Presidenti amerikan Donald Trump vazhdoi të mbante vëmendjen tek debati për mënyrën e protestave në lojrat e futbollit amerikan, duke postuar disa mesazhe në Twitter. Presidenti Trump ka shkaktuar një stuhi replikash që nga java e kaluar, kur kritikoi sportistët profesionistë që refuzojnë të qëndrojnë më këmbë kur interpretohet himni kombëtar para se të fillojë loja. Të premten, zoti Trump e quajti mënyrën e të protestuarit duke u ulur në gjunjë gjatë himnit, si anti-patriotike. Të dielën, qindra lojtarë u solidarizuan me protestën, në një demonstrim sfidues. Retorika e presidentit preku një nerv në debatin kombëtar për patriotizmin dhe padrejtësitë racore.
Përballë protestave ku lojtarët “ulen në gjunjë”, që të dielën përfshinë pothuajse të gjitha ekipet e futbollit amerikan, Presidenti Trump mbrojti kritikat ndaj atletëve që refuzojnë të qëndrojnë në këmbë kur interpretohet himni.
“Ne kemi njerëz të mrekullueshëm që përfaqësojnë vendin tonë, veçanërisht ushtarët tanë, ose punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë dhe ata duhet të trajtohen me respekt. Dhe kur ulesh në gjunjë dhe nuk e respekton flamurin amerikan apo himnin, kjo tregon mungesë respekti për ta”.
Në një sërë mesazhesh në Twitter, zoti Trump vlerësoi tifozët që hodhën parulla kundër lojtarëve që u ulën në gjunjë të dielën dhe i nxiti ata të bojkotojnë lojërat, deri kur të mbarojnë protestat.
Lojtari i futbollit amerikan, Colin Kaepernick e filloi praktikën e të ulurit në gjunjë gjatë himnit, sezonin e kaluar si shenjë proteste kundër padrejtësive racore. Vetëm pak lojtarë e kishin përqafuar këtë lloj proteste deri të premten kur Presidenti Trump u tha përkrahësve të tij në shtetin jugor të Alabamës se lojtarët që nuk respektojnë flamurin, duhet të pushohen.
“A nuk do donit të shihnit një nga këta pronarët e skuadrave të futbollit, kur dikush e ofendon flamurin tonë, të kërkojë ta përzënë nga fusha dhe nga skuadra?”
Komentet e tij shkaktuan indinjatë në gjithë ligën e futbollit, sidomos mes afrikano-amerikanëve që i konsideruan ato me ngjyrime racore.
“Sa herë që ne ndjejmë që një nga vëllezërit tanë, në ekipin tonë ose në ekipte të tjera, sulmohet në çdo lloj mënyre, ne jemi të bashkuar në një front”.
Deri të hënën, disa nga sportistët më të njohur po shprehnin qëndrimin e tyre.
“Nuk bëhet fjalë për mungesë respekti ndaj flamurit ose ushtrisë sonë dhe atyre që kanë sjellë lirinë në botë. Bëhet fjalë për barazi dhe për lirinë që kanë njerëzit që të ngrenë zërin ndaj padrejtësive”.
James e akuzoi presidentin se po përdorte pushtetin e postit të tij për të përçarë vendin.
“Ne jemi në një moment ku më të fuqishmit në botë kanë mundësinë të na bashkojnë, të frymëzojnë të rinjtë dhe t’u krijojnë qetësi duke përçuar mesazhin se mund të ecësh në rrugë pa u gjykuar nga ngjyra e lëkurës apo përkatësia racore. Dhe ai as e mendon këtë dhe as nuk e vret mendjen”.
Duke u ndjerë në sulm, zoti Trump u përpoq t’i vinte fre sulmeve.
“Kjo nuk ka të bëjë fare me racën. Unë nuk e kam përmendur asnjëherë racën”.
Sido që të shkojë ky debat, komentet e zotit Trump e kanë shndërruar protestën e një lojtari të vetëm para një viti, në një dramë që ka pushtuar ekranet televozive që ka gjasa të përfshijë gjithë botën profesionale të sportit.
Komentet