Si kanë qenë ditët tuaja pas arrestimit spektakolar të policisë speciale me 28 nëntor?
ALBIN KURTI: Pas arrestimit, policët specialë më dërguan te Pallati i Drejtësisë dhe aty drejt e te Gjykata, ku e kuptuan se kishin gabuar meqenëse njëherë duhej të më dërgojnë te Prokuroria. Brenda dy a tri orëve lëvizëm nga një zyrë te tjera për të përfunduar në një sallë gjyqi ku ma përcaktuan paraburgimin prej 30 ditësh. Njëkohësisht, dikush tjetër kishte vendosur që të më shpiejnë te Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc apo Dyz të Llapit. Në njërën anë, dëshironin të më ndanin e të më izolonin sa më parë e sa më shumë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe politika publike e institucionale në Kosovë. Në anën tjetër, dërgimi në këtë Burg të Sigurisë së Lartë ishte justifikimi retroaktiv për përdorimin e forcave speciale anti-terror të policisë së Kosovës me 28 nëntor, me ç’rast arrestuan 97 aktivistë dhe rrahën e lënduan shumë prej tyre. Pra, meqenëse kanë ndërhyrë me forcat më elitare, unë do të duhej të isha shumë i rrezikshëm, të isha më i rrezikshmi dhe rrjedhimisht të dërgohem në Burgun e Sigurisë së Lartë. Me këtë rast dua t’i përshëndes në veçanti të burgosurit në Pavilonin 3 duke iu thënë se ‘Zajednica nuk kalon!’ dhe t’iu falenderohem atyre për kujdesin dhe shoqërimin e përbashkët që kishim gjatë atyre tri javëve.
Disa analistë e komentuan arrestimin si diçka të zgjedhur prej jush, pikërisht më 28 nëntor. Në fakt, e prisnit një gjë të tillë atë ditë?
ALBIN KURTI: -Çdo ditë e kam pritur se do të mund të arrestohem. Qyteti ka qenë i mbushur përplot me policë, shumë prej tyre me uniforma zyrtare, mirëpo shumë të tjerë edhe me rroba civile e të cilët nuk dalloheshin nga qytetarët e tjerë. Kështu ishte që prej mesit të nëntorit e po vazhdon ditë e natë edhe sot e kësaj dite. Teksa kërkohesha prej policisë duke filluar prej 17 nëntorit 2015, unë për asnjë orë të vetme nuk kam dalur jashtë Prishtinës, deri në mbrëmjen e 28 nëntorit kur më dërguan në burgun e Gërdocit (Dyzit). Tërë kohën kam qenë në Prishtinë. Natyrisht që ma ka marrur mendja se do të mund të më arrestojnë më 28 nëntor, por jam përpjekur maskimalisht që ta evitoj këtë gjë. Pas fjalimit tim jemi larguar nga Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ dhe kemi shkuar në zyrën e VETËVENDOSJE!-s me shumë aktivistë të tjerë, mirëpo kanë qenë rreth njëmijë policë që na u vunë prapa dhe erdhën te selia qendrore e Lëvizjes sonë. Kësisoj, më 28 nëntor 2015 u bë e pamundur që ta evitoj arrestimin, për dallim nga protesta e 18 nëntorit 2015, protestë kjo e opozitës së bashkuar kundër arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi.
A ka qenë fjalimi juaj i planifikuar atë ditë?
ALBIN KURTI: -Po, fjalimi im ka qenë i paraparë, ka qenë e planifikuar që unë të flas, natyrisht, nëse arrij deri te Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ pa më arrestuar policia. Meqenëse kam arritur në manifestim, ndonëse me disa minuta vonesë, e mbajta fjalimin. Rajmonda, aktivistja moderatore, nuk më ka parë në masën e tubuar dhe ka menduar që nuk ia kam dalur të mbërrij, andaj ajo ia jep fjalën njëherë Glaukut e mandej mua, përkatësisht e thërret emrin tim.
A ka ftohje me liderët e tjerë opozitarë për shkak të tubimit të asaj dite dhe fjalimit tuaj?
ALBIN KURTI: -Jo, nuk ka. Nuk besoj që ka diçka që kam thënë në atë fjalim e të cilën e kundërshtojnë kryetarët, deputetët dhe aktivistët e opozitës së bashkuar.
A do t’i përgjigjeni drejtësisë kosovare?
ALBIN KURTI: -Nuk e di si t’i përgjigjem drejtësisë kosovare kur ajo nuk ekziston. Drejtësia kosovare është padrejtësi regjimiste. Kur ne kemi thënë se Kosova është shtet i kapur këtu kemi mendur para së gjithash e mbi të gjitha në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë, në gjyqësinë, prokurorinë dhe policinë. Në Kosovë nuk shërben qeveria por sundon regjimi. Drejtësia është e kapur nga ekzekutivi. Ajo nuk është e pavarur. Si t’i kuptojmë ata prokurorë e gjykatës të cilët me kaq zell i marrin dhe u japin prioritet rasteve kundër aktivistëve dhe deputetëve opozitarë? Si t’i kuptojmë ata policë specialë me uniforma e pa to që ua përgjojnë telefonat e i përcjellin aktivistët tonë, i godasin me rastin e arrestimit e i rrahin në stacion të policisë? Si t’i kuptojmë këta njerëz, që nuk janë njerëz por robotë persekutues? Ne e duam Republikën e Kosovës dhe duam që ajo të jetë Shtet i së Drejtës, por unë nuk kam se si bashkëpunoj me këta nëpunës të padrejtësisë përmes së cilëve regjimi e ka shndërruar res publica-n tonë në res privata-n e tyre.
Pse nuk po merrni avokat?
ALBIN KURTI: -Nuk kam angazhuar avokat sepse nuk dua të mbrohem. Meqë nuk dua të mbrohem atëherë nuk kam pse angazhoj mbrojtës. Dhe, nuk është se unë jam mbrojtur në heshtje siç është transmetuar. Sepse unë kam folur e nuk kam heshtur. Kam denoncuar e kundërshtuar këtë regjim autoritar që po e persekuton opozitën duke keqpërdorur policë, prokurorë e gjyktaës të cilët i ndërsen kundër nesh. Në gjyq unë e përfaqësoj vetveten, mirëpo nuk mbrohem në heshtje sepse unë nuk mbrohem dhe sepse unë flas.
Gjykata Kushtetuese ndër të tjera e konfirmoi se Asociacioni e shkel Kushtetutën. Si e keni parë ju vendimin e gjykatës?
ALBIN KURTI: Analiza juridike që ia bën Gjykata Kushtetuese ‘Zajednicës’ duke konstatuar shkelje të 23 neneve të Kushtetutës nga secili kapitull i marrëveshjes Mustafa-Vuçiq e ka mbytur ‘Zajednicën’. Ndërkaq, konstatimet e Gjykatës Kushtetuese të stilit ‘nuk është tërësisht në përputhje’ janë konkluzione politike të balansuara dhe tregojnë që kjo Gjykatë më shumë e ka hall se çka do t’i ndodhë qeverisë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sesa çka po i ndodh Kushtetutës pas vendimeve e marrëveshjeve të kësaj qeverie. Aq e keqe është ‘Zajednica’ e Serbisë saqë edhe Gjykata e kapur Kushtetuese nuk ka pasur çare pa e kundërshtuar. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për shkak të emrit të saj nuk ka mundur të veprojë ndryshe. Cili është kuptimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe i bërjes së saj me kushtetutë të mëvetësishme nëse instalohet ‘Zajednica’ Serbisë në Kosovë?!
Megjithatë qeveria thotë se do të procedojë me Asociacionin. Çka do të thotë kjo për ju?
ALBIN KURTI: -Thoshin që Plani i Ahtisaarit është çmim për pavarësinë, të cilën vetëm ashtu na e njeh Serbia. E ‘Zajednica’ çmim për çfarë është, për bashkim kombëtar!? Të insistosh në ‘Zajednicën’ edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do të thotë të përqafosh pozicionin e Beogradit. Nuk mund të ketë më qeveritarë të cilët janë injorantë apo paragjykues. Nëse nuk kanë dashur ta dëgjojnë opozitën dhe tash nuk duan ta dëgjojnë as Gjykatën Kushtetuese atëherë kjo nuk ka shpjegim tjetër përveçse ata qenkan duke e dëgjuar Serbinë. Po të kishim prokurori të pavarur në Kosovë sigurisht se deri më tani kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaçi do të ishin paditur qoftë për tradhti ndaj vendit sipas nenit 124 të Kodit Penal i cili parasheh dënim me mbi 15 vjet burg, qoftë për pranim të kapitullimit dhe okupimit sipas nenit 123 i cili parasheh dënim me mbi 10 vjet burg. Mustafa e Thaçi kanë dialoguar me Serbinë duke lënë anash historinë dhe të kaluarën. Kështu, ata jo vetëm që e kanë shpërfillur agresionin dhe krimet e Serbisë, por i kanë prerë edhe rrënjët e pavarësisë së Kosovës. Le të mos harrojmë që strukturat e Serbisë në Kosovë nuk i la Vuçiqi, Tadiqi, Koshtunica e Gjingjiqi por pikërisht Milosheviqi.
A do ta mbajë opozita protestën e janarit të paralajmëruar dhe çka pas asaj proteste?
ALBIN KURTI: -Visari, Ramushi dhe Fatmiri e kanë vendosur dhe lajmëruar protestën e 9 janarit 2016. Tashmë po zhvillohen aktivitetet dhe përgatitjet e duhura nga strukturat e të tri subjekteve të opozitës së bashkuar. Sa do të vazhdojmë me protesta nuk varet prej nesh sepse ne nuk do të ndalemi, por varet prej qeverisë sepse ajo duhet të dorëhiqet ose të rrëzohet. Pra, ne do të organizojmë protesta për aq sa është kjo qeveri në pushtet. Kjo qeveri e ka pasur shansin e jashtëzakonshëm nga oferta që ia bëri opozita e bashkuar: të tërhiqen nga marrëveshja për ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe Demarkacionin me Malin e Zi, të organizojmë referendum gjithëpopullor për këto dy marrëveshje, ose të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme. Mirëpo, qeveria i refuzoi të trija këto. Ajo nuk pranoi të dialogonte mbi bazat e asnjërës prej këtyre. Rrjedhimisht, ajo dëshironte veçse dialog për zbatimin e ‘Zajednicës’ dhe Demarkacionit. Prandaj, janë bërë të domosdoshme protestat. Kur kemi parasysh gjendjen e rëndë të qytetarëve të zhgënjyer, protestat bëhen edhe të pashmangshme.
Është hera e parë që 13 deputetë opozitare u arrestuan. A po synon qeveria ta lërë vendin pa opozitë?
ALBIN KURTI: Kjo është pyetje për qeverinë, pra për pozitën, jo për opozitën. Ne nuk do të ndalemi në protestat tona brenda e jashtë Kuvendit. Nëse nuk ndalet as qeveria kjo njëmend do të thotë se të gjithë deputetët e opozitës së bashkuar do të jenë në burg në vitin 2016. Por jo për shumë gjatë. Kjo qeveri nuk rri dot mbi popull sa qëndrojmë ne kundër saj. Sepse ne nuk mund të lejojmë të na përsëritet historia edhe për pasardhësit tanë duke na u instaluar ‘Zajednica’ e Serbisë e duke ia falur 9.000 hektarë tokë të Kosovës Malit të Zi. Nuk mund të lejojmë që për shkak se Hashim Thaçi nuk e përsëriti klasën kur e studioi lëndën e historinë, tash gjithë vendit tonë të na i përsëritet historia! Nuk mund të lejojmë që për shkak se Isa Mustafës nuk i mjaftojnë tri dekada në qeverisje e po i teprojnë 70 dosje në prokurori, neve tash të na burgoset në keqqeverisje ardhmëria!
Kështu si po shkojnë ngjarjet, a janë të pashmangshme zgjedhjet e reja?
ALBIN KURTI: Po. Zgjdhjet e reja po bëhen të nevojshme sepse largimi i kësaj qeverie po bëhet i domosdoshëm. Qeveria Mustafa nuk e shfrytëzoi mundësinë që t’i anulojë marrëveshjet duke u tërhequr prej tyre. Ashtu siç hoqën dorë prej mbrojtjes së Jabllanoviqit në fillim të vitit 2015 kanë mundur të heqin dorë prej mbrojtjes së këtyre dy marrëveshjeve në fund të vitit 2015. Për të qenë më keq se kaq, ata nuk shprehën gatishmëri as për të bashkëpunuar me opozitën e bashkuar për një ligj të ri për referendum që do të pasohej me organizimin e referendumit për këto dy marrëveshje. Referendumi do të ishte i dobishëm, sepse referendumi do ta bënte angazhimin qytetar një pjesëmarrje politike jopartiake për tema të caktuara e jo si një votim për partitë ose për emra të përveçëm. Në Kosovë ku votimi përgjithësisht është identitar e partiak dhe jo politik e qytetar, referendumi është gjithsesi emancipues. Meqë referendumin popullor nuk e do qeveria atëherë na mbetet që populli të mos e dojë këtë qeveri në zgjedhjet e reja.
A besoni se si opozitë e bashkuar mund të jeni të tillë edhe në zgjedhjet eventuale?
ALBIN KURTI: Është e mundshme, por mendoj se është tepër herët të flitet për këtë sot. Ju takon krerëve dhe strukturave udhëheqëse të tri subjekteve që ta diskutojnë këtë temë. Po ashtu, besoj se nuk është mirë që përderisa ende s’ka rënë kjo qeveri të mendojmë e flasim për çështje elektorale. Të gjitha fuqitë tani duhet t’i përqendrojmë te protesta e 9 janarit e për protestën e 9 janarit.
Cila është alternativa ndryshe qeverisëse që ofroni ju si opozitë?
ALBIN KURTI: Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! e kemi alternativën tonë qeverisëse me 20 kapituj të ndarë në tri shtylla: Shteti i së Drejtës, Shteti Zhvillimor dhe Shteti Social. Çfarë do të ishte alternativa e opozitës së bashkuar s’mund ta them unë dhe s’mund ta them tash.
A jeni të kënaqur me situatën në Prishtinë ku VV e ka pushtetin?
ALBIN KURTI: Nuk jam i kënaqur me situatën në Prishtinë por për këtë nuk e ka fajin qeverisja jonë dyvjeçare por keqqeverisja 13 vjeçare e LDK-së. Ne nuk kemi mundur ta rregullojmë dhe zhvillojmë për dy vjet atë që e kanë prishur e rrënuar për 13 vjet. Ndonëse nuk jam i kënaqur me situatën në Prishtinë, megjithatë jam i kënaqur me qeverisjen në Prishtinë. Sepse aty kemi një kontekst shumë të vështirë ku ka hyrë hasmi në katër anë: qeveria qendrore që na vonon, koalicioni lokal LDK-PDK që na lufton, administrata e vjetër që na saboton dhe ndërmarrjet publike komunale që bllokojnë punën tonë. Përkundër të gjitha këtyre pengesave sot në Komunën e Prishtinës janë ndalur prej ndërtimeve pa leje, urisë së nxënësve dhe banesave të ftohta e deri te rradhët e gjata të pritjes së qytetarëve për shërbimet e ndryshme.
Vitin e Ri do ta prisni në arrest shtëpiak. Cila është porosia juaj për qytetarët kosovarë?
ALBIN KURTI: Unë jam në arrest shtëpiak, por e gjithë Kosova është bërë si një burg i madh, madje me drejtor e mbikëqyrësa të këqinj. Vitin e Ri 2016 duhet që ne ta bëjmë vit të ri. Shumëçka tregon se kjo është e mundshme. I ashtuquajturi koalicioni i elefantëve PDK-LDK i sajuar me 9 dhjetor 2014 u diskreditua dhe u delegjitimua për 10 muaj, pra ende pa i mbushur një vit. Pasi që u formua koalicioni PDK-LDK-Srpska, mbaj mend se si militantët e PDK dhe LDK që kapën pozita institucionale thoshin se tash mund të dalin në pension gjithë të tjerët së paku për një dekadë pasi që tani kemi koalicionin e elefantëve, koalicionin e partisë së ’89-s e të ’99-s. Për më pak se një vit, pra për vetëm 10 muaj, opozita e bashkuar i hodhi në krizë të thellë elefantët të cilët iknin si minjtë nga gazi lotsjellës. Viti 2016 do të jetë vit i fitores së opozitës së bashkuar, vit pa ‘Zajednicë’ të Serbisë, vit pa falje tokash tona Malit të Zi, vit kur populli ia anulon vizën qeverisë, vit i fitores së qytetarëve të angazhuar, vit i Republikës së Kosovës. Kurse viti 2015 do të mbahet mend si viti i parë i epokës së Vetëvendosjes.
(*Intervista për gazetën Kosova Sot)
Komentet