Intervista e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti për Televizionin Publik të Bullgarisë, BNT
Gazetari Nikolay Krastev: Përshëndetje zoti Kurti. Faleminderit që pranuat të jeni mysafir në Televizionin Kombëtar Bullgar.
Kryeministri Kurti: Faleminderit për ftesën.
Gazetari Krastev: Zotëri Kurti, cili është parashikimi i juaj për përfundimin e luftës në Ukrainë?
Kryeministri Kurti: Është e qartë se Blitz Krigu rus në Ukrainë nuk është i suksesshëm. Dhe tash jemi dëshmitarë të një përpjekjeje për ta ndarë Ukrainën. Ata do të duan të marrin sa më shumë territor nga Ukraina, sepse pas këtyre krimeve të tmerrshme që ndodhën në territorin e Ukrainës si rezultat i pushtimit dhe agresionit ushtarak të Rusisë, nuk shoh se si mund të shpresojnë akoma për ta vendosur një qeveri kukull. Prandaj, ekziston rreziku i madh që ata do të insistojnë në ndarjen e Ukrainës duke e ndarë atë në pjesën perëndimore dhe lindore. Kështu, pjesa lindore do të kontrollohej nga Rusia dhe ata ukrainas që nuk duan të sundohen nga Moska do të deportohen në pjesën perëndimore të vendit dhe mund të imagjinoj që ambicia e Moskës është që Ukraina perëndimore të jetë një vend pa dalje në det, dmth pa qasje në Detin e Zi. Fatkeqësisht, Presidenti Putin mendon vetëm për territor, jo për njerëzit dhe për këtë arsye dëshiron sa më shumë nga Ukraina, pasi dëshira e tij është të rivendosë Perandorinë Ruse, në të cilën ai do të jetë jo thjesht president, por edhe cari i ri në shekullin e 21-të.
Gazetari Krastev: Zotëri Kurti, a keni frikë se Ukraina mund të bëhet një Bosnjë e dytë? Çfarë mendoni për këtë?
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës: Mendoj se bosnjëzimi i Ukrainës është një rrezik i madh, sepse ndarja e Ukrainës është shumë e ngjashme me ndarjen e Bosnjës. Deri më tani, njerëzit në Ukrainë kanë jetuar së bashku, pavarësisht nga kombësia, feja apo bindjet e tyre politike. Ndoshta disa prej tyre mund të kenë një simpati të fortë për Rusinë, por megjithatë ata bashkëjetuan me ata që nuk kishin simpati për Moskën, Rusinë. Tani, pas kësaj dhune, pas këtij inkurzioni me makineri ushtarake të udhëhequr nga presidenti Putin, i cili nga njëra anë është nostalgjik për të kaluarën e largët të Rusisë dhe nga ana tjetër i hidhëruar nga demokracitë perëndimore, mund të çojë edhe në më shumë dhunë për të shkatërruar kohezionin social brenda vendit, në Ukrainë.
Ne si Republikë e Kosovës i kemi mbështetur sanksionet që në fillim dhe kemi vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse në përputhje me Këshillin e Bashkimit Evropian. e cila dëshiron të shkatërrojë një vend dhe të përdorë luftën si mjet për të ndarë shoqërinë dhe familjet, për të territorializuar problemin duke përdorur ushtrinë e saj si mjetin kryesor për të territorializuar praninë e saj. Kjo ndodhi në Bosnjë 30 vjet më parë kur Serbia ndau Bosnjën në territore të kontrolluara nga njësitë e saj ushtarake kundër boshnjakëve, myslimanëve dhe kroatëve. Në rastin e Bosnjës, Sarajeva mbeti jashtë Republika Srpska, e cila përbën 49% të territorit. Por në këtë rast, mendoj se Federata Ruse synon të rrethojë Kievin, kështu që Kievi tani është në prag të shndërrimit në Sarajevë. Në Bosnje dhe Hercegovinë, 30 vjet më parë, Sarajeva si kryeqytet ishte i rrethuar për tre vjet e gjysmë dhe tani shoh se si Kievi është në rrezik të madh të rrethohet nga makineritë ushtarake ruse.
Gazetari Krastev: Zoti Kurti, propaganda pro-ruse pretendon se ka një lidhje mes pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë. Çfarë do të thoshit për këtë krahasim? E shihni një lidhje të tillë?
Kryeministri Kurti: Nuk shoh lidhje. Por unë shoh planin e Kremlinit për të përdorur gjithçka që i vjen në imagjinatën e tyre, sado e gabuar qoftë, për të justifikuar atë që kanë planifikuar prej vitesh. Për të ndihmuar Serbinë duan të përdorin Kosovën dhe për të justifikuar aneksimin e Krimesë dhe Donbasit po abuzojnë me rastin e Kosovës.
Në Kosovë pati gjenocid nga Serbia dhe në pranverën e vitit 1999, NATO ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit. Më shumë se 12,000 civilë të paarmatosur u vranë nga forcat serbe të udhëhequra nga regjimi i Millosheviqit, 20,000 gra u përdhunuan, rreth 1,300 fëmijë u vranë dhe 860,000 shqiptarë nga Kosova u dëbuan në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri ose Mal të Zi dhe 80% e popullsisë në Kosovë në pranverën e vitit 1999 u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Përveç kësaj, 120 mijë shtëpi u shkatërruan, u dogjën ose u dëmtuan rëndë, duke i bërë ato të papërdorshme.
Ajo që ndodhi në Kosovë ishte gjenocid dhe NATO ndërhyri. Në atë kohë, 19 vende i bashkuan forcat për të ndaluar gjenocidin e kryer nga Serbia. Ata arritën një konsensus të gjerë kundër pushtimit, aparteidit, agresionit dhe gjenocidit serb. Prandaj, vetëvendosja e Kosovës erdhi nga poshtë dhe pas gjenocidit. Ndërsa në rastin e Krimesë kam parë kuti votimi gjatë organizimit të referendumit, por këto kuti janë nxjerrë nga ushtarët rusë. Prandaj, vetëvendosja dhe demokracia nuk vijnë nga lart, por nga poshtë. Në Kosovë, vetëvendosja dhe demokracia vijnë nga poshtë, nga njerëzit që kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre ose kanë marrë vendime historike. Në rastin e Krimesë dhe Donbasit, vendimi është marrë në Kremlin dhe kutitë e votimit janë mbajtur nga trupat ruse, kështu që nuk ka të bëjë me Kosovën.
Gazetari Krastev: Keni absolutisht të drejtë. Shumë analistë thonë se Ballkani është një pikë e dobët dhe Rusia është jashtëzakonisht aktive në rajon. Çfarë mendoni për deklarata të tilla?
Kryeministri Kurti: Një luftë hibride po bëhet edhe në Ballkanin Perëndimor. Qendra rajonale e “Sputnik” ndodhet në Beograd. Në Nish të Serbisë është e vendosur e ashtuquajtura “Qendra Humanitare Ruse” dhe fatkeqësisht në Serbi shohim Lukoil, Gazprom, Rosatom dhe Sberbank, kështu që Rusia është jashtëzakonisht aktive në Serbi. Fatkeqësisht, të gjithë 14 avionët luftarakë MiG-24 që Serbia ka, i ka marrë donacion nga Bjellorusia dhe Federata Ruse. Dhe kjo tregon orientimin e tyre. Fatkeqësisht, Beogradi ka dashur gjithmonë paratë e BE-së dhe armët e Rusisë. Ata duan të vazhdojnë në këtë drejtim dhe kjo është arsyeja pse nuk kanë vendosur asnjë sanksion ndaj Federatës Ruse dhe kjo na shqetëson, por nuk na tremb. Meqenëse kufiri ynë më i madh është me Serbinë dhe Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës, duhet të jemi të kujdesshëm, vigjilentë dhe të shikojmë se si zhvillohen gjërat, por jemi të shqetësuar se lufta hibride që është shndërruar në një luftë të vërtetë në Ukrainë mund të jetë një synim i ngjashëm edhe në Ballkanin Perëndimor, në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi apo Kosovë.
Do të shohim, shpresojmë të mos ndodhë, por nuk mund të themi se jemi të sigurt dhe pa rrezik. Nga njëra anë është Serbia dhe nga ana tjetër Putini ka lidhje të drejtpërdrejta me disa liderë politikë në Ballkanin Perëndimor. Për shembull, Vladimir Putin nuk ka nevojë të telefonojë Aleksandër Vuçiqin për të kontaktuar Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë. Presidenti Putin telefonon direkt Dodikun e Republika Srpskas. Prandaj ekziston një kërcënim i dyfishtë. Nga njëra anë, lidhjet e ngushta të Serbisë me Federatën Ruse dhe nga ana tjetër, ka lojtarë dhe faktorë në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që janë të lidhur drejtpërdrejt me Moskën.
Më lejoni t’ju jap një shembull. Nga gjithsej 250 deputetë të parlamentit serb, 151 janë pjesë e grupit të miqësisë me Federatën Ruse. Më shumë se 60% e parlamentit serb është pjesë e këtij grupi. Pra këto lidhje janë të shumëanshme dhe shumë të thella, prandaj ne jemi duke e ndjekur situatën, sepse kërcënimi ekziston. Kosova është një shtet që dëshiron të anëtarësohet në BE dhe NATO, ndërsa Serbia kërkon para nga BE në vend se të anëtarësohet në BE dhe ka një qëndrim negativ ndaj NATO-s.
Gazetari Krastev: Keni frikë nga një luftë e re në Ballkan?
Kryeministri Kurti: Mendoj se është e mundur dhe duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm. Kremlini ka interes që lufta të përshkallëzohet. Kur autokracia zgjat shumë, ajo kthehet në luftë. Autokratët zakonisht bëjnë luftëra. Presidenti Putin ka pasur shumë pushtet për një kohë të gjatë dhe autokracia e tij është despotike. Unë mendoj se ai dëshiron të krijojë më shumë probleme për BE-në dhe NATO-n, sepse urren Perëndimin, urren demokracitë perëndimore. Dhe kudo që ka dobësi si mosmarrëveshje, situata fragjile, besoj se në javët, muajt dhe vitet e ardhshme ai do të përpiqet të përfitojë, por shpresoj se kjo nuk do të zgjasë aq gjatë.
Gazetari Krastev: Zotëri kryeministër, çfarë ndodhi me dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit? Jeni optimist se momenti i tanishëm mund të jetë fillimi i një epoke të re?
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës: Në Serbi pas një muaji do të mbahen zgjedhjet. Në Serbi e vetmja e panjohur rreth zgjedhjeve është data se kur do të mbahen, jo rezultati. Në Serbi, sistemi është njëpartiak. Nuk ka pluralizëm apo demokraci në Serbi. “Transparency International” e ka quajtur regjim hibrid, por në thelb, regjimi hibrid do të thotë autokraci.
Nuk është e lehtë të kesh një dialog të suksesshëm me autokratë. Megjithatë, ne ishim shumë konstruktivë, kreativë dhe të angazhuar në dialog. Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken e kanë bërë të qartë se çfarë marrëveshje duhet të arrihet, një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme dhe e bazuar në njohjen reciproke. Kjo marrëveshje, të cilën ne po kërkojmë ta arrijmë, është një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vjeshtën e vitit 2010, dialogu Kosovë-Serbi është një dialog për statusin e marrëdhënieve, jo për statusin e Kosovës. Statusi i Kosovës është sovranitet, pavarësi dhe kjo është zgjidhur.
Që nga korriku i vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka mbyllur në mënyrë efektive kontestin juridik mbi legjitimitetin dhe arsyetimin e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Gjithçka që po bëjmë tani, pas një opinioni këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, institucioni më i lartë në botë për këto çështje, është të hyjmë në një dialog për t’i normalizuar marrëdhëniet tona. Presidentit të Serbisë i kam ofruar disa gjëra, por ai nuk ka treguar mirëkuptim për asnjërën.
Për shembull, në qershor dhe korrik të vitit të kaluar kam propozuar dokumente që do të nënkuptonin një deklaratë të paqes, mos sulmimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ai i nuk i pranoi. Unë sugjerova gjithashtu reciprocitet për të drejtat e pakicave, pra të dakordohemi që pakicat në Kosovë të trajtohen njësoj si në Serbi, por ai sërish e refuzoi këtë propozim.
Nuk është e lehtë dhe mendoj se ai ende jeton kryesisht në të kaluarën. Ai ishte Ministri i Informacionit i Millosheviçit dhe kurrë nuk u distancua qartë nga regjimi i Millosheviçit. Përkundrazi, ai ishte aktivisht i përfshirë në mohimin e gjakderdhjes dhe krimeve të kryera nga policia dhe ushtria serbe në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999. Mosnjohja e Kosovës nga Serbia nga njëra anë dhe mosnjohja e krimeve të bëra nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës nga ana tjetër nuk janë gjëra shumë të ndryshme.
Gazetari Krastev: Zoti Kryeministër, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih para disa javësh keni pasur një takim me homologun bullgar, z.Petkov. Cilat janë përshtypjet e juaja nga kjo bisedë?
Kryeministri Kurti: Takimi me kryeministrin Petkov shkoi shumë mirë. Ky ishte takimi ynë i parë dhe më la përshtypje të shkëlqyer integriteti dhe kompetenca e tij. Pres me padurim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.
Ne mund të rrisim tregtinë mes nesh, investimet ekonomike dhe bashkëpunimin kulturor, por në të njëjtën kohë mund të bashkojmë forcat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Gadishullin e Ballkanit. Mafia ballkanike është shumë mirë e integruar përtej kufijve dhe për këtë arsye nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë mes vendeve tona për të garantuar sundimin e ligjit.
Me këtë rast dua t’i uroj të gjithë shikuesit tuaj dhe popullit bullgar 3 Marsin – Ditën e Çlirimit të Bullgarisë, dhe dua të falënderoj Bullgarinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për mbështetjen që na jepni në çdo organizatë ndërkombëtare. Shpresoj të zgjerojmë dhe forcojmë bashkëpunimin tonë dypalësh.
Gazetari Krastev: Një pyetje e fundit, zotëri Kurti. Cila është gjëja më e rëndësishme në bashkëpunimin tonë dypalësh – ekonomia, turizmi, çfarë mendoni?
Kryeministri Kurti: Besoj se më e rëndësishmja është ekonomia, por edhe lufta kundër korrupsionit. Domethënë, ne duhet të punojmë së bashku për më shumë investime dhe tregti, por në të njëjtën kohë duhet të ndalojmë çdo trafik të paligjshëm dhe korrupsion, sepse siç tha presidenti amerikan Joe Biden, korrupsioni dhe krimi janë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Prandaj, jo vetëm në emër të drejtësisë, por edhe në emër të sigurisë, ne duhet të bashkojmë përpjekjet tona në luftën kundër çdo krimi dhe korrupsioni.
Gazetari Krastev: Faleminderit për këtë intervistë zoti Kurti. Suksese në misionin tuaj.
Kryeministri Kurti: E dhe unë ju falënderoj dhe ju uroj gjithë të mirat.
Komentet