sens ajo lë hapësirë për debat. Për këtë kanë reaguar, nga specialistët e monumenteve të kulturës deri te Shoqata e Arkitektëve. Sepse këtu po ndodh një fenomen që për hir të marrëdhënies me biznesin e madh po shkatërrojnë çdo gjë. Ta shkatërrojmë këtë se është e vjetër, ta shkatërrojmë këtë se është e vjetër, po çfarë na mbeti?
Unë me aq sa kam parë kur kam udhëtuar e nuk kam udhëtuar pak, bota i ruan këto objekte, i mirëmban një herë në gjashtë muaj ose njëherë në vit, sipas mundësive që ka. Ajo si godinë ka probleme, por ku është kleçka, apo thembra e Akilit? Aty ka vite të tëra që nuk investohet asgjë.
– Është lënë vetë në këtë gjendje?
Po. Është thënë që ka këto probleme, por nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Dakord ka rreziqe, eja e ta rregullojmë. Por nuk u bë asgjë, as në infrastrukturën e brendshme të teatrit. Thuhet rëndom që Teatri Kombëtar nuk ka banjë, Teatri Kombëtar nuk ka kabina, nuk ka pasqyra, etj. Pse nuk i ka? Sepse është amortizuar godina? Jo. Ky teatri tjetër që është në krah, “Eksperimentali”, brenda mundësive e hapësirave që ka, ka krijuar një ambient që është komod e komfort për të punuar, që nga banjat, ambientet e punës, skena e të tjera me ato parametra që mundet, por ama është një vend komod për të punuar. Është një vend ku nuk shkon me stres se “ku do shkoj në tualet?”. Imagjino që aktorët e TK-së vijnë e përdorin banjën e Teatrit Eksperimental. Por, kjo nuk ka të bëjë me amortizimin e godinës. Unë kam bindjen që është më tej.
– Pra, është lënë qëllimisht?
Sigurisht që po. Është lënë të degradojë edhe si ndërtesë, edhe si infrastrukturë e brendshme dhe ironia e tërë kësaj është se në këto vitet e fundit numri i spektatorëve është rritur. Pra, në një anë rritet numri i spektatorëve, e në anën tjetër, teatri duhet shembur. Kjo historia që do digjet e do bjerë është histori e vjetër, i ka dalë boja. Aty janë bërë dhe prova, në rast rënies së zjarrit, nuk ka pas probleme. Janë bërë prova që në kohën që ka qenë gjallë i ndjeri Agim Qirjaqi.
– Meqë jemi te raporti i shtetit me artin, doja t’ju pyesja për rishikimin e ligjit të artit. Një prej neneve u kërkon artistëve që për çdo projekt, edhe për ato private me financime private të kërkohet një leje në Ministrinë e Kulturës. Duket, se ndërsa Tirana diskuton për teatrin, ligji po miratohet. Sa kontrollues është ky nen?
Ai është thjeshtë e pastër, centralizim. Që çdo visto e çdo leje duhet të jepet nga qeveria, nga Ministria e Kulturës për çdo projekt, edhe për një projekt privat që për mua është një handikap i madh. Në thelbin e vet, është thjeshtë centralizim.
– Një ndërhyrje e tillë në ligjin e artit bëhet ndërkohë kur për statusin e artistin nuk u gjet kohë kurrë?
Për statusin e artistit nuk u vjen kurrë zëri. Ne e kemi artikuluar dhe e kemi kërkuar. Madje e kemi artikuluar edhe në shfaqje. Një kolegu im, thoshte vazhdimisht, në çdo shfaqje “na jepni more statusin, se nuk kemi status. Edhe bojaxhiu ka status, edhe pastruesja ka status vetëm artistët nuk kanë status”. Për mua ka një moment shumë të rëndësishëm që është momenti i vullnetit politik për ta bërë këtë gjë. Nuk është puna vetëm te ligji e vetëm te statusi, puna është te mënyra se si janë trajtuar njerëzit e teatrit e Operës. Heqja e shpërblimit artistik për artistët është shumë e rëndë për mua. Është të funksionosh keq. Që në momentin që kryeministri thotë, nuk e kuptoj çfarë kërkojnë këta.
– Kryeministri tha: “nuk e kuptoj ç’plasje kanë”. Në fakt, duke e cituar atë, “ç’plasje keni ju artistët”?
Kjo shprehja ç’plasje kanë… Nuk mund të komunikohet kështu, në këtë lloj mënyre, e në këtë lloj forme me “ç’plasje keni”. Se pastaj mund të të vijë përgjigja. Komuniteti i artistëve është aq i aftë, sa mund të të vijë edhe ty një përgjigje: “po ti, ç’plasje ke, që do ta shkatërrosh këtë teatër”?
– A mundet komuniteti i artistëve të mblidhet, bashkë, për të kundërshtuar, qoftë fjalorin, qoftë sjelljen, qoftë projektin, qoftë ligjin?
Ne do bëjmë tonën. Do të bëjmë rezistencën tonë ndaj kësaj gjëje. Dhe unë jam optimist i dëshpëruar në këtë pikë, por optimist jam që do të ketë reagim, domethënë do ketë reagim pozitiv edhe nga ana e pushtetit. Kjo, sepse nuk bëhet fjalë për një gjë minorene, por bëhet fjalë për një institucion kombëtar, bëhet fjalë për histori, bëhet fjalë për memorie, bëhet fjalë për një pjesë shpirtërore të Tiranës edhe më gjerë. Nuk është thjeshtë që po shembim një gërmadhë, një karakatinë aty. Po të udhëtosh në Shqipëri ka gërmadha e karakatina sa të duash që janë lënë ashtu dhe as që i bie ne mend njeriu për to. Në rastin konkret, nuk bëhet fjalë për karakatina e për gërmadha. Në rastin konkret bëhet fjalë për territor në zemër të Tiranës, dhe që është një territor i lakmueshëm për këdo që do të bëjë biznesin e vet. Kjo është evidente. Nëse ne nuk arrijmë të kuptojmë e të perceptojmë këtë gjë, jemi vërtetë miopë domethënë.
Jo vetëm komuniteti teatror, por të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë, duhet të ndërgjegjësohen për këtë gjë. Që këtu, thelbi i asaj që po ndodh është përballja e komunitetit të artistëve me disa interesa të pastra biznesi. Edhe në atë projekt që u prezantua, u pa që ishin kullat të ndërtuara me radhë aty. Probleme teatri ka sa të duash, po të futem të flas se si funksionon teatri, atëherë unë nuk mbaroj. Çdo gjë që bëhet serviret si kryevepër, sikur u trondit bota e Evropa nga kjo shfaqja- dhe kur shkon në sallë sheh se treçereku i sallës bosh. Por, problemi jetik sot, është mbijetesa e teatrit. Në këtë shfaqjen e fundit që vura në skenë, më thotë partneri im në dialog: “Pse, rrallë herë kemi qenë ne si komb në zgrip të historisë”? “Dhe unë i them, shpesh kemi qenë, ne jemi në zgrip akoma”. Megjithatë unë jam optimist i dëshpëruar në këtë pikë. Them se do të gjendet një mënyrë.
Komentet