Historiani dhe ish-i përndjekuri politik, Agim Musta në 15 librat e tij ka dokumentuar tmerret e diktaturës komuniste. Ai vëren me shqetësim se ndërsa regjimet e tjera të japin të drejtën të varrosësh kufomën, diktatura komuniste nuk ta jepte këtë të drejtë minimale, pasi eshtrat e këtyre viktimave hidheshin në gremina, lumenj, ose digjeshin me acid. Z.Musta në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare” hedh dritë mbi masakrën e 21 tetorit të vitit ‘43 në Lushnje nga brigada e drejtuar nga Mehmet Shehu dhe serbi Dushan Mugosha. Z.Musta tregon se si i zhveshën ballistët për të ndarë myslimanët nga ortodoksët për t’i shpëtuar këta të fundit dhe identifikimi i bërë përmes synetllëkut, përgjigja e Shehut për masakrën dhe paralajmërimin e tij për masakra të tjera. duke thënë se kjo do të ishte si kafja para dasmës… Dhe rasti më i trishtë për Agim Mustën ishte pushkatimi në sy të tij i bashkëmoshatarit Duro Shehu në Gjirokastër në vitin 1944.
Z.Musta si e konsideroni dekorimin e Ballit nga presidenti Bujar Nishani?
Për mendimin tim, ai dekorim është i vonuar. Duhej të bëhej me kohë, ashtu siç duhet të dekorohen edhe shumë viktima të tjera të pafajshme, që u mori jetën komunizmi. Për rastin konkret dhe për shumë raste të tjera unë kam takuar dëshmitarë dhe kam bërë kërkime në Arkivën e Shtetit. Në këtë të fundit nuk gjenden as 80 për qind të dokumenteve që vërtetojnë krimet e komunizmit, pasi janë zhdukur qëllimisht që të fshihen. Nuk kam lënë gjë pa hulumtuar që nga koha e luftës e deri në rrëzimin e diktaturës. Kam shkuar në Spaç e në çdo vend për të folur me dëshmitarët, për të mbledhur sa më shumë fakte rreth krimeve barbare të kryera nga diktatura. Kam folur edhe me protagonistë të asaj kohe, me Bedri Spahiun, Tuk Jakovën e shumë të tjerë për të hedhur dritë mbi regjimin kriminal të diktaturës.
Gjatë hulumtimeve tuaja çfarë keni mësuar për masakrën e 21 tetorit të ‘43-it ndaj Ballit?
Ata që u pushkatuan ishin fshatarë të zonës së Myzeqesë, njerëz të pafajshëm. Nuk i ishin bashkuar vullnetarisht Ballit, por kishin qenë të detyruar nga Isa Manastirliu, i cili u tha banorëve që ose të bashkohen me ta, se do t’i vriste vetë ai. Vetë Manastirliu i shpëtoi masakrës dhe iku më vonë jashtë shtetit. Të gjithë drejtuesit e Ballit ikën. I vetmi njeri që luftoi ishte Hamit Matjani. Luftoi pa kompromis.
A pati rezistencë nga ballistët?
Fshatarët u dorëzuan që në përpjekjen e parë. Ata që u dorëzuan, u bënë viktima të brigadës së parë të drejtuar prej Mehmet Shehut e Dushan Mugoshës. Por ajo që ndodhi ditën e masakrës ka qenë e tmerrshme për faktin se Dushan Mugosha i mblodhi të gjithë dhe i detyroi që të zhvisheshin duke parë seksin e tyre se kush ishte bërë synet, ishte mysliman dhe duhej pushkatuar dhe i quajtën
lafshëprerë, ndërsa lafshëpaprerët ishin ortodoksët që nuk ishin bërë synet dhe ata i nxorën nga rreshti dhe nuk i pushkatuan. Të gjithë myslimanët i vranë. Gjatë hulumtimeve të mia për atë ngjarje të rëndë kam mësuar se Rrahman Ruçi që ishte pjesë drejtuese e brigadës, pas pushkatimit i ka thënë Mehmet Shehut se nuk duhej të pushkatoheshin gjithë ata njerëz.
Dhe si është përgjigjur Mehmeti?
Mehmeti i ka thënë Rrahmanit: “Ti nuk ke parë sa lumenj gjaku janë derdhur në Spanjë dhe kjo është vetëm si një kafe para dasmës”. Duhet të dini një gjë, që Mehmeti gjatë luftës në Spanjë ka qenë komandant skuadre dhe jo batalioni. Këtë ma ka thënë vetë Bedri Spahiu, i cili ka qenë në Spanjë edhe ai gjatë luftës. Po ashtu më vonë kur u erdhi diktatura, Rrahmanin i cili ishte udhëheqës i Partisë Komuniste në Lushnje bashkë me dy djemtë e tij e dënuan si devijator të vijës së kuqe të partisë.
Ky ishte një paralajmërim për masakra të tjera nga partizanët?
Po, dhe në të vërtetë kanë kryer shumë vrasje të tjera masive, ku gjysmës nuk u gjenden as
varret. Pas Lushnjës, kanë vrarë në Gjirokastër 14 veta. Në Kurvelesh janë pushkatuar 12 veta, mes të cilëve edhe një grua me dy fëmijë të vegjël. Po ashtu edhe në berat, në Tepelenë. Të gjitha pushkatimet janë bërë pa i gjykuar. Madje, në Gjirokastër ka ndodhur një krim çnjerëzor me një bashkëmoshatarin
tim, Duro Shehu. Kam qenë dëshmitar i asaj çfarë ndodhi dhe ishim vetëm 14-vjeçarë. I ati i Duros kishte folur kundër komunizmit dhe vetëm për aq gjë, atë e morën bashkë me djalin dhe i pushkatuan. Erdhën e morën Duron nga mësimi dhe në oborr të shkollës e pushkatuan në sy të të gjithë ne. Ka qenë një ngjarje rrënqethesë, pasi po vritej edhe një fëmijë i pafajshëm. Por, ka edhe shumë raste të tjera duke ngjallur kudo vëllavrasjen. Në hotel “Turizmi” në Pogradec kanë vrarë 40 xhandarë. Po ashtu, edhe në Dukaj të Tepelenës kanë pushkatuar në gusht të 1944-ës 40 xhandarë. Regjimi diktatorial zhvarrosi eshtrat e ish-kryeministrit shqiptar, Iliaz Bej Vrioni dhe i hodhi ato në lumin Osum të Beratit. Eshtrat e Iliaz Bej Vrionit vazhdojnë të mbeten të humbura duke e lënë ende këtë personalitet të vyer të kombit shqiptar pa varr.
Nisur nga këto masakra, a kërkohen nga presidenti të tjera dekorime në vijimësi të dekorimit të viktimave të 21 tetorit ‘43?
Sigurisht. Janë vrarë njerëz të pafajshëm nga komunistët. Unë kam qenë dëshmitar i vrasjes së një nxënësi shkolle, vetëm 14 vjeç siç ishte Duro Shehu, ishim shokë në Gjirokastër. Ai duhet të dekorohet si dhe shumë të tjerë. Diktatura vrau barbarisht. Mund të them se terrori komunist e ka zanafillën e tij bashkë me formimin e PKSH. Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore ai u ushtrua nga formacione partizane dhe njësitet guerile dhe skuadrat e vdekjes. Mbas vendosjes së diktaturës komuniste, terrori e dhuna fizike në Shqipëri u ushtruan nga Sigurimi i Shtetit, “Divizioni i Mbrojtjes se Popullit” (D.M.B.) Policia Popullore, repartet e ndjekjes, repartet e kufirit, repartet që kishin në varësi burgjet, kampet me punë të detyruar dhe kampet e internimit. Terror e dhunë kanë ushtruar hetuesit,
prokurorët dhe gjyqtarët, që kanë dhënë dënime politike. Janë 6000 vetë që nuk kanë varre, të cilëve nuk u gjenden eshtrat. Në Shqipëri deri më sot nuk është bërë asnjë analizë dhe denoncim zyrtar për krimet e kryera nga PKSH, qysh nga formimi i saj. “Harresa” ka për qëllim shkuljen nga kujtesa e popullit shqiptar të krimeve të diktaturës komuniste, që u kryen në Shqipëri për gjysmë shekulli. Për krime të tilla, duhet të alarmohet jo vetëm kombi shqiptar, por e gjithë bota. Të mos harrojmë kurrën e kurrës, se vendosja e komunizmit në Shqipëri, derisa ndodhi një herë, mund të ndodhë përsëri, jo në të njëjtën formë dhe nga të njëjtët njerëz, por nga personatë tjerë dhe me forma të tjera, me të stërholluara dhe më të rafinuara. Këtë s’duhet ta harrojë asnjë shqiptar.
Komentet