Kurti për Thaçin: “Nuk na duhet edhe një kriminel me pushtet, por një pushtet i dekriminalizuar”
Albin Kurti është i drejtpërdrejtë dhe i qartë në ato që kërkon. Nuk ka ndërmend t’i lërë të qetë Isa Mustafën e Hashim Thaçin, nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe sigurisht që ka ndërmend një plan për ta penguar zv/kryeministrin të bëhet President i Kosovës. Albini e refuzon cilësimin si “nxitës i dhunës”, ndërsa ka edhe një përgjigje për Ben Blushin. Ideologjia e Albin Kurtit dhe “Vetëvendosje”-s së tij është krejt e ndryshme nga çfarë po ndodh në Kosovë me ekonominë, mirëqenien sociale, arsimin e shëndetësinë. “Thjesht duhet ndryshuar rruga, pasi po ecim në një rrugë të gabuar, e cila është provuar botërisht se shkakton krizë e rrënim, siç është neoliberalizmi”, shprehet për “Shekulli”-n deputeti i arrestuar muajt e fundit për dhunën në Kuvend, e më pas i liruar. Kundërshtimi i tij dhe Lëvizjes që frymëzon ndaj marrëveshjeve me Beogradin është kthyer në opozitarizëm të ashpër ndaj kreut të PDK-së, Hashim Thaçi. Për të, Albin Kurti nuk ka mëdyshje: “Nuk na duhet edhe një kriminel me pushtet, por një pushtet i dekriminalizuar”.
Pyetje: Situata politike në Kosovë vijon të jetë e rënduar, ndërsa skenat e dhunës kanë dalë jashtë kufijve të Kuvendit. Pas disa muajsh beteje, jo vetëm politike, kundër marrëveshjeve me Beogradin, si e vlerësoni gjendjen në Kosovë?
Albin Kurti: Beteja ka qenë vetëm politike. Duhet kuptuar se nuk jemi kundër secilës marrëveshje në parim, por jemi kundër këtyre dy marrëveshjeve pa parime, që na i ka ofruar qeveria e Kosovës më 25 e 26 gusht 2015, pa na njoftuar më përpara, pa e përfshirë opozitën, pa e pyetur Kuvendin, pa i informuar qytetarët. Pra, duke e shkelur demokracinë me të dyja këmbët. Në këtë rast, kur kemi një qeveri që vepron si në autokraci, sigurisht që kemi qenë dhe jemi të detyruar të reagojmë. Të mos harrojmë se bëhet fjalë për marrëveshje që krijojnë një të ardhme të pasigurt për të gjithë ne, madje edhe për fëmijët e tanishëm e ata që ende nuk kanë lindur në Kosovë, pasi asisoj vendosen premisat e një para-shteti në Kosovë, ngjashëm me atë që ka ndodhur në Bosnjë, e që u vulos me Marrëveshjen e Dejtonit. Dhe Bosnja nuk është realitet aspak i këndshëm.
Gjendja në Kosovë, pas aksionit opozitar në Kuvend dhe dhjetëra tubimeve e protestave në qytete, si dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që tregoi se marrëveshja e nënshkruar nga qeveria i shkel plot 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, është e polarizuar. Mbështetja për opozitën është shumë e lartë, edhe këtë e tregoi pjesëmarrja në protestën e 9 janarit, që ishte protesta më e madhe e zhvilluar ndonjëherë në Kosovën e pasluftës. Tashmë qeveria, përballë vendimit të Gjykatës Kushtetuese e përballë indinjatës së popullit e cila vjen në rritje, nuk ka rrugë tjetër përveçse të dorëhiqet e thërrasë zgjedhje. Vetëm zgjedhjet e reja do të mund të prodhonin një rrugëdalje prej krizës politike që kjo qeveri e ka prodhuar vetë. Nëse qeveria këmbëngul të mos i thërrasë zgjedhjet, atëherë shumë shpejt protestat do të vazhdojnë.
Pyetje: Ka akuza publike ndaj jush si nxitës të dhunës. A ndjeheni përgjegjës se po frymëzoni një valë dhune të papërshtatshme për një vend evropian?
Albin Kurti: Po të shihnit protestat e zhvilluara javën që shkoi në Bruksel, ku bujqit e fermerët e shtynë policinë me traktorë, apo po të ndiqnit protestat e ndryshme që kurrë nuk ndalen anekënd Bashkimit Evropian, ndoshta nuk do të mendonit se në Kosovë po ndodh diçka e papërshtatshme për një vend evropian. Vendet ku opozita e populli heshtin, ulin kokën edhe binden çfarëdo që të ndodhë, këto nuk janë vende evropiane e as demokratike. Sa për dhunën, në asnjë moment opozita e qytetarët protestues nuk kanë ushtruar dhunë. Pasi qeveria na i solli marrëveshjet e nënshkruara jodemokratikisht e pa transparencë (ky është akti i parë i dhunës që qeveria ushtroi mbi ne), neve u organizuam në peticion. Besoj pajtoheni se peticioni është mjet demokratik. U nënshkrua nga mbi 205.000 qytetarë. Qeveria në vend se të përgjigjej ndaj kërkesave të peticionit, i mbylli sytë e veshët dhe nisi të ofendonte qytetarët që e kishin nënshkruar peticionin duke thënë se ata ishin injorantë e se nuk dinin çfarë kishin nënshkruar.
Pas kësaj, qeveria filloi të tallej edhe me opozitën në Kuvend, kur tha se “do të raportonte” mbi marrëveshjet tashmë të bëra, por nuk do t’i sillte ato në Kuvend për ratifikim. Dihet se Kuvendi nuk është organ këshillëdhënës, por organ vendimmarrës. Arroganca e kësaj qeverie dhe e forcave parlamentare që e mbështetin atë, na detyroi të veprojmë për të ndërprerë seancat parlamentare. Nuk mund të ketë normalizim institucional kur kryeministri fillon e sillet si monark. Për më tepër, këto marrëveshje ishin antikushtetuese, dhe këtë e tha edhe Gjykata Kushtetuese. Një kryeministër, i cili vepron pa marrë parasysh opozitën, qytetarët e Kuvendin në kundërshtim me Kushtetutën e tij, është duke bërë grusht shteti institucional. E veprim më të dhunshëm se ky nuk ka në një republikë. Ky është veprimi që vërtet do të mund të quhej i papërputhshëm me vendet evropiane, pasi në Evropë ka rreth 50 vjet që nuk ndodh një grusht shteti institucional, që në kohën kur kolonelët e morën pushtetin në Greqi.
Megjithë vendimin e Kushtetueses, kryeministri këmbëngul se do t’i zbatojë marrëveshjet. Ne organizuam një protestë paqësore. Por besoj, pas gjithë sjelljeve arrogante të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, është i mirëkuptueshëm mllefi i qytetarëve, të cilët dolën si kurrë më parë masivisht në protestë. Madje, ky mllef do të vijë duke u rritur, nëse qeveria nuk i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Pyetje: Mijëra qytetarë të Kosovës shikojnë te Albin Kurti një lider të gatshëm të martirizohet. Juve ju pëlqen roli i martirit? Pëlqeni më tepër të bëni martirin apo politikanin?
Albin Kurti: Nuk e di se nga dalin këto perceptime për mijëra qytetarë të Kosovës që “shohin martirin”. Me sa di unë kjo fjalë është përdorur nga Ben Blushi, e jo nga mijëra qytetarë të Kosovës. Për më tepër, nuk ka si t’i pëlqejë dikujt “roli i martirit”, sepse martiri nuk është rol, por shenjë. Unë i kuptoj ata që bëjnë ngatërrime të tilla konceptuale dhe synimet e tyre për ta paraqitur Lëvizjen VETËVENDOSJE! si një forcë politike jo-racionale, bazuar mbi ndonjë vizion thuajse religjioz. Këta njerëz luajnë me frikën që liberalët kanë prej çdo njeriu që është gati të sakrifikojë shumë për një çështje. Por, nuk e bëjnë dallimin prej çështjes në çështje.
Çështja e Republikës së Kosovës, beteja për këtë Republikë, është betejë ekzistenciale për ne, sepse nuk kemi atdhe tjetër. E si në çdo betejë ekzistenciale, marrim pjesë me gjithë ekzistencën tonë. Beteja të tilla ekzistenciale ka pasur shumë, dhe historia e Evropës moderne nis tek një e tillë, tek beteja e rezistencës antifashiste. Ne në Kosovë jemi duke i rezistuar një fashizmi të një lloji modern, po bëjmë edhe ne rezistencën tonë. Nuk ka zgjidhje, përveçse t’i rezistosh fashizmit.
Pyetje: Keni menduar ndonjëherë gjatë muajve të fundit, veçanërisht gjatë kohës në burg, për t’i thënë “stop” gjithçkaje dhe për të ndryshuar kurs, duke kërkuar dialog?
Albin Kurti: Ne kemi kërkuar dialog për katër muaj. Kërkesa jonë që marrëveshja të tërhiqet është pikërisht kërkesë për dialog. Sepse dialog mund të kishte vetëm po të tërhiqej marrëveshja. Dialogu post-festum nuk është më parlamentar, as politik. Dialogu pas aktit të kryer është “muhabet” apo “llaf”, pra si i tillë nuk ka vlerë. Prandaj ne kërkuam që marrëveshjet të tërhiqeshin, për t’u rikthyer në normalitet parlamentar. Por qeveria nuk pranoi. Tani kemi një vendim të Kushtetueses që thotë se marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria janë 23 herë në kundërshtim me Kushtetutën. Në çdo vend të botës, kjo do të shkaktonte zgjedhje, pasi shkelja e Kushtetutës është krimi më i rëndë që mund të bëjë një qeveri. Të dialogosh me kriminelë nuk është parim demokratik, e as ligjor. Në këtë moment, duhet folur për zgjedhje, e pastaj për dialog.
Pyetje: Sa mundësi reale mendoni se ka për të zhvilluar një dialog mes qeverisë dhe opozitës? Apo gjithçka është e mbyllur dhe në pritje të anulimit të marrëveshjeve?
Albin Kurti: Përveç asaj që thashë më parë duhet theksuar që ndarja politike në Kosovë nuk është, thjesht, ndarje pozitë-opozitë, por ndarje për e kundër aspiratave të Serbisë e Malit të Zi që na marrin shtetësi e territor të Republikës sonë. Pra, para pyetjes se a je me pozitën apo opozitën, kemi pyetjen tjetër themelore: A je për “Zajednicën” e Serbisë në Kosovë dhe demarkacionin me Malin e Zi? Siç dihet qeveria e ka kryer pa neve edhe dialogun edhe marrëveshjet me Serbinë e Malin e Zi dhe nga një pozicion i aktit tashmë të kryer na ofronte neve dialog për kafe! Nuk mund të ketë dialog të qeverisë me opozitën, pasi ajo ka bërë marrëveshje anti-kushtetuese me Serbinë. Kjo qeveri nuk mund të bëjë marrëveshje e paqe, edhe me Serbinë, edhe me opozitën.
Pyetje: A ka Albin Kurti një ëndërr për Kosovën? Si do ta vizatoje atë pas 1 viti dhe pas 10 vjetësh?
Albin Kurti: Nëse në qeveri është Lëvizja VETËVENDOSJE! pas një viti do të kishte filluar hetimi i figurave të rëndësishme të politikës që kanë bërë miliona, duke plaçkitur Kosovën në 16 vite. Po ashtu, do të fillonte hetimi i proceseve të mëdha të privatizimeve, që kanë qenë të shoqëruara nga afera korruptive. Në të njëjtën kohë do të kishte filluar një politikë e jashtme aktive për mbështetjen e krijimit të Ushtrisë së Kosovës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik në sektorë strategjikë me vende që i konsiderojmë aleatë, prej SHBA-ve e BE-së. Po ashtu, do të kishte nisur një koordinim i gjerë dhe përafrim praktikash institucionale me Shqipërinë, si dhe krijim i mekanizmave të përbashkët. Megjithatë, një vit është shumë pak për të ndryshuar jetën e përditshme, sidomos në një vend kaq të varfër sa i yni.
Në dhjetë vjet do të kishin ndryshuar shumë gjëra. Për t’i përshkruar këto në një intervistë është vështirë, por do t’i këshilloja të interesuarit të lexonin një libër, që është Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila gjendet edhe online. Alternativa jonë Qeverisëse përbëhet prej 20 kapitujve të organizuar në tri shtylla: Shteti i së Drejtës, Shteti Zhvillimor dhe Shteti Social. Në dhjetë vjet jam i sigurt se gjithçka do të kishte ndryshuar, për shqiptarët në Ballkan, për Kosovën, ekonominë, mirëqenien sociale, arsimin, shëndetësinë e sigurinë. Njerëzit e mirë i kemi, specialistët po ashtu, të cilët më përpara kanë ditur të zhvillojnë industri, ekonomi e shërbime. Thjesht duhet ndryshuar rruga, pasi po ecim në një rrugë të gabuar, e cila është provuar botërisht se shkakton krizë e rrënim, siç është neoliberalizmi.
Pyetje: Hashim Thaçi po vijon rrugën e tij drejt Presidencës së Kosovës. Cili do të jetë reagimi i “Vetëvendosje”-s?
Albin Kurti: Nëse figura e presidentit duhet të jetë unifikuese, nuk ka njeri që do ta luante më keq këtë rol sesa Hashim Thaçi. E kuptojmë se atij i duhet presidenca që të shpëtojë prej gjykatave ndërkombëtare, si ajo e EULEX-it apo tentativa për Gjykatën Speciale për UÇK-në. Mirëpo, vetë Thaçi u shërbeu tërë kohën këtyre burokratëve ndërkombëtarë që padrejtësisht balancojnë fajet e përgjegjësitë e krimeve të luftës në Ballkan, kurse pikërisht ne të VETËVENDOSJE!-s i kundërshtuam ato!
Do të përpiqemi ta ndalim atë që ju e quani “rruga” e tij drejt presidencës. Nuk na duhet edhe një kriminel me pushtet, por një pushtet i dekriminalizuar. Me protestat masive që tashmë kanë nisur, do të kemi zgjedhje parlamentare para se të vijë momenti i zgjedhjes së Presidentiti
Komentet