Kishte shumë kohë qi mêndohesha se si mund të gjindej nji mënyrë për me detyrue moralisht gjith’ata elementa të shquem qi përbâjnë inteligencën shqiptare me u këshillue në mest të tyne me urti e gjak të ftohtë mbi problemat mâ me rândësi q’i përkasin jetës politike, shoqnore e morale të kombit t’onë. Kjo nevojë m’ishte rrânjosun aqë fort në mênde sa krejt fati i Shqipnis së dashun më dukej i mbështetun mi këtë pikë, sepse këshillim përfundisht don me thânë paqtim dhe bashkim. E bashkimi i mêndimevet të Shqiptarve mâ në shêj për dije kishte me siguruë bashkimin e gjithë kombit, pra edhe shpëtimin, përparimin e lulzimin e tij. Prej nji këshillimi me zêmër të kulluet të paris s’onë intelektuale edhe në qoftë se s’realizohet nji bashkim i plotë, pak së paku kishte me dalë e vërteta në fushë me fitim të madh të jetës kombtare.
Nji këshillim i këtillë nuk mund të bâhej me anë të nji mbledhje, tue qênë se n’atë rasë do t’ishte nevoja me u gjetun në nji vênd e nên nji pullaz njerëz të largtë me qinda kilometrash prej shoqi shoqit qi s’kishin për të mundun për shumë arsyna me u mbledhun bashkë. Problemet kombtare qi kanë nevojë për nji studim e këshillim të gjatë e të thellë janë aq të shumta sa mundet me u thânë se s’kanë skâj e mbarim më sa jeta e kombit vetë. Pra nuk ishte këtu punë mbledhje. Kisha mêndue prap në do t’ishte e mundshme qi ay qëllim t’arrihej me anë të nji partie politike të themelueme mbi baza e parime të shëndosha e të sinqerta. As kjo mënyrë nuk më ngjau praktike dhe e dobishme.
Mâ në fund e gjeta mjetin qi duhej : Shtypin. Mêndova të marr guximin me i bâmë nji thirrje inteligencës së popullit t’onë qi t’i përvishej pêndës e mos të kursehej me e derdhun kapitalin e trûvet të saj në nji shesh ku askush nuk do të dilte me u matun me kênd as me u vûe në provë për ndo nji qëllim të posatshëm, por vetëm për me u këshillue me shokët mbi fatin e atdheut i cili pret ndihmë prej gjithë birvet të vet qi të mundet me u mëkâmbun e me përparue në rrugën e qytetnimit.
Po, por cili shtyp do të na vlente si shesh mêndimesh ku s’kishim me pasun të drejtë kurrkând me fye e s’kishim me drashun nga kurrkush me qênë të fyem në bindësít reqiproke? Mjerisht as nji prej organevet të shtypit shqiptar s’na e nepte nji sigurim serioziteti kaqë të plotë dhe as nji fletore a rivistë nga ç’kemi sod në fushët të botimit, a për nji arsye ase për nji tjetër, s’ma mbushte mênden qi do t’ishte e zonja me u ngarkue me nji barrë aqë të rândë si ajo qi kisha mêndue. Pra, i forcuem prej nji deshiri të naltë e thjesht kombtar si edhe prej nji bindësie të fortë e të thellë, mêndova me i dalë zot vetë asaj barre.
Programi sa dukej i thjeshtë në formë aqë ishte i rândë në zbatim. Nuk mund të zhvillohej me anë të nji fletorje qi s’mundet me e ndalue veten, sado të mundohet, nga trazimi pak a shumë në politikë të kafevet e të rrugavet, në thash’e themat e njênit e të tjetrit. Duhej pra nji rivistë, moderne sa mundet me qênë në Shqipní, e cila kêdo qi âsht i zoti dijes t’a bânte me e rrokë pêndën pa përtue. E kështu besoj ka me qênë Kultura.
Shqiptarët qi kanë me pasun mirsinë me i këndue këta rrjeshta do t’a kenë kuptue fort bukur deri këtu se Kultura don me dalë në dritë jo si nji vepër e posatshme e themeluesit, aspak, por si nji monument madhështuer i të tânë inteligencës patriotike të shqiptarís. Kisha besim të plotë se mêndimi e qëllimi i im do t’ishte pritun me gëzim prej ç’do atdhetari të vërtetë e pra mund t’isha i sigurtë edhe prej ndihmës morale e lândore të cilit do qi do t’a çmonte vleftën e kësaj nisjeje. Me gjithë këtê e pashë mâ t’arsyeshme qi pikë së pari të këshillohesha edhe me disa miq nga shkrimtarët mâ të zott të gjuhës s’onë e të merrsha jo vetëm pëlqimin, por edhe besën e tyne për bashkpunim.
Kultura do të jetë e përmuejshme. Ka me qênë, si e tregova edhe mâ nalt, sheshi i zhvillimit të çdo probleme q’i përket jetës së kombit t’onë politikisht, shoqnisht, ekonomikisht dhe moralisht. Nji pjesë e saj ka me i u kushtue gjuhsisë e letërsisë shqiptare. Lajmet mâ me rândësí të ç’do mueji q’i përkasin vêndit t’onë ka me i përmbledhun mbrênda mbas urdhnit kronologjik. Shkurt, Kultura do të mundohet të zhvillojë e të zbërthejë, me bashkpunimin e inteligencës mâ të shqueme të popullit shqiptar, ç’do problemë kombtare me rândësí dhe të kënaqë ç’do nevojë qi mund të ndiejë shpirti i nji studjuesi të palodhshëm.
Secili numër i Kulturës ka me pasun të pakën 64 faqe të mëdhaja e ky vëllim do të mundet me u rritun deri më dy fish.
Botimi i rivistës ka me fillue po sa të jenë mbledhun aqë pajtime sa me i sigurue jetën e nji vjete.
Pajtimi për mot mot kushton: fr. Ar 20.
Themeluesi
Komentet